nga Prof. Dr. Paskal Milo
Studjues shqiptarë por edhe të huaj në këto afro 30 vitet e fundit janë përqëndruar me përparësi në historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.Kjo ka ndodhur jo për shkak të peshës e të rolit që pati Shqipëria në fatet e Luftës së Dytë Botërore e në fitoren mbi fashizmin.Motivi kryesisht është nxitur për katër arsye:e para se Shqipëria ishte ndër vëndet e para që u pushtua nga fashizmi, e dyta se pas verës së vitit 1943 ajo u bë një objekt i rëndësishëm strategjik për fuqitë ndërluftuese për zotërimin e Ballkanit, e treta se lufta e armatosur antifashiste e shqiptarëve ishte nga më të avancuarat e më efektive në Ballkan e në Evropë dhe e katërta se Shqipëria u çlirua pa ndërhyrjen e ushtrive të huaja nga pushtimi fashist.
Në kornizën e madhe të Luftës së Dytë Botërore Shqipëria zë një vënd modest.Por interesi që u dëshmua rreth saj nga Fuqitë e Mëdha e ndërluftuese nuk ka qënë një vijë lineare dhe e njëtrajtëshme, por me uljet dhe ngritjet e saj të përcaktuar nga faktorë strategjikë, të momentit e kalimtarë, nga dobia operative operacionale në teatrin e luftimeve dhe nga skicimet që ishin bërë në projeksionet gjeopolitike të pas Luftës.Fuqitë e Boshtit fashist, Italia dhe Gjermania, respektivisht në vitet e pushtimit të tyre të Shqipërisë kishin objektiva thuajse të njëjta por edhe të diferencuara për nga mjetet dhe format e realizimit të tyre.Edhe Fuqitë e Mëdha të Kombeve të Bashkuara Antifashiste, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Sovjetik, herë janë bashkuar e herë janë ndarë në vitet e Luftës për çështjen shqiptare por duke ruajtur disa kolona thelbësore në qëndrimin ndaj saj.Ndarja e thellë në objektivat strategjikë, politikë dhe ideologjike që ekzistonte në aleancën e Kombeve të Bashkuara midis dy fuqive perëndimore, Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe nga njëra anë dhe Bashkimit Sovjetik nga ana tjetër u zbut para rrezikut dhe kërcënimit që vinte nga Boshti fashist.Por ajo në një mënyrë ose tjetër ishte e pranishme dhe manifestohej në shumë drejtime pa kaluar nivelin kritik që rivalitetet strategjike në sfond të ktheheshin në politika konfliktuale të ditës.Tabloja e marrëdhënieve ndëraleate në Kombet e Bashkuara nuk do të ishte realiste në plotësinë e saj në rastin kur ajo do të paraqitej bardhë e zi, nga njëra anë unitet i plotë në objektivat dhe politikat amerikane dhe britanike dhe nga ana tjetër dyshime dhe mosmarrëveshje me politikën dhe strategjinë sovjetike.Asnjëherë nuk ka ndodhur e nuk ndodh që marrëdhëniet dhe interesat strategjike edhe mes vëndeve demokratike të jenë plotësisht të përputhshme e të përjetshme, aq më tepër ato që quhen të përkohshme e taktika të çastit, politike e diplomatike.Kështu ka ndodhur edhe në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore.Dokumentet amerikane dhe britanike të kohës e dëshmojnë këtë aspekt real të pranishëm në këto marrëdhënie jo vetëm në teatrin e madh operacional e politik të Luftës por edhe për çështje që mund të jenë konsideruar shumë periferike si Shqipëria.
Ky është një studim krahasues i politikave amerikane e britanike ndaj Shqipërisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore me të përbashkëtat dhe të veçantat.Do të merren disa nga çështjet kryesore të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore që nga pushtimi i Shqipërisë deri në çlirimin e saj dhe ku përmes dokumenteve do të bëhet ballafaqimi i politikave dhe i qëndrimeve të të dy Fuqive të Mëdha ndaj saj.
I.Pushtimi italian i Shqipërisë
Çështja e parë që vjen në referencë është pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste në 7 prill 1939.Britania si një nga Fuqitë e Mëdha evropiane ishte shumë më tepër e interesuar për paqen evropiane dhe kërcënimet rreth saj se sa Shtetet e Bashkuara që ende në politikën e tyre të jashtme ndikoheshin nga izolacionizmi dhe nga çangazhimi ndaj zhvillimeve evropiane.Britania si fuqi e madhe detare kishte interesa prioritare në Detin Mesdhe, veçanërisht në pjesën lindore të tij ku ekzistonin dhe sfera historike influence.Interesa të tilla në Mesdhe kishin edhe dy Fuqi të tjera të Mëdha evropiane, Franca dhe Italia, të cilat kryqëzoheshin me ato britanike.Sistemi ndërkombëtar i pas Luftës së Parë Botërore u vendos në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-1920 e në konferenca të tjera që e shoqëruan atë. Aty u arritën marrëveshje e kompromise të reja për ekuilibrin e interesave të këtyre Fuqive në Mesdhe që nuk u cënuan deri në vitin 1939.Madje një vit më parë, në prill 1938, qeveria britanike kishte nënshkruar me qeverinë italiane një marrëveshje të fundit në të cilën ato angazhoheshin të ruanin status quo-në dhe sovranitetin kombëtar të territoreve në rajonin e Mesdheut.1
Shqipëria ishte vënd mesdhetar dhe pushtimi i saj nga Italia fashiste ishte dhunim flagrant i status quo-së në Mesdhe dhe i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit shqiptar.Në Londër këtë e dinin shumë mirë dhe qeveria britanike formalisht në përkujtesën që i dërgoi në 6 prill qeverisë italiane i tërhiqte asaj vëmëndjen se çdo ndryshim në statusin e Shqipërisë në mënyrë të paevitueshme do të prekte status quo-në në Mesdhe për të cilën Britania e Madhe kishte një interes direkt e jetik.2 Nota ishte thjeshtë një formalitet diplomatik për tu mbajtur shënim sepse Çiano kur e lexoi shkroi në ditarin e tij se ajo dukej sikur të ishte hartuar në zyrat tona.3 Halifax veçse kishte përcjellë qëndrimin real të qeverisë britanike ndaj synimeve pushtuese italiane në Shqipëri që hapur e qartë e shprehu po atë ditë kryeministri britanik kur deklaroi se Britania nuk kishte interes të drejtëpërdrejtë për ngjarjet në Shqipëri, por vetëm interes të përgjithshëm për paqen në botë.4 Ministri i jashtëm italian Çiano e kuptoi thelbin formal të mesazhit britanik dhe iu përgjegj kolegut të tij britanik Halifax me frazën nanuritëse diplomatike se qeveria italiane ishte plotësisht e vendosur të respektonte pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë dhe status quo-në e rajonit të Mesdheut!5
Pa u tharë mirë boja e këtij mesazhi, ushtria pushtuese italiane herët në mëngjesin e 7 prillit zbarkoi në portet shqiptare dhe pas një rezistence të paorganizuar e të shkurtër e pushtoi Shqipërinë.Qeveria britanike nuk lëvizi nga pozicioni i saj edhe kur u njoftua zyrtarisht nga Musolini për zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri.Halifax e pranoi pushtimin e Shqipërisë “por me kusht që ajo të mos shkonte përtej kufijve të këtij vëndi”.6 Më tej akoma qeveria britanike e konsideroi pushtimin e Shqipërisë si një episod i thjeshtë adriatik dhe se situata shqiptare nuk mund të ishte shkaku i një lufte botërore.7 Këto deklarata u mirëpritën në Romë dhe Musolini i kënaqur përkohësisht prej tyre i premtoi Londrës se do të plotësonte dy kërkesa të saj:se do të respektonte pavarësinë dhe integritetin territorial të Greqisë dhe do të tërhiqte forcat italiane nga Spanja që kishin mbetur aty që nga koha e luftës civile (1936-1939).8 Në optikën britanike Shqipëria ia vlente të sakrifikohej për të penguar bashkimin e Italisë me Gjermaninë dhe për të ruajtur avampostet e saj në Mesdhe.
Ndryshe nga qëndrimi pajtues britanik ndaj pushtimit italin të Shqipërisë, pozicioni i SHBA ishte kundërshtues.Sekretari i Shtetit Kordell Hall (Cordell Hull) pasi ka dëgjuar një ditë më parë denoncimin zyrtar të ministrit fuqiplotë shqiptar në Uashington, Faik Konica, në 8 prill deklaroi se “pushtimi me forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë është pa dyshim një kërcënim tjetër për paqen në botë”.Qeveria amerikane nuk shkoi përtej kësaj deklarate, nuk dërgoi një protestë zyrtare në Romë dhe arsyeja përse nuk e bëri qëndronte në dy argumente: e para se edhe ajo e konsideroi pushtimin si një “incident” krahas “incidenteve të tjera të ngjashme”.9 E dyta, se ajo nuk mund të kapërcente qëndrimin që morrën dy vëndet perëndimore evropiane, Britania dhe Franca që ishin më afër e që mund të ndjenin më shumë efektin e agresionit italian ndaj Shqipërisë. Këtu ka një vlerësim të njëjtë për ngjarjen, ishte “incident” që nuk mund të çonte në një luftë botërore.Shtetet e Bashkuara janë qartësisht të dallueshëm në dënimin e agresionit italian në krahasim me qëndrimet e Britanisë e të Francës por janë afër tyre në vlerësimin e peshës së kësaj ngjarjeje në fatet e paqes botërore.
Dallimi thelbësor midis qëndrimit amerikan e atij britanik u shfaq edhe ndaj regjimit të pushtimit italian që u vendos në Shqipëri.Pas suprimimit të ministrisë së punëve të jashtme shqiptare në 3 qershor 1939, që sipas ministrit amerikan në Tiranë, H. Grant “nuk ka më asnjë shenjë të pavarësisë e të sovranitetit shqiptar”, Departamenti i Shtetit vendosi të mbyllte legatën amerikane në Tiranë.10 Në të kundërtën, qeveria britanike vendosi ta njohë regjimin italian të pushtimit edhe de jure pasi u lëkund katër-pesë muaj.Në shtator Forin Ofis dha rekomandimin për njohjen e statusit të ri të Shqipërisë të cilin në 21 tetor 1939 qeveria britanike e ktheu në vendim.Londra për këtë vendim të saj njoftoi edhe Uashingtonin.11Në Durrës u vendos një konsull i përgjithshëm britanik.
II.Deklarata e Kombeve të Bashkuara Uashington, 1 janar 1942.
Shqipëria jo për përgjegjësi të saj ishte lejuar që në vitin 1921 në Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha fituese të Luftës, kryesisht nga Britania e Franca që të konsiderohej si sferë e influencës italiane.Shtetet e Bashkuara nuk morrën pjesë në këtë Konferencë dhe as në Lidhjen e Kombeve, ndonëse idea dhe projekti i kësaj organizate ndërkombëtare të sigurisë ishin shpallur nga presidenti amerikan Udro Uillson (Woudrow Wilson) që në janar 1918.Tërheqja amerikane ka qënë një nga arsyet kryesore për dështimin e misionit që morri përsipër Lidhja e Kombeve dhe e pafuqisë së saj për të ndaluar fuqitë fashiste, Italinë, Gjermaninë dhe Japoninë të shpërthenin Luftën e Dytë Botërore.Kur flakët e kësaj Lufte përfshinë thuajse gjithë Evropën dhe kërcënuan ekzistencën e Britanisë si shtet i pavarur si dhe sigurinë e lundrimit në Atlantik, Shtetet e Bashkuara nuk mund të rinin mënjanë.Ndonëse zyrtarisht ato ende në verën e vitit 1941 konsideroheshin shtet neutral, në realitet ishin reshtuar në ndihmë të Britanisë që përballonte sulmet ajrore e detare gjermane e të Bashkimit Sovjetik të sulmuar nga ushtritë naziste që në muajin qershor.
Koha dhe rreziku i thirri dy nga burrat më të mëdhenj të politikës botërore të shekullit të XX-të, presidentin e Shteteve të Bashkuara Franklin Ruzvelt dhe kryeministrin e Britanisë së Madhe Uinston Çurçill që të vinin gurin e parë në themelet e krijimit të aleancës së madhe të Kombeve të Bashkuara antifashiste.Ajo ishte një deklaratë me 8 parime që ata nënshkruan në 14 gusht 1941 në gjirin Argentina në Tokën e re (Newfoundland) në ujrat e Oqeanit Atlantik, të njohur ndryshe si “Karta e Atlantikut”.12 Ruzvelti dhe Çurçilli u kërkuan të gjitha kombeve antifashiste që të bashkoheshin në këtë Deklaratë dhe u angazhuan në organizimin e një konference ndërkombëtare për nëshkrimin solemn të saj.U vendos dhe iu dërguan ftesa për këtë Konferencë që do të mbahej në Uashington në 1 janar 1942 rreth 26 qeverive, vëndet e të cilave luftonin aktivisht kundër Gjermanisë dhe Italisë si dhe qeverive në emigracion të atyre vëndeve që ishin pushtuar nga këto shtete fashiste.
Ku hynte Shqipëria në këtë rast? Dihej qartë që ajo ishte një vënd i pushtuar ndër të parat në Evropë nga Italia fashiste.Por nuk dihej që në verë – vjeshtë të vitit 1941 të kishte në këtë vënd një lëvizje të organizuar të armatosur antifashiste dhe një organizëm politiko-ushtarak përfaqësues të saj.Në të vërtetë ende brënda në Shqipëri në këtë kohë nuk kishte as rezistencë të organizuar e të armatosur në shkallë kombëtare dhe as udhëheqje unike politike antifashiste.Por dihej që mbreti shqiptar, Zogu i larguar nga Shqipëria ditën e pushtimit të saj nga Italia jetonte në Londër me statusin e qytetarit privat të diktuar nga vetë qeveria britanike.Ai nuk kishte qeveri por vetëm një grup njerëzish besnikë të tij që i shërbenin.Forin Ofis (Foreign Office) ishte treguar e ashpër e pa të drejtë me mbretin Zog.Pavarësisht që nuk ushqehej simpati për të, qeveria britanike duhej ta trajtonte minimalisht si gjithë mbretërit e shteteve të tjera të pushtuara që ndodheshin në Londër.Nga pikëpamja formale Zogu ishte legjitim si mbret dhe nuk kishte abdikuar.Aspekti moral, mënyra se si ishte larguar nga Shqipëria ishte çështje tjetër.por gjykimi britanik, veçanërisht i sekretarit të jashtëm Iden (Anthony Eden) ishte radikal ndaj tij.
Zogu e vuante këtë qëndrim të diferencuar që mbahej në Londër ndaj tij.Ai në forma e në mënyra të ndryshme u përpoq ti shpëtonte rrethit të izolimit, të zgjeronte njohjet e lidhjet e të faktorizohej në sytë e britanikëve, por edhe të amerikanëve e të paraqitej si kryetar i shtetit shqiptar në emigracion.Duke qënë në Londër ai u njoh me ftesat që u ishin dërguar qeverive jugosllave, greke, polake, çekosllovake, etj në emigracion për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të Uashingtonit.Vendosi të veproj me të drejtën e tij formale të të qënurit kryetar shteti për të testuar e për të synuar rehabilitimin e tij në Londër por edhe brënda në Shqipëri.Në 23 shtator 1941 ai u dërgoi nota identike presidentit të Shteteve të Bashkuara, kryeministrit të Britanisë së Madhe dhe kryetarëve të qeverive në emigracion me seli në Londër në të cilat duke e prezantuar vehten si përfaqësues legal i Shqipërisë kërkonte që vëndi i tij të mos trajtohej në mënyrë të diferencuar nga Fuqitë Aleate por ti jepej mundësia për të dhënë kontributin e saj në luftën kundër armiqëve të përbashkët.13
Nota e Zogut u prit me këmbët e para në Forin Ofis.Në këtë institucion prestigjoz të politikës së jashtme britanike emri i Zogut gëzonte një reputacion shumë të keq.Shefi i tij Iden kishte një alergji shumë të madhe për të që manifestohej hapur.Kjo ndjenjë u reflektua edhe në projekt përgjigjen që u përgatit për mbretin shqiptar dhe që iu dërgua Çurçillit për ta firmosur.Kryeministri britanik e konsideroi tonin e saj shumë të ashpër dhe dy herë refuzoi ta firmosë një përgjigje të tillë.14 Refuzimi çoi në fërkime të hapura mes tij dhe Idenit.Sekretari i jashtëm i vendosur për të mos bërë asnjë lëshim në fund të tetorit 1941 i bëri një relacion shpjegues kryeministrit britanik ku përsëri me arrogancë kërkonte që të hidhej poshtë pretendimi i Zogut për të dalë si përfaqësues i ligjshëm i Shqipërisë dhe i një qeverie shqiptare ne emigracion.Këtu, i shkruante ai Çurçillit, “nuk ka qeveri shqiptare për tu njohur dhe as material për të firmosur një qeveri të tillë edhe sikur të ishte nuk do të përfaqësonte asgjë”. Në fund të këtij relacioni Ideni shprehet se ku qëndronte arsyeja e një reagimi kaq radikal të tij ndaj Zogut e kërkesës së tij: “ne kemi refuzuar gjithnjë që të tërhiqemi në çfardo lloj angazhimi në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë, për sa kohë që grekët dhe jugosllavët kanë synime të cilat i kanë shprehur me forcë dhe që pa dyshim do të duhet të merren në konsideratë”.15
Në përfundim të këtij debati të brëndshëm institucional britanik fitoi pikëpamja e Çurçillit që Zogut ti jepej një përgjigje refuzuese e shkurtër me terma diplomatike.Kjo përgjigje u bashkërendua edhe me Departamentin Amerikan të Shtetit.Përgjigja e Ruzveltit për Zogun ishte me disa fjalë kortezie duke premtuar që letra e tij do të shihej me konsideratën më të madhe.16Zogu nuk u tërhoq nga përpjekjet për të marrë statusin e aleatit.Në dhjetor 1941qeveria kuislinge e Tiranës u shpalli luftë Shteteve të Bashkuara.Mbreti shqiptar e shfrytëzoi rastin për t’i dëshmuar presidentit amerikan mosdakortësinë e tij për këtë akt duke e cilësuar atë jo legjitim.I rikujtoi atij se vetëm ai dhe qeveria e tij ishin përfaqësuesit e vetëm ligjorë të popullit shqiptar, duke iu lutur që t’i jepej fund kësaj anomalie dhe që Shqipëria të zinte së shpejti vendin e saj në aleancë.17
Kjo ishte tentativa e fundit nga ana e Zogut për të marrë pjesë në Konferencën e Uashingtonit që u hap në 1 janar 1942.Përfaqësuesit e 26 kombeve antifashiste nënshkruan aty Deklaratën e Kombeve të Bashkuara.Dokumenti i angazhonte nënshkruesit e tij që të mobilizonin në shërbim të luftës kundër anëtarëve të Paktit Trepalësh fashist (Gjermani-Itali-Japoni) të gjitha burimet e tyre ushtarake ose ekonomike, të bashkëpunonin midis tyre dhe të mos përfundonin me armikun as armëpushim, as edhe paqe të veçantë.Në Deklaratë zunë vënd edhe parimet e Kartës së Atlantikut.Në fund lihej e hapur mundësia që me 26 kombet nënshkruese të saj të bashkoheshin edhe kombe të tjera që do të sillnin ndihmë dhe kontribut material në luftën për fitoren kundër hitlerizmit.18
Zogu u kap pas kësaj mundësie dhe nxitoi ta shfrytëzojë.Në 6 janar 1942 ai iu drejtua përsëri presidentit Ruzvelt me kërkesën që Shqipëria të aderonte në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara.19 Disa ditë më vonë, më 12 janar, Ruzvelti në një darkë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë e në prani edhe të Çurçillit ngriti çështjen e nënshkrimit të Deklaratës nga mbreti Zog dhe porositi që të gjendej përfaqësuesi i tij në Uashington.20 Departamenti i Shtetit që ishte në dijeni të qëndrimit britanik i shfaqi disa rezerva presidentit.Ruzvelti kërkoi që Zogut t’i kthehej përgjigje që kërkesa e tij është mbajtur shënim.21 I informuar për mospajtimin britanik, presidenti amerikan kërkoi mendimin e kryeministrit britanik për këtë çështje.Nuk vonoi dhe në fund të shkurtit Çurçilli i bëri të njohur Ruzveltit qëndrimin zyrtar britanik për kërkesën e mbretit shqiptar.Qeveria britanike nuk ishte dakort për aderimin e Shqipërisë në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara.Për Çurçillin pranimi i saj do ti mërziste britanikët “meqënëse Zogu ishte në Angli si një qytetar privat dhe meqënëse Shqipëria nuk llogaritej mes aleatëve”.22 Përgjigja dukej qartë që kishte vulën e mendimit të Forin Ofisit.
Ballafaqimi i këtyre dokumenteve tregon se edhe për aderimin e Shqipërisë në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë ka patur kundërshti serioze.Presidenti Ruzvelt ishte i prirur ta mbështeste mbretin Zog për të firmosur Deklaratën por ndeshi në mospajtimin e fortë britanik.Qëndrimi i Çurçillit dhe i Forin Ofisit se Shqipëria nuk ishte vënd aleat formalisht mbështetej në deklaratat e qeverisë kolaboracioniste shqiptare të qershorit e të dhjetorit 1941 mbi shpalljen e luftës ndaj Britanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara.Por në thelb çështja qëndronte diku tjetër.Në janar me nxitjen e Londrës midis qeverive greke dhe jugosllave në emigracion e në prani të sekretarit të jashtëm britanik Iden, ishte nënshkruar pakti i Bashkimit Greko-Jugosllav me synimin për të krijuar një konfederatë ballkanike pas Lufte.23Në projektet britanike për Ballkanin fati i Shqipërisë në këtë kohë mbetej i dyshimtë dhe në Forin Ofis qarkullonin opcione ndarjeje të territoreve shqiptare në favor të fqinjëve.Aderimi i Shqipërisë në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara mund të pengonte realizimin e këtij synimi.
III.Deklarata e ministrave të jashtëm, dhjetor 1942
Projekti i “korrigjimit” të kufijve të Shqipërisë do të mbetej një konstante e politikës britanike ndaj Shqipërisë gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, me ulje dhe ngritje në varësi të zhvillimeve në frontin e luftimeve në Evropë e veçanërisht në Mesdhe.Zbatimi i tij do të ndikohej edhe nga marrëdhëniet ndëraleate e veçanërisht të dy Fuqive të Mëdha evropiane, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik si dhe nga synimet e tyre për riorganizimin e kufijve të Evropës pas Luftës.Uashingtoni dhe Moska ishin informuar në rrugë jo zyrtare për projektin britanik të federatës greko-jugosllave të pas luftës dhe për coptimin e Shqipërisë në favor të fqinjëve.Kërkesës së Stalinit në bisedimet me Idenin në 16 dhjetor 1941 në Moskë se “Shqipëria mund të rimëkëmbet si shtet i pavarur nën garancinë e shteteve të tjera për pavarësinë e saj”, sekretari i jashtëm britanik iu përgjegj vetëm në 13 janar 1942 përmes ambasadorit sovjetik në Londër Ivan Majski se qeveria britanike :“do të kishte disa vështirësi në lidhje me çështjen e kufijve nga kërkesat dhe pretendimet e Jugosllavisë dhe Greqisë”.24Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1942 nuk ishin shprehur zyrtarisht e publikisht për statusin e Shqipërisë së pas Luftës.Departamenti i Shtetit në mjaft raste kishte bërë studime për çështjet shqiptare por për përdorim të brëndshëm, si reflektim i mendimit të Departamentit se sa si konkluzion ose politika të aprovuara përfundimisht për këto çështje.25Në njërin prej tyre nënvizohej dhe në këtë rast edhe pranohej se “Britania e Madhe është më shumë e lidhur drejtëpërsëdrejti me të ardhmen e Shqipërisë se sa Shtetet e Bashkuara”.26Është fakt i njohur që për të gjithë periudhën e Luftës Uashingtoni do të njoh dhe do të respektoj rolin parësor britanik për çështjen shqiptare por që nuk do të përjashtonte edhe qëndrime të diferencuara ndaj saj.
Politika britanike brënda rrethit të interesave e të synimeve të saj, në fillim të vitit 1942 tentoi të bëj një deklaratë për pavarësinë shqiptare por pa përmëndur integritetin territorial të vëndit.Pasi u diskutua në Forin Ofis, në pranverë u quajt e parakohshme dhe u la për më vonë,kur mund të kishte edhe ndonjë zhvillim të ri.27Por në nëntor trupat amerikane zbarkuan në Afrikën Veriore dhe Mesdheu morri përparësi në veprimet ushtarake aleate.Britania si fuqia më e interesuar në këtë zonë riktheu vëmëndjen ndaj Ballkanit e rrjedhimisht ndaj Shqipërisë.Në Forin Ofis u rikonsiderua deklarata për pavarësi e Shqipërisë e cila do të mund të shërbente si një nxitje edhe për rritjen e rezistencës antiitaliane në vënd.Iden e miratoi idenë dhe projekt deklaratën për pavarësinë e Shqipërisë dhe dërgoi për gjykim e miratim në Kabinetin e Luftës (War Office) të shoqëruar me një memorandum shpjegues.Sekretari i jashtëm britanik rekomandonte një deklaratë për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, por pa thënë asgjë “rreth rivendosjes së kufijve të paraluftës për shkak të disa pretendimeve të mundshme territoriale nga qeveritë greke e jugosllave”.28
Pasi projekt deklarata u miratua në Kabinetin e Luftës, qeveria britanike në 7 dhjetor njoftoi qeveritë e Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Sovjetik për projekt deklaratën për Shqipërinë dhe i ftoi ato që t’i bashkoheshin iniciativës së saj. Në fakt Londra i kishte bërë një njoftim paraprak dy ditë më parë Uashingtonit për këtë çështje.Në Departamentin e Shtetit nuk u desh nota britanike për ta lëvizur atë në adresë të çështjes shqiptare.Disa ditë para saj, Zyra e Shërbimeve Strategjike (OSS) kishte kërkuar që qeveria e Shteteve të Bashkuara të bënte një deklaratë, sipas të cilës një Shqipëri e pavarur do të rivendosej pas Lufte.OSS-i në propozimin e saj që ishte i datës 30 nëntor kishte informacionin se qeveria britanike kishte patur bisedime jo zyrtare me qeveritë jugosllave e greke në emigracion në Londër për ndarjen e Shqipërisë.29 Hall kërkoi që ky informacion të verifikohej në Forin Ofis përmes ambasadës amerikane në Londër.30Tri Fuqitë e Mëdha të Kombeve të Bashkuara, në dhjetor pasi ranë dakort në parim bënë deklaratat e tyre për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara në 10 dhjetor, Britania e Madhe në 17 dhjetor dhe Bashkimi Sovjetik në 18 dhjetor.31 Ato reflektonin gjykimet dhe qëndrimet e të tre qeverive për pushtimin e Shqipërisë, për nivelin e rezistencës së saj antifashiste dhe për statusin e ardhshëm pas Lufte të saj.Nuk ishin identike, kishin vlerësime të përbashkëta e të përafërta por kishin edhe këndvështrime të ndryshme për çështje të caktuara.E përbashkëta në të tre deklaratat ishte dëshira e qeverive për ta parë Shqipërinë të lirë nga pushtimi fashist dhe pavarësinë e saj të rivendosur.Deklarata amerikane përdorte konceptin e sovranitetit në vënd të atij të pavarësisë.
Mbështetja për pavarësinë në përfundim të Luftës ishte historike për Shqipërinë.Deklaratat ishin dokumente zyrtare të të tre Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara që u dhanë fund përfundimisht skenareve që qarkullonin prej vitesh në kancelaritë e tyre apo edhe të vëndeve të tjera për coptimin e Shqipërisë apo vënien e saj nën protektoratin e një Fuqie të Madhe ose nën mandat ndërkombëtar.Emërues tjetër i përbashkët i të tre deklaratave ishte nënvizimi në to i qëndrimit se forma e regjimit dhe e qeverisë së Shqipërisë do të përcaktohej nga populli shqiptar në fund të Luftës, parim ky i fiksuar në Kartën e Atlantikut dhe në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara.
Përtej elementeve të përbashkët, Deklaratat kishin edhe dallime thelbësore dhe anësore mes tyre.Në Deklaratat amerikane dhe sovjetike shprehej qartësisht se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik nuk e kishin njohur asnjëherë pushtimin dhe aneksimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.Në të kundërtën, Britania e Madhe e njohu ose në rastin më të mirë u tregua indiferente.Një ndryshim tjetër në këto Deklarata ishte se ato amerikane e sovjetike vlerësonin qëndresën dhe luftën antifashiste të shqiptarëve kundër pushtuesve dhe premtonin edhe mbështetje për to, ndërsa Deklarata britanike e linte në heshtje.
Ndryshimi radikal mes deklaratave qëndronte në çështjen e kufijve të Shqipërisë në përfundim të Luftës.Në deklaratat amerikane dhe sovjetike kjo çështje nuk prekej.Deklarata britanike në të kundërtën e vinte theksin aty me frazë të përzgjedhur që nënkuptonte rishikimin e kufijve të Shqipërisë në konferencën e ardhshme të paqes.Ky qëndrim zbulonte hipokrizinë e politikës britanike të kohës dhe spjegonte këmbënguljen e saj për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara.Në dokumentet britanike të Luftës ka mjaft pohime dhe fakte të kësaj natyre por më domethënëse ishte ajo e sekretarit të jashtëm, Iden dhjetë muaj më vonë nga koha e Deklaratës kur shkruante se “shqiptarët nuk janë aleatë”, se ata “nuk duhet të presin të kenë të njëjtin trajtim sikur të ishin aleatët tanë”.32 Sekretari amerikan i shtetit Hall protestoi për mënyrën se si kolegu i tij britanik Iden nuk respektoi marrëveshjen paraprake për vijat e përgjithshme të deklaratave që do të bëheshin për Shqipërinë.Ai u suprizua nga fraza e futur në momentin e fundit në deklaratën britanike për kufijtë e Shqipërisë.Disa ditë pas deklaratave ai do t’i thoshte ambasadorit britanik në Uashington, Lordit Halifax se deklarata britanike “ishte kaq e vakët sa realisht ishte e pakuptimtë…”.33
IV.Çështja e qeverisë shqiptare në emigracion
Refuzimi britanik dhe pajtimi amerikan me të për të njohur mbretin Zog si përfaqësues legjitim të Shqipërisë për të nënshkruar Deklaratën e Kombeve të Bashkuara e nxiti sovranin shqiptar të kërkonte zgjidhje të tjera.Në Londër kishte një numër qeverish në emigracion nga vënde të ndryshme të cilat ishin të njohura nga qeveria britanike dhe ajo amerikane.Zogu i këshilluar edhe nga miqtë e tij britanikë siç edhe e ka pohuar vetë, vendosi të provojë krijimin e një qeverie shqiptare në emigracion.Por ishte një sfidë me tre të panjohura:çfarë qëndrimi do të mbante qeveria britanike dhe pas saj edhe ajo amerikane, si do të reagonin shqiptarët në emigracion dhe çfarë ndikimi do të kishte kjo sipërmarrje në Shqipëri?
Në mars 1942 Zogu filloi nga puna për zbatimin e projektit.Veprimi i parë që bëri ishte të maste pulsin e qeverisë britanike për këtë çështje. Dy herë në muajin mars Endrju Rajani, ish ministër britanik në Shqipëri, i caktuar jo zyrtarisht nga Forin Ofisi si diplomat i pensionuar u takua me mbretin shqiptar.Zogu i parashtroi pretendimin e tij që të trajtohej si përfaqësues kushtetues i shtetit shqiptar e për të shërbyer në emigracion jo vetëm si garanci për rivendosjen e pavarësisë por edhe për ruajtjen e integritetit territorial të tij.34 Zogu u bëri thirrje në rradhë të parë shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të prillit të gjithë shqiptarëve për të formuar një qeveri kombëtare, një qeveri të “bashkimit të shenjtë”.35 Kërkoi ndihmën e miqëve të tij britanikë të grupuar në Komitetin ballkanik për të krijuar një qeveri kombëtare që do të siguronte pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë.36 Zogu në periudhën mars – qershor arriti të sigurojë një përkrahje të konsiderueshme mes shqiptarëve të Britanisë e veçanërisht të Amerikës.Suksesi më i madh i tij ishte që fitoi edhe mbështetjen e personaliteteve me influencë si Fan Noli, Faik Konica, etj.
Në përfundim të këtyre parapërgatitjeve, në fund të qershorit 1942 Zogu vendosi të trokas në dyert e Forin Ofis e të Departamentit të Shtetit.Në Londër do të vepronte vetë e përmes miqëve të tij, në Uashington e morrën përsipër Faik Konica e Fan Noli e pak më vonë edhe Konstandin Çekrezi.Zogu përmes Rajanit i bëri të ditur Forin Ofisit projektin e tij për krijimin e një qeverie shqiptare në emigracion me gjashtë ministra e me qëndër në Londër si dhe formimin e komiteteve lokale në Shtetet e Bashkuara, Egjipt e Turqi.37 Qëndrimi britanik ishte negativ, nervoz dhe i shpejtë.Forin Ofis i kujtoi mbretit shqiptar statusin e tij të qytetarit privat që i ndalohej të merrej me aktivitet politik dhe vullnetin e qeverisë britanike për të mos e lejuar atë.38 Por nuk ishte vetëm kjo arsyeja kryesore.
Në Forin Ofis kishte mbritur një informacion pjesërisht i vërtetë për një lëvizje antiitaliane në Shqipërinë e Veriut e udhëhequr nga Muharrem Bajraktari.Në gjykimin e diplomatëve britanikë në rrethana të tilla “aktivitetet politike të Zogut ishin krejtësisht jo oportune, meqënëse ato mund të rrezikojnë lëvizjen e qëndresës shqiptare”.39 Britanikët patën një vlerësim jo realist ndaj forcës së Muharrem Bajraktarit sepse në verën e vitit 1942 në Shqipëri vepronin disa çeta të tjera guerile antiitaliane më të fuqishme.Por në Forin Ofis shpresohej një skenar rezistence antiitaliane me përmasa ballkanike ku të bashkohej lëvizja e Muharrem Bajraktarit me forcat çtnike serbe të Drazha Mihajlloviçit, ministrit të luftës të qeverisë jugosllave në emigracion në Londër.40 Dihej gjithashtu se Bajraktari kishte tentuar të lidhej me Mihajlloviçin.Një arsye tjetër që ka ndikuar në qëndrimin negativ britanik ndaj projektit të Zogut ka qënë edhe kundërshtimi konstant grek ndaj idesë së krijimit të një qeverie shqiptare në emigracion.
Adresimi në Departamentin e Shtetit u bë disa muaj më vonë.Shkaku ishte se dy personat më të besueshëm për ta marrë përsipër këtë mision, Konica dhe Noli ishin skeptikë dhe hezitonin.Vetëm në vjeshtë të vitit 1942 përkundrejt edhe shpërblimeve të premtuara nga ana e Zogut, të dy në nevojë për arsye të ndryshme, Noli dhe Konica nisën të veprojnë.Në 19 nëntor me kërkesën e tyre u pritën në Departamentin e Shtetit, në zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS).Dy ditë më vonë, Faik Konica i bëri një letër të shkurtër sekretarit të shtetit Hall ku e njofton për këtë takim në të cilin u bë “një shkëmbim pikëpamjesh për situatën shqiptare” si dhe për lënien aty të një deklarate në dy kopje.41 Kaq është informacioni për takimin.Përfaqësuesi i OSS-it që i ka pritur, Earl Brennan patjetër që ka bërë informacionin përkatës rreth takimit por ai nuk u gjend në dokumentet arkivore amerikane.Në deklaratën që iu dërgua bashkëngjitur me letrën sekretarit të shtetit e të firmosur prej të dyve, Noli dhe Konica bënin të njohur pikat që i ishin parashtruar përfaqësuesit të OSS-it.Ato ishin pesë:E para, “se vetëm një front i bashkuar shqiptar që përfshin të gjitha personalitetet e dobishme shqiptare do të mund të ketë një shans për t’iu drejtuar popullit shqiptar si një i tërë dhe të jetë i dobishëm për Kombet e Bashkuara”; e dyta, “se mbreti Zog është personaliteti i gjallë më i rëndësishëm shqiptar dhe përjashtimi i tij do ta linte lëvizjen e propozuar pa fuqinë e tij”; e treta, “se asnjë anëtar i këtij fronti të bashkuar do të jetë i detyruar të heq dorë nga ideologjia e tij politike, por vetëm do të bashkëpunoj derisa integriteti territorial dhe pavarësia të jenë të siguruar në Konferencën e Paqes, pas të cilës gjithësecili do të rimarrë lirinë e tij të veprimit”; e katërta, “se “Qeveria e përkoshme” në linjat e propozuar nga zoti Çekrezi dhe shokët e tij do të ishte më keq se e padobishme dhe nuk do të ndihmonte as Shqipërinë dhe as Kombet e Bashkuara, por vetëm do të mbështeste synimet e atyre fqinjëve që kanë deklaruar zyrtarisht se ata dëshirojnë ndarjen e Shqipërisë”; së pesti, “se ne jemi gati në çdo kohë të bashkëpunojmë me gjithë zemër me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara”.42
Ajo çfarë bie menjëherë në sy në këtë Deklaratë është se aty nuk përmëndet shprehimisht që Noli e Konica në takimin në Departamentin e Shtetit të kenë parashtruar kërkesën për mbështetje për projektin e krijimit të qeverisë shqiptare në emigracion.Po kështu Noli dhe Konica rezervohen të shprehen se cili ka qënë reagimi i bashkëbiseduesve amerikanë për këtë çështje.Ky ka qënë edhe takimi e aksioni i fundit midis dy korifenjëve të botës kulturore shqiptare.Faik Konica në dhjetor ndërroi jetë dhe Noli do të vazhdonte vetë e më pas me Kostandin Çekrezin e të tjerë të lobonte ne Departamentin e Shtetit.Në 8 janar 1943 Noli iu drejtua me një letër sekretarit të shtetit Hall në të cilën shprehimisht i kërkonte që të njihej zyrtarisht qeveria në emigracion me në krye Zogun dhe të pranohej ajo si anëtare e Kombeve të Bashkuara.43Mbi një javë më vonë është përfaqësuesi i ri i mbretit shqiptar në Uashington, Petër Kolonja që i drejtohet me të njëjtën kërkesë Departamentit të Shtetit.44
Tek shqiptarët, Zogu, Noli e të tjerë u krijua përshtypja se Uashingtoni ishte më i prirur për të mirëkuptuar krijimin e një qeverie shqiptare në emigracion.Kjo kishte ndodhur për shkak të gjuhës së kujdesshme e reagimit të matur të Departamentit të Shtetit për këtë çështje.Ky qëndrim kishte krijuar mëdyshje edhe në Londër se në Uashington po shqyrtohej mundësia e njohjes së qeverisë shqiptare në emigracion.Nga ana tjetër edhe në Departamentin e Shtetit kishte zënë vënd përshtypja se ishte Forin Ofis që kishte marrë iniciativën për njohjen e një qeverie të tillë.Mungesa e komunikimit për këtë çështje për rreth gjashtë muaj kishte krijuar këtë situatë mosbesimi. Për t’i dhënë fund këtij keqkuptimi që zgjati deri në janar 1943 të dy qeveritë bënë demarshe te njëra tjetra.Në dhjetor 1942 Departamenti i Shtetit ngarkoi ambasadorin amerikan në Londër, Uinant (Winant) që të kërkonte sqarime në Forin Ofis, në përfundim të të cilave ai raportoi në Uashington se qeveria britanike “nuk është përgatitur në këtë kohë të konsiderojë
njohjen e një qeverie shqiptare...”.45 Në një distancë kohore një mujore është Forin Ofis, në fund të janarit 1943 që përmes ambasadës britanike në Uashington kërkon qartësimin e pozicionit amerikan për të njëjtën çështje.Përgjigja që u dha ishte se për momentin autoritetet e Shteteve të Bashkuara nuk kishin asnjë synim të njihnin ndonjë individ ose organizatë shqiptare dhe se qëndrimi amerikan ishte i njëjtë me atë britanik.46
Pas janarit 1943 Departamenti i Shtetit dhe Forin Ofis do të kenë thuajse qëndrime identike për çështjen shqiptare në emigracion.Megjithatë Zogu, Noli, Çekrezi e të tjerë do të vazhdojnë edhe pas kësaj kohe të ushqejnë iluzione se politika amerikane nuk e kishte thënë ende fjalën e saj të fundit për këtë çështje.Do të dërgojnë letra te presidenti Ruzvelt e te sekretari i shtetit Hall si dhe te ambasadorët amerikanë në Ankara e në Kajro.Por në Uashington do të kishte vetëm një përgjigje e gati me të njëjtat fjalë që u formulua në mesazhin që presidenti Ruzvelt i dërgoi mbretit Zog pas një kërkesë të sovranit shqiptar në muajin shkurt për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara e Shqipërisë.47 Përgjigja që Ruzvelti firmosi në adresë të Zogut mbeti model i reagimit amerikan ndaj të gjitha përpjekjeve shqiptare për njohjen e një qeverie në emigracion.Presidenti amerikan e quante të papërshtatshme që të ngrihej në këtë kohë çështja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me mbretin Zog dhe se pushtimi i vëndit “e bën jo praktike përcaktimin e politikës tonë në lidhje me qeverinë e ardhshme të Shqipërisë përtej vijave të gjëra të përcaktuara nga sekretari në deklaratën e tij të 10 dhjetorit”.48
Zogu i mbyllur në shtëpinë e tij në Parmur nuk donte të dorëzohej.Por të tjerë që ishin përfshirë në proces dhe që e kuptuan që projekti i një qeverie në emigracion ishte çështje e humbur filluan të reflektojnë. Njëri prej tyre, Tajar Zavalani, folës në emisionin shqip të radios BBC, njëri me influencë dhe i lidhur edhe për shkak të punës me Forin Ofis, në 4 maj i propozoi Zogut krijimin e një Komiteti Kombëtar Shqiptar në vënd të qeverisë në emigracion.49 Nuk ka rëndësi nëse propozimin Zavalani e kishte të tijin apo të sugjeruar nga Forin Ofis.Sidoqoftë ishte një formulë me më pak pretendime por me më tepër shance për kompromis.Mbreti Zog nuk e pranoi me argumentin se dëmtonte interesat kombëtare dhe u mohonte shqiptarëve të drejtat e fituara në vitet e jetës kombëtare e të pavarësisë.50
Rezistenca e Zogut u thye shpejtë.Zavalani, Noli dhe Çekrezi në qershor-korrik tejkaluan mosmarrëveshjet dhe ambicjet personale dhe dy organizatat e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë” arritën në korrik 1943 në një marrëveshje për të krijuar një Komitet Kombëtar dhe projekt programin e “Frontit të Bashkuar”.51 Në Forin Ofis u duk sikur u hap drita jeshile për këtë organizim. Në mesin e gushtit aty konstatohej se “një qeveri në emigracion padyshim që do të mund të na krijonte neve një shqetësim të madh.“Të njëjtat vërejtje jo domosdoshmërisht do të mund të bëheshin për Komitetin Kombëtar Shqiptar dhe mund t’ia vlente mundimi të shqyrtohej njohja e një organizimi të tillë”.52
Çështja e këtij Komiteti u diskutua midis Departamentit të Shtetit e Forin Ofisit në rrethanat e reja që u krijuan pas kapitullimit të Italisë së Musolinit në shtator 1943 e pushtimit të Shqipërisë nga forcat gjermane.Vëmëndja tashmë është përqëndruar në rezistencën antifashiste brënda në Shqipëri por shfaqet interes për të parë “me simpati dhe vëmëndje çdo përpjekje të sinqertë nga ana e shqiptarëve jashtë për t’u bashkuar dhe për t’u vetëorganizuar që të shprehnin në mënyrë të vendosur vullnetin e kombit në luftën e tij për çlirim nga armiku i përbashkët”.53 Në fund të muajit tetor Departamenti i Shtetit udhëzoi ambasadorin amerikan në Londër Uinant që të konsultohej me zyrtarët e lartë në Forin Ofis në lidhje me krijimin e një Komiteti Kombëtar Shqiptar apo një qeverie të përkohshme.Nga sa raporton Uinant në Uashington në Forin Ofis vihet re një ndryshim në gjykimin e çështjes shqiptare.Vendimi britanik do të merrej pas raportit që pritej të vinte nga gjenerali Dejvis në Shqipëri në krye të një misioni të zgjeruar ushtarak mbi situatën në vënd e rezistencën shqiptare.Përgjigja paraprake e Forin Ofisit se “qeveria britanike nuk dëshiron të shikoj krijimin e ndonjë qeverie të përkohshme e cila nuk do të kontribuoj në disfatën e gjermanëve” ishte domethënëse.54 Ajo nënkuptonte se britanikët nuk ishin të prirur të mbështetnin përfundimisht një qeveri në emigracion jashtë Shqipërisë.
- Qëndrimi ndaj rezistencës së armatosur ne Shqipëri
Refuzimi britanik dhe amerikan për të njohur një qeveri apo Komitet Kombëtar shqiptar në emigracion në pranverën e vitit 1943 ndër arsye të tjera kishte në konsideratë edhe rritjen e lëvizjes së brëndshme të rezistencës antifashiste shqiptare. Nga janari i vitit 1943 mbi bazën e vendimeve të takimit Ruzvelt – Çurçill të Kazablankës, teatri i luftimeve në Mesdhe morri përparësi në objektivat strategjike aleate. Për rrjedhojë lëvizjet e rezistencës antifashiste në Ballkan, në Jugosllavi, Greqi e Shqipëri, inkurajimi dhe forcimi i tyre u bënë pjesë e kësaj strategjie.
Qeveritë aleate amerikane e britanike vepruan në Shqipëri në frymën e deklaratave të ministrave të jashtëm të dhjetorit 1942. Amerikanët u njohën britanikëve një rol parësor në Ballkan por edhe në Shqipëri. Janë britanikët ata që dërguan të parët misionet e tyre të ndërlidhjes në Shqipëri (BLO) dhe në kuadër të tyre njerëz të përgatitur nga Drejtoria e Operacioneve Speciale (SOE – Special Operations Executive) duke filluar nga prilli i vitit 1943.Qeveritë e të dy vëndeve ishin shumë të kujdesshme në formulimin e deklaratave të tyre zyrtare e publike në lidhje me Shqipërinë.Ato ishin neutrale dhe operonin me termat e inkurajimit të rezistencës e të luftës antifashiste për liri e pavarësi, përdorimin e cilësimit të grupeve të ndryshme politiko-ushtarake si « patriotë », etj.Ky qëndrim i kujdesshëm mbahej për të nxitur këto grupime në rezistencë, por pa marrë anën e askujt, sepse në të kundërtën, sipas tyre do të përbënte një ndërhyrje në punët e brëndshme të vëndit dhe do të influenconte në të ardhmen politike të tij.
Ky ishte qëndrimi parimor, publik në deklarata zyrtare.Por nga shqyrtimi i dokumenteve amerikane e britanike që reflektonin punën e përditshme të institucioneve të qeverive respektive, të Departamentit të Shtetit, Forin Ofis-it e të agjencive të tjera të specializuara të tyre shfaqet një pamje tjetër, analiza, debate, mendime, vendime, urdhëra e sugjerime të cilat reflektojnë thelbin e qëndrimeve e të interesave të këtyre qeverive ndaj zhvillimeve e situatave shqiptare.Deklaratat dhe dokumentet e tjera publike të qeverive amerikane e britanike janë fasada diplomatike e politikave të tyre ndaj çështjes shqiptare që jo gjithnjë përputhej me thelbin e tyre që përpunohej në përditshmëri nga burokracia politike, diplomatike dhe ushtarake e tyre.Disa citime prej dy kategorive të këtyre dokumentave do të paraqiste në një dritë edhe më realiste diplomacinë britanike dhe amerikane ndaj Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore.
Në funksion të nxitjes të rezistencës antifashiste të shqiptarëve kryeministri britanik Çurçill në 4 nëntor 1943 deklaroi në Dhomën e Komuneve se « me mijra guerilas shqiptarë janë tani duke luftuar në malet e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vëndit të tyre… Ne shpresojmë se shqiptarët në përputhje me traditat e tyre të vjetra luftarake do të japin kontributin e tyre në zhvillimet e ardhshme ushtarake në rajonin e Mesdheut ».55Disa muaj më vonë, në maj 1944 po në Dhomën e Komuneve, zëvëndës kryeministri britanik K. Etli (Clement Atlee) në një deklaratë të posaçme vlerësoi vendosmërinë e popullit shqiptar për të kundërshtuar pushtimin e vëndit.Lëvizjen NacionalÇlirimtare e cilësoi si më aktiven mes tre organizatave kryesore të rezistencës antifashiste, kryesisht të majtë, Ballin Kombëtar « si një trup gjerësisht më i organizuar i nacionalizmit shqiptar » si dhe Lëvizjen e Legalitetit të përbërë nga mbështetësit e mbretit Zog dhe të udhëhequr nga major Abas Kupi.Vuri në dukje se « të gjitha këto grupe kanë opinione politike të fuqishme të cilat kanë çuar ndonjëherë në përplasje mes tyre ». Në fund Etli bëri thirrje që këto grupe të krijojnë një front të bashkuar të rezistencës kundër armikut.56
Qeveria britanike për të mbështetur këtë rezistencë vendosi të dërgoj në Shqipëri misione ushtarake të ndërlidhjes që në prill 1943.Oficerët britanikë të ndërlidhjes u vendosën gradualisht pranë shtabeve politiko- ushtarake dhe formacioneve të tjera vartëse, kryesisht në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇl e në brigada e divizione partizane, në shtabin e Levizjes së Legalitetit,pranë nacionalistëve të veriut si Muharem Bajraktari e Gani Kryeziu si dhe zhvilluan e ruajtën kontakte deri në fund të Luftës me udhëheqjen e Ballit Kombëtar dhe elementë lokalë të kësaj organizate.
Amerikanët erdhën më vonë në Shqipëri. Por në pikëpamje politike e diplomatike ata ishin shprehur në mbështetje të rezistencës antifashiste më parë, që në dhjetor 1942 me deklaratën e Sekretarit të Shtetit Hall.Gjatë vitit 1943-1944 u bënë deklarata të tjera publike nga ana e Departamentit të Shtetit në të cilat u shprehen qartë simpatitë dhe ndihmesa për luftën antifashiste të shqiptarëve.E tillë ishte deklarata e sekretarit të shtetit Hall e 2 qershorit 1944 sipas të cilës «patriotët shqiptarë kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë, për t’i ndjekur nazistët nga vëndi i tyre.Kjo është një pjesë e luftës së përbashkët, në të cilën ky popull i vendosur mund të jap një kontribut të çmuar… »57 Në prag të çlirimit të Shqipërisë e me rastin e ditës së pavarësisë së saj, Departamenti i Shtetit nxorri një deklaratë tjetër në 27 nëntor 1944 në të cilën njihej kontributi i popullit shqiptar «në disfatën e armikut të përbashkët me rezistencën e tij kurajoze ndaj agresionit dhe pushtimit të Boshtit».58
Ashtu si edhe britanikët më herët, amerikanët vendosën të dërgojnë oficerë të shërbimeve të zbulimit për të gjykuar nga afër e për të marrë informacione nga terreni.Në nëntor 1943 mbëritën në Shqipërinë e jugut tre përfaqësuesit e parë të Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS–it) dhe pas prillit 1944 misioni amerikan u atashua pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl dhe në disa formacione partizane. Në dallim nga misionet britanike, misioni amerikan nuk dërgoi oficerë ndërlidhës as te Balli Kombëtar dhe as te Legaliteti. Por kjo nuk përjashtoi kontakte individuale të njerëzve të OSS –it me përfaqësues të këtyre organizatave.
Misionet britanike dhe amerikane në Shqipëri kishin një objektiv strategjik të përbashkët, të asgjësoheshin sa më shumë forca armike e sidomos gjermane ose të gozhdoheshin ato aty nga forcat e rezistencës antifashiste shqiptare që të mos transferoheshin në frontin perëndimor të luftimeve kundër forcave britanike dhe amerikane. Britania dhe Shtetet e Bashkuara kishin edhe një Komandë Aleate të Mesdheut e cila kordinonte veprimet luftarake në fronte të ndryshme, qëndrimet politike përmes zyrave të posaçme të këshilltarëve politikë, e një komitet të posaçëm politik. Shpërndarja e ndihmave e të furnizimeve me armatime, pajisje, ushqime dhe veshje për misionet e tyre në terren por kryesisht për forcat lokale të rezistencës që luftonin kundër pushtuesve bëhej përmes një organizmi të posaçëm ushtarak të njohur me emrin Forca Ajrore e Ballkanit. Furnizimet në armatime, pajisje, veshje dhe ushqime ishin kontribute të përbashkëta të të dy aleatëve por më shumë amerikane. Nënvizimi i këtij fakti bëhet sepse si në kohën e Luftës por edhe më vonë ka ekzistuar një keqkuptim apo edhe keqinterpretim herë pa dashje por edhe me dashje se ndihmat që parashutoheshin për partizanët shqiptarë, për forcat e Ballit Kombëtar apo të Legalitetit ishin vetëm britanike.
Të qënurit Aleatë dhe me objektiva strategjike të përbashkëta nuk do të thotë që në kontekstin e përgjithshëm të bashkëpunimit e të kordinimit nuk kishte edhe mosmarrëveshje, rivalitete e pengesa të ndërsjellta. Ndërkohë që në nivelet e larta ekzekutive e diplomatike të të dy vëndeve ato manifestoheshin me doreza e në terma diplomatike, në rangjet më të ulëta e sidomos në ato në terren ato manifestoheshin më hapur e më shpesh. Veçanërisht një frymë e tillë ishte në strukturat dhe veprimtarinë e SOE –s dhe të OSS –it. Dokumentet por edhe studjuesit amerikanë e britanikë i konfirmojnë xhelozitë dhe konkurencën institucionale dhe në teren mes tyre. Që në janar – mars 1943 OSS –i ankohet se britanikët nuk i ndihmonin për transmetimin e mesazheve të saj për krerët e guerileve shqiptare. Shefi i OSS –it në Uashington raportonte në këtë kohë në Departamentin e Shtetit se “britanikët janë duke u përpjekur të na mbajnë ne jashtë Shqipërisë përsa u përket aktiviteteve tona të zbulimit. »59Britanikët nuk i njoftuan amerikanët kur ata dërguan oficerët e parë të ndërlidhjes në Shqipëri në prill 1943. Po këtyre oficerëve nuk u erdhi mirë, madje e quajtën “një kërcënim publik’’ ardhjen në nëntor të atij viti në bregdetin jugor të Shqipërisë të të dërguarve të parë të OSS – it amerikan në Shqipëri. 60
Qëndrimi britanik krijoi shqetësime në nivel të lartë në Uashington. Shefi i OSS –it në Bari, Harry Fults që drejtonte veprimtarinë e kësaj njësie në Shqipëri u porosit që të përpiqej t’i neutralizonte pakënaqësitë e ndërsjellta.Në prill 1944 ai udhëzonte vartësit e vetë se “marrëdhëniet tona me anglezët duhet të jenë të hapura ashtu si kemi mundur t’i ndërtojmë ato, pavarësisht se me kohë ne mund të kemi konstatuar se ata nuk janë krejtësisht të sinqertë me ne. Marrëdhëniet tona duhet të jenë të tilla që shqiptarëve në mënyrë të veçantë t’u bëhet e qartë se ne jemi Aleatë dhe që ne jemi duke punuar së bashku. Nëse ata kanë përvojë në teren më shumë se ne, unë mendoj se ne nuk duhet t’u dorëzohemi atyre për gjithçka.Më shumë se kurrë ne duhet të jemi zotër të vetvehtes në raportet me ta, në komunikimet, në shërbimet e fshehta të cilat ne mund të dërgojmë.’’ 61
- Politika ndaj F.N.Çl, Ballit Kombëtar, Legalitetit
Amerikanët dhe britanikët kanë patur shumë pak informacione deri në pranverën e vitit 1943 për zhvillimet brënda në Shqipëri. Kontaktet e drejtëpërdrejta që ata vendosën gradualisht me faktorët kryesorë politikë e ushtarakë të rezistencës antifashiste përmes misioneve të tyre në teren e pasuruan informacionin dhe përmes tij u bë e mundur të realizohej edhe një njohje dinamike e në proces të tyre. Nëse do të duhej të përmblidheshin shkurtimisht vlerësimet e përbashkëta ose të përafërta të qeverive britanike dhe amerikane ndaj tyre panorama mund të ishte :
- Fronti Nacional Çlirimtar.
Të dy qeveritë e konsiderojnë një grupim politik dhe ushtarak të majtë nën influencën direkte të Titos dhe të tërthortë sovjetike. Britanikët që i kishin ndjekur më nga afër F.N.Ç dhe udhëheqësit e tij përmes misioneve të ndryshme të oficerëve të ndërlidhjes kanë dhënë analiza dhe informacione të hollësishme rreth tyre. Mjaft oficerë të ndërlidhjes si Meklin, Smajli, Kemp, Palmer, Smith etj, kanë patur njohje nga afër e lidhje pune me Enver Hoxhën e Spiro Moisiun por edhe me drejtuesit kryesorë të formacioneve partizane si Mehmet Shehu, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Hysni Kapo, Ramadan Çitaku, Dali Ndreu, Islam Radovicka, Kadri Hoxha, Baba Fajë Martaneshi, Haxhi Lleshi, etj.Ata i kanë studjuar nga afër dhe në arkivat britanike ka vlerësime të shumta rreth tyre.Veçanërisht për Enver Hoxhën e Mehmet Shehun.
Ndër këto vlerësime të bëra në kohën e Luftës por edhe pas saj me botimin e kujtimeve e ditareve të oficerëve të ndryshëm të ndërlidhjes ka edhe subjektivizëm me nota negative e pozitive.Në pamundësi për të sjellë të gjitha këto vlerësime do të merren së pari në konsideratë ato që janë më kryesore dhe pa asnjë motiv paraprak seleksionues.Për shkak edhe të pozitës si shef i misionit britanik në Shqipëri, si referencë e parë merren më tepër dy raportet e gjeneralit Dejvis dërguar komandës superiore dhe që aty Londrës. Në raportin e parë të 12 nëntorit 1943, Dejvis ka shkruar se «e konsideroj Lëvizjen Nacional Çlirimtare si komuniste, por janë nën influencën e Titos dhe jo të rusëve… e konsideroj Lëvizjen Nacional Çlirimtare më afër fitores, sepse janë të rinj, janë më shumë agresivë që të lënë shijen e një lëvizjeje terroriste».62
Në mjaft dokumenta të kohës amerikanët dhe britanikët njohin se F.N.Ç është forca politike dhe ushtarake më e madhe dhe më e organizuar, me kontributin më të madh në mos të vetëm në luftën kundër gjermanëve në Shqipëri.Harry Fultz në fillim të shtatorit 1944 raportonte se në dallim nga dy grupet e tjera rivale, Balli Kombëtar e Legaliteti, «F.N.Ç ka më pak orientalizëm në makeup-in e tij dhe është i përbërë në një përqindje të lartë nga njerëz të rinj… ata kanë treguar një farë aftësie organizative dhe administrative në lidhje me luftën guerrile ».63 Britanikët dhe amerikanët u bindën në mënyrë graduale nga vëzhgimet në terrenin e luftës se F.N.Ç ishte thuajse forca e vetme antifashiste në kuptimin e plotë të fjalës në Shqipëri.Por duke e ditur këtë fakt ata i dhanë mbështetje e ndihmë në shërbim të rezistencës antifashiste dhe u treguan të kujdesshëm që deri në tetor 1944 të mos jepnin asnjë mesazh politik në favor të F.N.Ç. Në fund të Luftës një anëtar i OSS-it që kishte punuar në zyrat qëndrore në Uashington e që u bë më pas anëtar i misionit diplomatik amerikan në Tiranë, Stefën Peters, fitoren e partizanëve shqiptarë që ai i cilësonte si « radikalët e rinj» e shpjegonte me faktin se«ata nuk nguruan të bënin sakrifica ; sepse ata ishin trima e të guximshëm ; sepse ata kishin aftësi të mira organizuese ; sepse ata ishin të vendosur që idetë e tyre radikale t’i vinin në praktikë ».64
Britanikët që ishin të pranishëm në Shqipëri përmes edhe misioneve që dërguan kanë
njohur në përgjithësi rolin dhe kontributin parësor të F.N.Ç.Pavarësisht se mjaft prej oficerëve britanikë të ndërlidhjes nuk pajtoheshin me bindjet politike të udhëheqjes së F.N.Ç dhe nënvizonin tendencën prokomuniste të saj, ata në raportet që dërgonin në qëndrën e tyre bënin analiza e vlerësime realiste.Një prej tyre që ka vepruar në zonën e Gjirokastrës, majori Tilman raportonte se L.N.Ç është «e vetmja palë në Shqipëri me të njëjtat qëllime për luftën si tonat » por mirënjohja e tyre « zhvlerësohej kur ndihmonim në mënyrë të barabartë të gjitha palët ».65
Meklin që për shkak të bindjeve të tij konservatore nuk ushqente ndonjë simpati për Enver Hoxhën, përkundrazi, ka njohur në raportin e tij të tetorit 1943 se « L.N.Ç deri tani nga pikëpamja ushtarake është partia me e fuqishme në Shqipëri, nga pikëpamja politike dhe administrative më e organizuar dhe në të njëjtën kohë më aktivja kundër Boshtit ».66 Po këtë vlerësim ka dhënë edhe majori E. Uotrës (Watrous) kur në qershor 1944 shkruante se L.N.Ç përfaqëson tashmë « një forcë guerrilase të fuqishme, të mirëpajisur, të mirëorganizuar dhe të aftë për të ndërmarrë sulme në një shkallë që deri tani mendohej e pamundur ».67 Ka edhe mjaft raporte të tjera pozitive për rolin e F.N.Ç nga oficerë të tjerë britanikë të ndërlidhjes si R.Hibert, A. G. Hend (Hands), N. Uilër (Wheeler), etj.
Ndonëse të dy qeveritë ecën me një hap në vija të përgjithshme në qëndrimin ndaj F.N.Ç, ato gjatë Luftës manifestuan edhe dallime dhe rivalitete për influencë ndaj tij. Britanikët u investuan më tepër në Shqipëri nga të gjitha pikpamjet por nuk arritën objektivat politike që ata dëshironin në vënd. Ndër arsyet kryesore që mund të përmënden janë se shqiptarët në përgjithësi e shihnin me dyshim politikën britanike, veçanërisht qëndrimin e saj ndaj integritetit territorial të vëndit. Misionet britanike në një masë jo të vogël përbëheshin nga oficerë ndërlidhës konservatorë që e urrenin F.N.Ç për shkak të udhëheqjes komuniste të tij. Fakti që një pjesë e tyre qëndruan te udhëheqësi i Legalitetit Abas Kupi dhe te nacionalistët antikomunistë të Veriut që F.N.Ç i konsideronte si armiqtë e tyre, e thelloi edhe më tepër hendekun e ndarjes mes tyre. Një arsye tjetër kryesore ishte se komandanti i përgjithshëm i U.N.Çl dhe udhëheqësi politik i F.N.Ç, Enver Hoxha i shihte me shumë dyshim britanikët, kishte frikë prej tyre për të mos thënë se i urrente.
Shtetet e Bashkuara në sytë e shqiptarëve paraqiteshin në një pamje tjetër. Ata ishin përmes figurës së Presidentit Udro Uillson shpëtimtarët e pavarësisë e të integritetit territorial të Shqipërisë. Kishin dënuar pushtimin italian të vëndit dhe kishin bërë deklarata të qarta e pa rezerva në mbështetje të luftës antifashiste të shqiptarëve. Në Shtetet e Bashkuara jetonte një komunitet shqiptar i lidhur ngushtë me mëmëdheun dhe shumë aktiv. Gati 90 përqind e misionit amerikan të OSS –it që erdhi në Shqipëri gjatë Luftës përbëhej nga shqiptaro – amerikanë që flisnin gjuhën shqipe e që shërbeu si një faktor afrimi, mirëkuptimi e bashkëpunimi jo vetëm me popullsinë e thjeshtë por edhe me partizanët e me udhëheqjen e F.N.Ç. Enver Hoxha ishte i kujdesshëm me amerikanët, jo se i donte por i kishte në konsideratë faktorët e mësipërm. Shefi i misionit amerikan Tom (Thoma) Stefani ishte gjithnjë i mirëpritur te Enver Hoxha.Këtë klimë Stefani e ndjeu që në fillim dhe informon që në kabllogramet e para.Në këtë mënyrë ai siguroi një lloj konfidencialiteti te Enver Hoxha që e ndihmoi shumë që të realizonte detyrën kryesore të tij që ishte «grumbullimi, kordinimi dhe përcjellja e sekreteve ushtarake», veçanërisht «informacioni i cili do të kontribuoj në një mbështetje maksimale të veprimeve të formacioneve të F.N.Ç kundër forcave pushtuese armike ».68
Oficeri amerikan i ndërlidhjes i ndodhur në këtë pozicion u njoh me shumë informacione të privilegjuara dhe i paraqiti një tablo realiste qëndrës së vet kur i shkruante se «…mua më duhet të them që këta njerëz do të luajnë një rol të madh në qeverinë e ardhshme sepse ata janë duke luftuar për liri dhe janë përgatitur për sakrifica të mëdha dhe se komunizmi do të rritet po të mos bëjnë Aleatët pak më shumë propogandë ».69 Britanikët e shihnin me shume xhelozi këtë marrëdhënie preferenciale të Tomas Stefanit me udhëheqjen e F.N.Ç, për të mos thënë më shumë. Amerikanët u përpoqën ta shfrytëzonin si një letër politike me vlerë dhe ishin të kujdesshëm për të mos e humbur atë. Ndaj edhe Sekretari i Departamentit të Shtetit Hall porosiste në korrik 1944 se « ne ndofta do të biem dakort në përgjithësi me vijën tashmë të propozuar nga britanikët, por nuk duhet të japim mbështetjen e prestigjit amerikan në Shqipëri për përparësi britanike nëse ajo do të shfaqet për të paragjykuar pozitën tonë…. » 70
- Balli Kombëtar
Veprimtaria e kesaj organizate politike në Shqipëri u ndoq në fillim nga afër dhe me interes nga misionet britanike dhe amerikane. Ato ishin të interesuar në emër të qeverive të tyre ta nxisnin Ballin Kombëtar në luftën kundër pushtuesve të huaj dhe në krijimin e një fronti kombëtar antifashist. Britanikët për afro 6 muaj pasi erdhën në Shqipëri, në kundërshtim edhe me F.N.Ç tentuan ta mobilizojnë Ballin në Luftë, kontaktuan udhëheqësit e tij, biseduan dhe i inkurajuan por nuk arritën t’i bindin. Gjeneral Dejvis, kryetar i misionit britanik në Shqipëri pasi e konsumoi këtë përpjekje, në raportin e tij të dytë, në 17 dhjetor 1943 shkruante : « Tani unë rekomandoj një ndryshim.Tani së fundmi situata është zhvilluar kaq shumë sa që është urgjente të denoncohet Regjenca kolektivisht dhe me emra veç e veç, gjithashtu Balli Kombëtar dhe Zogistët.Të gjithë janë duke bashkëpunuar me gjermanët të cilët i furnizojnë ata me armë në sasi të mëdha ».70
Disa muaj më vonë, një dëshmi tjetër autentike u dërgua në Londër për Ballin Kombëtar.Ishte E. Kuajl (A. Quail) oficer britanik i ndërlidhjes me gradën major, aktori i ardhshëm i famshëm që në fund të prillit 1944 raportoi se Balli Kombëtar « është një trupëzim i padisiplinuar i individëve që qëndrojnë së bashku vetëm nga urrejtja e tyre për komunizmin », se « liderët e tij përfshijnë njerëz me patriotizëm të padyshimtë » po ata « janë rreshtuar me gjermanët kundër L.N.Ç…janë më tepër se kurrë larg për t’u shkëputur nga bashkëpunimi gjerman » dhe se « të shpresohet për ndihmë të organizuar nga Balli Kombëtar, ose më saktë, të mbështetesh në të, është e kotë ».72 Një dokument tjetër britanik, në shkurt 1944 nënvizonte se « është e qartë se në Shqipërinë jugore e qëndrore anëtarë të Ballit Kombëtar janë duke luftuar me gjermanët kundër partizanëve… »73 Majori britanik J.A. Field që nuk ushqente asnjë simpati për F.N.Ç dhe që vepronte si oficer i ndërlidhjes në Vlorë raportonte se « është shumë e vështirë të tregohet se sa i keq është realisht Balli Kombëtar…Nuk ka asnjë pikë dyshimi se ata bashkëpunojnë me gjermanët…Disa nga anëtarët e rinj kanë luftuar kundër gjermanëve me partizanët, por shumica e udhëheqësve të tyre janë me armikun »74 Një oficer tjetër britanik i njohur dhe i deklaruar si konservator dhe antikomunist, Peter Kemp, në raportin e tij gjashtëmujor për Shqipërinë në mars 1944 konstatonte se «gjatë kësaj periudhe ishte e qartë se politika e Ballit Kombëtar ishte ta mbante mirë me gjermanët dhe të mos bënte asgjë për t’i kundërshtuar ata… »75
Misioni amerikan i OSS-it erdhi disa muaj më vonë në Shqipëri se misionet britanike por vlerësimet e tyre për Ballin Kombëtar ishin thuajse të përafërta me ato britanike dhe në mjaft raste edhe më kritike.Misioni amerikan zyrtarisht u akreditua pranë Shtabit të Përgjithshëm të U.N.Ç dhe nuk u porosit për t’u atashuar te Balli Kombëtar dhe as të bashkëpunonte me të.Anëtarë të veçantë të misionit takuan gjatë Luftës drejtues lokalë të Ballit por ajo ishte një marrëdhënie e izoluar e spontane.
Amerikanët deri në verën e vitit 1944 ndonëse kishin informacione të mjaftueshme për zhvillimet brënda në Shqipëri ishin shumë të kujdesshëm që të qëndronin sa më neutralë ndaj grupimeve rivale politiko-ushtarake në vënd.Ata rekomandonin bashkimin e tyrenë funksion të luftës kundër pushtuesve gjermanë.Ndaj edhe dokumentet amerikane deri në këtë kohë thuajse mungojnë, nuk ka vlerësime të posaçme për secilin prej këtyre grupeve, për natyrën dhe synimet e tyre.Një vlerësim i vetëm i dokumentuar më herët është ai i shkurtit 1944 i shefit të zyrës të OSS-it në Bari, Harry T. Fultz që mbulonte Shqipërinë kur deklaronte se « e vetmja rezistencë ndaj gjermanëve është ajo që po bëhet nga partizanët ».76
Në verën e vitit 1944 amerikanët u bindën përfundimisht për nevojën e një diferencimi të qartë në mbnështetje të F.N.Ç.Balli Kombëtar nuk përmëndet as edhe me emër në dokumentet diplomatike amerikane ndër kohë që Abas Kupi i Legalitetit është i pranishëm në to.Dhe një qëndrim i tillë jo pa arsye.Në Departamentin e Shtetit qarkullonte mendimi se Balli Kombëtar «tani është duke bashkëpunuar në mënyrë të paturpshme me gjermanët dhe është kaq shumë i lidhur me qeverinë kuislinge saqë është pothuajse e pamundur të bëhet ndonjë dallim midis të dyve ».77 Pak më vonë, në fillim të tetorit 1944, qëndrimi i Departamentit të Shtetit bëhet më i ashpër kur në një studim të tij çmohet se Balli Kombëtar dhe shumë ish fytyra të mirënjohura të politike « janë të përlyer me kolaboracionizëm.Ata do të jenë zero politike në sytë e popullit ».78
3.Legaliteti
Lëvizja e Legalitetit e formuar si organizatë politike dhe ushtarake në vjeshtë të vitit 1943 u ngjiz e tërhoqi vëmëndjen rreth dy figurave politike : mbretit Zog në emigracion dhe Abas Kupit si pasuesi i tij në Shqipëri. Zogu jashtë vëndit vazhdonte ende të konsiderohej si një kartë rezervë për të ardhmen por pa shumë shpresa. Abas Kupi me një të kaluar antifashiste dhe antiitaliane shihej nga britanikët si një alternativë përballë FNÇ ose të paktën si një faktor frenues i tij në luftën për pushtetin e ardhshëm. Oficerë nga më të mirët e SOE –s ( Meklin, Smajli, Emeri, Kemp, etj ) u atashuan pranë Kupit edhe për shkak të bindjeve të tyre konservatore dhe i dhanë një mbështetje jo të vogël.Kemp e konsideronte “një patriot të vërtetë me influencë të konsiderueshme”.79 Dokumente të tjera britanike të viteve të Luftës njohin meritën e tij që në bashkëpunim me disa oficerë britanikë e shqiptarë të tjerë u përpoq të organizonte rezistencën kundër pushtuesve italianë në vitin 1941.Por përtej këtij vlerësimi në Forin Ofis në fund të Luftës mendonin se ishte “pothuajse e sigurt se ai përfundimisht ndihmoi ose të paktën nuk pengoi gjermanët në fushatën e tyre të fundit kundër F.N.Ç në 1944”.80
Amerikanët nuk patën lidhje me Abas Kupin. Ata e gjykonin dhe e vështronin nga larg, në fillim me syzet britanike por më vonë në pavarësi të plotë prej tyre. Deri në korrik 1944 ata nuk kishin mbajtur qëndrime të tyre zyrtare ndaj tij.Kur në qershor – korrik u shfaq projekti i bashkëpunimit midis F.N.Ç dhe Legalitetit me sponsorizim të fortë britanik, sekretari i Departamentit të Shtetit, Hall u deklarua se “favorizojmë një marrëveshje jo politike midis Kupit dhe L.N.Ç për veprim të përbashkët kundër gjermanëve”.81 Në korrik u diskutua edhe për një takim të mundshëm në Bari me ndërmjetësim të aleatëve midis Abas Kupit dhe Enver Hoxhës.Por kryetari i Legalitetit nuk u tregua bashkëpunues, u përpoq si përherë që të qëndronte mes aleatëve dhe gjermanëve.Në verë 1944 ai ishte plotësisht i angazhuar për të krijuar qeverinë e re kolaboracioniste me në krye aleatin e tij Fiqiri Dine.Kjo qeveri nuk mund të krijohej pa pëlqimin e autoriteteve pushtuese gjermane.Në gusht në Departamentin e Shtetit u arrit në përfundimin se partia e Legalitetit “është kompromentuar seriozisht nga mosdashja e saj për të luftuar gjermanët dhe nga marrëdhëniet e saj intime me qeverinë kuislinge”.82 Po i njëjti mesazh arriti në këtë kohë në Uashington edhe nga këshilltari politik amerikan Mërfi (Murphy) në Komandën e Forcave Aleate të Mesdheut i cili shkruante për Kupin se tani është “duke marrë mbështetje gjermane në formën e transportit të municioneve dhe të furnizimeve ushqimore” dhe se “ka evidencë në rritje se ai është duke bashkëpunuar me gjermanët”.83
Në fillim të shtatorit 1944, Harry Fultz raportonte në zyrat qëndrore të OSS-it se Abas Kupit i është dhënë më shumë rëndësi nga sa meriton, se “Kupi nuk është politikan.Ai ka një reputacion ushtarak të fryrë por aftësi të pakët ushtarake si një organizator ose teknicien…”.84Kupi nuk e justifikoi besimin dhe mbështetjen e madhe të SOE –s. Ai e kompromentoi vehten me bashkëpunimin e fshehtë por “edhe të dukshëm me gjermanët. Faktet ishin të shumta dhe përpjekjet e Meklinit, Smajlit etj për ta tërhequr qoftë edhe në akte simbolike lufte kundër gjermanëve dështuan.
Armiku i Kupit nuk ishin gjermanët por Divizioni i parë partizan që po depërtonte për në veri të Shqipërisë dhe që rrezikonte zhdukjen e tij si faktor tradicional influence në zonën Krujë – Mat.Ai bëri të shurdhër veshin ndaj këmbënguljes britanike për t’u hedhur në veprime simbolike kundër gjermanëve dhe vuri në pozitë të vështirë edhe aleatët e mbështetësit e tij Meklin dhe Smajli. Kupi e mbushi kupën. Londra urdhëroi në fund të shtatorit 1944 tërheqjen e oficerëve të ndërlidhjes prej tij. Amerikanët ishin me kohë të mendimit se Kupi ishte thjeshtë humbje kohe për kauzën aleate.
VII.Sinoptika aleate për pushtetin e ardhshëm
Politika britanike dhe amerikane duke ndjekur dinamikën e rezistencës antifashiste në Shqipëri dhe të aktorëve kryesorë të saj, në verën e vitit 1944 u ndodhën para nevojës për të mbajtur një qëndrim të ri ose një rishikim të pjesshëm të saj.F.N.Ç kishte krijuar qeverinë e përkohshme në Përmet që në muajin maj dhe kërkoi njohjen e saj nga aleatët.Gjithashtu pasi përballoi ofensivën gjermane të qershorit, forcat e U.N.Çl kaluan në një ofensivë në veri të Shqipërisë.Britanikët dhe më pak amerikanët u përpoqën nga njëra anë të frenonin e të mbanin nën kontroll ofensivën partizane në veri por nga ana tjetër bënë një përpjekje të fundit e të zgjatur për të nxitur Ballin Kombëtar e Legalitetin për t’u aktivizuar kundër gjermanëve.Në 5 qershor 1944 në Përmet, në takimin me misionin britanik, Enver Hoxha kishte pranuar që në rastin kur Abas Kupi do të jepte prova konkrete të disa veprimeve luftarake kundër gjermanëve, F.N. Çl do të ishte i gatshëm që të bashkëpunonte me të.85
Britanikët refuzuan ta njohin qeverinë e përkohshme të Përmetit dhe po kështu edhe amerikanët.Ata ushtruan presion mbi Enver Hoxhën përmes Komandës Aleate të Mesdheut duke e kërcënuar edhe me ndërprerjen e furnizimeve ushtarake për të mos vazhduar operacionet në veri të vëndit me frikën e shpërthimit të luftës civile.Tensionet duket sikur u fashitën në fund të korrikut e fillim të gushtit kur një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm të U.N.Ç u ftua në Bari dhe bisedoi me përfaqësues të Komandës Aleate dhe u nënshkruan edhe disa marrëveshje.Por marrëveshjet nuk u respektuan.Balli Kombëtar dhe Legaliteti u përpoqën të fitonin kohë dhe siç do të pohohej më vonë edhe në Forin Ofis “u bë e qartë se ata më shumë synonin të luftonin organizatën komuniste të F.N.Ç se sa tu rezistonin gjermanëve” dhe meqënëse “disa prej grupeve të Ballit Kombëtar bashkëpunonin me gjermanët ne tërhoqëm mbështetjen tonë prej tyre dhe ja dhamë atë të gjithë F.N.Ç”.86
Në fund të shtatorit – fillim i tetorit 1944 britanikët dhe amerikanët të zhgënjyer përfundimisht nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti vendosën të largohen nga politika mëdyshëse që u ishte imponuar ose që ata shpresonin se do të ishte më e dobishme për të ardhmen e Shqipërisë.Është mëse e drejtë mënyra se si gjykuan e vepruan deri në atë kohë. Por ata patën iluzione dhe e kuptuan vonë se Balli Kombëtar e Legaliteti e donin fitoren në tavolinë dhe se në emër të antikomunizmit të tyre atë do tua sillnin britanikët dhe amerikanët.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kishin bërë aleancë me Rusinë e Stalinit dhe kishte arritur marrëveshje të mëdha historike duke shpresuar një botë më të mirë në paqe e pa luftra.Ato nuk ushqenin asnjë iluzion se do të ndryshonte natyra e regjimit sovjetik pas Luftës.Ndonëse Shqipëria nuk kishte asnjë peshë e rol parësor në Luftë, ato respektuan ata që luftuan kundër armiqëve të përbashkët, ndonëse mund të mos ishin dakort me bindjet e tyre politike.Shpresuan se në rrugë e sipër do të mund të ndikonin e ta ndryshonin Shqipërinë.
Në fund të shtatorit –fillim të tetorit politika britanike dhe amerikane ndaj Shqipërisë morri kthesën. Forin Ofis pasi ka diskutuar gjatë përcaktoi politikën e ardhshme ndaj Shqipërisë. Në dokumentin britanik të 2 tetorit 1944 shprehimisht thuhej se “interesat tona në Shqipëri janë absolutisht të kufizuara por sigurisht nuk dëshirojmë ta shohim vëndin të kalojë në orbitën ruse. Ne duhet megjithatë të synojmë në forcimin e pozitës tonë në F.N.Ç tani me qëllim që pas Lufte ne mund të jemi në gjëndje të influencojmë qeverinë e F.NÇ”. 87
Britanikët ishin kontradiktorë.Nga njëra anë kërkojnë të ndikojnë në rrjedhën e zhvillimeve të ardhshme në Shqipëri dhe nga ana tjetër nuk njihnin qeverinë e përkohshme të Përmetit.Madje Forin Ofis dëshmoi dritëshkurtësi në vlerësimin e situatës në vënd kur në dokumentin e mësipërm përmëndte edhe rikthimin e mbretit Zog si një alternativë e mundshme në rastin e dështimit të qeverisë së F.N.Ç.88 Anëtarë të misioneve britanike në Shqipëri në këtë kohë paralajmëronin që “sa më shpejtë që të jepet njohja zyrtare F.N.Ç, qeverisë hije, aq më të mundshme do ta ketë Qeveria e Madhërisë së Tij të jetë e aftë që të rrit influencën e saj mbi të”.89 Gjatë gjithë muajit tetor 1944 në Forin Ofis u rrahën mendime pro dhe kundër për çështjen e njohjes në fillim të qeverisë së përkohshme të Përmetit dhe pasi u formua edhe të qeverisë që doli nga mbledhja e II-të e Këshillit të Përgjithshëm të F.N.Ç në Berat në 20 tetor.Një pikëpamje ishte ajo e këshilltarit politik britanik në Kazerta Broad, sipas të cilit “ne duhet të lemë F.N. Ç të vijë te ne dhe jo të përpiqemi të konkurojmë me qeverinë sovjetike në këtë fazë… ne nuk kemi interesa britanike për të mbrojtur në Shqipëri” dhe “ne nuk do t’i përmirësojmë punët duke vrapuar pas Enver Hoxhës”.90 Forin Ofis nuk u pajtua me këtë qasje për F.N.Ç por i kthehu përgjigje Broad-it se “është e rëndësishme që ne duhet të përpiqemi për të vendosur një farë shkalle influence mbi të… se ne mund të rrezikojmë duke pritur për të që të vij te ne”.91
Britanikët informuan amerikanët për këtë qasje të tyre dhe kërkuan të ecej me të njëjtin hap.Departamenti i Shtetit vetë ishte në dilemë në çështjen e njohjes të qeverisë shqiptare të përkohshme.Një studim i tij i fillimit të tetorit paraqiste 16 argumente për mos njohjen e saj dhe 20 argumente në favor të saj.92 Qëndrimin zyrtar amerikan për këtë çështje në 5 tetor e shprehu sekretari i shtetit Hall i cili udhëzonte se pas tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria, kushtet do të bëjnë të mundur “formimin e shpejtë të një qeverie të përkohshme përfaqësuese të gjërë në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar”.93Uashingtoni dhe Londra u konsultuan edhe për një ftesë të mundshme të Enver Hoxhës në Itali për të biseduar me gjeneralin Willson por vetëm për çështje ushtarake.Amerikanët ishin të bindur se Enver Hoxha në rradhë të parë ishte i interesuar për çështjen e njohjes së qeverisë së tij dhe të furnizimeve ushtarake dhe vështirë të pranonte të vinte pa i vendosur në tavolinë ato.94Këto dyshime çuan në përfundimin se ftesa për Hoxhën ishte e papërshtatshme të bëhej në këtë kohë.
Ende pa u çliruar vendi në Londër ishte konsoliduar mendimi se qeveria e re shqiptare e sapo formuar në Berat ishte e dominuar nga komunistët.Anëtarët e kësaj qeverie ishin të njohur mirë nga misionet britanike në Shqipëri dhe kishin patur mundësinë të dërgonin në Bari por edhe në Forin Ofis informacione të detajuara rreth tyre.Për dy apo tre prej tyre nënvizohej një ndjenjë pro britanike por për shumicën me në krye Enver Hoxhën nuk vihej në dyshim orientimi i tyre pro sovjetik.Ky vleresim mbizotëroi në Forin Ofis në gjykimin edhe të kërkesës që kryetari i qeverisë së re shqiptare Enver Hoxha u kishte bërë qeverive të të tre Fuqive të Mëdha, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe e Bashkimit Sovjetik por edhe qeverive të vëndeve të tjera për njohje.
Qeveria britanike edhe në tetor-nëntor 1944 vazhdoi të nënvizoj përparësinë e interesave të saj në Shqipëri në raport me Fuqitë e tjera të Mëdha.Njëkohësisht i njihte vehtes dhe të drejtën për të thënë fjalën e para për çështjet shqiptare pavarësisht se shprehej për “interesa shumë të kufizuara” në këtë vënd.Mbi këtë bazë ajo në fillim të nëntorit 1944 iu drejtua qeverive të Shteteve të bashkuara e të Bashkimit Sovjetik rreth kërkesës për njohje që kishte bërë qeveria shqiptare. Duke e vlerësuar situatën në Shqipëri konfuze, qeveria britanike propozonte që të mos njihej qeveria e përkohshme e dalë nga F.N.Ç.95
Departamenti i Shtetit nuk u ngut që të kthente përgjigje veç pas gati tre javësh.Ishte një përgjigje e studjuar dhe e argumentuar dhe që bënte diferencë me qëndrimin britanik.Në thelb Departamenti i Shtetit bashkohej me propozimin e Forin Ofis-it për të mos i dhënë njohje qeverisë së re shqiptare.Por nuk qëndroi me kaq, e la të hapur njohjen “në një të ardhme jo të largët”, në momentin kur autoritetet qeverisëse shqiptare do të kenë kontrollin de facto të vëndit.Njohja de jure do të mund të bëhej atëherë kur qeveria shqiptare do të demonstronte se “ajo është jo-fashiste në karakter, se ajo ka vendosur autoritetin e saj në të gjithë vëndin, se ajo përfaqëson vullnetin e popullit dhe është e përgatitur të plotësoj detyrimet e saj ndërkombëtare”.96
Shqipëria në fund të vitit 1944 ndodhej mes optimizmit që ngjalli çlirimi i vëndit nga pushtimi nazi – fashist dhe dilemave të orientimit për të ardhmen e saj.Politika britanike dhe amerikane nuk u befasuan nga tendencat prosovjetike të fitimtarëve të luftës në Shqipëri.Ato gjykuan në mënyrë klasike se qeverisja e re komuniste do të lejonte hapësira demokratike për alternativa të tjera politike dhe se do të mund të ndikonin që vëndi të mos rrëshqiste përfundimisht në orbitën sovjetike.Por u gabuan dhe përgjegjësia e tyre qëndron mes vullnetit e kompromisit për të lënë Shqipërinë në anën sovjetike të ndarjes së sferave të influencës dhe injorimit që i bënë duke nënvlerësuar rëndësinë e saj.
1.Ciano’s diplomatic papers.London: Odhams Press, 1948. p. 189.
2.Tel. i sekretarit për punët e jashtme të Britanisë së Madhe Halifax (Edward Frederick Lindley Wood) për ambasadorin britanik në Romë, Perth (Eric Drymmond).6 prill 1939. Documents on British Foreign Policy (DBFP) 1919-1939. Third series.Volume 5. Dok. Nr. 77, p. 125.
3.Galeazzo Ciano.Diario 1939-1943.Rizzoli.Milano.Quarta edizione, 1969. p. 86.
4.Hansard.House of Commons Debates.6 prill 1939.Fifth series.Vol. 345. Col. 2994-6.
5.Tel. i ambasadorit britanik në Romë, Perth për Halifax, 7 prill 1939.DBFP. Third series.Volume 5. Dok. Nr. 82, p. 128-129.
- Tel. i të ngarkuarit me punë të Italisë në Londër Guido Crolla për Cianon, 7 prill 1939.Dokumenti Diplomatici Italiani (DDI) Ottava serie. 1935-1939.Volume XI, 1 Gennaio – 22 Maggio 1939.Dok. Nr. 496, p. 588.
7.Tel. i ambasadorit amerikan në, Londër Jozef Kenedi për Sekretarin e Shtetit në Uashington, 8 prill 1939.National Archives and Record Administration (NARA). R.G. 59. Departament of State.AlbaniaDecimal File 1910-1939. M.1211. Roll 9.
- Tel. i të ngarkuarit me punë të Italisë në Londër Guido Crolla për Cianon, 9 prill 1939; Tel i Cianos për Crollën, 9 prill 1939.DDI. Ottava serie.Volume XI… Dok. Nr. 508, p. 601-602 dhe Dok. Nr. 513, p. 604-605.
9.Deklaratë e Sekretarit të Shtetit Cordell Hull, 8 prill 1939.NARA. R.G. 59. Departament of State.Albania Decimal File 1910-1939. M.1211. Roll 9.
10.Tel. i ministrit amerikan në Tiranë H.Grant për Departamentin e Shtetit, 7 qershor 1939; Tel. i Sekretarit të Shtetit Cordell Hull për ministrin amerikan në Tiranë H.Grant, 10 qershor 1939. NARA. R.G. 59. Departament of State.Albania Decimal File 1910-1939. M.1211. Roll 9.
11.Notë e ambasadës britanike në uashington për Departamentin e Shtetit, 2 nëntor 1939.NARA… Roll 10.
12.Foreign Relations of the United States (FRUS), 1941.General.The Soviet Union.Volume I. Washington, D.C. US Government Printing Office, 1941, p. 367-369.
13.Notë e mbretit Zog dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara , Franklin D. Ruzvelt dhe kryeministrit të Britanisë së Madhe Uinston Çurçill, 23 shtator 1941. NARA. R.G. 59. Departament of State.Albania Decimal File 1940-1944.M.1211. Roll 15; PRO-FO 371/29711.
14.Relacion i kabinetit të kryeministrit Uinston Çurçill për E. Iden.26 tetor 1941. PRO-FO 371/29711; Owen Pearson.Albania in occupation and War.From fascism to communism, 1940-1945. The Centre for Albanians Studies, In association with I.B., turis Publishers, 2005. p. 162.
15.Relacion i E. Iden për Uinston Çurçill.31 tetor 1941. PRO-FO 371/29711; Arben Puto. “Nëpër analet e diplomacisë angleze” (Mbi politikën e Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore), botim i ripunuar, “Albin”, Tiranë, 2001, f. 64.
16.Notë e ambasadës amerikane në Londër dërguar mbretit Zog.NARA. R.G.59.Departament of State.Albania Decimal File 1940-1944.M.1211. Roll 15.
17.Letër e mbretit Zog dërguar presidentit Franklin D. Ruzvelt.18 dhjetor 1941. NARA. R.G. 59. Departament of State.Albania Decimal File 1940-1944.M. 982. Roll 96.
18.Documents pertaining to american interest in establishing a lasting world peace:January 1941 – February 1946. Published by the Book Departament, Army Information School.Carlisle Barracks, Pa, may 1946.
19. Letër e mbretit Zog dërguar presidentit Franklin D. Ruzvelt.6 janar 1942. NARA. R.G. 59. Departament of State.Albania Decimal File 1940-1944.M. 982. Roll 96.
20.Luis Adamic.Diner at the White House.New York 1946, p. 58; Robert Dallek. Franklin D. Ruzvelt and american foreign policy 1932 – 1945. Oxford University Press. New York, Oxford, 1995, p. 318.
21.Tel. i sekretarit të shtetit K.Hall për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Londër.17 janar 1942. NARA. R.G. 59. Departament of State.Albania Decimal File 1940-1944.M. 982. Roll 96.
22.Owen Pearson. Albania in occupation and war…p.177.
23.Owen Pearson. Albania in occupation and war…p.173-174; Elisabeth Barker.British policy in South – East Europe in the Second World War. The Macmillan Press LTD, London and Basingstoke, 1976, p. 131.
24.Shënime të bisedës së kryetarit të këshillit të komisarëve të popullit të BRSS, J.V.Stalin, me ministrin e punëve të jashtme të Britanisë së Madhe, A.Iden, 16 dhjetor 1941. Документы внещней политики 1940-22 июня 1941.Москва. “Международные Отнощения, 2000, Dok.Nr.328, с.3-10;Tel i sekretarit për punët e jashtme E.Iden, për ambasadorin britanik në Kujbishev, S. Cripps, 13 janar 1942. PRO – FO 371/33107.
25.Memorandum i sekretarit të shtetit për këshilltarin politik të Shteteve të Bashkuara në Shtabin e Komandës së Lartë Aleate në teatrin e Mesdheut, 2 shtator 1943. NARA. R.G. 59. Departament of State.Albania. Decimal File 1940-1944.M. 1211. Roll 15.
26.Po aty.
27.Shënim i O.Sarxhent, 11 korrik 1942.Public Record Office (PRO) – Foreign Office (FO) 371/33110.
28.Memorandum i sekretarit të jashtëm, E. Iden, për kabinetin e Luftës, 1 dhjetor 1942. PRO – FO 371/33107.
29.Letër sugjerimi i OSS-it për sekretarin e shtetit.30 nëntor 1942. NARA. R.G. 59. Departament of State.Central Decimal File 1940-1944.M. 1211. Roll 15.
30.Tel. i sekretarit të shtetit për ambasadën amerikane në Londër, 8 dhjetor 1942. NARA. R.G. 59. Departament of State.Central Decimal File 1940-1944.M. 1211. Roll 15.
31. Memorandum i seksionit të çështjeve evropiane të Departamentit të Shtetit për sekretarin e shtetit, 3 dhjetor 1942. NARA. R.G. 59. Departament of State.Central Decimal File 1940-1944.M. 1211. Roll 15;Parlamentary Debates: Official Report: House of Commons, Fifth Series, Volume 385, col. 2114- 2115;Deklaratë e komisarit të popullit për punët e jashtme për pavarësinë e Shqipërisë, 18 dhjetor 1942. Документы и материаљи 22 июня 1942-31 декабря 1943 г.ОГИЗ. Госдарствениое издательство политической литературы.1944, с.287.
32. Letër e sekretarit të jashtëm, E. Iden, për anëtarin e Dhomës së Komuneve, L. Hore – Belisha, 2 tetor1943. PRO- FO 371/27137.
33.Memorandum bisedimi midis sekretarit të shtetit Hall dhe ambasadorit britanik, Lordit Halifax, 24 dhjetot 1942. NARA… Roll 15.
34.Informacione të Endrju Rajan për Forin Ofis, 11 dhe 20 mars 1942. PRO- FO 371/33110.
35.Thirrje e mbretit Zog drejtuar shqiptarëve të emigracionit, 7 prill 1942.Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH). Fondi 14. Dosja Nr. 121, f. 22-23.
36.Letër e Sotir Martinit, ministër i Oborrit për Edward Boyle, kryetar i Komitetit Ballkanik, 15 maj 1942.AQSH. Fondi 14. Dosja Nr. 121, f25-29.
37.Informacione të Endrju Rajanit për Forin Ofis, 24 qershor e 4 korrik 1942. PRO- FO 371/33109; 33110..
38. Owen Pearson.Albania in occupation and war…p.195.
39.Shënim i Pearson Dikson, 26 korrik 1942. PRO- FO 371/33110.
40.Relacion i O. Sarxhentit, 12 korrik 1942. PRO- FO 371/33110.
41.Letër e Faik Konicës, ish ministër i Shqipërisë dërguar sekretarit të shtetit Kordell Hall, 21 nëntor 1942. NARA… Roll 15.
42.Po aty.Deklarata e Faik Konicës e Fan Nolit dërguar sekretarit të shtetit Kordell Hall, Washington 19 nëntor 1942.
43.Letër e Fan Nolit për sekretarin e shtetit Kordell Hall, 8 janar 1943. NARA. R.G. 59. Departament of State.Central Decimal File 1940-1944.M. 1211. Roll 15.
44.Letër e Petër Kolonjës, përfaqësues i përkohshëm i mbretit Zog në Uashington dërguar sekretarit të Shtetit Hall, 16 janar 1943. NARA… Roll 15.
45.Tel i ambasadorit amerikan në Londër Uinant për sekretarin e Shtetit, 18 dhjetor 1942. NARA… Roll 15.
46.A Tangled Web.A history of anglo-american relations with Albania (1912-1955).By William Bland and Ian Price. London, 1986, p. 71.
47.Po aty, f. 68.
48. Letër e presidentit Franklin D. Ruzvelt dërguar ambasadorit Biddle në Londër, 30 prill 1943. NARA… Roll 15.
49. Letër e Tajar Zavalanit për mbretin Zog, 4 maj 1943. PRO- FO 371/37137.
50. Letër e Sotir Martinit për Tajar Zavalanin, 11 maj 1943. PRO- FO 371/37137.
51. Problemi i Qeverisë së “Shqipërisë së Lirë”, 9 gusht 1943. NARA… Roll 15.
52. Relacion i Denis Laskit, 17 gusht 1943. PRO- FO 371/37137.
53.Tel i A. A Berle, jr. në emër të ndihmës sekretarit të shtetit dërguar ambasadorit të SHBA në Londër, John G. Winant, 29 tetor 1943. NARA… Roll 15.
54.Tel i ambasadorit amerikan në Londër Winant për sekretarin e shtetit, 19 nëntor 1943. NARA… Roll 15.
55.Deklaratë e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Uinston Çurçill në Dhomën e Komuneve, 4 nëntor 1943.TNA. HS 7/271;Roderick Bailey.Lufta e fshehtë në Shqipëri.Një histori e misioneve britanike 1940-1945.”Naimi” Tiranë 2019, f. 163.
56.Deklaratë e zëvëndës kryeministrit britanik C. Atlee në Dhomën e Komuneve, 23 maj 1944. NARA… M. 1211. Roll 15.
57. Deklaratë e Sekretarit të Shtetit në lidhje me Shqipërinë.2 qershor 1944.NARA… M. 1211. Roll 15.
58.Po aty.
59.Memorandum bisedimi midis përfaqësuesve të OSS –it dhe atyre të Departamentit të Shtetit,30 mars 1943. NARA R. G.59. Departament of State. Albania….M.1211. Roll 15
60.Roderick Bailey. Lufta e fshehtë në Shqipëri… f.249
61.Peter Lucas. Misioni amerikan në Shqipëri. Operacionet sekrete të OSS –it dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore . Shtëpia Botuese Bota shqiptare. Tiranë, 2007, f. 36.
62.Raport i gjeneralit Dejvis për Shqipërinë, 12 nëntor 1943. PRO – FO 371/37145.
63.Raport i Harry Fultz-it për OSS në Uashington, 7 shtator 1944.NARA… M. 1211. Roll 16.
64.Peter Lucas.Misioni amerikan në Shqipëri…f. 229-230.
65.Raport i majorit H.W.Tillman, 1944, TNA. HS 5/128.
66.Raport i McLean, 1943. TNA. HS 9/28/7 ?.
67.Raport i major E. Watrous, 7 qershor 1944. TNA. HS 9/28/7.
68.Letër e Shtabit të Forcës 2677 të OSS-it në Bari për Thomas Stefan, 11 gusht 1944.AQSH. F. 41/APC.Viti 1944.Dosja Nr. 146, fl. 4.
69.Peter Lucas.Misioni amerikan në Shqipëri…f.151.
70.Tel i sekretarit të shtetit C. Hall për konsullin amerikan në Napoli, 20 korrik 1944. NARA… M. 1211. Roll 16.
71.Raport i gjeneralit Dejvis dërguar Shtabit të Forcës 133 në Kajro, 17 dhjetor 1943.PRO – FO 371/37145.
72. Raport i majorit Kuejl, 30 prill 1944.WO 204/9530
73. Raport i Forca 133 nga Kajro për Shqipërinë.Vlerësim dy javor, 6 shkurt 1944. TNA HS 5/96.
74. Raport i Misionit Ushtarak Aleat në Shqipëri.Zona e Vlorës.9 gusht – 31 tetor 1943. TNA HS 5/124.
75. Raport i Majorit P.M. Kemp për Shqipërinë.Gusht 1943-Mars 1944. TNA HS 5/127.
76. Peter Lucas.Misioni amerikan në Shqipëri…f.102.
77.Letër e Filip Adams nga OSS-i për C. Cannon, në Departamentin e Shtetit, 23 gusht 1944. NARA….. M. 1211. Roll 15.
78.“Problemi i njohjes shqiptare”.Studim i sektorit të çështjeve të Evropës jugore të Departamentit të Shtetit, 7 tetor 1944. NARA….. M. 1211. Roll 16.
79.Raport i Majorit P.M. Kemp për Shqipërinë.Gusht 1943-Mars 1944. TNA HS 5/127.
80.Tel. i Forin Ofis për delegacionin e Britanisë së madhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, New York, 4 shkurt 1947. PRO – FO 371/66885.
81.Tel i sekretarit të shtetit Hall për konsullin amerikan në Napoli, 20 korrik 1944. NARA….. M. 1211. Roll 16.
82.Letër e Filip Adams nga OSS-i për shefin e sektorit të Evropës jugore në Departamentin e Shtetit, C. Cannon, 23 gusht 1944. Projekt deklarata për Shqipërinë.NARA….. M. 1211. Roll 15.
83.Tel. të Murphy -t për sekretarin e shtetit, 31 korrik dhe 12 gusht 1944. NARA….. M. 1211. Roll 16.
84.Raport i Harry Fultz-it për OSS-in në Uashington, 7 shtator 1944. NARA….. M. 1211. Roll 16.
85.Raport i majorit W.V. Smith, 15 tetor 1943-13 qershor 1944.SOE. Albania.BLO Reports “G” Volume 113. HS5/129.
86.Tel. i Forin Ofisit për delegacionin e Britanisë së Madhe, New York, 4 shkurt 1947. PRO-FO/66885.
87.Tel. i Kabineti i Luftës (War Office) për Mr. Broad në Kazerta. 2 tetor 1944.Wo 204/9535.
88.Po aty.
89. Rapor i Shtabit të Forcës 399 për situatën në Shqipëri dërguar D.Laskey në Forin Ofis, 23 nëntor 1944.PRO- FO 371/43554.
90. Tel. i këshilltarit politik britanik në Kazerta, Broad për Forin Ofis, 21 tetor 1944.WO 204/9535.
91.Tel. i Forin Ofisit për Broad, 26 tetor 1944. WO 204/9535.
92. Memorandum i sektorit të çështjeve të Evropës Jugore të Departamentit të Shtetit, 7 tetor 1944.NARA…M. 1211. Roll 16.
93. Tel i sekretarit të shtetit C. Hull për këshilltarin politik të Shteteve të Bashkuara në Shtabin e Forcave Aleate, A. Kirk, 5 tetor 1944. NARA…M. 1211. Roll 16.
94. Tel. i zyrës së këshilltarit politik të Shteteve të Bashkuara në Shtabin e Forcave Aleate në Kazerta për sekretarin e shtetit, 28 tetor 1944.NARA… M. 1211. Roll 16.
95. Memorandum i ambasadës britanike në Uashington DC për Departamentin e Shtetit, 3 nëntor 1944. NARA… M. 1211. Roll 16.
96. Memorandum i Departamentit të Shtetit për ambasadën britanike në Uashington DC.21 nëntor 1944. NARA… M. 1211. Roll 16.
Ky punim akademik eshte kryer ne kuadrin e konferences ’75 Years After: Commemorating the End of WW2′ te organizuar nga Institutit Shqiptar per Studime Nderkombetare dhe Ambasada Amerikane ne Tirane. Konferenca u mbajt online, me 14 Dhjetor 2020.