Sfondi
Bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, formati 17 + 1, i përbërë nga Kina dhe 17 vende nga Evropa Lindore dhe Jugore, përbënte një zhvillim të madh diplomatik dhe gjeopolitik në takimin e parë që u mbajt në Varshavë në 2012. Që atëherë janë mbajtur 8 takime të tjera në kryeqytete të ndryshme të Evropës Lindore dhe një takim në Kinë, në Suzhou në 2015.
Iniciativa 17 + 1 është komplementare e projektit “Një brez një rrugë” që synon të lidhë Kinën me Evropën dhe pjesë e së cilës janë pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse në formatin 17 + 1. Qëllimi kryesor i nismës është rritja e bashkëpunimit midis Kinës dhe Evropës Qendrore-Lindore në fushat e infrastrukturës, ekonomisë, kulturës, etj.
Në vitet e fundit, Kina është perceptuar gjithnjë e më shumë në Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL) si një vend i cili mund të sjellë përfitime ekonomike në rajon përmes zhvillimit të marrëdhënieve tregtare, rritje të investimeve kineze dhe kohët e fundit gjithashtu përmes projekteve të infrastrukturës të kryera nga kompanitë kineze dhe financuar nga huatë kineze. Pjesë e këtij zhvillimi kanë qenë disa investime të konsiderueshme si projekti i Autostradës E763 të Serbisë, hekurudha Budapest-Beograd dhe linja ekspres tokë-det Kinë-Evropë. Hekurudha ka pasur mbi 7,600 udhëtime të bëra që nga marsi i këtij viti, duke lidhur qytetet kineze me Evropën. Rritja e programit të trenave të shpejtë ka luajtur një rol në balancimin e tregtisë dypalëshe dhe ka ndihmuar në promovimin e zhvillimit lokal.
Në Kroaci, është lidhur kontrata për të ndërtuar fazën e parë të urës Peljesac dhe rrugëve të saj të hyrjes, e nënshkruar nga një konsorcium kinez i udhëhequr nga China Road and Bridge Corporation (CRBC). Në Poloni, blerjet e sektorit të makinerive të inxhinierisë civile Huta Stalowa Wola dhe KFLT Bearings Poloni nga kompanitë kineze, u kanë mundësuar këtyre ndërmarrjeve “ringjalljen” dhe të bëhen udhëheqëse të industrisë.
Samiti 2021
Samiti 2021 u organizua online në 9 Shkurt, pasi Samiti i 2020 u shty për shkak të pandemisë Covid-19. Shumica e vendeve pjesëmarrëse u përfaqësuan nga Kryeministrat, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ndërsa vendet e tjera si Lituania, Letonia, Estonia, Rumania dhe Sllovenia u përfaqësuan nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Zëvendës Kryeministrat. Republika e Austrisë, Republika e Bjellorusisë, Bashkimi Evropian, Konfederata Zvicerane dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ishin të pranishëm si vëzhgues.
Një pikë e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-CEEC është linja hekurudhore Kinë-Evropë, që pati rekord transporti mallrash që kalonin përmes Evropës Qendrore dhe Lindore për në Evropën Perëndimore vitin e kaluar – kryesisht për shkak të rritjes së kostove të transportit detar dhe kërkesës së tepërt për pajisje mbrojtëse personale. Sipas Ministrisë Kineze të Tregtisë, në vitin 2020, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së Republikës Popullore të Kinës me 17 vendet e EQL-së arriti në më shumë se 103 miliardë dollarë, që është një rritje prej 8.4% dhe hera e parë që shuma prej 100 miliardë dollarësh u tejkalua.
Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping mbajti fjalimin kryesor duke shënuar herën e parë në këtë iniciativë që Kina përfaqësohej nga zyrtari më i lartë në vend, Presidenti. Në fjalën e tij, ai tha se “Nëntë vjet më parë, me një angazhim për zhvillim të përbashkët dhe një vendosmëri për të krijuar një të ardhme më të mirë, ne së bashku filluam këtë mekanizëm bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të EQL, një vendim që iu përgjigj thirrjes së kohërave tona dhe prirjeve të zhvillimit. Marrëdhëniet Kinë-EQL kështu kanë hyrë në një fazë të re’’. Ai theksoi aspektin bashkëpunues të nismës. Bashkëpunimi Kinë-EQL bazohet në respekt të ndërsjellë dhe nuk ka lidhje politike. Të gjitha vendet e përfshira, pavarësisht nga madhësia e tyre, janë partnerë të barabartë në një mekanizëm bashkëpunimi që përfshin konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta ”, u shpreh Presidenti kinez.
Duke folur për të ardhmen, Presidenti kinez përshkroi katër sugjerime të mundshme për të çuar përpara bashkëpunimin Kinë-EQL:
– Trajtimi i COVID-19 dhe rritja e besimit në bashkëpunim për të kapërcyer situatat e vështira.
– Përqëndrimi tek dhe zhvillimi i një rrugë të qetë bashkëpunimi për zhvillimin e ndërlidhur.
– Synimi I rezultateve konkrete dhe rritja e rezultateve të bashkëpunimit që përfitohet nga të dy palët.
– Përqendrimi në zhvillimin e gjelbër dhe krijimi i bashkëpunimit të orientuar drejt së ardhmes.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Kinez tha se “Kina propozon ngritjen e një Qendre Kërkimore Kinë-EQL dhe mbajtjen e një Forumi Kinë-EQL për Talentet e Rinj S&T, dhe publikimi I një Scorecard Kinë-EQL STI 2020. Ne duhet të përfitojmë nga forma të ndryshme biznesi në zhvillim për të zgjeruar bashkëpunimin tonë si në ekonominë dixhitale, tregtinë elektronike dhe sektorin e shëndetësisë. Kina mbështet krijimin e një mekanizmi dialogu Kinë-EQL për bashkëpunimin në tregtinë elektronike dhe një aleancë Kinë-CEEC për industrinë e shëndetit publik.’’
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti kinez tha se ’Kina do të shpejtojë ritmin e saj në nxitjen e një paradigme të re zhvillimi me qarkullimin e brendshëm si shtyllë kryesore në mënyrë që qarkullimet e brendshme dhe ndërkombëtare të forcojnë njëra-tjetrën. Kjo do të zhbllokojë potencialin e plotë të tregut të gjerë të Kinës dhe kërkesës së brendshme të gjeneruar nga 1.4 miliardë popullsi, duke përfshirë mbi 400 milion kinezë në grupin e të ardhurave të mesme. Kështu do të rrisë kërkesën globale dhe do të krijojë më shumë mundësi për pjesën tjetër të botës. Kina do të vazhdojë të zgjeroje veprimtarinë e saj, me një fokus në hapjen institucionale që mbulon rregulloret, menaxhimin dhe standardet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të nxitur një mjedis biznesi që bazohet në parimet e tregut, të qeverisura nga ligji dhe deri në standardet ndërkombëtare. Ne do të jemi më aktive në bashkëpunimin dypalësh, shumëpalësh dhe rajonal që të arrijmë nivele më të larta të përfitimit reciprok për të gjithë. Zhvillimi dhe hapja e vazhdueshme e Kinës do të injektojë një shtysë të fuqishme në rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike globale dhe do të zgjerojë horizontet për bashkëpunimin Kinë-EQL. ”
Sipas Wang Yiwei, një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare me Universitetin Renmin në Pekin, “Këto [trena mallrash] janë një sukses i provuar, sidomos gjatë pandemisë ku siguruan një zinxhir furnizimi të qetë”. Ky zhvillim tregon rëndësinë që vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë për Kinën në lidhjen e saj me Evropën Perëndimore.
Samiti arriti në një konsensus global në lidhje me përgjigjen e përbashkët ndaj pandemisë COVID-19, tha Wang, duke shtuar se shumë vende të EQL shohin propozimet e Kinës për rritjen e bashkëpunimit në luftimin e pandemisë si një demonstrim të përgjegjësisë që Kina mban si një vend i madh. Ata kanë shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me Kinën në kërkimin shkecor për vaksinat dhe rifillimin e punës dhe prodhimit.
Zëvendës Ministri i Jashtëm Qin Gang ka thënë se samiti, i mbajtur në një moment të përshtatshëm, ka arritur rezultate të frytshme dhe pati një ndikim të gjerë.
Samiti ka ofruar një mundësi të vlefshme për Kinën dhe vendet e EQL-së që së bashku të kapërcejnë vështirësitë dhe të kërkojnë zhvillimin. Ndaj ky është një moment historik në zhvillimin e bashkëpunimit Kinë-EQL dhe një shembull i mirë i Kinës që ndërton së bashku me Europën Qendrore dhe Lindore dhe vendet e tjera, një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, tha Qin
Një konsorcium kinez i udhëhequr nga “China Road and Bridge Corporation” (CRBC) nënshkroi në prill një kontratë për ndërtimin e fazës së parë të urës Peljesac dhe rrugëve të saj të hyrjes.
Gjatë samitit u nënshkruan 88 dokumente, nga të cilat 35 janë marrëveshje ndërqeveritare dhe 53 janë marrëveshje tregtare. Kryesisht këto janë marrëveshje bilaterale dhe jo shumëpalëshe. Marrëveshjet kanë të bëjnë kryesisht me sektorin e bujqësisë, energjinë e rinovueshme dhe shkëmbimet ndërpersonale, d.m.th., bashkëpunimin shkencor dhe mediatik si dhe shkëmbimet e të rinjve. Serbia dhe Hungaria nënshkruan më shumë marrëveshje me Kinën, përkatësisht 14 dhe 11. Nga ana tjetër kishte vende si Polonia që nuk nënshkruan asnjë marrëveshje, ndërsa Republika Çeke nënshkroi vetëm një marrëveshje.
Për shumë vende në rajon, përfshirë Shqipërinë, qëllimi kryesor është hapja e tregut të Kinës për produktet bujqësore. Tregu kinez me 1.4 miliardë njerëz është jashtëzakonisht tërheqës për të gjitha vendet. Shqipëria nënshkroi një marrëveshje me Kinën për të eksportuar më shumë produkte bujqësore. Një marrëveshje tjetër bilaterale ishte përqendruar në ndërtimin e një fabrike për makineritë bujqësore në Cërrik.
Bashkëpunimi 16 + 1 ka sjellë forcim të bashkëpunimit në fushat e kulturës, arsimit dhe turizmit. Nga 2012 në 2017, Kina dhe CEEC hapën gjashtë itinerare të rejatë fluturimeve direkt, ndërsa numri i turistëve kinezë që vizitojnë këtë rajon u rrit nga 280,000 në 930,000. Numri i shkëmbimit të studentëve gjithashtu u dyfishua. Marrëveshja e Kinës për një regjim të ndërsjellë pa viza me Bosnjë dhe Hercegovinën hyri zyrtarisht në fuqi në maj. Gjithashtu, Kina ka ngritur në Budapest, Hungari, zyrën e saj të parë të turizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe ka themeluar në Bukuresht, Rumani qendrën e saj të parë të shërbimit të vizave në rajon. Të dy palët kanë hapur Qendrën e Koordinimit China-CEEC për Bashkëpunim Kulturor në Maqedoni dhe kanë ngritur një qendër trajnimi për artistë të rinj të China-CEEC. Gjithashtu në qytetin jugperëndimor të Kinës Chengdu është ngritur Qendra për shkëmbime dhe bashkëpunim në Industrinë e Kulturës.
Autor: Ledion Krisafi
References
- Agnesz Szunomar, Cooperation between China and Central and Eastern Europe: Promising Start, Doubtful Outlook, Dec 02, 2017 https://www.chinausfocus.com/finance-economy/cooperation-between-china-and-central-and-eastern-europe-promising-start-doubtful-outlook
- China and European ‘17+1’ nations to hold virtual talks in February, Laura Zhou, South China Morning Post, https://www.scmp.com/news/china/diplomacy/article/3119833/china-and-european-171-nations-hold-virtual-talks-february
- Łukasz Kobierski, 17+1 Summit: The Difficult Future of the Initiative, 5 March 2021 https://warsawinstitute.org/171-summit-difficult-future-initiative/
- Xinhua, Full Text: Keynote Speech by Chinese President Xi Jinping at the China-CEEC Summit (http://www.xinhuanet.com/english/2021-02/09/c_139733388.htm)