Altin Gjeta
Sipas shifrave të fundit, Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe ekonomia me rritjen më të shpejtë në triliona dollarë. Me një PBB prej 14.14 trilion dollarë në vitin 2019, ajo përbën 16.38% të ekonomisë globale.[1] Pavarësisht efekteve negative të pandemisë COVID 19 në zinxhirët e prodhimit botëror dhe tregti, në ndryshim nga tregu Europian dhe ekonomia amerikane, aktiviteti ekonomik i Kinës është normalizuar më shpejt nga sa pritej dhe parashikohet të përshpejtohet në 7.9% rritje këtë vit.[2] Shfaqja e Kinës si ekonomia e dytë më e madhe në botë në fillim të shekullit 21 u prit me mosbesim, shqetësime dhe konfuzion në Perëndim, përkatësisht në Uashington dhe Bruksel. Për herë të parë pas 200 vitesh, rendi kapitalist-liberal i Perëndimit po sfidohet seriozisht nga fuqia ekonomike dhe politike në rritje e Kinës, megjithëse modeli kinez i zhvillimit ngërthen në vetvete një paradoks të tillë si bashkëjetesa mes një ekonomie të hapur kapitaliste me një sistem politik të mbyllur njëpartiak. Ky kombinim i ideve dhe praktikave konfliktuale e ka kapur Perëndimin të papërgatitur për t’u përballur me Kinën dhe për të ndërtuar një politikë strategjike dhe koherente në të mirë të të dyja palëve.
Aleanca ekonomike dhe ushtarake transatlantike, dhe ndërvarësia e BE-së me SHBA-në e ka tërhequr edhe BE-në në këtë qasje mosbesuese dhe jomiqësore ndaj Kinës. Të dyja palët kanë ndërtuar një bashkëpunim ekonomik gjithnjë e më të ngushtë, megjithatë marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës mbeten të largëta dhe herë pas here antagoniste në lidhje me çësthjet e sigurisë dhe qasjet normative në poltikën ndërkomëbtare.[3] Sidoqoftë, ndërsa Kina shfaqet fuqishëm në arenën globale, për BE-në bëhet e pashmangshme bashkëpunimi me të në një numër sfidash që duhet të adresohen në nivel global, siç është p.sh promovimi i një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, sigurimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, trajtimi i ndryshimeve klimatike si dhe promovimi i tregtisë së lirë globale dhe tregjeve të hapura. Në këtë drejtim BE mund të eksplorojë rrugë të reja për bashkëpunim me Kinën në përputhje me ambicien e saj për t’u bërë aktor global. Në Strategjinë e fundit Globale, BE përcakton interesat dhe parimet e saj kryesore për t’u angazhuar në botën në mënyrë që t’i japë Unionit një sens kolektiv të drejtimit. Ambicia e kësaj strategjie është ta bëjë BE -në më të fortë: një aktor edhe më të bashkuar dhe me ndikim në skenën botërore që mban qytetarët të sigurt, ruan interesat e BE -së dhe mbron vlerat e saj.[4] Këto synime në shkallë globale nuk mund të arrihen pa punuar me fuqinë ekonomike dhe politike në rritje të Kinës.
Nuk ka diskutim që BE dhe Kina ndajnë pikëpamje të ndryshme mbi një numër çështjesh politike, të tilla si universaliteti i të drejtave themelore dhe politike të njeriut, çështjet e demokracisë dhe në përgjithësi ndaj rendit aktual ndërkombëtar. Megjithatë, duhet thënë se ka hapësira të përbashkëta për bashkëpunim mes tyre. Ndërsa ekonomia botërore ndodhet në vështirësi, qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve përballet me ndërprerje nga kufizimet e imponuara nga pandemia COVID 19, borxhi financiar sovran iu rri mbi kokë disa shteteve anëtare të BE -së, pabarazia midis Veriut dhe Jugut rritet, kriza e lidhur me ndryshimet klimatike godasin globin, paqja dhe stabiliteti mbeten të brishtë në vende të ndryshme të botës, udhëheqësit e BE -së janë të dënuar të mendojnë përtej dogmave ideologjike sa i përket bashkëpunimit me Kinën. Fushat e mundshme për bashkëpunim mund të përfshijnë ndërveprimin ekonomik, qeverisjen globale dhe përballjen e krizës klimatike.
Marrëdhëniet midis BE-së dhe Kinës kanë njohur një zhvillim të shpejtë me vendosjen e lidhjeve diplomatike në 1975. Në veçanti, krijimi i Partneritetit Strategjik Gjithëpërfshirës BE-Kinë në vitin 2003 ka thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin në një gamë të gjerë fushash. Kështu BE dhe Kina janë bërë gjatë këtyre viteve gjithnjë e më të ndërvarura. Për Europën, një partneritet strategjik me Kinën synon të mbështesë integrimin e Pekinit në rendin ekzistues ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë tregon se Brukseli është gati të marrë një rol më të madh drejtues në çështjet globale.[5]
Në këtë drejtim BE ka ndërmarrë një numër nismash për të forcuar marrëdhëniet me Kinën. Në vitin 2020, BE dhe Kina nënshkruan Axhendën Strategjike për Bashkëpunim, e cila mbulon fushat e paqes dhe sigurisë, prosperitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe shkëmbimeve njerëzore.[6] Në këtë kuadër, Kina dhe BE mbajnë samite vjetore mbi bashkëpunimin ekonomik, çështjet politike dhe shkëmbimet njerëzore. Veçanërisht, marrëdhëniet ekonomike me Kinën përbëjnë interes të madh për BE -në, pasi ajo kërkon të depërtojë në tregun kinez.
Tregu i BE -së është destinacioni kryesor për eksportet kineze dhe pas Shteteve të Bashkuara, BE-ja është furnizuesi i dytë më i madh i mallrave në Kinë. Sidoqoftë, eksportet e mallrave nga vendet evropiane në Kinë mbeten shumë më modeste, me përjashtim të Gjermanisë e cila gëzon një raport tregtar më pozitiv. Si rezultat, të gjitha vendet anëtare të BE -së kanë defiçite tregtare kundër Kinës. Kjo ka ardhur si pasojë e barrierave mes BE-së dhe Kinës. Së pari, distanca e largët vazhdon të luajë një rol të madh në përcaktimin e flukseve tregtare, duke kufizuar potencialin për lidhje më të forta mes Europës dhe Kinës. Së dyti, pavarësisht premtimeve kineze për hapjen e më shumë sektorëve të ekonomisë ndaj konkurrencës së huaj dhe rritjen e konsumit të brendshëm, përparimi në këto fusha ka qenë i ngadaltë.[7] Si rrjedhojë, investimet e drejtpërdrejta evropiane në Kinë kanë mbetur në vend, ndërsa plani ekonomik i qeverisë kineze po anon drejt vetëmjaftushmërisë ekonomike. Kjo është edhe një nga arsyjet pse bizneset dhe politikëbërësit evropianë kanë qënë të zhgënjyer nga qasja e tyre e kufizuar në tregun kinez. Shumë sektorë ose nuk kanë qenë të hapur për kompanitë e huaja ose janë të arritshëm vetëm përmes ndërmarrjeve të përbashkëta me partnerët vendas.
Por, ndërsa tregu kinez rritet dhe klasa e mesme zgjerohet, kushtet janë pjekur për një rritje të konsiderueshme të eksporteve të produkteve evropiane me cilësi të lartë në Kinë. Për ta bërë të mundur këtë, Kina duhet të hapë më shumë tregjet e saj për investimet dhe mallrat e BE -së në përputhje me vlerat dhe rregulloret e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Hapa pozitivë janë bërë kohët e fundit në këtë drejtim pasi BE dhe Kina kanë rënë dakord mbi përparësitë tregtare dhe ekonomike të të dyja palëve. Samiti i 21-të BE-Kinë në 2019 dha rezultate të mira në kuadër të negociatave për investimeve; si qasja ndaj OBT -së; reciprocitetit, sigurimi i kushteve të barabarta të lojës në tregti dhe investime; trajtimi i kapacitetit të tepërt; dhe rritjen e aksesit në treg. Të gjitha këto përparësi synojnë të mbështesin reformim të mirëfilltë ekonomik dhe hapjen në Kinë.
Në fillim të vitit 2020, udhëheqësit e BE dhe Kinës ranë dakord të përshpejtojnë negociatat për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse afatgjatë investimi. Në këtë frymë pozitive, pavarësisht rritjes së tensioneve nën dritën e goditjes nga Kina të protestave në Hong Kong dhe akuzave për keqmenaxhim të COVID 19, më 30 Dhjetor 2020 BE dhe Kina arritën një marrëveshje parimore mbi një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse për Investimet. Kjo marrëveshje do të përmirësojë kushtet e hyrjes në tregun kinez të kompanitive Europiane dhe do të ndihmojë ribalancimin e asimetrisë aktuale në hapjen përkatëse të tregjeve, do të barazojë fushën e konkurencës tregtare për kompanitë e BE -së që operojnë në Kinë dhe do të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm.[8] Kjo padyshim do të forcojë marrëdhëniet ekonomike BE-Kinë, do t’i vendosë ato në një rrugë më të drejtë dhe do të hapë mundësinë për nënshkrimin e një Marrëveshjeje të Tregtisë së Lirë në të ardhmen.
Krahasuar me marrëdhëniet e tyre tregtare dhe investimet, bashkëpunimi midis Kinës dhe BE -së në çështjet e sigurisë rajonale dhe globale mbetet i kufizuar.[9] Kjo gjendje e marrëdhënieve politike nuk është e qëndrueshme. Ndikimi në rritje i Kinës në botë do të sjellë në mënyrë të pashmanghsme ndryshime në rendin ndërkombëtar. Kina mendon se është subjekt i këtij rendi të vendosur nga fuqitë perëndimore në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa integrimi i saj në qeverisjen globale është i pashmangshëm, BE-ja mund të përdorë fuqinë e saj normative dhe soft power për të akomoduar Kinën në sistemin ekzistues multilateral. BE e konsideron respektimin dhe promovimin e ligjit ndërkombëtar – përfshirë parimet e Kartës së OKB -së si vendimtare për ruajtjen e paqes, të drejtave të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe qasjen e qëndrueshme ndaj problemve globale.[10] Në vend që integrimi i Kinës ta ndryshojë rrënjësisht sistemin ndërkombëtar, është në interes të BE-së bashkëpunimi me Kinën për të ruajtur jo vetëm sistemin multilateral të bazuar në rregulla, por në reformin, transformimin dhe zgjerimin e tij. Në këtë kuadër, midis BE -së dhe Kinës shtrohen një sërë fushash për bashkëpunim, të tilla si zgjidhja paqësore e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në përputhje me ligjin ndërkombëtar, kontrolli i armëve dhe adresimi i ndryshimeve klimatike.
Ndërsa ndryshimi i klimës po ripërcakton mënyrën se si qeveritë dhe aktiviteti ekonomik veprojnë në botë, nevojiten përpjekje të përbashkëta në shkallë globale për të zbutur efektet e saj të rënda mbi mjedisin, ekosistemet, biodiversitetin dhe burimet natyrore. Zhvillimi i shpejtë ekonomik i Kinës gjatë dekadave të fundit ka qenë një nga burimet më të mëdha të ndotjes së ajrit dhe emetimit të gazrave serë. BE-ja është një aktor kryesor mbështetës i zhvillimit të qëndrueshëm në përputhje me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshm të përcaktuara nga OKB -ja. Por këto synime nuk mund të arrihen pa bashkëpunimin e Kinës. Për këtë qëllim, në vitin 2005 BE dhe Kina ranë dakord të formojnë një Partneritet për Ndryshimin e Klimës për të ngritur një kornizë të nivelit të lartë për bashkëpunim dhe dialog mbi politikat e ndryshimeve klimaterike, për të shkëmbyer pikëpamje mbi çështjet kryesore në negociatat ndërkombëtare për ndryshimin e klimës dhe për të inkurajuar përdorimin e teknologjisë me emetim të ulët karboni. Në këtë kuadër, Kina dhe BE kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen e Parisit dhe kanë konfirmuar angazhimet e tyre për të rritur bashkëpunimin në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Parisit si dhe për të promovuar emetimet e ulëta të gazrave sere dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Megjithatë, hendeku midis angazhimeve të ndërmarra në Paris dhe zbatimit të tyre mbetet i madh. Prandaj, është jetike që BE dhe Kina, dy tregjet më të mëdha të botës, të bashkojnë forcat e tyre dhe të adresojnë emergjencën e krizës klimatike.
Pa dyshim, rritja e Kinës në botë ka sjellë pasoja në raportet BE-Kinë. Fuqizimi i saj po formëson rrënjësisht politikën ndërkombëtare dhe balancat ekonomike globale me pasoja të rëndësishme mbi interesat dhe ambiciet e BE -së. Ndërsa fuqia globale e Kinës rritet, BE-ja mund të kapë momentin dhe të kanalizojë marrëdhëniet e saj me Kinën drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike, forcimit të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe bashkëpunimin drejt një planeti më të sigurt.
[1] Shiko “The 5 Largest Economies In The World And Their Growth In 2020”, Nasdaq. Available from https://www.nasdaq.com/articles/the-5-largest-economies-in-the-world-and-their-growth-in-2020-2020-01-22
[2] World Bank, (2020). From recovery to balancing: China’s economy in 2021. Available from https://thedocs.worldbank.org/en/doc/264421608625565168-0070022020/original/ceuDecember2020Final.pdf
[3] Christiansen, Th. and Maher, R. (2016). The rise of China—challenges and opportunities for the European Union, Asia Eur, 15:121–131.
[4] Shiko “A Global Strategy for the European Union”. Available from https://eeas.europa.eu/topics/eu-global-strategy/49323/global-strategy-european-union_en
[5] Christiansen, Th. and Maher, R. (2016). The rise of China—challenges and opportunities for the European Union.
[6] See Delegation of the European Union to China, (2018). China and the EU. Available from https://eeas.europa.eu/delegations/china_en/15394/China%20and%20the%20EU
[7] Bergsen, P. (2021). The EU’s unsustainable China strategy. Chatham House. Available from https://www.chathamhouse.org/2021/07/eus-unsustainable-china-strategy/eus-china-policy
[8] Shiko “EU and China reach agreement in principle on investment”, European Commission. Available from thttps://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/ip_20_2541
[9] The rise of China—challenges and opportunities for the European Union.
[10] Shiko “A Global Strategy for the European Union”. Available from https://eeas.europa.eu/topics/eu-global-strategy/49323/global-strategy-european-union_en