“Mrekullia” kineze prek 72-vjetorin e Ditës Kombëtare

0

Dr. Arian Starova

Në 72 vjetorin e Ditës Kombëtare të saj, Kina vazhdon të mbetet një “mrekulli” e zhvillimit shoqëror për nga ritmet e jashtëzakonshme, para së gjithave, të rritjes ekonomike, zhvillimit teknologjik dhe përmirësimit të standardit të jetës së njerëzve. Ndërkohë, ajo vazhdon të mbetet objekt i kureshtjes dhe studimeve shumëpërmasorë tejkombëtarë, shkencorë, teknologjikë, politikë, ekonomikë, ushtarakë, kulturorë, njerëzorë, etj. Dhe mesa duket, do të vazhdojë të mbetet gjatë një vend me zhvillim të tillë që ia vlen shumë të studiohet, apo të merret si shembull.

Fjala-kyç e “mrekullisë kineze” do të mbetet si për Kinën edhe për botën e interesuar për të, “reforma e thellë” strukturore në zhvillimin ekonomik e iniciuar në vitin 1978 nga udhëheqësi politik i lartë, Ten Hsiao Pin, nën sloganin “Hapja dhe reformat e Kinës”. Që prej asaj kohe të largët, Kina ndërmori një zhvillim jashtëzakonisht të shpejtë i cili, po të mbajmë parasysh popullsinë gjigande dhe varfërinë e madhe të saj, do të zhvillonte vendin dhe njëherësh, do të mbante të befasuar mbarë botën.         

Kina sot është ekonomia më e madhe botërore dhe superfuqia ekonomike e dytë e botës e cila vazhdon të zhvillohet me ritme vjetorë  mbi 6%. Ajo është vendi më i madh tregtar dhe eksportues i botës, përfituesi më i madh i investimeve dhe kompanive të huaja të botës si edhe investuesi i dytë më i madh në vende të ndryshëm të botës, praktikisht në të gjithë kontinentet. Përpjekjet e Kinës janë shtrirë edhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit ku spikatin ato të dhjetëvjeçarit të fundit për uljen e sasisë së lëshimeve të gazit karbonik në atmosferë. 

Ndërkohë, me investimet e saj në fushën e arsimit dhe të kulturës, Kina ka arritur të ketë vetëm më pak se 4% njerëz që nuk dinë shkrim dhe lexim, kurse prej rrjetit të Internetit atje përfitojnë më shumë se 60% e popullsisë së saj.

Organizata e Kombeve të Bashkuar e ka vlerësuar lart këtë zhvillimin gjigand të Kinës si faktorin që ka nxjerrë prej varfërisë rreth 800 milion njerëz në të gjithë botën.

Kur flasim për “mrekullinë ekonomike” kineze, është e nevojshme të përmendim në mënyrë të theksuar se udhëheqësit e saj dhe Partia komuniste Kineze arritën të bashkërendojnë me shumë sukses, përgjatë katër dhjetëvjeçarëve, zhvillimin ekonomik me idetë madhore të filozofit të tyre kombëtar, Confucius-it, mbi qeverisjen e virtytshme të mbështetur mbi vlerat morale të së mirës së përgjithëshme shoqërore dhe të çliruar prej korrupsionit apo tipareve të tjerë negativë moralë.   

Mund të thuhet pa ngurruar duke iu bashkuar shumë ekspertëve të tjerë të zhvillimit se ajo çka Kina ka arritur në rreth dyzet vjetët e fundit është shembull i padëgjuar më parë në historinë njerëzore, se ajo ka arritur atë çka kombeve të tjere iu është dashur ta arrijnë në disa shekuj.

Natyrisht, duke shkruar mbi Kinën në këtë përvjetor të Ditës Kombëtare së saj, ka vend të themi edhe diçka më shumë mbi shkaqet e këtij zhvillimi që e shndërroi Kinën në “mrekulli ekonomike” shekullit tonë, pa ngulmuar aspak që të konkurrojmë me studjuesit e vërtetë dhe espertët e zhvillimit.

Së pari, është politika e ndjekur nga udhëheqja politike e Kinës. Le të sjellim vetëm një pjesë fare të vogël prej fjalës së Presidentit kinez Xi Jinping të mbajtur në Kongresin e 19 të Partisë Komuniste Kineze: “Ne do të zhvillojmë kulturën e inovacionit dhe do të forcojmë krijimin, mbrojtjen dhe zbatimin pronësisë intelektuale …. duhet të kultivojmë një numër të madh të shkencëtarëve dhe teknologëve të rrafshit botëror në fusha me rëndësi strategjike, të udhëheqësve shkencorë dhe teknologjikë si edhe shkencëtarë dhe inxhenjerë të rinj …”. 

Së dyti, zgjerimi i pjesëpjesshëm i lirisë njerëzore në përputhje me rrethanat e një vendi jashtëzakonisht të madh si Kina. Madje, prej përvojës kineze mund të nxirret një mësim i vyer: “Zhvillimi i shoqërive mbështetet gjithnjë mbi lirinë, por mënyra sesi kjo liri vepron mvaret shumë nga rrethanat e këtyre shoqërive”.  

Së treti, mbështetja e fortë e politikës së shkëmbimit të dendur dhe të pandërprerë të mendimeve të udhëheqjes politike dhe ekzekutive me popullin dhe organizatat joqeveritare.

Zhvillimi mrekullor i Kinës në katër dhjetëvjeçarët e fundit ka ngjallur në mënyrë të natyrëshme diskutime dhe debate të larmishëm në të gjithë botën. Ata janë debate në lidhje me ekonominë, politikën dhe demokracinë, të drejtat ligjore, mbrojtjen e mjedisit, fushën ushtarake, teknologjinë, të drejtat e njeriut, etj. Në përvjetorin e Ditës Kombëtare të Kinës, do të mjaftonte që ekzistencën e këtij debati ta përmendim vetëm si fakt që në fund të fundit, i jep vlerë botërore përvojës kineze të zhvillimit. Po e lemë mënjanë pra, këtë debat bashkë me frikën e tepruar mbi zhvillimin kinez të cilin autorë të ndryshëm e shohin si shfaqje e konkurrencës së fortë, ose konkurrencës armiqësore.      

Siç e ka treguar vazhdimisht historia, ekonomitë e mëdha dhe me zhvillim të shpejtë si Kina e sotme nuk mund të mos e shtrijnë ndikimin e tyre edhe në shkallë botërore. Investimet, përvoja zhvillimore dhe mallrat kineze janë sot të pranishëm në Azi, Afrikë, të dy Amerikat, Europë dhe Australi.

Muajt e fundit e gjithë bota u bë dëshmitare edhe e dërgimit të pajisjeve eksploruese të një anijeje kozmike kineze në planetin Mars dhe e fillimit të eksplorimit të këtij planeti duke sjellë pamje të herëpashershme në Tokë, duke u bërë kështu vendi i tretë në botë, pas ShBA dhe Rusisë.

Ajo çka duhet shënuar dhe vlerësuar për rritjen e ndikimit të Kinës në shkallë botërore është vetëdija e thellë e udhëheqjes kineze se zhvillimi i vendit të tyre duhet të jetë në përputhje me me synimet dhe dëshirat e të gjithë njerëzimit. Është e mirënjohur tashmë përpjekja e Kinës në formën e një ftese për vendet e tjerë të botës për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje e përbashkët të të gjithë njerëzimit. Kjo përpjekje mund të mendohet si një ndihmesë e rendësishme e Kinës për bashkimin e të gjithë vendeve të botës në një përpjekje të përbashkët për përballimin e sfidave botërore dhe ruajtjen e mjedisit botëror krahas zhvillimit të qëndrueshëm. Nisma kineze “Belt and Road Initiative”, e themeluar në vitin 2013 do të mbetet një shembëll i shkëlqyer i rolit të ri ndërkombëtar të Kinës dhe dëshmi e sjelljes së vlerave morale në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare duke synuar përherë një bashkëpunim “win-win”.

Në këtë rol të ri ndërkombëtar të Kinës bën pjesë edhe përpjekja për të investuar në vendet e Ballkanit dhe në Shqipëri. Ajo sot ëshë e pranishme me investime dhe tregëti thuajse në të gjithë vendet e këtij rajoni.      

Historia e marrëdhenieve të Shqipërisë me Kinën është luhatur shpesh pëgjatë katër dhjetëvjeçarëve të fundit nën ndikimet e ndryshëm ideologjikë, por sot Kina rrjeshtohet si partneri tregëtar i tretë i Shqipërisë, pas Italisë dhe Turqisë. Elita politike shqiptare i ka lënë mënjanë paragjykimet ideologjike duke u përqendruar në bashkëpunimin ekonomik me interes të ndërsjelltë me Kinën. Shqipëria e mendon si mundësi të madhe ekonomike nismën kineze “Belt and Road Initiative”, në vitet e ardhshëm.  

Në kushtet kur siguria dhe paqa ndërkombëtare janë vlera që po marrin rëndësi të jashtëzakonshme në kohën e sotme, duket se edhe fuqia e madhe ushtarake moderne dhe në rritje e Kinës do të jetë në shërbim të tyre në përputhje me frymën dhe dokumentet themelorë të OKB-së.

Urimi më i bukur në këtë përvjetor të 72-të të Ditës Kombëtare të Kinës do të ishte: Edhe njëqind vjet të tjerë në rrugë e saj të zhvillimit në dobi të të gjithë njerëzimit!      

SHPËRNDAJE