Nga: Gjergji Vurmo
Publikimi i Raportit të KE-së për Shqipërinë 2021 javën e kaluar thuajse nuk ishte një ngjarje fare, me mbulim të paktë mediatik dhe një diskurs publik të shqetësuar më shumë për “pushtimin” e orbitës së Tokës nga Shqipëria vitin e ardhshëm se sa nga dokumenti 135 faqesh i përgatitur në Bruksel.
Vitin e kaluar shumë shqiptarë e prisnin me padurim raportin dhe qëndrimin e Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Emocioni ishte zhdukur këtë vit dhe kryeministri Rama nuk e fshehu indiferencën e tij në konferencën për shtyp me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Luigi Soreca. Në të vërtetë, Rama e kishte përgatitur publikun për këtë gjë. Edhe “falja” diskrete e ambasadorit të BE-së për dështimin e fillimit të negociatave dhe thirrja e tij që BE-ja ta bëjë këtë pa vonesë nuk është asgjë e re. Megjithëse Soreca vuri në dukje me elokuencë rekomandimet e raportit dhe nënvizoi disa pika shqetësuese, kryeministri Rama nuk u shqetësua. Në fakt, Rama i hodhi poshtë me qetësi disa pika si shqetësimi për lirinë e medias. Madje ai foli me qartësi për çështje që raporti i KE-së dhe ambasadori nuk guxuan t’i artikulonin plotësisht, si “baza e të dhënave të patronazhistëve” duke pretenduar qartë autorësinë e Partisë Socialiste (PS) mbi këtë sistem të bërë publik disa muaj më parë.
Këto mund të jenë gjëra të vogla, por në fakt janë detaje shumë treguese që rrëfejnë se sa të parëndësishëm janë bërë raportet vjetore të KE-së jo vetëm për politikanët vendas, por edhe për shqiptarin e thjeshtë. Kjo është shumë e pazakontë veçanërisht për Shqipërinë, një vend në të cilin qytetarët u besojnë institucioneve të BE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare shumë më tepër sesa institucioneve të vendit të tyre, sipas raportit vjetor “Besimi ne qeverisje” te Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM). Ndërsa shumica e shqiptarëve ende mbështesin anëtarësimin në BE, ata janë dëshmitarë të një procesi zgjerimi që nuk është transformues apo strategjik për BE-në dhe nuk konsiderohet si parësor nga vendet e tjera anëtare. Ndërsa raportet e KE-së bëhen akoma dhe me pak tërheqëse për shqiptarët dhe BE-ja vazhdon të manovrojë për t’i dhënë përparësi stabilitetit, është vetëm çështje kohe derisa mbështetja e shqiptarëve të bjerë nën 50%. Kryeministri Rama dhe homologët e tij në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut duken të përgatitur dhe madje duke punuar aktivisht për një skenar të tillë duke ofruar ëndrra të zbrazëta për një treg të vetëm të sunduar nga Ballkani dhe jo nga standardet e BE-së.
Sipas raportit të KE-së 2021, Shqipëria performoi pak më mirë se një vit më parë (2020) – dy kapituj e vlerësuan Shqipërinë (30 dhe 31) me një “nivel të mirë gatishmërie” dhe pesëmbëdhjetë të tjerë me status “mesatarisht të përgatitur”. Në vitin 2020 Shqipëria u vlerësua se kishte një nivel të mirë gatishmërie vetëm për kapitullin 31, ndërkohë që ishte e përgatitur mesatarisht në gjashtëmbëdhjetë kapituj. Sidoqoftë, raporti i vitit 2021 përmendi “jo/progress i kufizuar” më shpesh sesa në 2020.
Pavarësisht sfidave të paraqitura nga rindërtimi pas tërmetit dhe situatës së COVID-19, KE vlerësoi arritjet e Shqipërisë në lidhje me kriteret ekonomike (p.sh. konkurrueshmëria, prokurimet publike, statistikat etj.), axhendën e gjelbër dhe ndërlidhjes. Rikthimi i opozitës në jetën institucionale pas dy vitesh bojkoti shihet si mundësi për dialog politik dhe bashkëpunim për reforma. Në shkurt të vitit 2019, partitë opozitare dhanë dorëheqjen nga parlamenti dhe në qershor ato bojkotuan zgjedhjet lokale, duke i mundësuar PS-së në pushtet kontroll të plotë mbi proceset e qeverisjes kombëtare dhe mbi të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Humbësi më i madh i kësaj lëvizjeje të papjekur, katastrofike ishte sigurisht demokracia shqiptare, e cila u përkeqësua rëndë gjatë dy viteve në vijim, siç tregohet edhe në raportet: “Freedom House-Kombet në Tranzit” për Shqipërinë (2020-2021).
Një pasqyrë e përzier mund të vërehet në lidhje me kriteret politike në raportin e KE-së për vitin 2021. Dokumenti vëren zhvillimet kryesore në grupin 1. “Bazat e proçesit të anëtarësimit”. KE vlerëson përparimin në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, etj. Këshilli gjithashtu nënvizon shqetësimet serioze për lirinë e shprehjes, median dhe bën thirrje për veprime më konkrete për disa sfida të tjera si financimi i partive politike, ndjekja penale e korrupsionit në nivele të larta, shoqëria civile e kështu me radhë.
Megjithatë, në raport janë kryer disa përfundime të dyshimta, si vlerësimi për nivel të lartë të transparencës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë – KLGJ në një kohë kur ky organ refuzoi të publikonte procesverbalet e disa takimeve të kërkuara nga BIRN Albania, ndërkohë që raporte të tjera monitoruese kanë kërkuar më shumë qartësi. Në raport nxirren përfundime të tjera të diskutueshme ose kundërthënëse – për shembull, pasi pretendon se reforma në drejtësi pakësoi ndërhyrjen politike në gjyqësor, KE përpiqet të justifikojë mungesën e të rezultateve në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë duke e përshkruar atë si një “objektiv që kërkon vullnet politik dhe veprime të mëtejshme të strukturuara dhe të qëndrueshme’’. Mbetet e paqartë pse institucionet të cilat supozohet se janë të pavarura nga politika dhe të lira nga ndërhyrjet politike, do të kishin nevojë për vullnet apo mbështetje politike për të bërë realisht punën e tyre – për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë.
Përmes një gjuhe diplomatike që përpiqet në mënyrë të tepruar të mos lëndojë ndjenjat e politikanëve, veçanërisht të atyre në pushtet, raporti në përgjithësi zbulon me vërtetësi sfidat dhe fushat që kanë nevojë për përpjekje të mëtejshme. Megjithatë për disa ngjarje, KE nuk duket të jetë i gatshëm të shtyjë për më tepër veprime kuptimplote. Një rast i tillë është hetimi për rrjedhjen e të dhënave vetjake, duke përfshirë parapëlqimet politike dhe informacione të tjera vetjake për më shumë se 900,000 votues në Tiranë gjatë fushatës se zgjedhjeve të përgjithshme të muajit prill. Të dhënat e nxjerra përmbajnë edhe emrat e 9,000 “patronazhistëve” të PS-së, shumë prej të cilëve janë punonjës të sektorit publik, oficerë policie dhe madje edhe personel ushtrie. Ndërkohë që media dhe shoqëria civile në Shqipëri, si dhe organizata të njohura ndërkombëtare si “Transparency International” kanë kërkuar hetim të menjëhershëm nga Prokuroria Speciale (SPAK), raporti i KE-së duket i kënaqur me hetimin administrativ ex-officio nga “Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale” që ka lëshuar rekomandime për autoritetet.
Pavarësisht mangësive, raporti i Komisionit me të drejtë u kërkon vendeve anëtare të BE-së të hapin negociatat e anëtarësimit pasi Shqipëria ka përmbushur kushtet e vendosura prej tyre.
Nga ana tjetër, duke pasur parasysh faktin se proçesi i anëtarësimit është bërë çdo gjë tjetër veçse i bazuar në merita apo i parashikueshëm, shqiptarët me të drejtë e injorojnë publikimin e raportit dhe nuk e konsiderojnë si një ngjarje. Kush do ti fajësonte shqiptarët për shpërfilljen e tyre këtë vit?