Shumë prej këtyre djemve të rinj nuk kanë shpresë në sytë e tyre. Mungesa e shpresës shndërrohet në zemërim, që i mbush duart e tyre me fuqi, teksa marrin një gur dhe e hedhin atë kundër policisë, kur mbërthejnë një tabelë rrugore dhe mundohen ta rrëzojnë, kur i vënë zjarrin pemës së Krishtlindjeve.
Vrasja e padrejtë e 25-vjecarit Klodian Rasha nga një oficer policie, në rrethana të pajustifikuara, siç do të kishte qenë vetëmbrojtja ose rreziku publik, ishte një i rëndë, i cili tensionoi marrëdhëniet midis policisë dhe qytetarëve. Sjellja e patolerueshme e policisë dhe përpjekjet e tyre konfuze për të zhvendosur fajin dhe për të krijuar alibi i përkeqësoi gjërat. Protesta e shumë qytetarëve, kryesisht të rinjve në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe me më shumë zhurmë në kryeqytet është plotësisht e justifikuar.
Ka diçka që duhet thënë kundër dhunës, e cila është e pajustifikuar. Dhuna e ushtruar si ndaj policisë, ashtu dhe ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, është shumë shqetësuese dhe dëmtuese për strukturat e shoqërisnë shqiptare.
Sidoqoftë, gjëja më e rëndësishme për momentin është të kuptojmë se cilët janë faktorët që e nxisin këtë zemërim. Sjelljet agresive në rritje të oficerëve të policisë, të cilët janë përballur në protestat dhe konfliktet me qytetarët që nga autostrada e Astirit e deri te prishja e Teatrit Kombëtar është një prej tyre, kurse arroganca e institucioneve të shtetit, e shumicës politike dhe e qasjes së tyre për të fajësuar të gjithë dhe gjithçka përveç vetvetes është një faktor tjetër. Një arsye tjetër kryesore është keqqeverisja, përhapja e korrupsionit dhe perspektiva në përkeqësim e zhvillimit social dhe ekonomik.
Kësaj i është shtuar edhe pandemia botërore, e cila ka koston e saj te familjet, kufizon shërbimet publike dhe rrit papunësinë, gjë që çon në një përzierje të përsosur faktorësh për një revoltë shoqërore.
Sidoqoftë, ajo çfarë duket qartë në dhimbje dhe terror është mungesa e shpresës. Shumë prej këtyre djemve të rinj nuk kanë shpresë në sytë e tyre. Mungesa e shpresës shndërrohet në fuqi kur ata marrin një gur dhe e hedhin kundër policisë, kur kapin një tabelë rrugore dhe mundohen ta rrëzojnë, kur i vënë flakën pemës së Krishtlindjeve.
Disa nga bashkëmoshatarët e tyre e kanë kuptuar peshën e mungesës së shpresës dhe e kanë tejkaluar atë duke marrë çantat me vete dhe duke u larguar për shkollim, për një punë stinore ose duke u larguar për në Gjermani, duke mos e kthyer kokën pas.
Prandaj është urgjente që kjo qeveri dhe shumica e saj të lënë mënjanë arrogancën e tyre brutale, verbërinë e tyre të qëllimshme dhe të mos pretendojnë më se këto protesta janë të organizuara nga opozita apo edhe më keq, se janë të paguara prej saj. Ata duhet të shikojnë sa më parë pakënaqësitë e vërteta dhe t’i adresojnë ato përtej keqardhjes së shtirur për keqpërdorimin e të miturve apo breshërinë e abuzimit verbal ndaj mediave dhe opozitës.
Mungesa e shpresës është shpesh një pikë nga e cila nuk ka kthim pas.