Kina në dy botë.

0

Një udhëtim i hershëm dhe i ri në Kinë.

Nga: Jerina Zaloshnja

Në klasën e katërt fillore kam parë për herë të parë një glob. E pat sjellë I.P, babai i së cilës, në ato vite punonte si diplomat në Shtetet e Bashkuara.

U mblodhëm si mizat rreth globit dhe e para gjë që na tregoi mësuesja T.M ishte Kina.

– “Kjo është Kina, kjo është bota”, – thirri e ekzaltuar dhe si në hall ajo, me pëllëmbën e dorës të shtrirë përmbi Kinë. Pëllëmba e trashë e dorës së  mësueses sonë përmblodhi pothuaj të gjithë globin.

Gishtat e kureshtur të shokëve nisën të bredhin lirshëm nëpër atë Kinë, nëpër atë botë dhe nuk më lanë të shihja nga afër. Sidoqoftë, edhe duke e parë nga larg, edhe nën pushtetin e fjalëve të mësueses, diçka u pa qartë që në fillim: po, me të vërtetë, Kina qe e madhe sa bota!

Si e njoha Kinën

Kina ka qënë njohja ime e parë zyrtare me botën. Si të thuash, botën unë “e njoha” kur njoha Kinën.

Së pari, në vitet ’70, kohë që përkon me fëmijërinë, Shqipëria ishte prishur me Bashkimin Sovjetik dhe në shkollë s’të mësonin tjetër veç historisë së lavdishme të Republikës Popullore të Kinës që, për fat, siç e pamë edhe vetë në klasë, me sytë tanë, qenkësh e madhe, pothuaj sa gjithë bota.

            Së dyti, Kinën e njoha nga kinezët nëpër rrugë, të cilët, me uniformën me kapelet e zeza, në fakt, i mbaj mend në mënyrë të vagullt. Por, meqë në atë kohë, në Tiranë, banoja pranë “Ekspozitës Kineze”{që shkonim ta vizitonim si klasë, herë pas here, por edhe për qejf, me shoqet}, edhe sot i kam përpara syve stemat e tyre të shumta me fytyrën e kryetarit Mao dhe yllkat pa fund, ngulur në jakë të palltos, të cilat mund t’i gjeja me pak fat, nëpër shokë të babait. Mbaj mend fare qartë buqetat shumëngjyrëshe të luleve prej letre, fjongot lloj-lloj madje, mbaj mend edhe dy këngë kineze, me nga dy strofa secila, të cilat na i mësuan në shkollë, në të dy variantet; shqip e kinezçe. Ja ç’thotë njëra prej tyre:

Dielli i ri po agon

Në qytetin e madh kinez

Veç për popullin mendon

Udhëheqësi i shquar Mao Tse – Tung.

Së treti, nga baleti “Vajza me Flokë të Thinjura” të cilin e shikoja shpesh të enjteve, gjithmonë duke qarë.

Së katërti, nga një ndodhi familiare. U sëmur daja i madh dhe e vetmja rrugë për ti shpëtuar jetën, ishte vajtja në një spital në Shanghaj. Gjyshja e qau kur ai u nis. Nuk dihej a do të përrballonte daja ndërhyrjen e rëndë në shtyllën kurrizore, Por, për çudi, pas shtatë orësh në sallën e operacionit, ai doli gjallë, shëndosh e mirë aq sa, kur erdhi më solli dhuratë një palë këpucë, si këpucë ushtari, të çclat i quanim “potina” dhe me të cilat kam pozuar në shumë fotografi, [siç bëjnë sot gocat në Insta].

            Po t’u shtojmë rasteve të sipërpërmendura edhe ç’na mësonin në shkollë, ne fëmijëve për Kinën, del se ishin të gjitha shancet që Republika Socialiste dhe gjithë njerëzit e saj të mbeteshin në zemrën time kurdoherë e përfundimisht. Jam e sigurt se kjo ndodhte edhe me zemrën e një kinezi.

Botë reale

Me një popullsi rreth 1.402 miliardë banorë, Republika Popullore e Kinës është gjeografikisht pothuajse e njëjtë me madhësinë e SHBA-së kontinentale.

Kina ka një ekonomi socialiste të tregut, ku sektori mbizotërues i ndërmarrjeve shtetërore ekziston paralelisht me kapitalizmin e tregut dhe pronësinë private.

FMN, në një parashikim të kohëve të fundit mbi ekonominë botërore, vëren se, norma e rritjes së PBB-së së Kinës, për vitin 2021 (8.02%) është më e lartë se ajo e SHBA-së, prej 5.97%. Nëse bazë nominale, SHBA-të janë përpara Kinës me 6 trilion dollarë, në vitin 2021; në bazë të ppp, Kina ka kaluar SHBA-në, në 2017 dhe hendeku po rritet,- thotë parashikimi.

Ekspertë të tjerë të ekonomisë parashikojnë se shekulli i 21 do të jetë shekulli Kinez. Nuk ka asnjë vend në botë që të ketë një rritje ekonomike kaq të shpejtë. Në çdo pesë ditë, Kina ndërton nga një rrokaqiell të ri; trenat e shpejtësisë së lartë, në Shanghaj, lëvizin me shpejtësi 430 km/ orë. Të gjitha linjat hekurudhore kineze, të marra së bashku, rrotullohen rreth botës dy herë. Vetë kinezët  janë shpenzuesit më të mëdhenj të udhëtimeve në botë; 260 miliardë dollarë çdo vit, dyfishi i shpenzimeve të udhëtarëve amerikanë.

            Ekonomia socialiste e tregut që nisi me reformat e Den Xiao Ping bazohet në dy shtylla kryesore: fuqia e madhe punëtore dhe burimet natyrore; ndërsa rritja e saj i atribuohet investimeve kapitale në shkallë të gjerë dhe rritjes së shpejtë të produktivitetit.

Si janë kinezët

Një vit më parë, studenti shqiptar Gj.R punoi për gjashtë muaj si kërkues laboratori në Universitetin Jilin në qytetin Çhangçung. Ndryshe nga vitet e mjaltit, të periudhës së vëllazërisë Shqipëri – Kinë, ku studentët shqiptarë që kryen studimet aty ishin të shumtë, sot ata numërohen me gishtat e dorës. Por janë me mijëra studentët nga e gjithë bota që duan të studiojnë në Kinë.

Sido që të pakta, ekperiencat e studentëve shqiptarë duket se kanë qënë të mrekullueshme.

-“Ka qënë një përvojë fantastike. Profesori dhe ekipi ishin tepër të sjellshëm, të dashur dhe ndihmues. Muaj më vonë mu desh ti kërkoj Profesorit një rekomandim. Ai më dha më të mirin e mundshëm, duke shtuar se jo vetëm isha i mirë në punë, por edhe në sporte, meqë “e pata mundur” Profesorin një herë në ping- pong”, – tregon GJ.R.

-“ Nuk di a do të kem shancin të vazhdoj studimet për postdoktoraturë, -thotë L.P, një ish doktorante në Universitetin e Shanghaj-t, për Marrëdhënie Ndërkombëtare, e cila përveç, ushqimit “më të shijshëm se ç’duhet” nuk ka asnjë “ankesë” tjetër, pas 5 vitesh studimesh atje. Kinezët janë tepër të dashur, miqësorë, punëtorë, ndihmues e familjarë të mirë”.

            Vlerën e moralit, mirësisë e edukimit, kinezëve të sotëm ua ka mësuar Konfuci, 3 mijë vjet më parë. Duket se shoqëria e sotme, e cila megjithë modernizimin mbetet tradicionale, vazhdon të kultivojë të njëjtat vlera. Familja, trajtimi i të moshuarve, detyrimet ndaj komunitetit përdorimi i dialogut, më tepër sesa konfrontimi në jetën e përditëshme, – sipas studiuesve, janë tipare që mbizotërojnë edhe sot në  shoqërinë kineze.                                            …

             Me historinë më të gjatë të qytetërimit, mbi 4000 vjet më parë; me 56 grupe etnike zyrtare; me numrin me të madh të objekteve të trashëgimisë të ruajtura nga Unesko, {bashkë me Italinë}; me territorin, popullsinë e ekonominë, Kina e sotme është një botë më vete. Më shumë nga çdo tregues tjetër këtë e ka përçaktuar zhvillimi i ekonomisë, zgjerimi i saj.

SHPËRNDAJE