VDEKJET E PARAKOHSHME PËR SHKAK TË NDOTJES – BALLKANI ËSHTË MË KEQI

0

Ndotja e ajrit në Ballkanin Perëndimor shkakton një numër të madh vdekjesh të parakohshme, dhe pasojat përfshijnë jetëgjatësinë më të shkurtër dhe përkeqësimin e shëndetit publik – prandaj është e nevojshme të përmirësohet urgjentisht cilësia e ajrit dhe shëndeti publik, duke përmirësuar sistemet shëndetësore. Kështu deklaroi Fondi Evropian për Ballkanin gjatë zbatimit të këtij muaji të fazës së tretë të fushatës së tij “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” me partnerë nga rajoni.

Qëllimi i kësaj faze të fushatës është të informojë qytetarët për pasojat e ndotjes në shkallën e vdekshmërisë dhe shëndetit në Ballkanin Perëndimor dhe t’i ftojë ata të bashkohen në luftën për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe zgjatjen e jetës sonë.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, cilësia e dobët e ajrit në rajon shkakton më shumë se 30,000 vdekje të parakohshme, dhe Qendra e Përbashkët Kërkimore e BE-së thekson faktin se ndotja e ajrit mesatarisht kontribuon në uljen e jetëgjatësisë midis 0.4 dhe 1.3 vite në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Studimet tregojnë gjithashtu se termocentralet me qymyr vetëm në Ballkanin Perëndimor përbëjnë dëme ekonomike që variojnë midis 1.2 miliardë dhe 3.4 miliardë euro në vit për kostot e kujdesit shëndetësor.

Kërkesat e fushatës “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” janë si më poshtë:

• Përcaktimi i uljes së ndotjes së ajrit si prioritet kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar dhe integrimi i tij në të gjitha proceset e planifikimit.

• Rritja e fondeve buxhetore për kontrollin e ndotjes dhe krijimi i sistemeve për monitorimin e ndotjes dhe efekteve të saj në shëndet.

• Duhet të ndërtohen partneritete shumësektoriale në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal për të përmirësuar kontrollin e ndotësve dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

• Parandalimi i sëmundjeve jo të transmetueshme që vijnë nga cilësia e dobët e ajrit duhet të integrohet midis prioriteteve të politikave mjedisore dhe shëndetësore.

Për të ndihmuar në zgjatjen e jetës, bashkohuni me luftën e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në solidaritet dhe bëhuni pjesë e fushatës “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër”.

Fushata “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” u iniciua nga Fondi Evropian për Ballkanin në partneritet me këto organizata: Eco Forum nga Zenica, Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit nga Tirana, Sbunker dhe Balkan Green Foundation nga Prishtina, Air Care nga Shkupi, OZON nga Podgorica, Instituti Rregullator i Energjive të Rinovueshme dhe Mjedisit dhe Shkolla e Hapur e Beogradit nga Beogradi. Ajo zhvillohet për të dytin vit radhazi, duke synuar ndërgjegjësimin e qytetarëve të rajonit për shkaqet dhe pasojat e ndotjes, mënyrat e mundshme të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe luftën për një mjedis më të shëndetshëm. “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal për transformimin e industrisë së energjisë dhe sistemit të mbrojtjes së mjedisit, i cili do të përmirësonte si ekonominë ashtu edhe shëndetin publik.

SHPËRNDAJE