nga Dr.Sylë Ukshini
Ndonëse Kosova ishte çliruar në qershor 1999, një dekadë më vonë ajo shpalli pavarësinë e saj, moment ky që shënoi përmbylljen e procesit të shpërbërjes së federatës Jugosllave dhe të shtetformimit në Evropën Juglindore. Siç ishte pritur Beogradi zyrtar, të cilit Grupi i Kontaktit në vitin 2006 i kishte marrë të drejtën e vetos për statusin e Kosovës, e kundërshtoi pavarësinë e Kosovës, andaj bëri përpjekje të vazhdueshme diplomatike që të kontestonte ligjshmërinë ndërkombëtare të aktit të pavarësisë dhe ne te njëjtën kohë një agresion te vazhdueshëm përmes sfidimit nga brenda përmes komunitetit serb. Më 2010, në përgjigjje të kërkesës së Serbisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, konstaton se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Me gjithë fiaskon juridike, Beogradi me mbështetjen e shumicës së vendeve të BE-së dhe të Rusisë, në shtator të vitit 2010 ia arriti të merrte mbështetjen e shumicës së vendeve të Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së për miratimin e rezolutës për “dialog mes Prishtinës dhe Beogradit”. Është interesant që kjo rezolutë, që nuk u kontestua ose nuk u kuptua drejtë nga pala kosovare, ishte një formë e butë e kontestimit të vendimit të GJND-së ose thënë më saktë, krijonte një simetri në mes të vendimit të GJND-së dhe rezolutës së OKB-së. Që nga ky moment, Beogradi doli me tezën se po bisedohej për statusin e Kosovës, gjë që nuk u kundërshtua asnjëherë nga BE-ja, e cila ndihmonte e monitoronte këtë proces, madje elita serbe në vazhdimësi përdorin tezën se në rastin e Kosovës ”nuk mund të fitonte vetëm njëra palë” dhe se ajo “ishte e gatshme për kompromis”. I gjithë dialogut i ashtuquajtur teknik përdorej nga Beogradi dhe kundërshtaret e pavarësisë për të dëshmuar se dokumenti i Ahtisaarit nuk ishte i mjaftueshëm për serbet dhe rrjedhojë tu shtrua kërkesa për një autonomi, e cila u kamuflua me emrin e asociacioni. Me një qasje të tillë, nuk do të ishte aspak befasi, nëse në vijim Beogradi dhe vendet kundërshtare të pavarësisë, në vijim te deklaronin se edhe ky kompromis nuk bënë punë dhe tani duhet nisur nga e para. Në këtë linjë, si një paralajmërim të keq duhet parë, deklaratën e fundit të deleguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, se “pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të jetë e pranueshme gjithçka që është e pranueshme për Serbinë”. Ky diskurs i nxiti serbët lokal kosovarë të akceptonin çdo gjë dhe çdo favor që u siguronte Plani i Ahtisaarit, e të cilin nuk e njohin as edhe sot në pjesën që ka të bëjë me shqiptarët dhe statusin e Kosovës. Serbët, si “në një tavolinën suedeze”, merrnin vetëm ato që atyre u pëlqente dhe që shkonte në favorin e tyre.
Pa marrë përsysh kush ka qenë në pushtet politika zyrtare serbe gjithmonë ka bërë përpjekje per te mbajtur procesin e hapur dhe pavarësisht përkushtimit deklarativ per dialog dhe normalizim te marrëdhënieve, haptas ka mbrojtur mendësinë hegjemoniste në raport me Kosovën s i dhe ka mohuar krimet e kryera nga forcat serbe. Dhe një diskurs i tillë e minor në themel mundësin e normalizimit të marrëdhënieve fqinje. Kjo strategji, e negociatave të palimituara, e nxjerrjes së kompromiseve të njëpasnjëshme dhe njëkohësisht të kontestimit të vazhdueshëm të shtetësisë së Kosovës dhe e krimeve të luftës, e devalvon dialogun dhe e pamundëson çdo marrëveshje.
Viti 2010 ishte dinamik për çështjen e Kosovës dhe në veçanti raportet me Serbinë. Pas vendimit të GJND-së që ishte i favorshëm për Kosovën, po në këtë vit, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare, kemi raportin e senatorit Dick Marty. Ai krejt papritur doli me tezën për krimet e supozuara të bëra nga pjesëtarë të UÇK-së në Kosovë e Shqipëri. Ishte e qartë, raporti i senatorit Marty kishte për qëllim goditjen e pavarësisë së Kosovës.
Metodologjia e Beogradit ndaj Kosovës ishte e njëjtë si njëqind vjet më parë ndaj shtetësisë së Shqipërisë. Nëse ajo nuk arriti ta pengonte bërjen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912/13, për dekada me radhë u angazhua për kontestimin, zhbërjen apo moskonsolidimin e saj të brendshëm dhe ndërkombëtar. Në këtë kontekst, pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkurt 2008, e mbështetur nga politika serbe, ish prokuroja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, në librin e saj ngriti pretendimin se “brenda UÇK-së ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale”. Paralelisht me botimin e kësaj vepre, në Këshillin e Evropës ishte mobilizuar delegacioni rus, prapa të cilit qëndronte diplomacia e Beogradit. Ishte një iniciativë e koordinuar ndërmjet Rusisë dhe autoriteteve të Beogradit. Plot dy vite para se Dick Marty të publikojë raportin e tij në lidhje me “trajtimin çnjerëzor të civilëve dhe trafikimit me organe njerëzore”, nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Këshillin e Evropës ishte deponuar një mocion rezolute që i hapi dyert e këtij hetimi. Ishte deputeti rus, asokohe kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme nga Federata e Rusisë, Konstandin Kosachev, ai që propozoi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës këtë mocion rezolute. Kosachev në propozimin e tij më 15 prill të vitit 2008 kërkonte hetim special për “trajtim çnjerëzor dhe trafikim të organeve njerëzore”.[1]
Aty ku e la rusi Kosachev e vazhdoi senatori zviceran Dick Marty, i cili dy vite më pas, më 2010, bëri bujë me raportin e tij lemeritës, duke krijuar sensacion medial ndërkombëtar huti dhe befasi te faktori shqiptar, në lidhje me te kaluarën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne fakt, nuk ishte befasi pse Beogradi, pa marre parasysh përmes kujt dhe si po e bënte, gjithmonë ishte i interesuar per te krijuar një simetri mes krimit te sistematik shtetëror mbi shqiptaret dhe krimeve individuale te ndodhura pas luftës apo edhe gjate saj, madje politika zyrtare serbe ka mohuar edhe krimet dhe ka forcuar narracionin e Beogradit si viktime e një komploti ndërkombëtar. Gjuha e narracionit te senatorit zviceran ishte me frymë dhe stil të Beogradit, shpesh here te krijonte përshtypjen se ishte vetëm një përkthim i raporteve te njëanshme serbe. Këto goditje të njëpasnjëshme nuk mund të ishin rastësi, pasi ato në thelb kontestonin të drejtën e shqiptarëve për pavarësi. Nuk është rastësi zhvillimi i përnjëhershëm i procesit të negociatave të Brukselit ndërmjet palës shqiptare dhe asaj serbe, me raportin e Dick Martyt. Përgjatë procesit të zhvillimit të negociatave, Dick Marty dhe mbështetësit e tij, avanconin në “kauzën” e tyre që ishte: akuza e pa bazë për krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Për këtë arsye mëbshtetësit e tij, me forcë kërkonin themelimin e Dhomave të Specializuara. Në fakt, serbët kërkonin të krijojnë edhe një institucion shtesë për ta kontestuar më fuqishëm dhe nga brenda shtetësinë e Kosovës dhe mundësisht për të vazhduar negociatat edhe një apo dy dhjetëvjeçar. Në anën tjetër, pala serbe që ishte në negociata, kërkonte autonomi për serbët brenda një shteti (Republikës së Kosovës), që nuk e njihnin.
Reagimi i paorganizuar i shqiptarëve
Por, cili ishte reagimi i diplomacisë shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup dhe i institucioneve akademike dhe shkencore, në lidhje me raportin e Dick Martyt? Në fakt, sa i përket këtij raporti, reagimi apo më mirë të themi kundërpërgjigjja nga institucionet e sipërshënuara ka qenë tejet e ngathtë, për më mos thënë që ska qenë fare. Pra, në Kosovë dhe në Shqipëri, ndaj raportit të Dick Marty-t nuk pati një kundërpërgjigje të duhur, u qëndrua duarkryq. Në anën tjetër, Beogradi, fare haptas, e nisi kundërfushatën e tij për të përmbysur të vërtetën rreth luftës në Kosovë. Ndërkohë që një vit më parë Tribunali Ndërkombëtar për Krime të ish-Jugosllavisë kishte shpallur fajtorë ish-zëvendëskryeministrin serb N. Shainoviq dhe një grup gjeneralësh serbë për krimet e luftës e kundër njerëzimit të bëra në Kosovë më 1999. Në këtë rast klasa politike në Kosovë, e po ashtu edhe në Shqipëri, bashkë me ta, edhe elita akademike duket sikur u kap në befasi ose ishte e hutuar nga etja për pushtet. Ne edhe pse kishim dosjet tona ngjethëse, edhe me rekomandimin e ndërkombëtarëve për të mos e frenuar dialogun dhe normalizimin e raporteve, nuk i bënim të ditura. “hajt se bota e dinë çfarë krimesh ka bërë regjimi i Milosheviqit në Kosovë”, ishte refreni i zakonshëm justifikues i shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë, Serbia vazhdonte të përsëriste gënjeshtrën e saj për krimet e shqiptarëve ndaj popullatës serbe dhe sa herë që kapte brenda territorit serb ndonjë pjesëtar të ish-UÇK-së, aktakuza ishte e gatshme: “krime lufte”. Madje, Beogradi kishte lëshuar rreth 170 fletarreste përmes organizatës ndërkombëtare policore INTERPOL, për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shqiptarët e kishin kyçur gojën, bota s’kishte si ta kuptonte se në cilën anë ishte e drejta. Gradualisht krimet serbe po mbeteshin nën hije. Derisa Beogradi në çdo raportim të Këshillit të Sigurimit fliste për “krimet e shqiptarëve”, ne nuk flisnim për të kaluarën e afërt, për mbi 13 mijë civilë shqiptarë të ekzekutuar në forma të ndryshme deri në përmasat e gjenocidit. Prej tyre ishin mbi 1 mijë foshnje dhe fëmijë shqiptarë të ekzekutuar në me mjete dhe armë të ndryshme, në sytë e familjarëve të tyre. Diplomacia shqiptare andej dhe ktej kufirit mund ta akuzonte Beogradin zyrtar në organizatat dhe institucionet e ndryshme ndërkombëtare, jo vetëm për civilët e ekzekutuar, por edhe për mirëja civilë të zhdukur, për dhunimin e mbi 20.000 mijë grave e burrave shqiptarë, për dëmet e mëdha ekonomike, të shkaktuara si pasojë e luftës etj. Andaj, konstatojmë që të dy shtetet tona, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë bërë sa duhej, ngase është dashur të kërkonin me ngulm zbardhjen e të vërtetës, në mënyrë që të rrëzonin gënjeshtrat e Beogradit.
Në këtë klimë aspak të favorshme për Kosovën dhe shqiptarët, që u krijua pas raportit të Dick Martyt, filloi procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, që u miratua nga Këshilli i Evropës, e që në krye të këtij procesi ishte shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Për shkak se zyrtarët serbë ndjeheshin të provokuar, zyrtarët evropian, por edhe ata kosovarë tregoheshin të kujdesshëm të mos përdorej emërtimi Kosovë. Kjo ishte arsyeja që u bë marrëveshja e famshme për fusnotën, për përfaqësim të Kosovës në organizata rajonale. Ky ishte një kurth i Brukselit, sepse marrëveshje shpejt nga karakteri rajonal mori dimension evropian dhe ndërkombëtar, duke e forcuar qasjen e Beogradit ne dialogun e Brukselit. Ne vend te fusnotës, BE, pas vendimit te GJND-se, do te duhej te insistonte nga pesë vendet e BE-se dhe Beogradi te respektonin subjektivitetin ndërkombëtar te Kosovës, te konfirmuar edhe nga GJND-ja.
Pra, fusnota, ishte hapi më i gabuar i vetëkontestimit të shtetësisë. Të paktën kompromisi ka qenë i gatshëm, në këto takimi rajonale si Beogradi ashtu edhe Sarajeva kanë mundur t‘i drejtohen palës kosovare me emërtimin e dikurshëm në ish-Jugosllavi vetëm si Kosovë. Pas kësaj marrëveshje, Beogradi i shtoi ambiciet për kompromise që do ta lëndonin boshtin e shtetin të Kosovës dhe tani ndodhemi tek kërkesa për asociacion me kompetenca ekzekutive dhe me një përballje të madhe dhe të pazakonshme, me Dhomat e Specializuara në Hagë, ku tashmë ndodhet ish-presidentit i shtetit, Hashim Thaçi, dy ish-kryetarët e Parlamentit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe kryetari i Grupit parlamentar të VV-s, deputeti Rexhep Selimi. Kjo ndërmarrje e Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi është e pazakonshme dhe nuk ka ndodhur as ndaj Beogradit, si kryeqendra që ka shkaktuar katër luftëra dhe ka kryer krime kundër njerëzimit që nuk janë parë që nga përfundimi Luftës së Dytë Botërore. Përmasat e krimit të regjimit të Millosheviqit në territoret e ish-Jugosllavisë (Kroaci, Slloveni, Bosnjë dhe Kosovë), gjatë katër luftërave që u zhvilluan në vitet 90-ta të shek.XX janë të shkallës së gjenocidit.
Në anën tjetër, kjo gjykatë arreston dhe më pas akuzonë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftën e nisën me të vetmin qëllim: çlirimin e Kosovës nga okupimi shekullor serb. Megjithëse e drejta është në anën e shqiptarëve, krerët e ushtrisë së tyre çlirimtare u arrestuan në mënyrën më të vrashtë të mundshme. Madje, dy krerët e Republikës së Kosovës që u arrestuan, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ishin dy personalitetet kyçe që bënë të mundur votimin në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale. Pa marrë parasysh këtë fakt, ata u arrestuan dhe nga selia e EULEX-it u dërguan direkt në avionin special, pa praninë e asnjë familjari apo zyrtari shtetëror. Ndërsa, pesëmbëdhjetë vjet më parë, konkretisht në mars të vitit 2005, kur Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi atij i ishte konfirmuar aktakuza nga Tribunali i Hagës, ai kishte udhëtuar për në Hagë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe me nderime të larta nga institucionet e vendit dhe qytetarë të shumë. Madje, në aeroportin e Prishtinës ai u përcoll edhe nga Komandanti i TMK-së, Agim Çeku dhe nga komandantët e Zonave Operative të TMK-së. Për më tepër, një ditë më pas, Qeveria e Kosovës, Parlamenti, Presidenti dhe shefi i UNMIK-ut ishin deklaruar për ofrimin e garancioneve të nevojshme për mbrojtjen në liri të ish-kryeministrit Haradinaj. Dhe për të qenë ironia më e madhe, në atë periudhë Kosova ishte vetëm një provincë që në fakt qeverisej nga UNMIK-u, dhe jo si tani, shtet me një histori afro trembëdhjetë-vjeçare. Dhomat e Specializuara të Kosovës pritën pesë vjet për të ngritur aktakuzat e para. Por, fakti se së fundi në mënyrë të papërmbajtur bënë publike aktakuzën dhe bashkë me të edhe konfirmimin e saj, vetëm katër muaj para se Presidenti i vendit të mbaronte mandatin, lë shumë hapësirë për dyshime në vërtetësinë e vendimeve të kësaj gjykate.
Është e qartë se Gjykata dëshironte që aktakuzën ta bënte ndaj një Presidenti të një shteti të ri, i cili akoma nuk i ka shëruar plagët dhe pasojat e luftës dhe në kohën kur në Serbi vazhdojnë të zbulohen varreza masive me mbetjet mortore të viktimave civile shqiptare. Ndërsa, në Beograd shef i shtetit vazhdon të jetë shefi i propagandës së regjimit të Milosheviqit. Me apo pa të drejtë, kjo situatë ka krijuar frustrim dhe mëdyshje në mesin e shqiptarëve, se në perëndim ekziston një dëshirë për të krijuar një simetri mes krimit të organizuar shtetërore serb dhe krimeve të mundshme individuale, që janë fenomen dhe pasojë e pasluftërave.
Përmbajtja e aktakuzës
Ish- prokurori Clint Williamson e bëri të ditur se si pikënisje e Gjykatës Speciale ishin deponimet e shqiptarëve, si dhe kërkesat dhe nismat e vazhdueshme të Rusisë dhe të Serbisë. Pavarësisht prej kësaj, në vend të autokritikës ndaj politikës së shqiptarëve në Prishtinë apo në Tiranë, lufta diplomatike e tyre duhet fokusuar në rrafshin juridik, në përmbysjen e aktakuzës së Prokurorisë.
Mbi ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së që u transferuan në Hagë më 4 dhe 5 nëntor (Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqin), qëndron aktakuza e konfirmuar në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjeve, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”. Sipas aktakuzës së Dhomave të Specializuara, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së cilësohet si “organizatë e përbashkët kriminale”, që për cak kishte “kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së”. Çdo njeri që nuk e njeh historinë e Kosovës të para 10 qershorit 1999, krijon përshtypjen se UÇK-ja, dhe jo ushtria serbe/jugosllave, qenka fajtore për shpërthimin e katër luftërave, krimet dhe dëbimet masive në territorin e ish-Jugosllavisë.
Kjo aktakuzë e konfirmuar, e cila nuk ka bazë ligjore, ngase nuk mbështetet në fakte, ka shumë defekte: e para UÇK i referohet si ndërmarrje kriminale, ndërkohë që të gjitha aksionet e vrasjeve dhe dëbimeve masive të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare cilësohen si operacione të rregullta. Për më tepër, nuk përmenden fare krimet serbe dhe as forcat paramilitare serbe. E dyta, përmendja e vazhdueshme e përndjekjes apo e vrasjeve të përkrahësve të LDK-së provon të krijojë një atmosferë stigmatizuese ndaj UÇK-së brenda Kosovës dhe të krijoj një hendekë brenda skenës politike kosovare, me shpresën se në këtë formë do të mund të rekrutohen dhe inkurajohen sa më shumë dëshmitarë shqiptarë për të deponuar dëshmi kundër ish-drejtuesve kryesorë të UÇK-së. Një element tjetër, të cilin shpeshherë është shfrytëzuar në Ballkan, sidomos nga Slobodan Milosheviqi, është ai që fliste shumë për mbrojtjen e Evropës së krishterë. Me qëllim që të demonizohet lufta çlirimtare e shqiptarëve, është theksuar pretendimi se UÇK-ja ka përndjekur pjesëtarët e komunitetit “katolikë”, një “fakt” absurd, kur dihen marrëdhëniet e popullsisë shqiptare, pa marrë parasysh bindjet e tyre religjioze. Ky është një konstrukt i formuluar në Beograd dhe vetëm është përkthyer në Hagë, e që për qëllim ka përqarjen e shqiptarëve mbi baza fetare.
Në këtë pikë, UÇK ka qenë e pakompromis, madje ka refuzuar edhe ndihmën tepër të nevojshme nga çdo shtet apo institucion, që me apo pa qëllim do të mund të dëmtonte pastërtinë e luftës së shqiptarëve kundër okupimit serb.
Dhe një element tjetër, që gjithsesi është kritikuar edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, është se kjo gjykatë në përgjithësi shihet si anti-etike ndaj parimeve të barazisë: jo vetëm ligji, por zbatimi i tyre duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Deri më tani është pohuar se kjo gjykatë nuk do t’i hetojë krimet e serbëve në Kosovë. Nisur nga kjo, nëse në mënyrë hipotetike shtrohet pyetja, si do të ndriçohej një vrasje qoftë e pjesëtarit të UÇK-së apo të LDK-së, nëse atë kanë mundur ta bëjnë strukturat shtetërore apo forcat paramilitare serbe. Mjafton të përmendet këtu rasti i kafenesë “Panda” në Pejë, ku u vranë gjashtë të rinjë serbë, e që supozohet se autoritetet shtetërore të Beogradit e kanë kryer këtë krim, në mënyrë që të krijohej preteksti për represion masiv dhe për akuza false ndaj UÇK-së si “organizatë terroriste”. Nëse Beogradi e ka bërë një krim të tillë ndaj të rinjve serbë, përse duhet përjashtuar mundësia që krime të tilla të ketë bërë brenda shqiptarëve, me qëllim të krijimit të klimës së paqartë, kaosit dhe mosbesimit të brendshëm. Sidoqoftë, mbetet të shihet cili do të jetë epilogu i kësaj gjykate. Pavarësisht, mangësive dhe paragjykimeve fillestare, shpresoj se do të kemi një gjykim të drejtë dhe se vendimet e saj do të jenë të paanshme. Mbrojtja dhe të akuzuarit kanë mundësi që me argumentet e tyre të vërtetojnë dhe kësisoj të rrëzojnë pretendimet e Prokurorisë, por kjo nuk mund të bëhet nëse secila palë ndërton rrëfime emocionale dhe narracione që janë në funksion të politikës ditore, qoftë brenda Kosovës, qoftë brenda Shqipërisë. Por, pavarësisht epilogut, proceset e kësaj gjykate do të kenë pasojat politike për imazhin dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Ajo nuk do të ndihmojë në përballjen me të kaluarën as në Kosovë dhe as në fqinjin tonë verior. Përkundrazi do të ketë inkurajim për krimin e një simetrie artificiale, e cila edhe ashtu do ta bëjë më të vështirë dialogun për vendosjen e raporteve normale fqinjësore.
Dhomat e Specializuara u krijuan në momentin e dobësisë institucionale të Kosovës-qoftë në sundimin e ligjit brenda vendit, qoftë në procesin e “dialogut” me Beogradin. Me punën e tyre Dhomat e Specializuara do të krijojnë së paku dy efekte të mëdha negative dhe politike në jetën e Kosovës.
Narracioni i cunguar
Sipas përmbajtjes së aktakuzës së Dhomave të Specializuara në Hagë, që për objekt hetimi ka periudhën mars 1998 – shtator 1999, narracioni për historinë dhe përmasat e përndjekjes së shqiptarëve duket tepër i cunguar. Më shumë i ngjanë një tregimi që kanë dëshirë ta dëgjojnë kundërshtarët e lirisë së Kosovës. Është tipik një narracion që e kisha dëgjuar në fjalimet e së majtës ekstreme evropiane në kohën e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, e cila e anashkalonte gjithë represionin dhjetëvjeçar serb në Kosovë dhe dënonte intervenimin e NATO-s dhe luftën e UÇK-së.
Nëse e lexon tekstin e aktakuzës dhe nëse nuk e ke jetuar drejtpërdrejt atë periudhë, apo nëse nuk ke qenë shqiptar i Kosovës, atëherë e ke të vështirë ta lidhësh thelbin e ngjarjeve. Sikur Dhomat e Specializuara t’i ishin referuar vetëm përmbajtjes së opinionit të GJND-së, atëherë narracioni do të ishte krejt i ndryshëm dhe më i plotë.
Vitet e apartheditit afrikan
Kosova si para ashtu edhe pas vitit 1989 ishte shndërruar në një poligon të përndjekjes kolektive të shqiptarëve. Printe për numrin e të burgosurve politikë, për numrin e rekrutëve shqiptarë të ekzekutuar në armatën jugosllave të serbizuar dhe më pas në pranverën e vitit 1990 u bë cak i një helmimi masiv i mijëra nxënësve (mbi shtatë mijë), shqiptarë me gazra toksike (helmin e luftës-sarin). Të gjitha mbetën të pasqaruara dhe të padënuara. Edhe pas tre dekadash, ende nuk dihet se çfarë i ndodhi me dhjetëra ushtarëve/rekrutë shqiptarë nga Kosovës që u vranë ose zhdukën ndërsa shërbenin në Ushtrinë Popullore Jugosllave në prag dhe gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë[2]. Represioni serbë mbi shqiptarët sa vinte e sforcohej, pasi u suprimua autonomia e Kosovës më 1989, u ndërpre puna e qeverisë, parlamentit dhe u mbyllën Radiotelevizioni i Prishtinës (RTP) dhe të gjitha mediumet e tjera elektronike dhe të shkruara. Po ashtu, u dëbuan nga puna dhjetëra mijë punëtorë të institucioneve publike si: policë, mjekë, nëpunës të administratës si dhe u mbyllën të gjitha shkollat dhe Universiteti i Prishtinës. Shqiptarët ishin qytetarë të rendit të dytë ose të tretë. Ata thjeshtë ishin pa mbrojtje. Kishin të drejtë vetëm të vdisnin ose paraprakisht të largoheshin nga Kosova.
Meqë Jugosllavia e mbetur në atë kohë ishte vënë nën sanksione ndërkombëtare, për shkak të luftërave në Kroaci dhe më pas në Bosnjë dhe Hercegovinë, komuniteti ndërkombëtar kishte vendosur embargo ekonomike. Prandaj, çmimet ishin të larta për çdo mall, por këto çmime vlenin vetëm për shqiptarët, ndërsa serbët e Kosovës paguanin me çmim normal, aq sa kushtonte në tregjet evropiane. Shqiptarët paguani mallrat deri pesëfishë më shtrenjtë sesa serbët. Çdo ditë në udhëkryqet e qyteteve e rrugëve të Kosovës, shqiptarët rriheshin, maltretoheshin, burgoseshin në mënyrë arbitrare, dënoheshin dhe gjobiteshin, pa asnjë arsye. Ata trajtoheshin me përbuzje në trafik, në pikat kufitare, në rrugë, në dyqane, në punishte, në shtëpitë dhe familjet e tyre. Madje, në festat private familjare si në dasma etj, nga policia serbe përdhoseshin simbolet kombëtare, ndërsa dasmorët burgoseshin. Si formë e represionit dhe dhunës sistematike, me qëllim dëbimin e popullsisë shqiptare nga Kosovë, ishte edhe dhuna dhe represioni që pushteti serb ushtronte ndaj sportit dhe sportdashësve shqiptarë, të cilët e kishin të ndaluar të luanin edhe futboll qoftë në fusha sportive, apo nëpër luadhet e fshatrave. Në qytete shqiptarët diskriminohesh në të gjitha format, ngase zakonisht në qendër shihej prania vetëm e policisë dhe e qytetarëve serbë, ku dëgjohej me zë të lartë vetëm muzikë nacionaliste serbe, ndërsa shqiptarët operonin kryesisht nëpër lagjet periferike, duke i ikur çdo kontakti me policinë dhe inspektorët serbë. Në politikën antishqiptare që e ndiqte pushteti serb, një rol të rëndësishëm e luante edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila nxiste në thellimin e urrejtjes ndëretnike dhe kësisoj përdorimin e dhunës në mënyrë institucionale ndaj popullsisë civile shqiptare.
Gjithë kreu i Kishës serbe më 1992 kishte zbarkuar në Prishtinë së bashku me kriminelin famëkeq Zheljko Razhnatoviq–Arkan, i cili i komandonte paramilitarët e quajtur “Tigrat”. Ata morën pjesë në vënien e gurthemelit të kishës serbe në kompleksin e Universitetit të Prishtinës, prej nga ishin dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë. Kjo kishë më së paku mund të quhej faltore fetare, ajo ishte pjesë e programit të regjimit kriminal të Beogradit për serbizimin e Kosovës. Ndërkohë, të gjitha rrugët dhe sheshet e qyteteve të Kosovës qenë pagëzuar me emra mesjetarë serbë, me emra mbretërish e vojvodësh. Në anën tjetër, shqiptarëve u mohohej e drejta e shkollimit në gjuhën e tyre. Në këtë rajon të Evropës nuk kishte shkolla dhe universitete në gjuhën shqipe. Ishte një krim mesjetar. Poshtërimi i shqiptarëve ishte bërë normë e sjelljes së pushtetit serb. Prindërit rriheshin dhe përçmoheshin për çdo ditë në sytë e fëmijëve, burrat në sytë e grave, ndërsa të ashtuquajturat biseda informative, ishin bërë një mjet për të nxitur largimin nga Kosova, pasi shqiptarët si dikur para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, torturoheshin për armët, të cilat nuk i posedonin. Shumë serbë lokal të Kosovës, refugjatë të ardhur nga Bosnja e Hercegovina në fillimvitet 90-ta, ua kishin zënë vendet e punës shqiptarëve, të cilët ishin larguar me dhunë. Pushteti serb filloi t’ua konfiskonte shqiptarëve edhe banesat dhe pronat private. Qindra mijë shqiptarë, të kërcënuar edhe me ekzistencën fizike, emigruan në shtetet e Evropës Perëndimore. Kosova po zbrazej për çdo ditë në mënyrë të heshtur. Ishte një jetë e padurueshme dhe një segregacion i përmasave të Afrikës së Jugut në kohën e Aparteidit.
Andaj, të lodhur nga vuajtja, diskriminimi, represioni dhe përndjekja kolektive, të rinjtë shqiptarë, ndonëse filluan më herët, në vjeshtën e vitit 1997 e masovizuan rezistencën guerile të armatosur. Në radhë të parë lufta e UÇK-së ishte produkt i represionit serb dhe i mosmbështetjes së rezistencës paqësore ndaj okupimit të Serbisë, dhe mbi të gjitha anashkalimi i çështjes së Kosovës në Konferencës së Dejtonit. Kjo ishte ora e lindjes së UÇK-së.
Pa dyshim, kthesa vendimtare ndodhi pas masakrës mbi familjen Jasharaj (5-7 mars 1998), të paparë në rajonin të Evropës Juglindore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Spastrimi etnik i planifikuar që synonte të siguronte një “lebensraum” për kolonët serbë, dëbimi i qindra mijëra kosovarëve në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë e përligji zotimin e NATO-s për intervenim ushtarake kundër caqeve dhe objektiva ushtarake serbe. “Nëse mund të thuash se një luftë është etike, apo se zhvillohet për shkaqe etike, atëherë kjo është njëra prej atyre luftërave. Kosova (ndryshe nga Kuvajti) nuk ka puse nafte për t’u lakmuar; asnjë nga kombet anëtare të Aleancës nuk ka ndonjë pretendim territorial ndaj saj. E megjithatë, Aleanca hyri në luftë. Ajo lufton sepse është e shqetësuar për fatin e të tjerëve. Ajo po lufton, sepse asnjë njeri i mirë nuk mund të rrijë e të bëjë sehir kundrejt vrasjeve sistematike të popujve të tjerë nën drejtimin e qeverisë (së Beogradit)”, shkruante në atë periudhë ish-presidenti Vaclav Havell.
Ndërsa NATO vazhdonte luftën në ajër, forcat ushtarake dhe policore serbe, të mbështetura dhe nga serbët lokalë, u hodhën me hov në një fushatë terrori në shkallë të gjerë-përdhunime, masakra, dëbime ndaj popullsisë civile shqiptare. Sekuencat televizive të kolonave me traktorë dhe trena të mbushur përplotë të dëbuar, të kujtonin imazhet e refugjatëve hebrenjë nga Lufta e Dytë Botërore dhe imazhet e filmit “Lista e Shindlerit”, të pleqve të rraskapitur, grave të trishtuara dhe fëmijëve të lodhur dhe të uritur. Forcat serbe ua morën shqiptarëve dokumentet e identifikimit dhe targat e regjistrimit para se të kalonin kufirin, me qëllimin për t’ua bërë sa më të pamundur kthimin në Kosovë.
Dhe kur një gjë e tillë ndodhi ndaj 90% të shqiptarëve të dëbuar, çfarë mund të ketë pritur dikush prej tyre, të mos të riktheheshin fare në Kosovë ose brenda një dite të harronin vuajtjet dhe krimet e papara që nga Lufta e Dyte Botërore. Prandaj, kishte te drejtë komandanti i parë i trupave gjermane të KFOR-it në Kosovë, Helmut Harf, kur në një intervistë për revistën “Der Spiegel”, (24 janar 2000), deklarate krejt hapur: “mos kërkoni nga shqiptarët që tani t’i përqafojnë serbët si vëllezër dhe motra, pas gjithë atyre vrasjeve dhe shkatërrimeve që ndodhën në Kosovës. Ai po ashtu ishte skeptik se mund të realizohej synimi i bashkësisë ndërkombëtare për një Kosovë multietnike. Për më tepër, pala serbe as atëherë as sot nuk ka treguar vullnet për përballje kritike me të kaluarën. Përkundrazi autoritetet serbe në Beograd kriminelët e luftës, jo vetëm që i kanë toleruar, por janë dekretuar dhe kësisoj kanë marrë pozita të larta shtetërore, duke përfshirë edhe ata që janë dënuar për këto krime nga gjykatat ndërkombëtare. Presidenti i Serbisë, që asokohe ishte shef i propagandës në qeverinë e Milosheviqit, dhe kryetari i Parlamentit vazhdojnë të pohojnë me bindje se “Slobodan Milosheviqi ishte një lider i madh” dhe premtojnë nisjen e luftërave të reja në Kosovë dhe më gjerë.
Paslufta
Çlirimi i Kosovës nga okupimi serb, që erdhi pas një fushate të tmerrshme të spastrimit etnik para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, që sipas HRW, ishin dëbuar më shumë se 80% e gjithë popullsisë së Kosovës dhe 90% e shqiptarëve etnikë[3], krijoi mundësinë e kthimit të shumicës së shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Ky rikthim u bë në kushte të vështira, për shkak të shkallës së lartë të shkatërrimit të Kosovës. Ajo ishte e rrënuar, e djegur dhe kishte qindra varre masive. Administrata serbe ishte dekompozuar pas ikjes së ushtrisë, policisë dhe parazitarëve serbë, të cilat prej Vukovarit në Kroaci, Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë, Prekazit, Reçakut, Izbicës, e Mejës në Kosovë, kishin zbatuar shabllonin e njëjtë: armata grasatonte, banorët iknin, policia hynte me këmbësori, shpesh duke djegur shtëpitë dhe duke plaçkitur, shpesh duke i ekzekutuar burrat dhe djemtë e rritur, dhe më pas do t’i dëbonin të gjithë në masë, njëkohësisht duke fshehur trupat nëpër varreza masive dhe marrje pengjesh, të cilët më vonë u zhdukën. Pas poshtërimit dhe tmerreve shumëvjeçare para dhe gjatë luftës, zemërimi dhe etja për hakmarrje s’ mund të ulej përnjëherë tek shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre. Natyrisht e dënueshme, hakmarrja me karakter etnik të muajve të parë të pasluftës, krijoi pasiguri për serbët lokal. Është po ashtu e vërtetë se pas luftës, ku krahas lirisë mbretëronte edhe kaosi dhe një liri e pakontrolluar, kishte edhe veprime të pamatura siç ndodhë në çdo periudhë të pasluftës dhe në çdo vend. Kujtojeni shembullin e dëbimit të gjermanëve nga Vojvodina, nga Çekia, Polonia apo përdhunimin e grave gjermane nga ushtarët rusë. Për fat të mirë, në Kosovë nuk kishte krime të përmasave të tilla. Sipas Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI) të vitit 2004 se në Kosovë ka rreth 130 mijë serbë, ndërsa nga Kosova ishin larguar 65 mijë civilë serbë. Sipas të dhënave zyrtare të Beogradit, në Kosovë kishte rreth 190 mijë serbë. Regjistrimet më 1961, 1971, 1981, 1991, tregojnë se në Kosovë shqiptarët përbënin shumicën absolute, ndërsa numri i serbëve në përgjithësi nuk e arrinte numrin 200 mijë. Sipas Qendrës për Hulumtime Demografike dhe Institutit të Shkencave Shoqërore të Beogradit, në Kosovë më 1991 kishte vetëm 194 mijë serbë. Ndërkohë, në narracionin propagandistik të Beogradi, një gjuhë tipike si e viteve 80-të, e reflektuar edhe në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave, flitet si gjithmonë për një “shpërngulje të madhe” të 300 deri të 400 mijë serbëve.
Nëse narracioni për Kosovën do të fillonte nga qershori i vitit 1999 e tutje, do të krijohej përshtypja e shtrembëruar për realitetin kosovar. Natyrisht, po të niste rrëfimi nga fundi edhe për Luftën e Dytë Botërore, atëherë secili qytetar i Evropës, e edhe ne vetë, shprehnim brengën për atë çfarë ndodhi me civilët gjermanë në Dresden nga bombardimi britanik, apo në vendet tjera evropiane, të cilat i përndoqën civilët gjermanë. Vëtëm në qytetin çek të Bërnos konsiderohet se u vranë 5,200 gjermanë dhe dhjetëra mijë u dëbuan. Po të kishte një zell si tani në rastin e Kosovës, nuk do të ishte çudi që në vitet 70-të të shekullit të kaluar në Nyrberg të gjykoheshin edhe drejtuesit e koalicionit antifashistë për tejkalimin dhe shkeljen e rregullave të luftës.
Por, shumica e tyre qëndruan. Ndonëse të gjitha krimet me karakter etnik janë të pafalshme, ka një dallim thelbësor dhe kjo është konfirmuar edhe nga zyrtarët e lartë të OSBE-së. Dan Everts, ambasador dhe ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë (1999-2001), deklaronte se “për dallim me aktet e kryera nga shqiptarët kosovarë, spastrimi etnik i shqiptarëve nga serbët, qe fryt i një fushate sistematike, të planifikuar e të dëshiruar nga autoritetet më të larta, dhe që pleksnin si forcat e rregullta ashtu edhe vullnetare. Nuk ekziston asnjë provë e ngjashme me këtë, për një synim strategjik apo sistematik tek shqiptarët e Kosovës. Edhe akuzat për përgjegjësi vetjake në kryerjen e krimeve individuale me karakter etnik nga drejtuesit e UÇK-së, nuk bazohen në asnjë fakt të besueshëm.”
Janë disa arsye thelbësore që i shtyi serbët e Kosovës të largoheshin pas përfundimit të luftës: disa u larguan për shkak se ishin të involvuar direkt në krimete kryera ndaj popullsisë civile shqiptare; disa, për shkak se i humbën privilegjet e tyre; disa u larguan për të ruajtur vendet e punës në ushtri, polici dhe në administratë; disa ngase ua kishin uzurpuar banesat dhe pasurinë shqiptarëve përgjatë viteve 90-ta apo ua kishin zënë vendet e punës; disa nga humbja e perspektives, etj. Jo rastësisht, ata u larguan paralelisht me tërheqjen e ushtrisë serbe, një fenomen që ndodhë në çdo luftë.
Ndërsa kur shqiptarët po riktheheshin në shtëpitë e tyre, të traumatizuar nga vuajtjet dhe nga plagët e luftës, gjetën shtëpitë e rrënuara, të djegura dhe të plaçkitura. Çdo gjë ishte bërë rrafsh me tokë, madje edhe bagëtia. Ishte e natyrshme që kishte edhe etje për hakmarrje, pas gjithë asaj çfarë kishin përjetuar. Por, përmasat e hakmarrjes ishin tejet të vogla, në krahasim me mundësitë e saj, që është e natyrshme të ndodhnin, si në çdo vend dhe popull të botës.
Nisur nga kjo, normalizimi i marrëdhënieve Kosove-Serbi, pa marrë parasysh epilogun e Gjykatës Speciale për të akuzuarit e saj, nuk mund të bëhet mbi konstruksione dhe simetri artificiale, madje duke kërkuar me llupë dhe zell çfarëdo të keqe pala shqiptare, por duke ndërtuar një qëndrim të paanshëm se arsyeja e ndërhyrjes se NATO-s kishte ndodhur për ta shpëtuar viktimën shqiptare përballë agresionit serb. Ky narracion nuk mund të përmbyset pavarësisht motiveve dhe zellit të ndonjë qendre ndërkombëtare të vendosjes apo të ndonjë zyrtari evropian për te arritur një kompromis të ri në favor të Beogradit. Në këtë kontekst, Kosova po ashtu ka nevoje, me shumë se kurrë, per qëndrim te qarte dhe një konsensus te brendshëm, në mënyrë që të shmanget çfarëdo kurthi i ri dialogun e ardhshëm.
[1] http://www.assembly.coe.int/committeedocs/2010/ajdoc462010prov.pdf
[2] Serbeze Haxhiaj: Ende i panjohur fati i ushtarëve nga Kosova të zhdukur gjatë shërbimit në Ushtrinë Jugosllave, BIRN, November 16, 2020, https://balkaninsight.com/2020/11/16/ende-i-panjohur-fati-i-ushtareve-nga-kosova-te-zhdukur-gjate-sherbimit-ne-ushtrine-jugosllave/?lang=sq
[3] Nën pushtetin e urdhrave, Fredi Abrahams / Human Richts Watch, f.4, https://www.hrw.org/reports/2001/kosovo/HRW2.pdf