“PERSPEKTIVA E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-GREKE NË DHJETËVJEÇARIN 2021-2030″

0

nga Jordan Jorgji, PhD

Hyrje

Para pak kohësh u shënua përvjetori i tetëdhjetë e një i Luftës Italo-Greke të 28 Tetorit 1940. Celebrimi i kësaj dite këtë vit u zhvillua pa vëmendjen e veçantë të medias shqiptare. E kundërta ndodhi tre vite përpara, në 2018, kur dita e 28 Tetorit u kthye në një shpërthim tensioni dhe pasioni nga të dy anët e kufirit. (Tirana Times 2018). Mjafton ky dallim në përkujtimin e 28 Tetorit, festës kombëtare të Greqisë, për të kuptuar natyrën e marrëdhënieve të lëkundura dhe komplekse Shqiptaro-Greke.

Pyetja thelbësore e këtij studimi lidhet me eksplorimin dhe analizën e perspektivës së marrëdhënieve midis dy vendeve gjatë dhjetëvjeçarit që sapo kemi hyrë. Që të përgjigjemi është e pashmangshme dhe e pafalshme mos të njohim mirë dimensionin historik të marrëdhënieve Shqiptaro-Greke. Dhe pasi të kemi ndërthurur peshën e historisë me dinamikën e ngjarjeve bashkëkohore, do të jemi në gjendje të ravijëzojmë perspektivën e së ardhmes.

I. Pesha e historisë: trashëgimia e së kaluarës në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke

1. E para, e kaluara na lë çështje dhe probleme të pazgjidhura (Πάγκαλος 2017, 97-113; Krisafi 2014, 187-259), të cilat nga njëra anë reflektojnë pragmatizmin e ngurtë të marrëdhënieve politike dhe ndërshtetërore, por nga ana tjetër mbajnë peng një progres të mundshëm në raport me zgjidhjen e disa problemeve të trashëguara. Të tilla probleme janë: ekzistenca formale e ligjit të luftës, njohja e kufirit tokësor dhe detar, kërkesat e qeverisë shqiptare për Çamët, pronat e minoritetit grek në Shqipëri, etj.

2. E dyta, e kaluara na lë ngarkesën emocionale, e kultivuar nga ngjarjet e shekullit të 20-të, por që furnizohet vazhdimisht prej lëkundjeve të shpeshta që ndodhin në marrëdhëniet dypalëshe. Problemi çam është i tillë, në lidhje me emocionet e forta që përshkojnë opinionin publik në të dy anët e kufirit. Minoriteti grek në Shqipëri është gjithashtu burim i prodhimit të emocioneve, ndonëse në nivele më të kufizuara se sa zhvillimet e çamëve. (Manda 2015, 235-250; AIIS 2021, 22).

3. E treta, e kaluara na ka lënë gjuhën paragjykuese, e aplikuar në përdorimin e përditshëm, qoftë në nivelin e qytetarit të thjeshtë, por nganjerë edhe tek elitat politike dhe vendimmarrësit. Në Shqipëri, Greqia është portretizuar me shtetin që u kanë rënë në qafë Shqiptarëve, që ka dashur të coptojë shtetin shqiptar dhe t’iu ndryshojë fenë Shqiptarëve. (Lani & Schmidt 1998, 88; Kulla 2008, 81-82). Në mënyrë të ngjashme, Shqiptarët janë portretizuar në Greqi si turko-shqiptarë dhe Shqipëria si një shtet artificial, duke injoruar kështu karakterin nacional të shtetit fqinj, në dëm të elementit dhe identitetit fetar. (Λάμπρου 1949, 19).  

4. E katërta, marrëdhëniet e këqija, apo stanjative ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë përgjatë gjysmë shekulli (1940-1990) zeruan atë që do ta quaja ‘kapital human’ në kontaktet dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Pra, si rrjedhojë e izolimit të dy vendeve nga njëra-tjetra munguan hyrjet dhe daljet e qytetarëve për dekada me radhë, u shkëputën marrëdhëniet ndëretnike si dhe shkëmbimet ekonomike dhe kulturore. (de Rapper 2004, 167; Hoxha 1985, 243-250).

Të gjitha këto u thelluan gjatë katër dhjetëvjeçarëve të Luftës së Ftohtë, si pasojë e ndërthurjes së ndarjeve ideologjike me rivendikimet territoriale, apo me frikën e rivendikimeve. Duke e mbyllur këtë pjesë konkludojmë se pesha kryesore e së kaluarës është mos-kupuptimi i njëri-tjetrit, shpesh herë edhe dëshira për të mos e kuptuar njëri-tjetrin.

[1] Ky punim bazohet në fjalimin që autori mbajti në konferencën me temë “Marrëdhëniet Shqiptaro-Greke: formësimi i perspektivës së së ardhmes”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS), në Tiranë, Shqipëri, më 11 Nëntor 2021.

II. Pluralizmi i së tashmes: çfarë ndodh sot në marrëdhëniet dypalëshe?

Kur themi sot, i referohemi kontekstit aktual, i cili shtrihet në periudhën që fillon me përfundimin e Luftës së Ftohtë. Pra janë afërsisht tre dhjetëvjeçarë së bashku, ose më shumë se gjysma e periudhës 60 vjeçare, ku marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë ishin thuajse inekzistente. Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur zhvillime, të cilat u japin marrëdhënieve Shqiptaro-Greke natyrë më pluraliste, me faktorë që zbusin në një farë mënyre ndarjet e mëdha të së kaluarës. Le ti marrim me rradhë këta faktorë, roli i të cilëve i bashkohet peshës së historisë në ravijëzimin e perspektivës së marrëdhënieve dypalëshe.

1. Zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale

Fundi i sistemit bipolar në Luftën e Ftohtë i la vendin për shumë vite një sistemi unilateral, i karakterizuar nga hegjemonia e SHBA-ve. Në të njëjtën kohë, BE e forcoi prezencën e vet rajonale, kryesisht pas zgjerimeve të herëpasherëshme të saj. Të dy këta gjigandë vazhdojnë të jenë lojtarët e mëdhenj në arenën e Evropës juglindore. Gjithashtu, vihet re rritja e fuqisë së Turqisë, e cila po shndërrohet në një aktor me ambicie të forta rajonale, qoftë në kontekstin e popullsisë të saj, të mirëqenies ekonomike dhe zhvillimit ushtarak, por edhe për sa i përket kontrollit të pushtetit politik dhe stabilitetit të brendshëm.

Shqipëria ka forcuar marrëdhëniet dypalëshe me të tre këto fuqi: nga njëra anë me SHBA-në dhe BE-në për sa i përket sigurisë ndërkombëtare dhe integrimit Euro-Atlantik dhe nga ana tjetër me Turqinë, kur vjen fjala për sigurinë rajonale në Ballkan. Në rrugëtimin e parë, Shqipëria e gjen Greqinë si palë aleate, qoftë në rrugëtimin e anëtarësimit në BE, por edhe tek politikat e përbashkëta, të ushtruara në kuadrin e NATO-s. (Panagiotou 2011, 373). Kjo nuk ndodh në rrugëtimin e dytë, pra tek miqësia Shqipëri-Turqi, e cila shihet me nota xhelozie dhe bezdisje nga Athina zyrtare. (Xhudo 1995, 132-133).

2. Rritja e nacionalizmit

Rënia e perdes së hekurt dhe e ndarjeve ideologjike në fillimin e viteve 1990 kontribuoi për çlirimin e forcës që disponon nacionalizmi dhe për pasojë çoi në shpërthimin e konflikteve etnike. Pavarësia e Kosovës nga Serbia dhe faktorizimi i elementit shqiptar në Maqedoninë e Veriut pas vitit 2001 – si pasojë edhe e ndryshimet demografike në favor të kësaj popullate – rriti entuziazmin e Shqiptarëve karshi nacionalizmit të tyre. Mirëpo, rigjallërimi i nacionalizmit shqiptar ka shtuar pasigurinë e Greqisë në lidhje me zhvillimin e retorikës për Çamët pas vitit 1990, si dhe për sa i përket një frike të mundshme për masa represive përballë minoritetit grek në Shqipëri. (Nazarko 2014, 312; Hilaj 2013, 402).

3. Emigrantët shqiptarë dhe diaspora greke

Pas vitit 1990, të dy shtetet ndërmorën politika për kujdesin e diasporës përkatëse: Shqipëria me emigrantët e saj në Greqi, dhe Greqia me minoritetin grek në Shqipëri. Kjo krijoi kushtet për forcimin e afrimitetit midis dy shteteve respektivë, si nevojë koordinimi dhe bashkëpunimi. Më e rëndësishmja është se për herë të parë pas 60 vitesh dhe përgjatë tre dhjetëvjeçarëve me radhë janë krijuar dhe intensifikuar kontaktet njerëzore në raportet ndërmjet dy shteteve. Këtu kemi parasysh lëvizjet e emigrantëve, formimin e lidhjeve shpirtërore dhe martesat mikse, lëvizjet kulturore, bilinguizmin dhe mbi të gjitha rritjen e një gjenerate të re me prindër shqiptarë dhe grekë. (Vullnetari 2012, 88).

Natyrisht që ky afrim dhe kjo dinamikë e re ka edhe anët e veta problematike. Jo rallë herë janë krijuar fërkime dhe ngarkesa emocionale tek opinioni publik, si pasojë e paragjykimeve dhe keqinterpretimit në menaxhimin e politikave shtetërore përballë emigrantëve dhe minoritetit. Përmendim radhët e gjata në doganat greke dhe vështirësinë e kalimit të emigrantëve Shqiptarë, apo ngacmimin e kulteve fetare nga ana e autoriteteve shqiptare në ditët e shënuara, siç ishte për shembull rasti i prishjes së Kishës së Përmetit në vitin 2013. (Ilirjani 2004, 263; Shqiptarja.com 2013). 

Gjithashtu, në kuadrin e kujdesit social që Greqia i kushton homogjenëve të saj në Shqipëri nëpërmjet paketave financiare për moshën e tretë (pensionet e solidaritetit) përbën një lloj bezdisje në Shqipëri, në formën e perceptuar të ndërhyrjes në çështjet e brendshme të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Nuk është e rastësishme që rreth gjysma e të pyeturve e konsideron minoritetin etnik grek në Shqipëri si vegël të influencës së Greqisë në vendin tonë. (Albanian Institute for International Studies 2021, 24).

4. Kriza greke

Prej vitit 2008 dhe deri më sot, pra për më shumë se 13 vite, Greqia dhe vende të tjera në Evropë karakterizohen nga pasojat e krizës ekonomike të një dekade më parë, përfshirë këtu edhe pasojat e pandemisë të COVID-19. Që në momentet e para të shfaqjes së krizës u ndje se pesha e Greqisë në ushtrimin e politikës së jashtme të saj, të paktën me shtetet rajonale, do të binte për disa vite në vazhdim. I ndërgjegjshëm për këtë, ish-Ambasadori Grek në Tiranë, njëkohësisht njohës i mirë i marrëdhënieve me Shqipërinë, Aleksandros Mallias hyri në vitin 2012 në një debat artikujshkrimesh me ish-kryeministrin shqiptar, Pandeli Majko.

Mallias i bënte thirrje autoriteteve shqiptare të mos e shfrytëzonin dobësinë e Greqisë të shkaktuar nga kriza, ndërkohë që Majko theksonte se kishte ardhur një epokë e re e barazisë ndërmjet dy shteteve, në dallim nga superioriteti i treguar nga ana e Greqisë në të kaluarën. (Mallias 2012, 10). Në këndvështrimin e diplomatit grek nuk mjaftonte se si Grekët e shihnin një shtet tjetër, por edhe se si Greqia shihet prej të tjerëve. Perceptimet, gjykimet dhe paragjykimet formohen nga faktorë dhe konjuktura të ndryshme, që në atë rast ishte kriza ekonomike dhe pasojat e saj.

5. Probleme të reja dhe probleme praktike

Periudha e pas Luftës së Ftohtë shtoi tek marrëdhëniet Shqiptaro-Greke probleme të reja me karakter të fortë politik, siç është çështja e detit, por edhe të natyrës praktike, si për shembull: njohja e lejëve të drejtimit, bisedimet për njohjen e sigurimeve shoqërore apo shfuqizimi i rezervës së vulës Apostile. Zgjidhja e këtyre të fundit ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në lehtësimin e jetës së shqiptarëve në Greqi. Në rrugën e zgjidhjes duket se ka hyrë edhe problemi kompleks i delimitimit të zonave detare mes Greqisë dhe Shqipërisë, për të cilin është marrë zotimi i përbashkët që ti adresohet Gjykatës Ndërkombëtare, edhe pse mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

6. Praktika e miqësisë dhe e diskutimeve

Në gjysmën e parë të dekadës 2010, diplomacia greke dhe ajo shqiptare, të kryesuara përkatësisht nga ministrat Evangelos Venizelos dhe Ditmir Bushati ranë dakord në parim mbi nevojën e zgjidhjes në tërësi të problemeve shqiptaro-greke në formën e një pakete unike. Kjo nevojë u përsërit edhe gjatë viteve të mëvonshme mes Bushatit dhe ministrit të ri të jashtëm Grek në atë kohë, Nikos Kotzias.

Diplomacia e miqësisë “Bushati-Kotzias” në vitet 2015-2018, si dhe atmosfera e krijuar e bisedimeve në nivelet më të larta përbën një zhvillim me rëndësi të konsiderueshme për periudhën në fjalë, në kuadrin edhe të rolit udhëheqës që ka Athina në procesin e Europianizimit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së veriut. (Chryssogelos 2019, 615). Ndonëse ajo miqësi nuk i dha plotësisht frytet e veta në atë kohë, impakti i saj mbetet potencialisht prezent për të ardhmen, si shembull i hapjes dhe intensifikimit të diskutimeve ndërmjet palëve, në kontrast me retorikën e ngurtë të së kaluarës. (Albanian Institute for International Studies 2021, 17 & 26).

III. Boshtet kryesore në perspektivë: çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen?  

Duke marrë parasysh të gjitha sa u thanë më lart lind pyetja se çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen? Cilët janë faktorët dhe aktorët që mund të influencojnë perspektivën e marrëdhënieve dypalëshe?

1) Sinjalet sistemike dhe subsistemike: Shqipëria dhe Greqia në botën e influencës Euro-Atlantike

Përmirësimi strategjik i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të fuqishme nga njëra anë, si SHBA dhe Franca, dhe Greqisë nga ana tjetër, ndikon në favor të paqes dhe të bashkëpunimit në pellgun tonë. Duke qenë se Shqipëria ka partneritet strategjik me SHBA-në dhe paralelisht përpiqet që çdo ditë të mbajë gjallë vizionin e integrimit të saj në Bashkimin Evropan, nuk pritet të ndodhin fërkime të konsiderueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kujtojmë se kusht parësor i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është normalizimi i marrëdhënieve të saj me fqinjët, përfshirë Greqinë.

Përjashtim mund të përbëjnë incidente të izoluara dhe të ndikuara nga Turqia apo fuqi të tjera, si pasojë e rritjes së peshës specifike të tyre në raport me shtetet e Ballkanit perëndimor. Tuqia mund të përpiqet të konsolidojë pozitën e saj në vende me popullsi myslimane, si Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnja-Herzegovina, dhe si rezultat mund të minojë frytet e në bashkëpunmi më të ngushtë të Shqipërisë me Greqinë.

Dua të shtoj këtu si një tjetër aspekt se, nëse heqim nacionalizmin, Shqipëria ndan për më shumë se tridhjetë vite me radhë të njëjtën ideologji me Greqinë, atë të demokracisë liberale, ku ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe i shoqërisë civile përbëjnë shtyllat kryesore. (Tsakonas 2005, 431). Pra, konvergjenca ideologjike në vetvete dobëson polaritetin ndëretnik dhe territorial të së kaluarës. Nëse kësaj i shtojmë edhe raportet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare, investimet, lëvizjen e kapitalit dhe industrinë e turizmit, lidhjet që mund të forcohen mes dy vendeve do të jenë në gjendje të kapërcejnë ndarjet ndëretnike. (Albanian Institute for International Studies 2021, 26).

Gjithashtu, dinamika demografike e të dy vendeve, e cila dëshmon mbi plakjen e popullsisë dhe rritjen e saj me ritme shumë të vogla, mund të afrojë të dy shtetet akoma më shumë. Në rast se të dy vendet në fjalë kthehen në destinacione jo-tranzitore për rryma rrefugjatësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, kjo do të kërkojë një koordinim më të mirë të Shqipërisë dhe Greqisë, në lidhje me menaxhimin e sfidave demografike dhe sociale të cilat i tejkalojnë kufijtë kombëtarë.

2. Frytet e diplomacisë Bushati-Kotzias: zgjidhja e problemeve praktike dhe politike

Pranimi i nevojës së zgjidhjes së problemeve në tërësi dhe praktika e bisedimeve dypaleshe të zhvilluara në Kretë dhe në Korçë, të kryesuara nga ministrat e jashtëm Bushati dhe Kotzias, mund të japin frytet e veta, të paktën për një pjesë të problemeve me natyrë praktike. Zgjidhja e tyre do të lehtësonte jetën e komunitetit shqiptar në Greqi, por edhe bashkëpunimin mes dy vendeve në shumë fusha. Po përmend këtu njohjen e lejëve të drejtimit, marrëveshje e cila për tu zbatuar në realitet ka nevojë për një koordinim më të madh dhe efiçent. Probleme të tjera praktike që mund të gjejnë rrugën e zgjidhjes gjatë këtij dhjetëvjeçari janë njohja e sigurimeve shoqërore dhe thjeshtëzimi në njohjen e diplomave universitare.

Ajo që vlen të theksohet është se bisedimet kanë krijuar një frymë besimi, të nevojshme për diskutimin dhe gjetjen e zgjidhjeve të problemeve që janë më komplekse në natyrën e vet dhe me karakter të konsiderueshëm politik. Mund të përmendim heqjen formale të ligjit të luftës, marrëveshjen për kufirin tokësor, apo çështjen e pronave për minoritetin grek në Shqipëri. Paralelisht, zgjidhja e tyre do të krijojë kushtet e përshtatshme për plotësimin e aspekteve që lidhen me kërkesat bashkëkohore të çamëve, një problem tejet i vështirë, dhe për të qenë i sinqertë, disi anakronik për kohën aktuale, në formën klasike të tij.

Një problem tjetër i ri dhe me rëndësi politike, ekonomike dhe strategjike në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke është çështja e detit, pra delimitimi i shelfit kontinental, interpretimi i së cilës është rënë dakord për t’ju adresuar Gjykatës Ndërkombëtare. Kjo nënkupton të paktën tre gjëra kryesore: a) shumica e opinionit publik e miraton këtë zhvillim, siç duket edhe në rezultatet e sontazhit (Albanian Institute for International Studies 2021, 25); b) lehtësimin e qeverive respektive, duke hequr nga vetja peshën e një kostoje të mundshme politike, c) zgjidhjen e qëndrueshme, sepse jepet nga një organ asnjëanës dhe me prestigj ndërkombëtar. Megjithatë, varet se kur palët do të bien dakord të adresojnë së bashku çështjen në Gjykatën ndërkombëtare, pasi është rënë dakord vetëm në parim, por konkretisht nuk kemi asnjë datë të saktë apo veprim të qartë dhe konkret.

Pritet gjithashtu dakordësimi i një traktati të ri të miqësise dhe bashkëpunimit, i cili do të zëvendësojë traktatin në fuqi të firmosur në vitin 1996, plot një çerek shekulli më parë. Zgjidhja e problemeve, qoftë në tërësi apo e një pjese të tyre, do të reduktojë energjinë negative nga marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe do të gjenerojë më shumë fokusim në fushat e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor.

3. Faktori shqiptar dhe problemet rajonale: depërtimi i mëtejshëm i Greqisë

Greqisë i nevojitet bashkëpunimi i faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit perëndimor, me qëllim që ajo të forcojë mëtejshëm marrëdhëniet e saj me këto vende. Zgjidhja e problemit të emrit të Maqedonisë së Veriut i kushtohet, mes të tjerash, edhe kontributit të partisë shqiptare BDI, e cila në atë periudhë ndodhej në koalicion me partinë qeverisëse të Zoran Zaev. Fryma bashkëpunuese me BDI-në dhe partitë e tjera shqiptare do ti duhet përsëri diplomacisë Greke, me qëllim paprekshmërinë e aspekteve dhe pasojave që rrjedhin nga marrëveshjen e arritur, si dhe për ruajtjen e kontakteve me vendin fqinj në veri.

Nga ana tjetër, edhe Shqipërisë së bashku me faktorin shqiptar i nevojitet bashkëpunimi me Greqinë, kryesisht për shkak të rolit që ka Athina në integrimin evropian të këtyre vendeve, përkatësisht Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të zi, por edhe me synim thithjen e investimeve greke dhe programeve evropiane. Njohja e Kosovës mbetet sfida më e madhe rajonale, e cila mund të ndodhë brenda dekadës që sapo kemi hyrë. Konkretisht dhe praktikisht, Greqia ndodhet në mesin e rrugës së njohjes së Kosovës, dhe rruga e mbetur deri në njohjen e plotë nuk mund të zgjasë përjetësisht.

4. Fuqizimi i faktorit social, si humanizim në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke

Në vitet e para të demokracisë, siç i quajmë zakonisht vitet 1990, dëgjonim shpesh në biseda mes miqsh të thuhej në mënyrë të mitizuar se Arvanitët nuk pranonin të flasin shqip për arsye se u vinte turp të identifikoheshin me Shqipërinë. Sot kjo nuk mund të thuhet për ish-emigrantët Shqiptarë të viteve ‘90, të cilët jo vetëm gëzojnë respekt për ngritjen e jetës së tyre ekonomike dhe shoqërore në Greqi, por edhe për arsye sepse u rritën dhe i rritën fëmijët e tyre së bashku me bashkëqytetarët Grekë. Martesat mikse, lindja, rritja dhe shoqërizimi i fëmijëve me prindër Grekë dhe Shqiptarë – për rrjedhojë me një pasuri identitetesh – si dhe vizitat e shpeshta të tyre dhe familjarëve të tyre drejt Shqipërisë dhe Greqisë bëjnë që sot të ekzistojë në Greqi dhe të eksportohet drejt Shqipërisë një frymë familjariteti, në nivel praktik dhe jo vetëm teorik, në kuptimin e integrimit drejt një qytetarie të përbashkët greke, duke ruajtur dhe kultivuar paralelisht origjinën, gjuhën dhe kontaktet me Shqipërinë.

Ajo që po përpiqem të them është se marrëdhëniet e ngurta në nivel ndërshtetëror gjatë viteve të kaluara, do të disponojnë gjithashtu një dimension të zhvilluar human, pra të marrëdhënieve të kultivuara ndërmjet popujve. Kjo dinamikë do të shtrihet edhe në përfaqësimin politik të gjeneratës së dytë apo të tretë të emigrantëve shqiptarë, përfshirë edhe numrin e madh të politikanëve të rinj Grekë, të cilët kanë kaluar vitet e fëmijërisë dhe rinisë së tyre me bashkëmoshatarë me origjinë Shqiptare. Marr shkas nga fjalët e kryebashkiakut të Athinës dhe politikanit në ngjitje në Greqi, Kostas Bakojanis, i cili në Qershor të vitit 2021 deklaroi për një kanal televiziv shqiptar se: “Aq sa jam unë Athinas janë dhe ata. Fëmijët e tyre janë rritur me fëmijët tanë, ata shkojnë në shkollë me fëmijët tanë, kanë hyrë në ushtri me fëmijët tanë dhe punojnë të gjithë së bashku. Nuk ekzistojnë më dallime”. (Euronews Albania 2021).  

Përmendim gjithashtu kategorinë e njerëzve që kanë studiuar pranë universiteteve greke dhe sot janë orientuar në poste me rëndësi publike në Shqipëri, siç janë postet politike, administrative, mediatike, apo dhe katedrat universitare dhe bota kërkimore-shkencore. Këta njerëz kanë impakt të përditshëm në dinamikën e shoqërisë shqiptare dhe mund të quhen me plot gojë ambasadorë të fuqisë së butë të Greqisë dhe Shqipërisë në raport me njëra-tjetrën.  

Fuqia e butë konsolidohet edhe si rezultat i kapitalit social të marrëdhënieve dypalëshe, i kultivuar për vite me radhë dhe i ardhur në ndihmë të përfituesëve dhe ambienteve të tyre familjare e shoqërore. Këtu kam parasysh qindra e mijëra studentë që kanë studiuar në Greqi, kanë përfituar strehim falas dhe ushqim falas nëpër konviktet greke, si dhe kanë marrë pa asnjë kosto financiare literaturën e nevojshme universitare. Shtojmë edhe qindra e mijëra Shqiptarë, të cilët janë trajtuar pa asnjë kosto nëpër spitalet e Greqisë, qoftë gjatë viteve të paqes, por edhe gjatë viteve të trazuara 1997-1998. Nuk është e rastësishme që fryma pozitive e perceptimit të marrëdhënieve shqiptaro-greke pasqyrohet edhe në sontazhin e fundit. (Albanian Institute for International Studies 2021, 14-16).

5. Kultura dhe turizmi afrojnë të dy vendet

Një dimension tjetër i rëndësishëm i rritjes të numrit dhe të thellësisë të kanaleve të komunikimit ndërmjet dy vendeve, qoftë në aspektin fizik midis popujve, por edhe në atë të shoqërisë dixhitale, është zhvillimi i turizmit dhe i kanaleve kulturore.

Për sa i përket të parit, turizmit, ai favorizohet nga rritja e mirëqenies të një pjese të madhe të Shqiptarëve, të cilët tani e shohin Greqinë si destinacionin e tyre kryesor ku dëshirojnë të kalojnë pushimet verore. Gjithashtu, rritja e kapaciteteve turistike të Shqipërisë e vendos këtë vend drejt bashkëpunimit turistik me Greqinë, me qëllim thithjen e turizmit të organizuar me destinacion të dy vendet. Të dy palët mund të përfitojnë nga industria e turizmit, e cila është kthyer në një magnet që afron vendet drejt bashkëpunimit të qëndrueshëm.

Njëkohësisht, i është dhënë hov organizimit të veprimtarive kulturore që sjellin dy vendet më afër njëri-tjetrit. Përmendim organizimin e koncerteve të këngëtarëve Grekë në Tiranë, organizimin e festivalit folklorik ballkanik dhe të kampionatit sportiv ballkanik të atletikës për të moshat e rritura në qytetin e Korçës, çeljen e parkut helen të Tiranës dhe organizimin e maratonës së Tiranës. Kërkimet e përbashkëta arkeologjike përbëjnë një fushë tjetër ku mund të vazhdojë bashkëpunimi mes specialistëve Shqiptarë dhe Grekë, me qëllim mbrojtjen e një trashëgimie të përbashkët kulturore, se sa riprodhimin e klisheve me natyrë etnocentrike. Përmendim këtu grupin e përbashkët arkeologjik, që prej shumë vitesh punon në Maligradin e zonës së Prespës.

6. Bashkëpunimi ndër-universitar: një fushë e virgjër bashkëpunimi

Do ta mbyll me qershinë mbi tortë, me potencialin që kanë universitetet dhe dija për të ndërtuar dhe konsoliduar bashkëpunimin përmbi kufijtë tradicionalë. Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve përbën sot një drejtim kryesor në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, drejt evropianizimit të dijes, si dhe drejt lidhjes së saj me tregun e punës, me kapacitetet gjuhësore dhe me teknologjinë.

Universitetet shqiptare kanë nevojën e bashkëpunimit strategjik me universitetet e vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian, me qëllim rritjen e vizibilitetit të diplomave. Duke qenë se Greqia fqinj është vend-anëtar i Bashkimit Evropian, universitetet e saj cilësore shihen si busulla kryesore orientuese për disa nga universitetet shqiptare, mes tyre edhe për Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës. Por edhe interesi i universiteteve Greke për bashkëpunim me universitetet shqiptare buron nga strategjia e tyre e zhvillimit dhe e hapjes drejt Ballkanit.

Natyrisht që thellimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit mes ministrive të jashtme dhe atyre të arsimit të dy vendeve për njohjen e diplomave universitare do të çojë në thellimin dhe konkretizimin e bashkpunimit ndër-universitar në nivelin më të lartë të tij, siç është hapja e degëve të përbashkëta, lëshimi i diplomave të përbashkëta dhe organizimi i kurrikulës me lëndë dhe module që i afrojnë më tej gjeneratat e reja me të dy vendet. Do të shtoja këtu bashkëpunimin që ekziston në fushën e arsimit, për sa i përket koordinimit të hartimit të teksteve shkollore dhe minimizimit të shprehjeve me natyrë etnike, raciale dhe etnocentrike të skajshme.

Përfundime

Duke vështruar nga e shkuara dhe duke parë nga e sotmja, ne jemi në gjendje të ravijëzojmë shtyllat kryesore të marrëdhënieve Shqiptaro-Greke në perspektivë, gjatë dekadës 2021-2030, të analizuara më sipër. Këto shtylla janë në harmoni me teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare për sa i përket formulimit dhe zbatimit të politikës së jashtme, së bashku me influencën që ushtrojnë aktorë dhe faktorë të ndryshëm. Të tilla shtylla janë dinamikat globale dhe rajonale, forca e ideologjive, konkretisht e nacionalizmit nga njëra-anë dhe e demokracisë liberale nga ana tjetër, kapitali human dhe social, ekonomia, tregtia, turizmi, si dhe kapitali i dijes.

Për ta mbyllur, kjo tablo e parë me sy pozitiv nuk anashkalon tensionet e ndryshme që mund të lindin në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, qoftë si pasojë e peshës së problemeve të së kaluarës, apo si shkak i ndërhyrjeve nga shtete të treta për interesat e veta strategjike në rajon. Edhe të intervistuarit tregohen ‘me këmbë në tokë’ kur ata u pyetën që të parashikojnë se si do jenë marrëdhëniet Shqiptaro-Greke gjatë pesë viteve të ardhshme. Opinionet e tyre ndahen pothuajse në mënyrë të barabartë ndërmjet optimistëve dhe atyre që mendojnë se marrëdhëniet dypalëshe nuk do të shënojnë ndonjë ndryshim pozitiv. (Albanian Institute for International Studies 2021, 18).

Megjithatë, afërsia gjeografike, vizioni i përbashkët Euro-Atlantik dhe kanalet e komunikimit përbëjnë faktorë themelorë të një afrimi të mëtejshëm të Shqipërisë dhe Greqisë gjatë këtij dhjetëvjeçari të ri. Le të mos e humbim shpresën!

Bibliography

1. Albanian Institute for International Studies & Hanns Seidel Stiftung. 2021. “Albanian-Greek Relations: Perceptions and Realities.” Tirana, Albania.

2. Chryssogelos, Angelos. 2019. “Europeanisation as de-politicisation, crisis as repoliticisation: the case of Greek foreign policy during the Eurozone crisis.” Journal of European Integration 41, no. 5: 605-621.

3. de Rapper, Gilles. 2004. “‘We are not Greek, but…’: Dealing with the Greek-Albanian Border among Albanian-speaking Christians of Southern Albania.” Southeast European and Black Sea Studies 4, no. 1: 162-174.

4. Hilaj, Arjan. 2013. “The Albanian National Question and the Myth of Greater Albania.” The Journal of Slavic Military Studies 26, no. 3: 393-413.

5. Hoxha, Enver. 1985. Dy popuj miq. Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste. Tiranë: Shtëpia botuese ”8 Nëntori”. 

6. Ilirjani, Altin. 2004. “Albania and the European Union.” Mediterranean Politics 9, no. 2: 258-264.

7. “Kisha e Përmetit, Greqia “merr hak”, rradha 2 km në kufi.” Shqiptarja.com, August 19th, 2013. https://shqiptarja.com/lajm/kisha-e-permetit-greqia-merr-br-hak-rradha-2-km-ne-kufi.

8. “Kostas Bakoyannis: Greece and Albania share the political will to cooperate.” Euronews Albania, June 22, 2021.

9. Krisafi, Ksenofon. 2014. “Marrëdhëniet shqiptaro-greke në sfondin e Traktatit të Miqësisë dhe hijeve të Ligjit të luftës.” In Epiri i Jugut, Çamëria, edited byRomeo Gurakuqi & Ketrina Çabiri, 187-259. Tiranë: UET Press.

10. Kulla, Ndriçim. 2008. Dritëhije Shqiptaro-Greke. Tiranë: Plejad.

11. Lani, Remzi, and Fabian Schmidt. 1998. “Albanian foreign policy between geography and history.” The International Spectator 33, no. 2: 79-103.

12. Mallias, Alexandros. 2012. “Replika me Majkon. Diplomati grek: E vërteta për Kosovën.” Gazeta Shqiptare, April 11, 2012.

13. Manda, Eleftheria. 2015. Çamët myslimanë të Epirit (1923-2000). Tiranë: Botimet Toena.

14. Nazarko, Mentor. 2014. “Pesha e kohës në zgjidhjen e çështjes së pronësisë në Çamëri në procesin europianizues të Greqisë dhe Shqipërisë.” In Epiri i Jugut, Çamëria, edited byRomeo Gurakuqi & Ketrina Çabiri, 309-340. Tiranë: UET Press.

15. Panayotis. Tsakonas. 2005. “Theory and Practice in Greek Foreign Policy.” Southeast European and Black Sea Studies 5, no. 3: 427–437.

16. Panagiotou, Ritsa. 2011. “Albania and the EU: from isolation to integration.” Journal of Balkan and Near Eastern Studies 13, no 3: 357-374.

17. Rakipi, Albert. 2008. Weak States and Security. Rethinking the Balkan Post-Cold War Security Agenda. Tiranë: AIIS.

18. Vullnetari, Julie. 2012. Albania on the Move. Links Between Internal and International Migration. Amsterdam: Amsterdam University Press.

19. Xhudo, Gus. 1995. “Tension among neighbors: Greek‐Albanian relations and their impact on regional security and stability.” Studies in Conflict & Terrorism 18, no. 2: 111-143.

20. Λάμπρου, Χαρίτων. 1949. Οι Τσάμηδες και η Τσαμουριά. Αθήνα.

21. Πάγκαλος, Θεόδορος. 2017. “Κατάσταση και προοπτικές των Ελληνοαλβανικών Σχέσεων.” In Φυγή στο μέλλον ή επιστροφή στο παρελθόν; edited by Αλέξανδρος Μαλλιάς, 97-113,  Αθήνα: Εκδ. Σιδέρης.

SHPËRNDAJE