Filozofia dhe e magjishmja te libri i Lao tseu

0

Nga Prof. Dr. Gjergj Sinani

Së bashku me Konfucin, Lao tseu është personazhi më i shquar i antikitetit kinez, një nga emrat më familjar në publikun perëndimor. Libri që mban emrin e tij Tao-tö-king, është libri më i përkthyer në botë nga literatura e Lindjes së largët. Megjithëse përkthimet shpesh kanë qenë interpretime pak a shumë fantaziste të një teksti të vështirë, popullariteti i Lao tseu nuk është zvogëluar. Por çfarë dihet për këtë filozof? Dihet shumë pak sa që specialistët ndahen në lidhje me historicitetin e tij, disa mendojnë sa ka qenë një personazh i famshëm, të tjerë e pranojnë ekzistencën e tij, por kanë opinione të ndryshme rreth epokës kur ka jetuar dhe mbi disa episode të jetës së tij. Megjithatë, këto diskutime nuk kanë ndonjë rendësi të madhe për filozofinë e tij. Prandaj sqarimi i disa pikave të filozofisë së tij ka rëndësi për këtë botim të parë për publikun shqiptar.

Rreth vitit 100 para J.K., Sseu-ma Ts’ien shkruajti historinë e parë të Kinës, Che-ki (Kujtime historike). Në këtë vepër, një nga burimet kryesore të informacionit mbi Kinën antike, gjejmë një biografi të Lao tseu, megjithëse shpesh kontradiktore dhe të pasigurta për këtë personazh të famshëm. Vetë ky historian nuk e fsheh këtë shqetësim dhe jep edhe opinionet që ai ka mundur të grumbullojë, duke pranuar se askush nuk di diçka të sigurtë mbi këtë autor.

Ai na thotë se Lao tseu ishte një njeri nga fashti Hou hien, distrikt i Lai, i prefekturës së Hou në krahinën e Tch’ou. Emri i familjes së tij ishte Li, emri Eul dhe thirrej Tan. Vendi i lindjes që na jep Sseu-ma Ts’ien, korespondon me qytetin aktual Lou-yi (qyteti i drerëve), në provincën Honan, lokalitet që ndodhet në Ngan-houei. Në epokën Han, aty ndodhej një vend i shenjtë dhe sot një tempull, T’aits’ing kong (pallati i Pastërtisë së Madhe), i cili ngrihet ende në vendin ku tradita vendos vendlindjen e filozofit. Aty ndodhet edhe një staujë rreth katër metra e lartë dhe, pak më larg, thuhet se ndodhet varri i Lao tseu dhe ai i nënës së tij, gjë që ka ngjallur diskutime, sepse për Taoistët, ata, duke qenë qenie të jashtzakonshëm nuk mund të vdisnin si vdektarë të thjeshtë. Për më tepër, asnjë burim nuk dëshmon se ai ka qenë varrosur në vendlindje. Ndërkohë që thuhet se ai vdiq shumë larg në perëndim në krahinën Ts’in.

Përsa i takon emrit të tij ka shumë diskutime. Sipas historisë së Sseu-ma Ts’ien, emri i vërtetë i Lao tseu ishte Li Eul, ose Li Tan, por tekstet e tjera e thërrasin mjeshtrin me emrin Lao tseu (Mjeshtri Lao), ose Lao Tan. Se cili ka qenë emri i vërtetë ne nuk e dimë. Mund të ketë qenë Lao, fjalë që ka kuptimin plak, i nderuar, që ishte një lloj mbiemri që u vendosej pleqve të ditur, pasi pleqëria mbahej si shenjë e një fuqie jetësore të madhe dhe një mençurie të madhe.  Sseu-ma Ts’ien na sjell opinionin se ai kishte jetuar 160 vjetë, ose më shumë se 200 vjet. Dy emrat e tjerë Eul (veshë) dhe Tan (veshë të gjatë) lidhen, në fakt, me jetën e gjatë dhe mënçurinë, pasi shpesh pleqtë e ditur paraqiteshin me veshë të gjatë.

Përsa i takon karrierës së Lao tseu, ky historian na jep tre të dhëna që kanë interes dhe janë konsideruar si të vërteta. Së pari, Lao Tan qe arkivist në oborrin mbretëror të Tcheou. Së dyti, ai u vizitua nga Konfuci. Së treti, ai humbi drejt perëndimit pa lënë asnjë gjurmë. Takimi i Lao tseu me Konfucin ka mundësuar të preçizohet epoka kur ka jetuar Lao tseu.  Për interes të lexuesit le të sjellim një pasazh nga takimi me Konfucin. Ky i fundit e takoi Lao tseu për t’u informuar mbi ritet. Lao tseu ju përgjigj: “Ata, për të cilët ti flet, madje dhe kockat e tyre kanë përfunduar në pluhur, nga ata kanë mbetur vetëm fjalët e tyre. Për më tepër, kur njeriu i ndershëm jeton në një epokë të favorshme, ai nxiton drejt oborrit me karrocë; kur jeton në një epokë të pafavorshme, ai endet në aventurë. Kam dëgjuar të thuhet se tregëtari i mirë i fsheh pasuritë e tij dhe duket si i varfër; në qoftë se ka një plotësi virtyti të brendshëm, njeriu superior ka dukjen e jashtme si një budalla. Eliminoje humorin tënd arrogant dhe të gjitha këto dëshira, këtë pamje të fryrë dhe këtë zell të madh: e gjitha kjo nuk ka asnjë përfitim për personin tënd. Kjo është gjithçka që mund të të them”. Kur Konfuci u kthye te dishepujt e tij u tha: “Për zogun e di që mund të fluturojë; për peshkun, e di që mund të notojë; për katërkëmbshat, e di që mund të vrapojnë. Kafshët që vrapojnë mund të kapen me lak; ato që notojnë mund të kapen me rrjetë; ato që fluturojnë mund të arrihen nga shigjeta; por, dragoin nuk mund t’a njoh: ai ngrihet në qiell mbi retë dhe erën. Sot pashë Lao tseu, ai është si një dragua!”. Tregime të kësaj natyre ka shumë për Lao tseu, të cilat tregojnë për virtytet dhe lartësinë shpirtërore të tij dhe të Taoistëve në përgjithësi. Ata zgjidhnin të jetonin të tërhequr në male të larta, jashtë influencave princërore. Në historinë e taoizmit, këta të ditur kanë luajtur një rol të rendësishëm. Shumica e mendimtarëve të lashtë Taoistë jetonin të fshehur, duke refuzuar të merrnin pjesë në jetën publike.

Vepra e tij, që vjen në përkthimin e shkëlqyer të z. Iljaz Spahiu, titullohet Tao-tö-king (libri i shenjtë i Tao dhe Tö). Fjala king ka këtu kuptimin e “rregullit drejtues”. Shpesh quhet edhe si “teksti i 5000 karaktereve”. Konsiderohet edhe si “libri i rrugës dhe i virtytit”. Përtej diskutimeve të shumta rreth autorësisë dhe komenteve të shumta le të ndalemi rreth doktrinës së tij filozofike.

Ndërmjet shumë diskutimeve për veprën dhe autenticitetin e autorit, vlen të theksohen disa momente thelbësore të filozofisë taoiste. Sipas autorit të “Kujtime historike”, doktrina e Lao tseu përqëndrohet në idetë e Boshllëkut dhe Të padukshmes; ai shton edhe atë të mos-veprimit, në sajë të të cilës i dituri mund të përshtatet në mënyrë harmonike me ndryshimet që ndodhin në botë.

Kuptimi i saktë i fjalës Tao është shteg, rrugë. Verbalisht, e njejta fjalë, nënkupton të hapësh një shteg, të drejtosh, të vesh në komunikim. Personi që i tregon tjetrit rrugën që duhet ndjekur ja mëson përmes fjalës. Tao ka edhe kuptimin e të thënurit, është fjala që tregon dhe mëson, prej nga vjen edhe kuptimi i doktrinës.

Pra Tao evokon, para çdo imazhi të rrugës për të ndjekur, idenë e drejtimit të sjelljes, rregullin moral. Ky kuptim i fundit gjendet në tekstet konfuciane. Por fjala Tao është gjithashtu dhe ka qenë në fillim një term fetar ose magjik. Ai tregon artin për të vënë në lidhje me Qiellin dhe Tokën, fuqitë e shenjta dhe njerëzit, për të realizuar një vepër (magjike ose teknike). Pra, është njëherësh një art, një metodë dhe një forcë. Është forca misterioze e të shenjtit, të magjistarit, por dhe ajo e mbretit. Qe një kohë kur në Kinë, por dhe në vende të tejra, ku shefat politikë nuk dallonin nga aspak nga magjistarët. Në epoka historike, mbretërit dhe perandorët kinezë, kanë ruajtur diçka nga ky karakter. Atyre u akordohej një “virtyt”, Tao, ose Tao-tö, i aftë për të bërë që të mbretëronte rendi jo vetëm ndërmjet subjekteve të tyre, por edhe në tërë natyrën. Një mit i lashtë mund të n’a ndihmojë për të kuptuar se si Nocioni i Rrugës dhe ai i Rendit lidheshin në mendimin fetar të kinezëve të lashtë. Një nga heronjtë më të famshëm të epokës legjendare ishte Ju i Madh. Ky themelues i dinastisë Hia (që ka diskutime mbi historicitetin e saj), ishte një lloj demiurgu që i dha fund një përmbytje të madhe. Ai krijoi dalje për ujrat që rrezikonin të ngriheshin deri në Qiell, ai u hapi rrugën (tao) duke çarë malet. Pas kësaj, ky hero “përshkroi dhe vendosi në rregull” nëntë provincat e botës (9 numër mistik që simbolizon të tërën). Ai j’u rregulloi tokën njerëzve, e bëri të banueshme, e qytetëroi, nga njera anë duke bërë që të qarkullonin ujrat, nga ana tjetër, duke vënë në komunikim pjesët e ndryshme të botës. Në këto gjëra Ju u ndihmua si nga qenie fantastike, si dhe virtyti i tij.

Shihet se si fjala Tao mund të cilësojë edhe fuqinë civilizuese të sovranëve të shquar, pastaj atë të mbretërve, të cilët duhej të resatauronin periodikisht rendin natyror me ndihmën e riteve. Mbreti bënte të rrotullohej mbretëria në kuptimin e diellit. Por, në të vërtetë, tërë jeta e një Biri të Qiellit duhej të rregullohej mbi rendin natyror dhe kjo quhej rruga ose Rendi mbretëror (Wang Tao) që imitonte rrugën ose Rendin qiellor (T’ien Tao). Ky rend qiellor ose natyror, shpesh i quajtur shkurt Tao, ishte, sipas mendimit klasik, sidomos i dukshëm në rregullsinë e ndërrimit të sezoneve dhe atë të ditëve dhe netëve. Ky cikël i të ngrohtit dhe të ftohtit, të dritës dhe të hijes, shpjegohej nga loja e dy parimeve seksuale si mashkulli dhe femra, Jin dhe Jang, ndikimi i të cilëve komandonin sjelljen e të gjitha qenieve: Jin, parimi i hijes, të ftohtit dhe feminitetit, i ftonte ndaj përuljes, pushimit dhe pasivitetit; Jang, parimi i dritës, nxehtësisë, mashkullorisë i nxiste në shpalosjen e energjive, aktivitetit, madje dhe agresivitetit.

Kështu, për mendimin filozofik dhe fetar të zakonshëm, Tao është Rendi, ose më shumë Parimi rregullues, që mund të shfaqet në fusha të ndryshme të realitetit. Kështu, flitet jo vetëm për Tao qiellor, Tao mbretëror, por edhe për Tao e Tokës dhe Tao e Njeriut. Tao e Tokës i kundërvihet Tao Qiellor ashtu si Jin dhe Jang; në këtë rast “Tao Qiellor” merr një kuptim më të ngushtë, nuk është më tërë natyra, por veprimi i qiellit që është një aktivitet i pastër Jang, ndërkohë që ai i Tokës është Jin. Pastaj të gjitha qeniet, dhe veçanërisht njeriu, janë formuar prej përzierjesh elementesh qiellorë dhe tokësorë, prandaj bota përbëhet prej “tre fuqish”: Qielli, Toka dhe Njeriu. Ky i fundit është ndërmjetës fetar ndërmjet Qiellit dhe Tokës, por, në të vërtetë, vetëm Biri i Qiellit e luan plotësisht këtë rol, sepse vetëm ai është në gjendje të bëjë sakrifica ndaj qiellit ku qëndrojnë të vjetrit. Tao i Njeriut, janë të gjitha ato parime sjeljeje që i mundësojnë njeriut, mbretit të luajë këtë rol ndërmjetësi. Është ky Tao që përfaqsonte idealin e Konfucit, i cili shpallte: “Kush ka dëgjuar për Taon në mëngjez, mund të vdesë i qetë në mbrëmje”.

Pas Tao nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi disa fjalë edhe për termin në gjuhën filozofike. Përgjithësisht ky term është përkthyer me termin Virtyt dhe shprehja Tao-Tö cilëson moralin në gjuhën moderne. Për Konfucin, Tö ishte një cilësi e fituar nga ai që jetonte në mënyrë fisnike, në shoqërinë e njerëzve të edukuar dhe të sjellshëm. Duke zotëruar Tö, i dituri mishëronte një ideal qytetërues dhe bëhej një model për ambientin e tij. Pra, si të thuash virtyti i tij është ngjitës dhe efikas. Nocioni Tö implikon në fakt, një nocion efekasiteti dhe të veçanësisë. Çdo qenie që zotëron një fuqi çfardo, natyrore ose të fituar, thuhet sa ka Tö. Pra, Tao dhe Tö kanë kuptime mjaft të afërta, por i pari është rendi universal, i papërcaktuar, i dyti është një virtyt që bën të mundur realizimet e veçanta, është, në terma filozofikë, efikasiteti që bëhet i përveçëm duke u realizuar. Kështu, Tö ka kuptime të larmishme që shkojnë nga virtyti magjik te virtyti moral. Por, ky kuptim i fundit është derivat, sepse në origjinë një Tö nuk ishte domosdoshmërisht i mirë: kush ka një Tö të kobshëm tërheq fatkeqësi mbi veten dhe mbi tjetrin. Megjithatë, Tö përgjithësisht është një forcë e brendshme që ndikon pozitivisht ambientin e atij që e zotëron, është një virtyt mirëbërës dhe gjallërues. Sipas taoizmit, Tö Qiellor dhe ai i Tokës nuk janë gjë tjetër veçse fuqia për të gjallëruar jetën universale.

Larmia e madhe e kuptimeve që fjala Tao është në gjendje të marrë e bën të vështirë interpretimin e teksteve ku shfaqet ky term. Shpesh ky term merret në kuptimet e zakonshme: Ligj natyror (Tao i Qiellit), doktrinë, ideal sjelljeje. Por nga ana tjetër, ky term zotëron edhe një kuptim të ri që nuk gjendet në filozofët e lashtë jo Taoistë. Tao nuk është vetëm një parim regullues, por është një realitet që është në origjinë të universit. Lao tseu e përdor këtë fjalë për të cilësuar këtë realitet. Ku duket kjo? Për këtë po sjell fjalët që shkruan ai vetë në kapitullin 25.

Është diçka e thjeshtë dhe pa formë,

Që  para formimit të Qiellit dhe Tokës ekziston.

Qendron në qetësi, pa zhurmë e pa bujë, në thjeshtësi,

E pavarur, në vetmi ekziston, e pandryshueshme përgjithmonë,

Qarkullon papushim  dhe kurrë nuk shterron,

Madje edhe si Nëna (zanafilla) e gjithësendeve mund të quhet.(I referohet Tao-s, nga e cila kanë lindur gjithësendet)

Nuk e di si thirret, çfarë emri ka,

Kështu që Tao, si Rruga  po e quaj,

Me sforco edhe emrin ia gjeta, “E madhe/ E madhërishmja” e emërtova.

Tao është e pafund dhe gjithmonë në lëvizje,

Duke qenë në lëvizje të pandërprerë, shtrihet shumë larg.

Shtrihet shumë larg, dhe sërish kthehet  në rrënjë. (në origjinë)

Prandaj themi që,

Tao është e Madhërishme,

Qielli është i madhërishëm,

Toka është e madhërishme,

Edhe njeriu (njeriu i urtë, sundimtari) është gjithashtu i madhërishëm.

Katër të madhërishëm ka në Univers,

Dhe njëri mes tyre është njeriu.

Njeriu (sundimatri) respekton ligjet e Tokës,

Toka respekton ligjet e Qiellit,

Qielli respekton ligjet e Tao-s,

Dhe Tao thjesht respekton ligjet e natyrës.

Po t’a lexojmë me vëmendje pjesën e markuar, shihet se asnjë fjalë tjetër e gjuhës njerëzore nuk mund të jetë emër (ming në gjuhën kineze) i Parimit suprem. Sepse ming, është emër personal, intim për individin, emër përdorimi i të cilit ishte tabo, sepse t’a njihje dhe sidomos t’a shqiptoje ndikonte mbi personin e përmendur. Pra, emri i vërtetë i Tao duhej të mbetej i panjohur, Tao është vetëm një emër (tseu), domethënë një lloj emri publik jo tabo. Ming ka fare mirë, përveç kuptimit preçiz që ne sapo thamë, një kuptim më të përgjithshëm të fjalës, por për kinezët e lashtë një ming nuk ishte kurrë i zhveshur nga një vlerësim i caktuar, sepse gjithçka që ka një emër ka vendin e vet në një univers hierarkik. Prandaj një nga problemet që preokupoi gjatë filozofët e lashtë, duke filluar nga vetë Konfuci, ishte ai i marrëdhënies së emrave dhe realiteteve. (Vlen të theksohet se këtë problem ne e gjejmë edhe te Kratili i Platonit).

Disa theksonin karakterin arbitrar të çdo emërimi, i justifikuar vetëm nga përdorimi social, të tjerë tregonin se emrat, sidomos ato që tregonin rangje dhe status, kanë një vlerë shtrënguese, që përcaktojnë pushtetet, klasifikojnë dhe kufizojnë qeniet. Në këtë kuptim, asnjë emër nuk i përshtatet absolutit. Megjithatë, kur Lao tseu deklaron se, në qoftë se do t’i duhej absolutisht të zgjidhte një emër për Tao, ky do të ishte i Madh (Ta) dhe ai e merr këtë fjalë në kuptimin absolut: “E madhe/ E madhërishmja”.

Sigurisht, kjo parathënie nuk mund ta japë tërë larminë dhe kompleksitetin e filozofisë së lashtë kineze, por le të shërbejë si nxitje për kërkim dhe reflektim dhe ndoshta do pasohet me botime të tjera në të ardhmen. Pas kësaj paraqitje të filozofisë se Lao tse, nuk mund të mos bashkohemi me vlerësimin e Volterit për mendimin kinez. “Arti për të bërë të njohshme idetë përmes shkrimit, që do të duhej të ishte vetëm një metodë mjaft e thjeshtë, është tek ata (kinezët) ajo që ata kanë më të vështirë. Çdo fjalë ka karakteristika të ndryshme: në Kinë, një dijetar është ai që njeh shumicën e këtyre karakteristikave; disa kanë arritur pleqërinë para se sa të shkruajnë mirë”[1].


[1] VOLTAIRE, Essai sur les moeurs, Vol. I, Clasiquaes Garnier, Paris, 1990, f. 215-216.

SHPËRNDAJE