Faktori SHBA në marrëdhëniet Shqipëri –Kinë

0

 

nga Iljaz  Spahiu

 

 

 

“Kur ndeshen elefantët, e pësojnë milingonat”- thotë një shprehje aziatike, e cila tregon më së miri pozitën e vështirë të vendeve të vogla në marrëdhënie me të mëdhenjtë, për më tepër me dy gjigantët e sotëm të politikës dhe ekonomisë botërore, SHBA dhe Kina. Në mungesë të aleatëve të natyrshëm, Shqipëria është përpjekur gjithmonë, gjatë historisë së saj, të fitojë simpatinë dhe përkrahjen e fuqive të mëdha, por që për shkak të konjukturave gjeopolitike apo të kapriçove të drejtuesve të saj politikë, nuk ka arritur asnjëherë të ndërtojë politika afatgjata në interes të zhvillimit të vendit e të prosperitetit të popullit.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, gjatë muajit tetor pati dy ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë, që tërhoqën vëmendjen e  analistëve të politikës ndërkombëtare. E para, një letër që Presidenti amerikan Donald Trump i drejtonte Kryeministrit shqiptar Rama, në të cilën, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i kërkon Shqipërisë të dalë nga mekanizmi 17+1 i Kinës me vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore. Dhe e dyta, në vazhdim dhe konkretizim të kësaj letre, vizita në vendin tonë e Nënsekretarit amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, gjatë të cilës u nënshkrua një memorandum për bashkëpunimin ekonomik, por që, në fakt, më shumë u vu theksi te “rreziku,” që sipas tij, paraqet Kina për Shqipërinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit. Presidenti Trump i kërkon haptazi Kryeministrit Rama që të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, që nënkupton përjashtimin e kompanisë kineze Huawei, si edhe e inkurajon atë të dalë nga mekanizmi 17+1, një iniciativë bashkëpunimi e nisur nga Kina. Edhe nënsekretari amerikan i shtetit falënderoi qeverinë shqiptare për angazhimin, siç tha ai, në Iniciativën Rruga e Pastër. Tirana ishte ndalesa e fundit e tij, në kuadër të një turneu dy javor në tetë vende evropiane, i cili në fokus kishte ofensivën e administratës amerikane për krijimin e një fronti antikinez.

Nuk është hera e parë që Uashingtoni kërkon mbështetjen e Shqipërisë për qëndrime dhe politika të veçanta të tij në arenën ndërkombëtare. Por ajo që vlen të analizohet është ndikimi gjithnjë e më i dukshëm  i faktorit SHBA në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës, sidomos pas tensioneve në rritje mes SHBA dhe Kinës, me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump, që tashmë Kinën nuk e shohim thjesht si një konkurrent, por si një sfidues serioz të lidershipit të saj botëror.  Dihet që Shqipëria dhe Kina kanë pasur një lidhje speciale në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, lidhje që pavarësisht bazës ideologjike, u pasua nga një miqësi tradicionale mes popujve, që për hir të së vërtetës vazhdon edhe në ditët tona. Falë asaj lidhjeje, edhe sot kur Kina tashmë është fuqia e dytë ekonomike në botë dhe aktor i rëndësishëm i politikës ndërkombëtare, Shqipëria vazhdon  të gëzojë në këtë vend, madje deri në qarqet e larta drejtuese, një imazh pozitiv,  të lakmuar nga shumë vende. Nuk ka dyshim se Shqipëria ka një orientim të qartë e të vendosur euroatlantik, ka realizuar tashmë aderimin në NATO dhe synon integrimin në BE, orientim që gjithmonë ka gjetur edhe mbështetjen e hapur të qeverisë kineze. Por kjo sigurisht nuk e ka penguar atë të ruajë marrëdhënie korrekte me Kinën dhe partnerë të tjerë. Ajo prej disa vitesh aderon në mekanizmin e bashkëpunimit 16+1 (Aktualisht 17+1, Kinë+ vendet e Europës Lindore, Qendrore  dhe Jug-Lindore), si dhe ka nënshkruar memorandumin e Mirëkuptimit për Nismën “Një brez, Një rrugë”. Marrëdhëniet politike mes dy vendeve mund themi se kanë qenë në nivele të kënaqshme, nisur edhe nga shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë, ndërsa bashkëpunimi ekonomik megjithëse jo në nivelet që priten, është shoqëruar me rritjen e investimeve dhe pranisë së kompanive kineze, po kështu janë intensifikuar shkëmbimeve kulturore, është rritur numri i turistëve etj. Të dyja palët i kanë vlerësuar marrëdhëniet e miqësisë tradicionale si një bazë të fortë për thellimin dhe çuarjen përpara të tyre.

Por dy ngjarjet, që përmendëm më sipër, na bëjnë të besojmë se në të ardhmen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës do të përballen me sfida edhe më të vështira, po të kemi parasysh se politika aktuale amerikane ndaj Kinës,me shumë gjasa edhe në të ardhmen  do jetë një politikë konstante dhe se përballja me sfidën kineze mendohet të jetë në fokus të politikës së jashtme amerikane të presidentit të zgjedhur Joe Biden, pavarësisht formave që do të ndiqen. Sa më shumë të rriten tensionet mes SHBA-së dhe Kinës, aq më shumë pritet që ato të reflektojnë në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë. Duke komentuar qëndrimet e Nënsekretarit amerikan Krach, zëdhënësi i ambasadës kineze në Tiranë, me anë të një deklarate, ndërsa hedh poshtë si të baza akuzat ndaj Kinës, i cilësoi ato si provokim dashakeq ndaj marrëdhënieve Kinë-Shqipëri, si edhe theksoi se këto marrëdhënie përveç se bazohen në parimet e respektit e  përfitimit reciprok dhe të mosndërhyrjes në punët e brendshme, e kanë burimin edhe në miqësinë e gjatë mes nesh, për të cilën ia vlen që të ndjehemi krenarë.  Edhe nga ana zyrtarëve të lartë shqiptarë kjo miqësi është cilësuar si një trashëgimi e vyer në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjë që kërkon nga politika shqiptare e të gjitha krahëve një qëndrim të matur e të unifikuar në trajtimin e marrëdhënieve me Kinën. Më e pakta, një politikë të koordinuar me qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe pa u bërë pjesë e përplasjeve apo lojërave politike mes fuqive të mëdha, gjë që për Shqipërinë e vogël mund të jetë me pasoja shumë të rënda.

 

SHPËRNDAJE