Në 6 tetor, në Samitin BE-Ballkani Perendimor që u mbajt në Brdo të Sllovenisë, udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij, sëbashku me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor paraqitën ‘Agjenden e Ballkanit Perëndimor mbi Inovacionin, Hulumtim, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportin’, një strategji bashkëpunimi gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Do të përkrahë zhvillimin shkencor si dhe reformën e sistemeve arsimore të rajonit, do të krijojë mundësi të mëtejshme për të rinjtë dhe do të ndihmojë në parandalimin e largimit të trurit (brain drain).
Komisionerja për Inovacionin, Hulumtimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel tha: “Bashkëpunimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor ofron mundësi të pakrahasueshme. Programi i Inovacionit për Ballkanin Perëndimor do t’i hapë këto mundësi për studentët, studiuesit, inovatorët dhe operatorët kulturorë në mënyrë që ata të kenë një qasje në tregje të reja, të bëhen më konkurrues dhe të ndërtojnë prosperitet afatgjatë. Ȅshtë një vizion mbi të ardhmen dhe shumë pozitiv për të gjithë”.
Përmes rritjes së investimeve në Hulumtim, Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Agjenda e Ballkanit Perëndimor dhe veprimet e propozuara prej saj do të kontribuojnë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik dhe shoqëror të rajonit.