Me një stil të dalluar populist, i cili tashmë është një lajm i vjetër, Kryeministri Rama njoftoi papritur se po merrte aeroplanin për në Shtetet e Bashkuara “për të lëvizur të gjithë pengesat” dhe për të takuar “ballë për ballë” prodhuesit e vaksinës, në mënyrë që Shqipëria të marrë furnizimin e saj.
Dora e rëndë e pandemisë po ndihet çdo ditë në jetën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve e mirëpritën lajmin e fundit për miratimin e vaksinës duke kërkuar dritën në fund të tunelit. Sidoqoftë, kjo nisje e papritur dhe teatrale ngre më shumë pyetje dhe çështje për diskutim se sa sjell ndonjë ngushëllim.
Para së gjithash, që të marrësh vaksina duhet të ndjekësh një procedurë aplikimi formale dhe për këtë nuk ka rrugë më të shkurtra. Lobimi mund të ketë ndikim, por të mos harrojmë se të gjithë shtetet po bëjnë përpjekjet e tyre dhe Shqipëria nuk mund të mburret as me një madhësi të konsiderueshme tregu dhe as me një formë tjetër të një rëndësie strategjike. Kjo është ndihma që autoritetet shqiptare kishin deklaruar më parë se Shqipëria do të mbulohej me një vaksinë përmes platformave të Bashkimit Evropian dhe aleancës COVAX. Është e paqartë se çfarë lloj shpejtësie apo shmangieje po shpreson të arrijë Kryeministri. Ndoshta asnjë.
Ndërkohë që ky mision donkishotesk në Shtetet e Bashkuara është në rrugë e sipër, sistemi i menaxhimit të krizës brenda vendit po shembet si një shtëpi prej letre. Spitalet raportohen të jenë afër kapacitetit të plotë dhe ka pasur shumë ankesa se disa pacientë po marrin trajtim brenda ambulancave të urgjencës. Një investigim mediatik ka zbuluar se edhe spitalet private, të cilët e ofrojnë këtë shërbim në këmbim të një çmimi të kripur, janë plot dhe madje kanë lista pritjeje.
Paketat e testimit të shpejtë u paraqitën këtë javë si një sukses i madh, megjithatë kompletet e para të pajisjeve të disponueshme janë shumë pak për të bërë një ndryshim real. Doktorët vazhdojnë të sëmuren dhe shteti iu përgjigjet me ndihmë për trajtimin e tyre jashtë shtetit vetëm kur turpërohet nga thirrjet e mediave sociale dhe nismave që ndërmerren nga grupet.
Për pjesën tjetër të popullsisë, që po përpiqet të përballet me vështirësitë, jeta nuk po bëhet më e lehtë.
Mijëra familje me fëmijë në shkollë dhe në universitet nuk janë në gjendje të përballen me platformat e papërshtatshme të mësimit në internet. Këto platforma shumë të lavdëruara nga propaganda si “e ardhmja dixhitale” nuk janë të programuara t’i rezistojnë ngarkesës në rrjet dhe shpesh bllokohen. Përveç kësaj, ato shpesh nuk i përballon përdorimi i celularit, prandaj duhet të kesh një kompjuter portativ apo laptop, të cilët shumë mësues nuk mund t’i përballojnë. Shkollat nuk ofrojnë lidhje me internetin në mënyrë që t’i sigurojnë mësuesve hapësirë të përbashkët pune. Orari kaleidoskopik shkollor dhe mësimi me turne ka bërë lëmsh axhendat e punës dhe të udhëtimit të prindërve. E gjithë kjo mund të përmirësohet me disa përpjekje të koordinuara institucionale dhe me një shpërndarje më të drejtë të burimeve.
Si për t’i bërë gjërat edhe më keq, një i ri u qëllua për vdekje nga policia në një rast konfuzioni vdekjeprurës, pasi u ndoq nga policia për thyerjen e orareve të ndalimit të qarkullimit dhe dyshimit se po bënte rezistencë të armatosur. Burimet tani thonë se atij nuk iu gjet në të vërtetë asnjë armë. Rregullat nganjëherë kontradiktore të vendosura nga autoritet e shëndetit publik, përveç presionit të ushtruar nga autoritetet e zbatimit të ligjit, nuk po funksionojnë.
Në fund le të rikthehemi te vaksina, pasi ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për të krijuar kushtet teknike për ruajtjen e duhur të vaksinës sapo ajo të vijë, si edhe duhen bërë përpjekje për të trajnuar stafin dhe për krijuar mekanizmin e duhur për administrimin dhe shpërndarjen e saj.
Prandaj është shumë e qartë se puna që duhet bërë është brenda vendit, brenda kufijve shqiptarë. Ka aq shumë për t’u bërë dhe përmirësuar këtu saqë hipja në një aeroplan për t’u bërë shpëtimtar është thjesht një tallje, në mos më keq.