Konferenca për të Ardhmen e BE: Dilema mes Europtimistëve dhe Eurorealistëve

0

Nga: Geron Kamberi

Me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës, vendet anëtare të BE do të jenë dëshmitare të një ngjarje të rëndësishme siç është nisja e proçesit për të zhvilluar Konferencën për të Ardhmen e Evropës (CoFoE). Konferenca shënon fillimin e një cikli aktivitetesh përmes të cilave synohet që duke përdorur qasjen e demokracisë deliberative (demokracia e diskutimit – një koncept i viteve 80 që u fut nga politologut amerikan Josep Besset dhe u përpunua nga filozofi gjerman Jurgen Habermas) të ndërtohet një platformë e gjerë diskutimi me qytetarët e vendeve anëtare, ku të debatohet e ardhmja afatmesme dhe afatgjatë e BE dhe reformat që duhet të ndërmerren për të përmirësuar politikat e institucionet e saj.

Ideja e kësaj konference u përshfaq në 4 Mars 2019 nga presidenti francez Macron gjatë fushatës elektorale në Francë për zgjedhjet e Parlamentit Europian të 23-26 Majit 2019. Në thelb rrethanat ku lindi kjo ide ishin të lidhura jo vetëm me realitetin e brendshëm francez që gëlonte nga revoltat e “jelekverdhëve” por edhe me faktin se ende nuk ishte kapërdirë largimin i Britanisë nga BE. Nga ana tjetër si rrjedhojë e rritjes së një euroskepticizmi nga partitë populiste në Europë të shkaktuar nga kriza social ekonomike apo problemet e menaxhimit të migracionit e multikulturalizmit, po fillonin të dilnin në sipërfaqe terma të tillë me prapashtesën si Frexit, Grexit, Italexit që paralajmëronin re të mjegullta mbi projektin e BE. Në këtë rrugëtim drejt një Konference për të Ardhmen e Evropës (CoFoE) u përcaktua një hartë rruge nga do të ecte konferenca për të mbledhur opinionet e qytetarëve duke synuar që përballë krizave e shqetësimeve, BE të “rishpikte” vetveten në një formë të re. Kjo do të bënte të mundur që tek njerëzit të forcohej bindja se BE është një projekt që nuk ia vlen të braktiset apo të vihet në dyshim.

Propozimi i Presidentit Francez nuk ka kaloi pa vëmendje nga Parlamenti Europian si institucioni që përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendeve anëtarë të BE. Në këtë kuadër, më 16 Tetor 2019, Konferenca e Presidentëve të Parlamentit Evropian vendosi të ngrejë një Grup Pune për Konferencën për të Ardhmen e Evropës (CoFoE) që do të përbëhej nga një përfaqësues për çdo grup politik në Parlamentin Evropian dhe një përfaqësues nga Komiteti për Çështjet Kushtetuese (AFCO). Grupi pati për detyrë të përgatiste një propozim mbi qasjen e Parlamentit Europian mbi Konferencën për të Ardhmen e Evropës (CoFoE), duke përfshirë, ndër të tjera, fushën e veprimit, mënyrën e drejtimit, kohëzgjatjen, strukturën, palët e interesuara, objektivat, aktivitetet dhe rezultatin e pritshëm. Në 26 Nëntor 2019 në atë që u quajt si Dokumenti Jozyrtar për të Ardhmen e Europës (Non Paper) nga qeveria franceze dhe gjermane u arrit të përcaktohej një kalendar veprimesh që parashikonte fillimin e kësaj Konference më 09 Maj 2020 por që më pas u shty për shkak të pandemisë Covid 19. Në përfundim të kësaj konference që ishte parashikuar të përfundonte në pranverën e vitit 2022, (cka përkonte me fundin e mandatit presidencial francez) dokumenti me sugjerimet e rekomandimet do ti paraqitej Paralmentit Europian që do tia kalonte më pas Këshillit Europian (EUCO), i cili njihet me emërtimin si Samiti i BE të kryetarëve të shteteve e qeverive të vendeve anëtare. Në përputhje me peshën që zë Parlamenti Europian si përfaqësues i vullnetit të qytetarëve të BE, iniciativa u përqëndrua tek ky institucion. Si rrjedhojë Komiteti për Çështjet Kushtetuese (AFCO) i Parlamentit Europian miratoi më 09 Dhjetor 2019 një opinion që përcaktonte kriteret për strukturën e konferencës dhe temat që anëtarët e Komisionit (AFCO) dëshironin të trajtoheshin gjatë kësaj konference. Ndërkohë më 12-13 Dhjetor 2019 u bë diskutimi i parë për këtë konferencë gjatë zhvillimit të Samitt të BE apo Këshillin Europian (EUCO). Krerët e Grupeve Parlamentare të Parlamemtit Europian miratuan draftin e Grupit të Punës lidhur me zhvillimin e Konferencën për të Ardhmen e Evropës (CoFoE) duke votuar më pas më 15 Janar 2020 një Rezolutë me 497 vota pro që përcakton vizionin e këtij institucioni për Konferencën dhe duke kërkuar që të negociohet me Komisionin Europian (EU Commission) dhe Këshillin Europian (EUCO) në mënyrë që Konferenca të fillonte në 9 Maj 2020.

Ideja ngjalli jehonë në median ndërkombëtare dhe u bë shkas i një debati mes atyre që u quajtën europtimistë dhe eurorealistë lidhur me rezulatet dhe ndikimin që do të sillte zhvillimi i kësaj konference në përmirësimin, apo ndryshimin e mënyrës sesi kishin funksionuar deri në atë kohë “trekëndshi institucional” i BE (Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli Europian). Në mënyrë jo rastësore ideja dhe vetë proçesi u konsiderua si një “ballonë prove” për marrëdhëniet mes Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe Këshillit. Në fakt Bashkimi Europian e kishte filluar këtë proçes që gjatë Presidencës Sllovake kur më 16 Shtator 2016 nisi një proçes reflektimi politik në prag të referendumit në Mbretërinë e Bashkuar për tu larguar nga BE. Qëllimi i këtij proçesi ishte që të krijonte mes vendeve anëtare të BE një qasjeje të përbashkët dhe hartimin e një plani veprimi për vitet në vijim duke synyar një Europë të sigurtë e të lirë, të begatë e të qëndrueshme ekonomikisht, sociale dhe të fortë në skenën globale.

 Përmes Deklaratës së Romës të 2017 që përkonte me 70 vjetorin e Traktatit të Romës që themeloi Komunitetin Europian, ish- Kryekomisioneri europian Junker e përmblodhi këtë proçes reflektimi politik duke parashtruar variantet që qëndronin para BE. Në Deklaratën e Gjendjes Unionit (Speech on the State of Union) më 1 Mars 2017, ai e përmblodhi këtë reflektim duke shprehur dilemat apo zgjidhjet që qëndronin para BE se nga do të ecte pas Brexit, të tilla si:

 1. Të vazhdojmë (Carrying on- EU27 përqëndrohet tek përhapja e agendës së reformës së saj positive)

2. Asgjë përvec Tregut të Përbashkët (Nothing but the Single Market – EU27 të ri-përqëndrohet gradualisht tek Tregu i Përbashkët)  

3. Ata që duan të bëjnë më shumë, le të bëjnë më shumë (Those Who Want More Do More: – EU27i lejon Shtetet Anëtare të ecin më shpejt së bashku në fusha të politikave të caktuara)

 4. Të Bëjmë më Pak por më me Efektivitet (Doing Less More Efficiently: – EU27 përqëndrohet të ecë më shpejt e të bëjë më shumë në politika të caktuara ndërkohë të bëjë më pak në të gjitha fushat e tjera)

5. Të Bëjmë më Shumë të Gjithë Bashkë (Doing Much More Together: – EU27 vendosin të bëjnë më shumë të gjithë së bashku në të gjitha fushat e politikave). Këtë qasje për reformim të BE e përforcoi më tej Ish – Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk në Deklaratën e Romës të 25 Marsit 2017 kur deklaroi se …” BE nuk është vetëm sllogan, proçedura, rregullore. Bashkimi ynë është një garanci se liria, dinjiteti, demokracia, dhe pavarësia nuk janë më ëndrra por realiteti i ynë i përditshëm…’ 

Përballë këtij proçesi edhe Parlamenti Europian përmes Rezolutës së 16 Shkurtit 2017 nis gjatë periudhës Prill 2017- Tetor 2018 një proçes diskutimi të quajtur Seria e Debateve për të Ardhmen e Europës (Future of Europe: EU Parliament Series of Debates). Ato u përmbyllën me Raportin e Komitetit mbi Çështjet Kushtetyese (AFCO) të 5 Dhjetorit të 2018 mbi Situatën e Debatit mbi të Ardhmen e Europës (EU Parliament Report: On the State of the Debate on the Future of Europe (2018/2094(INI). Tashmë e kishin radhën qytetarët e BE në mënyrë që debati për të ardhmen e Europës të fitonte legjitimetin e të sillte ato zgjidhje që mund të çonin drejt atij proçesi “për ta rimenduar Europën” në mënyrën e duhur. Ndjesia e politikanëve të BE se qytetarët duhet të përfshin në cështjet e BE për të rritur legjitimitetin e saj e për të mbushur atë që është quajtur “deficit demokratik” u vërejt që në vitin 1978, ku mënyra e zakonshme e përfshirjes së qytetarëve në BE në proçesin e vlerësimit të politkave e instiucioneve të BE u bë ajo e sondazheve të opinioneve të Eurobarometrit. Ndërkohë që nga viti 2012 u përfshi në Traktatin e Lisbonës (TFEU) instrumenti zyrtar i Nismës Qytetare Evropiane (Europea Citizinen Initiative ECI) ku përmes saj pranoheshin peticione nga qytetarët e vendeve të BE ku paraqiteshin propozine të ndryshme. Kjo përvojë fillimsht u përfshi gjatë Komisionit Barroso (2004-2014) ku u zhvilluan pesëdhjetë e një Dialogë të Qytetarëve (51 Citiziemes Dialogue) në vendet e BE që u pasua nga një dialog përfundimtar pan-Evropian në Bruksel, me pjesëmarrës nga të gjitha qytetet që kishin organizuar një debat, me pjesëmarrjen e Presidentit të Komisionit, Komisionerëve dhe përfaqësuesve të Parlamentit Evropian si edhe me politikanë vendas.

Gjatë Komisionit Juncker (2014–2019) debatet e qytetarëve u përfshinë në atë që u quajt në Dokumentin e Bardhë për të Ardhmen e Evropës, 1 Mars 2017 (White Paper on the Future of Europe). Lidhur me proçesin e debatit për të Ardhmen e Evropës, në Maj 2018, u hartua një pyetësor me dymbëdhjetë pyetje nga një panel prej nëntëdhjetë e gjashtë qytetarësh duke u dhënë mundësinë qytetarëve të shprehin pritjet, shqetësimet dhe shpresat e tyre. Për këtë qëllim u zhvilluan Konferencat e Dialogut dhe Konsulttimet me Qytetarët (Citizen’s dialogues and citizen`s consultation conferences) ku u përfshi Presidenti i Komisionit Europian, dhe Komisionerë të ndryshëm. Si rrjedhojë e këtij proçesi më -09 Maj 2019 lidërve të BE iu dorëzua për reflektim gjatë Samitit të Sibiut (Rumani), Raporti për Dialogun dhe Konsultimet me Qytetarët (Citizens Consultations and citizen’s dialogues: Key Conclusion, 30 April 2019). Këto zhvillime i kanë paraprirë këtij proçesi ndërkohë që formati i Konferencës për të Ardhmen e Europës (CoFofE) që do të nisë më 09 Maj 2021, do të zhvillohet me gjashtë asambletë qytetarësh. Ato do të luajnë një rol qendror dhe përmes të cilave përfaqësohen qytetarë nga të gjithë vendet e BE që duhet të debatojnë mes tyre dhe të hartojnë rekomandime që do t’u paraqiten institucioneve të BE-së. Nga ana tjetër është parashikuar që për çdo takim të ketë rreth 200 pjesëmarrës të cilët zhvillojnë debate për një çështje të caktuar politike. Takimet do të mbahen në qytete të ndryshme evropiane, me pjesëmarrës nga të gjitha Shtetet Anëtare ndërkohë që Konferenca për të Ardhmen e Europës (CoFoE) do të drejtohet nga një Komitet Drejtues (Steering Committee) që përbëhet nga përfaqësues të Komisionit Europian, Këshillit Europian dhe shtatë grupeve parlamentarë në Parlamentin e BE. Në përputhje me mënyrën sesi do të funksionojë Konferenca për të Ardhmen e Europës (CoFoE), institucionet e BE-së duhet të shndërrojnë propozimet që do të dalin prej saj në ligje ose madje edhe në ndryshime të traktateve. Kjo do të nënkuptonte që më pas ato ti nënshtrohen ratifikimit nga përfaqësues të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve kombëtar të vendeve anëtare të BE. Siç është e ditura tashmë propozimet legjislative të negociuara nga institucionet e BE duhet të paraqiten në asambletë e qytetarëve në mënyrë që ato të përputhen me idetë e tyre.

Edhe kryekomisionerja e BE, Ursula von der Leyen e përcaktoi zhvillimin e Konferencës për të Ardhmen e Europës (CoFoE) si një objektiv të punës së saj sapo mori kryesimin e Komisionit Europian në 2019 duke deklaruar se “…dua që qytetarët e BE ta thonë fjalën e tyre në një Konferencë për të Ardhmen e Evropës.… Konferenca duhet të bashkojë qytetarët europianë duke i dhënë një peshë të veçantë të rinjve, shoqërsië civile dhe institucioneve të BE si partnerë të barabartë…të propozjë ndryshiume dhe nëse është e nevojshme dhe të ndryshojë Traktatin e BE..”, Rëndësinë e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e shprehu duke caktuar në Komitetin Drejtues të Konferencës për të Ardhmen e Europës, tre zëvendësit e saj sic janë Věra Jourová (Cekia), ZvPresidente e Komisionit Europian për Vlerat e Transparencën, Maroš Šefčovič (Sllovaki) ZvPresident i Komisionit Europian për Marrëdhëniet Ndërinstutucionale  dhe Dubravka Šuica (Kroaci) ZvPresidente e Komisionit Europian për Demokracinë e Demografinë.

Ndërsa Šuica ka për detyrë kryesisht përgatitjen e Konferencës në bashkëpunim me Parlamentin Evropian, Jourová është caktuar të përfaqësojë Komisionin Europian në Konferencë, ndërsa përgjegjësia kryesore e Cefčovič-it lidhet me ndjekjen e rezultateve të Konferencës. Megjithëse Konferenca për të Ardhmen e Europës ishte parashikuar të fillonte në 09 Maj 2020, pandemia e Covid 19 e shtyu atë për në 9 Maj 2021.

 Megjithatë zhvillimi i saj ka ndezur një debat mes europtimistëve e eurorealistëve. Tek europtimistët mbizotëron bindja se nevoja për ndryshim të dukshëm të mënyrës sesi funksionon BE do të përcillet përmes propozimeve të ndryshme të qyteyarëve deri tek ndryshimi i Traktatit të TFEU apo Traktati i Lisbonës.

 Por eurorealistët kanë një qasje tjetër  teksa pohojnë se Samiti i BE apo Këshilli Europian në 20 Qershor 2020 specifikoi në mënyrë të qartë se Konferenca nuk po zhvillohet në kuadër të Nenit 48 të Traktatit për Bashkimin Evropian (TEU) që parashikon ndryshimin e traktatit të BE. Në këtë mënyrë ata garantuan se çdo ndryshim i mundshëm i traktatit është plotësisht jashtë fushës së veprimtarisë së Konferencës për të Ardhmen e Europës (CoFoE) ose proçedura për ndryshimin e tij do të duhet të kalojë përmes një neni të veçantë që lidhet me Nenin 48 pas përfundimit të Konferencës në pranverën e vitit 2022. Përpjekja pët ta quajtur këtë iniciativë një version 2.0 të Draft- Traktatit për Krijimin e Kushtritës së BE (18 Qershorit 2004), që nuk arriti të marrë miratim in pasi u rrëzua nga referendunmet në Francë (29 Maj 2005) e Hollandë (1 Qershor 2005), duket se nuk është në favor të europtimistëve. Kjo për faktin se nuk është e sigurtë që propozimet e Konferencës për të Ardhmen e Europës (CoFoE) mund të sjellin ndryshime që kërkojnë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të BE. Pra propozimi që mund të dalë nga Konferenca për një rishikim të mundshëm të traktateve të BE, për ta bërë më federale e unifikuar, do të kërkonte miratimin e 42 dhomave parlamentare dhe deri në 17 gjykata kombëtare në 27 vendet anëtare të BE. Gjithashtu është i pashmangshëm zhvillimi i një referendumi në Irlandë dhe ndoshta edhe anëtarë të tjerë të BE mund të kërkojnë referendum për të miratuar keto ndryshime. Pyetja që endet tek të gjithë është nësë koha e shkurtër prej një viti (09 Maj 2021-13 Maj 2022) do të jetë e mjaftueshme për të prodhuar nga Konferemca për të Ardhmen e Europës (CoFoE) ato propozime apo ide që do ta çojnë projektin Europian në një fazë tjetër, që të jetë i aftë të përballojë sfidat që e presin.

Solidariteti europian u vu sërish në provë gjatë pandemisë Covid 19 dhe paketat mbështetëse financiare nga fondi i BE nuk munguan për vendet anëtare e kandidate duke ruajtur gjallërinë e europtimistëve. Ndërsa eurorealistët nuk u ngutën drejt entuziazmit por vazhduan të mendojnë se BE po sillet siç e përçaktojnë traktatet e rregullat në fuqi për raste të tilla. Por këto dilema do të marrin një përgjigje në përfundim të këtij proçesi. Ka shumë rëndësi që ajo të jetë një konferencë për të ardhmen e Europës dhe jo thjesht një konferencë e ardhshme për Europën.

SHPËRNDAJE