Transformimet e mëdha të shekullit
Dr. Ledion Krisafi
Shekulli i XX-të për Kinën mund të quhet pa frikë shekulli i Partisë Komuniste Kineze. Pavarësisht se Partia Komuniste Kineze e mori pushtetin vetëm në vitin 1949, pra në gjysmën e shekullit, transformimi që ka ndodhur në Kinë pas ardhjes në Pushtet të Partisë Komuniste, veçanërisht në tre dekadat e fundit, është i tillë sa mund të thuhet se vërtetë ka shenjuar gjithë shekullin. Në këtë 100 vjetor të themelimit të saj në 1 korrik 1921, Partia Komuniste e Kinës mund të krenohet me ndryshimet e mëdha që ka arritur në zhvillimin ekonomik, zvogëlimin drastik të varfërisë dhe rikthimin e Kinës në tryezën e Fuqive të Mëdha të shekullit të XXI-të.
Themelimi i Partisë Komuniste të Kinës në korrik 1921 ishte rezultat i ndryshimeve shoqërore dhe politike që po ndodhnin në Kinë. Ishte rezultat i bashkimit të teorisë së Marksizmit dhe lëvizjes punëtore që po zhvillohej në Kinë. Partia Komuniste e Kinës dalloi nga të gjithë tjetër duke paraqitur një program revolucionar që synonte shndërronin e shoqërisë kineze por njëkohësisht që e çlironte Kinën nga kthetrat e kolonializmit dhe ndërhyrjeve të jashtme të cilat e kishin dëmtuar jashtëzakonisht Kinën gjatë shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të. Kina e shekullit të XIX dhe fillimisht të shekullit të XX-të e kishte humbur shkëlqimin e dikurshëm. Qytetërimi i jashtëzakonshëm kinez që mburej me disa prej shpikjeve kryesore të njerëzimit dhe që kishte ndikuar gjithë Azinë Lindore përgjatë shekujve, ishte shndërruar në plaçkë për shtete të tjera të ardhura prej mijera kilometrash larg. Një ndër synimet kryesore të Partisë Komuniste të Kinës ishte pikërisht rikthimi i Kinës në vendin që i takon në skenën ndërkombëtare.
Partia Komuniste Kineze luajti një rol themeltar në rezistencën ndaj agresionit japonez duke nisur nga viti 1931, veçanërisht pas vitit 1937 kur Japoni ndërmori një luftë në shkallë të gjerë ndaj Kinës. Lufta e popullit kinez të udhëhequr nga Partia Komuniste ishte pjesë shumë e rëndësishme e përpjekjes botërore kundër agresionit japonez në të gjithë Azinë Lindore dhe Juglindore. Pas përfundimit të luftës kundër pushtuesit, Kina u përfshi në një luftë civile ndërmjet forcave qeveritare të Kuomintang dhe forcave të Partisë Komuniste. Në vitin 1949, Partia Komuniste doli fitimtare dhe nisi të ndërtojë një pushtet të ri në vend. Në 1 tetor 1949 u shpall Republika Popullore e Kinës e udhëqur nga Partia Komuniste me Mao Zedong.
Në dekadat në vijim, Partia Komuniste e Kinës nisi një transformim rrënjësor të shoqërisë kineze, ashtu siç ishte parashikuar në programin e saj që në themelim.
Një ndër transformimet më të mëdha që ka arritur Partia Komuniste në Kinë është zvogëlimi i varfërisë. Kjo është arritur veçanërisht në 5 dekadat e fundit. Nisja e këtij transformimi të jashtëzakonshëm përkon me reformat ekonomike të ndërmara nga Deng Xiaoping duke filluar nga viti 1978. Veçanërisht duke filluar nga viti 1990, Kina ka njohur për thuajse 3 dekada rritje ekonomike vjetore dyshifrore. Kjo rritje ekonomike e ka shndërruar Kinën në një superfuqi botërore ekonomike dhe në prodhuesen më të madhe në botë të mallrave.
Rritja ekonomike ka ndikuar dhe tek rritja e mirëqenies së popullsisë dhe rrjedhimisht tek ulja e varfërisë. Në Kinë varfëria përcaktohet në bazë të çdo personi që jeton në zonat rurale dhe fiton më pak se 2.3 dollarë në ditë. Kjo shifër u vendos në 2010 dhe merr në konsideratë të ardhurat por dhe nivelin e jetesës, shërbimin shëndetësor, etj. Shifra kineze është pak më e lartë se ajo e Bankës Botërore me 1.9 dollarë në ditë. Në vitin 1990 më shumë se 750 milionë njerëz në Kinë jetonin ende në varfëri. Në vitin 2012 kjo shifër ishte ulur në 90 milionë dhe në vitin 2016 (viti i fundit për të cilin ka të dhëna Banka Botërore) shifra ishte ulur në 7.2 milionë njerëz, ose vetëm 0.5% të popullisë së Kinës, në krahasim me mbi 80% që ishte shifra në vitet 70-të, kur Kina filloi ndryshimet e mëdha ekonomike.
Transformimi tjetër i madh ka ndodhur në politikën e jashtme. Në këtë aspekt, Partia Komuniste e Kinës e ka shndërruar Kinën në këtë fillim të shekullit të XXI-të në një prej Fuqive të Mëdha të botës, krejt ndryshe nga sa kishte qenë në shekullin e XIX-të dhe fillimin e shekullit të XX-të. Politika e jashtme kineze sot bazohet mbi mendimin e udhëheqësit kinez Xi Jinping i cili bazohet në dy koncepte themelore: ‘diplomacia e fuqive të mëdha me karakteristika kineze’ dhe ‘ një model i ri i marrëdhënieve ndërmjet fuqive të mëdha’’.
Diplomacia e fuqive të mëdha nënkupton pranimin e Kinës nga bashkësia ndërkombëtare jo si një vend në zhvillim por si një fuqi e madhe e gatshme të marrë përgjegjësitë përkatëse. Këto synime kineze zakonisht përcaktohen brenda kuadrit të Kombeve të Bashkuara, që luan një rol të rëndësishëm në përballimin e sfidave themelore të bashkësisë ndërkombëtare, siç janë terrorizmi, ndryshimi klimatik dhe siguria kibernetike. Në të gjitha këto fusha, Kina e sotme është themelore.
Në lidhje me konceptin e dytë, Pekini ka paraqitur idenë e një forme të re të marrëdhënieve ndërmjet fuqive të mëdha, e bazuar mbi respektin, barazinë dhe përfitimet e dyanshme, në dallim nga hegjemonizmi dhe përballja dhe gjithashtu e bazuar mbi përbashkësinë dhe jo mbi aleancat. Ky lloj i marrëdhënieve ndërmjet fuqive të mëdha nënkupton që secili njeh interesat themelore kombëtare të të tjerëve. Në rastin e Kinës kjo nënkupton zhvillimin socio-ekonomik të vendit në mënyrë paqësore, pa kërcënuar interesat e askujt tjetër.
Në këtë kuptim, Kina e ka rritur ndjeshëm kontributin e saj në organizmat ndërkombëtarë si OKB, veçanërisht në misionet paqeruajtëse. Kontributi financiar i Kinës në këto misione është rritur nga 6.5% në 10.2% të totalit të tyre, duke e bërë Kinën kontribuesen e dytë më të madhe. Njëkohësisht projekti ‘Një brez një udhë’ i paraqitur nga Xi Jinping në vitin 2013, ka për synim shtrirjen e zhvillimit ekonomik në të gjithë vendet fqinje me Kinën, veçanërisht në pjesën e infrastrukturës.
Kjo politikë e jashtme, e ndërlidhur me zhvillimin e jashtëzakonshëm ekonomik të Kinës, e ka shndërruar Kinën vërtetë në një prej Fuqive të Mëdha të botës. Kina e sotme është një ndër aktorët më kryesorë në skenën ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballet njerëzimi, krejt ndryshe nga Kina e përçarë dhe fuqi e dorës së tretë siç ishte në shekullin e XIX-të dhe fillimin e shekullit të XX-të.