Intervistë me Ambasadorin e Azerbajxhanit në Greqi dhe Shqipëri, Sh.T Anar Huseynov
Lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në shtator-nëntor të vitit të kaluar mori vëmendjen e botës. Azerbajxhani doli fitimtar falë dhe investimeve të konsiderueshme në armatime të kryera vitet e fundit. Territoret azere të pushtuara nga Armenia që nga viti 1994 u çliruan dhe Azerbajxhani tashmë ka mundësi të ushtrojë sovranitetin e tij në të gjithë territorin e njohur nga OKB. Në këtë përvjetor të parë të fundit të luftës, Ambasadori i Azerbajxhanit në Greqi dhe Shqipëri, Anar Huseynov, vlerëson arritjet dhe sfidat përpara për Azerbajxhanin.
- 10 nëntori i këtij viti shënon përvjetorin e parë që nga nënshkrimi i “Deklaratës së Përbashkët” ndërmjet tre udhëheqësve të Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë, e cila i dha fund luftës 44-ditore. Sa efektive ka qenë kjo deklaratë deri më tani?
Gjatë luftës 44-ditore Azerbajxhani çliroi pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara, në total më shumë se 300 qytete dhe fshatra u çliruan në fushën e betejës. Sipas “Deklaratës së Përbashkët” të lart-përmendur, Armenia duhej të tërhiqte trupat e saj nga territoret e Azerbajxhanit, përkatësisht nga rajonet e Aghdam, Lachin dhe Kalbajar. Pra, vetë Azerbajxhani zbatoi rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat kishin mbetur të paplotësuara gjatë pothuajse 30 viteve të përpjekjeve të paefektshme për të zgjidhur konfliktin nëpërmjet mjeteve paqësore. Azerbajxhani e zgjidhi konfliktin dhe rivendosi integritetin e tij territorial dhe drejtësinë historike me mjete ushtarako-politike. Konflikti i Nagorno-Karabakh nuk ekziston më. Nuk ka asnjë njësi territoriale administrative të quajtur Nagorno-Karabakh në Azerbajxhan. Ne kemi krijuar zonat ekonomike të Karabakh dhe Zangazurit Lindor me dekret të presidentit, të nënshkruar më 7 korrik të këtij viti. Referimi i territoreve tona në një mënyrë tjetër është ligjërisht i gabuar, i njëanshëm politik, provokues dhe nuk shërben për rivendosjen e paqes në rajon. Shumica e paragrafëve të Deklaratës janë zbatuar, pjesa tjetër kërkon më tepër kohë dhe përpjekje. Puna në këtë drejtim po përparon në kuadër të formave të përshtatshme të ndërveprimit në nivele të ndryshme.
2. Një nga paragrafët e Deklaratës së Përbashkët i referohet shkëmbimit të robërve të luftës, kështu që pse shumë nga të burgosurit armenë janë ende në qendrat e paraburgimit në Azerbajxhan?
Më pak se 50 armenë të ndaluar dhe të hetuar aktualisht nga pala Azerbajxhane i përkasin një grupi terrorist dhe nuk janë robër lufte. Ata hynë në territorin e Azerbajxhanit pas nënshkrimit të deklaratës trepalëshe më 10 nëntor 2020, pas arritjes së armëpushimit dhe si pasojë e aktiviteteve provokuese të këtij grupi u vranë 4 ushtarakë të Azerbajxhanit dhe një civil u plagos rëndë. Azerbajxhani ka të drejtën dhe detyrimin ndërkombëtar për t’i sjellë këta individë para drejtësisë sipas ligjit ndërkombëtar dhe kombëtar. Bazuar në parimet e humanizmit, Azerbajxhani i ka dorëzuar Armenisë një numër armenësh të ndaluar deri më tani. Në këmbim, Armenia refuzon të lëshojë hartat e sakta të fushave të minuara. Niveli i saktësisë së hartave për tre rajonet që Armenia duhej të jepte është vetëm 25 për qind. Ju mund të mos jeni në dijeni, por deri më tani, nuk ka ndonjë informacion për fatin e rreth 4000 azerëve që u zhdukën në luftën e parë në Karabakh, dhe shumica prej tyre ishin robër lufte.
3. Deklarata gjithashtu parashikon zhbllokimin e të gjitha lidhjeve ekonomike dhe të transportit në rajon, duke përfshirë lidhjet e transportit midis rajoneve perëndimore të Republikës së Azerbajxhanit dhe Republikës Autonome të Nahiçevanit përmes territorit të Armenisë për të rregulluar lëvizjen e personave, automjeteve dhe ngarkesave në të dy drejtimet. A është kjo gjë vërtet e realizueshme?
Aktualisht në territoret e çliruara po kryhen punime ndërtimore në shkallë të gjerë. Përveç kësaj, autostradat, hekurudhat, aeroportet, Azerbajxhani po ndërton qytete, qyteza dhe fshatra të rinj nga e para duke zbatuar planifikimin urban modern dhe duke përdorur konceptet si “qyteti i zgjuar” dhe “fshati i zgjuar”. Tërë këtë punë, Azerbajxhani po e kryen me burimet e tij financiare, që synojnë jo vetëm rikthimin e jetës në territoret tona të çliruara, por edhe integrimin e zonës në transportin ndërkombëtar dhe kombëtar si dhe integrimin në tregti. Lidhjet rajonale ekonomike dhe të transportit janë të rëndësishme për çdo vend të rajonit tonë dhe në veçanti për Armeninë me akses të kufizuar në tregjet botërore. Teksa ndjekim pozicionin e këtij vendi brenda formateve të ndryshme të ndërveprimit, synimi për zhbllokimin e lidhjeve rajonale është aty. Për më tepër, në tavolinë është edhe iniciativa e bashkëpunimit e 3+3 (Azerbajxhan, Armeni dhe Gjeorgji + Turqi, Rusi dhe Iran). Në fakt Armenia për dekada ka mbrojtur për bashkëpunim të plotë ekonomik rajonal, kështu që ka ardhur koha për të kaluar nga fjalët në vepra.
4. Armenia dhe disa aktorë ndërkombëtarë, ndryshe nga Azerbajxhani, nuk e shohin konfliktin si të zgjidhur nëse nuk zgjidhet statusi i Nagorno-Karabakh. A shihni ndonjë perspektivë të kësaj çështjeje për të siguruar paqen dhe bashkëpunimin në rajon?
Së pari, siç e përmenda edhe më sipër, nuk ka asnjë njësi administrative në Azerbajxhan të quajtur “Nagorno-Karabakh”. Së dyti, nuk ka asnjë të dhënë për “statusin” në “Deklaratën e Përbashkët’ të nënshkruar. Dhe e fundit, por jo më pak nga rendësia, Azerbajxhani ka krijuar një realitet të ri në rajonin e Kaukazit Jugor, i cili duhet të merret parasysh nga të gjithë. Armenia duhet të bëjë një zgjedhje midis bashkëpunimit rajonal dhe pretendimeve të paligjshme dhe të pabaza territoriale kundër fqinjëve të saj. Komuniteti ndërkombëtar gjithashtu duhet të luajë rolin e tij pozitiv në këtë mes dhe të nxisë Armeninë të kuptojë se paqja nuk ka alternativë. Çdo lëvizje, duke përfshirë thirrjet për “status”, që mbështesin drejtpërdrejt ose tërthorazi revanshizmin dhe militarizimin në Armeni, duhet të ndërpriten për hir të paqes dhe bashkëpunimit, nëse “gjuetarët e statusit” e dëshirojnë vërtet këtë.
5. Procesi i pajtimit në rajon nuk është i lehtë. Cilat janë pritshmëritë e menjëhershme të Azerbajxhanit në këtë rrugë?
Me përfundimin e konfliktit, Azerbajxhani tashmë ka shpallur gatishmërinë e tij për të nisur përcaktimin dhe demarkacionin e kufirit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, dhe për të filluar negociatat për marrëveshjen e paqes me Armeninë, bazuar në njohjen reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Një marrëveshje e tillë do ta kthente rajonin tonë në rajonin e paqes dhe bashkëpunimit. Megjithatë, ende nuk kemi parë ndonjë reagim pozitiv nga Armenia në lidhje me propozimin tonë.
Shpresojmë që paqja, siguria dhe stabiliteti i shumëpritur të mbizotërojë më në fund në zonën e Kaukazit Jugor. Azerbajxhani do të vazhdojë përpjekjet e tij për të kontribuar dhe për të forcuar paqen dhe zhvillimin rajonal.