Nga: Sokol Bregu
Në janar të këtij viti 2021, qeveritë në çdo vend të botës ishin të shqetësuara në lidhje me menaxhimin e pandemisë. Qeveria shqiptare, u vu në vështirësi për një gjetje të shpejtë të krizës dhe furnizimin me vaksina. Ndërsa u fut në tregjet ndërkombëtare për blerjen e tyre, ajo hasi vështirësi, derisa në mars qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje në Turqi, prej 1 milionë dozash Coronavac. Në 25 mars të këtij viti, kur nga Turqia mbërritën në Rinas 192 mijë dozat e para të kësaj marrëveshje, Shqipëria kishte arritur të kryente vetëm 56 mijë vaksina.
Vaksina Coronavac, e hyrë në sistemin shëndetësor shqiptar, do të ishte një ndër vaksinat e cila do të përdorej gjerësisht dhe më shumë nga të gjithë ata që ishin të interesuar të vaksinoheshin. Sipas burimeve zyrtare në Shqipëri, deri më tani kanë mbërritur më shumë se 2 milionë e 600 mijë vaksina në vendin tonë, të llojeve të ndryshme, por sasia më e lartë mbetet Coronavac. Më shumë se 2.2 milionë vaksina janë kryer, nga të cilat më shumë se 1,3 milionë janë dozë e parë, 1.1 milionë janë doza të dyta, dhe më shumë se 130 mijë janë doza të treta. Numri më I lartë I të vaksinuarëve ka marrë vaksinën kineze. Shqipëria tashmë po përgatitet për të kryer qindra mijëra vaksina të tjera, ku një pjesë të veçantë e zë edhe vaksina kineze e cila tashmë është njohur në Shqipëri, dhe aplikohet nga institucionet shëndetësore.
Por pse shërbeu më tepër Coronavac në Shqipëri dhe pse marrja e saj ishte e domosdoshme?
Ministria e Shëndetësisë hartoi një strategji për vaksinimin e popullsisë. Sic dihet vaksinat kërkojnë kapacitete ftohëse për ruajtjen e tyre. Kapacitete që vetëm për vaksinën kineze Shqipëria I ka në shifra të larta. Ajo nuk mund të sigurojë kapacitete të larta për disa nga vaksinat e prodhuara në botë, dhe që kërkojnë ruajtje në -20 gradë, apo -70 gradë. Sistemi shqiptar i shëndetësisë ka kapacitete deri në 1 milione e 600 mijë vaksina në ruajtje në total për të gjitha vaksinat e njohura nga Shqipëria dhe një kapacitet prej 7 milionë dozash për vaksinën kineze, çka automatikisht e bën atë edhe më populloren. Vaksina kineze sipas autoriteteve shtetërore shqiptare mund te ruhet jo vetëm në nivele qendrore por edhe në ato lokale. Ndaj në strategjinë e saj, Shqipëria kërkoi të furnizohej me ndarje në disa dërgesa për ta menaxhuar sa më mirë atë.Coronavac, apo e njohur si vaksina Sinovac, është një prej katër vaksinave kineze, por e vetmja që është në përdorim në Shqipëri. Ajo është një vaksinë e inaktivizuar e virusit COVID-19 e zhvilluar nga kompania kineze Sinovac Biotech. Testimet klinike të fazës së saj të fundit u zhvilluan në Brazil, Kili, Indonezi, Filipine dhe Turqi dhe u mbështetën në një teknologji të ngjashme edhe me vaksinën Sinopharm.
CoronaVac është më e lehtë për transport sepse nuk ka nevojë për temperatura shumë të ulëta. Dhe kjo e bëri atë tepër efektive në vende jo shumë të zhvilluara në shendëtësi si Shqipëria. Kjo pasi lënda e parë për zhvillimin e saj mund të transportohet në frigorifer në 2–8 °C, temperaturë në të cilën mbahen zakonisht edhe vaksinat e gripit. Ndaj shtetet që e përdorën atë kishin infrastrukturën e duhur për të mbajtur sasi të konsiderueshme dozash. Një ndër vendet e para që e u vaksinua me këtë lloj vaksine ishte Kili. Kur më shumë se dhjetë milionë kilianë morën CoronaVac vdekjet ranë me 86%. Ndërsa në Brazil ku më shumë se 75 përqind e popullsisë u vaksinua pikërisht me Coronavac, vdekjet ranë me 95%. Brazili përpara fillimit të fushatës së vaksinimit ishte një ndër shtetet me numrin më të larë të vdekjeve në botë. Aktualisht CoronaVac njihet dhe përdoret në 47 shtete të botës nga Azia, Amerikës Latine dhe Evropa Lindore. Sinovac firma që e prodhon atë, arriti një kapacitet prodhues prej 2 miliardë dozash në vit. CoronaVac mbetet vaksina më e përdorur për COVID-19 në botë, me 943 milionë doza të të kryera.
Sinopharm
Pavarësisht se nuk është prezente në Shqipëri, një ndër Vaksinat e tjera kineze ajo Sinopharm, ka një njohje më të gjerë në botë. Ajo është e njohur nga 71 shtete të botës, mes të cilave edhe vende të BE-së, si Greqi, Spanjë, Finlandë, Hungari, Qipro, Hollandë apo Islandë. Vaksina u zhvillua nga Instituti i Produkteve Biologjike të Pekinit të Sinopharm, dhe fazën përfundimtare të testimit e zhvilloi në shtatë shtete të ndryshme të botës, EBA, Argjentinë, Egjipt, Bahrein, Egjipt, Peru, Marok dhe Pakistan. Efikasiteti i saj është vetëm tre ose katër përqind më pak se Moderna. Por ajo mund të transportohet dhe të ruhet në temperatura normale në frigorifer.Sinofarm arriti të prodhojë gjatë këtij viti më shumë se 1 miliardë doza.
Ndihma për pandeminë
Republika Popullore e Kinës ishte ndër të paktat shtete të cilat dhuruan gjatë pandemisë me një shumë prej 500 mijë eurosh. Kina ne prill të vitit 2020, dhuroi 3 ton ndihma mjekësore për Shqipërinë për të përballuar situatën e krijuar nga përhapja e COVID-19. Dhurata e Republikes Popullore të Kinës erdhi pikërisht në kohën më të vështirë të pandemisë. Zv/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli e cila ishte edhe autoriteti më I lartë shëndetësor gjatë marrjes në dorëzim të këtyre ndihmave, u shpreh asokohe se pajisjet do të ndihmonin ekipet mjekësore shqiptare në përballimin sa më mirë të kësaj lufte. Ndihmat e ofruara nga Kina përbëheshin nga 5 mijë kite diagnostifikimi si dhe materiale të mbrojtjes personale për stafet mjekësore që në muajin prill, përballeshin me një ndër situatat më të vështira në Shqipëri. Por këto dhurata që ju dorëzuan qeverisë shqiptare nga amabsadori kinez I akredituar në shqipëri, nuk ishin të vetmet. Ajo që u kthye në simbolikën më të bukur ishte një dhuratë e nje prej modelëve më të njohur shqiptar në botë, Rolando Lekaj, i cili është i martuar me një biznesmene kineze. Ai edhe me ndihmën e ambasadës së Kinës në Shqipëri dhuroi 300 mijë maska kundra kovid, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në vendlindjen e tij në Lezhë, për spitalin rajonal aty. Një shenjë mirënjohje për vendin e tij dhe qytetin e lindjes, si edhe një shenjë simbolike të një cifti shqiptaro kinez, të cilat nuk janë të pakta. Republika Popullore e Kinës, dhuroi edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Prej fillimit të pandemisë shkencëtarët në botë ishin të qartë: masa e vetme efektive afatgjatë do të ishin vaksinat. Të gjitha të tjerat ishin masa të përkohshme. Ardhja e Coronavac në Shqipëri shënoi fillimin e ndryshimit të rrjedhës së pandemisë në vend. Coronavac dhe Sinopharm u bënë në të gjithë botën dy armë të fuqishme kundër Covid-19.