Nga Arian Starova
Historia e shkruar nuk ka shënuar asnjëherë ndasi fetare për t’u shënuar ndër shqiptarët, përveç dallimeve që lidhen me ritet e veçantë të adhurimit ndaj Zotit. As konflikte të çfarëdoshëm fetarë. As ndonjë luftë fetare ndërmjet tyre.
Në të kundërt, kjo histori ka dëshmuar deri në ditët e sotme për një bashkëjetesë ndërfetare ndërmjet shqiptarëve të cilën nuk mund ta krahasojmë dhe as përngjasojmë me atë të ndonjë bashkësie tjetër njerëzore shumëfetare. Për vetë shqiptarët, kjo bashkëjetesë ndërfetare përbën vetëm një fakt të zakonshëm të jetës së tyre. Ajo është njohur dhe vlerësuar nga studjues dhe vëzhgues joshqiptarë si dukuria e papërsëritshme e bashkëjetesës ndërfetare shqiptare.
E papërsëritshmja ndërfetare e shqiptarëve shfaqet në respektin dhe pjesmarrjet në ceremonitë fetare të ndryshme të besimtarëve, në martesat e shumta të njerëzve me fe të ndryshme, në varrezat e përbashkëta, në vizitat e vendeve të shenjtë të njeri tjetrit, në bashkëpunimin e klerikëve të feve të ndryshme për çështje të përbashkëta mbarëshqiptare. Tregojnë se në të kaluarën e largët të para Luftës II Botërore, ka pasur edhe raste natyrisht të rrallë kur në mungesë të klerikut musliman, shërbesat e varrimit janë bërë nga prifti i fshatit. Pas shembjes së komunizmit në Shqipëri dhe rivendosjes së lirisë fetare, besimtarët e feve të ndryshme e kanë ndihmuar njeri tjetrin në ringritjen e institucioneve të tyre fetarë. Një prej shembujve më të spikatur të bashkëjetesës ndërfetare të shqiptarëve është pjesmarrja e përvitëshme pa dallim fetar e besimtarëve në ceremonitë e 13 të martave të Kishës së Shna Ndout, pranë qytetit të Laçit. Faktet janë të pafundëm, prej së kaluarës dhe prej së sotmes.
Dukuritë e papërsëritëshme kanë edhe shpjegimin e tyre dhe, natyrisht, jo të padiskutueshëm. Duke u nisur nga fakti i ndërrimit të fesë të shumë shqiptarëve për shkak të pushtimin otoman, ka shumë njerëz dhe ndoshta edhe studjues të feve, të cilët e mendojnë këtë fakt si tregues i dobësisë së besimit fetar të shqiptarëve, i cili u nënshtrua kundrejt interesave pragmatiste jetësorë të ofruar nga pushtuesi otoman. Raste të tillë të besimtarëve të veçantë mund të ketë pasur, por kjo nuk ka ndodhur vetëm me shqiptarët. Prandaj, ky nuk mund të jetë shpjegim përderisa kemi të bëjmë me ndërrim masiv të fesë nga të krishterë në muslimanë ndër shqiptarët.
Shpjegimi, ndoshta duhet kërkuar më thellë në psikikën e shqiptarëve.
Para së gjithave, mund të thuhet se ndoshta shqiptarët kanë kuptuar në mënyrë spontane, apo intuitive për shkak të vetë historisë së tyre shumë të vjetër, se besimi në Zot është më i rëndësishëm sesa mënyra sesi njeriu i falet Atij, si musliman apo si i krishterë. Prandaj ata nuk kanë qenë asnjëherë fanatikë mendjembyllur.
Një arësye tjetër mund të ishte se ndoshta shqiptarët kanë pasur një kuptim të thellë mbi jetën mbi Tokë dhe trashëgimin ndër breza të familjes si diçka më e rëndësishme sesa jeta e përtejme e pasvdekjes. Kjo e shpjegon jo vetëm pranimin e pragmatizmit të ofruar nga otomanët por edhe faktin e sotëm të bashkëjetesës ndërfetare. Dhe nuk duhet harruar se shqiptarët e kishin bërë luftën e tyre në emër të mbrojtjes së fesë së krishtere me heroin e tyre kombëtar, Gjergj Kastriotin, përgjatë 25 vjetëve.
Më vonë, disa dhjetëvjeçarë përpara dhe pas vitit 1912 të shpalljes së pamvarësisë, kanë qenë interesat serbo-greke të grabitjes me luftë të tokave shqiptare ato çka i bënë shqiptarët të vlerësojnë më shumë të qenit shqiptar sesa fetë e tyre. Shprehja “Feja e shqiptarit është shqiptaria” e mishëron më së miri këtë fakt. Atyre që e kanë menduar, apo e mendojnë këtë ide-parim si shenjë e mungesës së besimit të shqiptarëve nuk njohin thellë as formimin shpirtëror të shqiptarëve, as historinë e tyre. Prirja e sotme botërore e rritjes së numrit të njerëzve që janë agnostikë ndaj fesë, ndoshta tregon sesa intuitivisht të mençur kanë qenë shqiptarët, shumë kohë më përpara.
Në ditët e sotme, për shqiptarët ka rëndësi jo vetëm përmendja e tejshpeshtë e bashkëjetës ndërfetare shqiptare, jo vetëm vlerësimi dhe respekti ndaj saj si ndaj një monumenti të gurtë, por edhe përpjekjet për zhvillimin e saj të përhershëm. Hapësirat e kësaj bashkëjetese për t’u zhvilluar dhe përsosur janë të pamatëshme.