Viti i Ri Kinez festohet në Tiranë

0

Viti i Ri Kinez u festua dhe në kryeqytetin shqiptar me një ceremoni festive organizuar në Tiranë nga ambasada e Kinës dhe Bashkia e Tiranës. Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, kryetari i Bashkise së Tiranës Erion Veliaj, ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, politikanë, përfaqësues të trupit diplomatik, të Institutit “Konfuci”, përfaqësues të biznesit dhe miq të ftuar.

Duke folur për traditën mijëravjeçare kineze të festimit të Vitit të Ri, ambasadori Zhou përmendi thënien kineze: “Një vit i mirë përcaktohet nga pranvera e tij”. Një vend të posaçëm ai u kushtoi edhe Lojërave Olimpike të Pekinit, duke përshëndetur me këtë rast dhe ekipin shqiptar pjesëmarrës në to, që ishte i pranishëm në ceremoni.

“Mezi pres të shoh flamurin kuqezi të valëvitet sërish në Pekin. Ndërsa festojmë Vitin e Ri Kinez që përkon me Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, le t’i shijojmë Lojërat së bashku duke u frymëzuar nga motoja olimpike ‘Më shpejt, më lart, më fort, së bashku’, si edhe nga parulla e Lojërave Olimpike të Pekinit ‘Së bashku për një të ardhme të përbashkët’,” tha ambasadori Zhou Ding.

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vlerësoi bashkëpunimin me ambasadën kineze dhe shprehu mirënjohje për ndihmën e dhënë nga Kina për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë së COVID-19. “Në prag të Vitit të Ri Kinez, u uroj të gjithë miqve kinezë një vit të mbarë e të lumtur,” tha kryebashkiaku i Tiranës.

Për të mesuar më shumë rreth Vitit të Ri Kinez, historikut dhe traditave që e shoqërojnë këtë festë, kliko këtu https://europa.com.al/index.php/2021/11/26/cili-eshte-viti-i-ri-kinez-dhe-pse-eshte-ndryshe-nga-pjesa-tjeter-e-botes/?_thumbnail_id=2512

SHPËRNDAJE