Nga Ledion Krisafi
Shqipëria për shekuj me rradhë ka qenë shembulli më i shkëlqyer i harmonisë fetare në Evropë. Ndërkohë që në vende si Franca, Çekia, Gjermania, Britania e Madhe, ka raste të shumta luftrash fetare, përndjekjesh fetare dhe konvertimesh me dhunë, edhe midis sekteve të ndryshme të një feje, mbi të gjitha në periudhën e Mesjetës; Shqipëria asnjëherë nuk ka njohur luftra, përndjekje apo konflikte të ndryshme me bazë fetare, si para ashtu dhe pas pushtimit Osman. Gjithashtu në dallim nga revoluconet nacionaliste moderne në Ballkan si ai grek dhe serb, në të cilat feja kishte një rol parësor, në nacionalizmin shqiptar feja nuk luante asnjë rol.
Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë një shembull i harmonisë fetare. Për të kuptuar se si dhe pse ka ndodhur kjo gjë, duhet bërë një vëzhgim në histori.
Para pushtimit Osman në shekullin e XV-të, gjithë popullsia shqiptare i përkiste besimit të krishterë, e ndarë në katolikë dhe ortodoksë. Vija ndarëse mes tyre ishte në përgjithësi lumi Shkumbin, megjithatë në periudha të caktuara kjo vijë lëvizte, ky veçanërisht ortodoksizmi shkonte më në veri në varësi të aleancave politike që paria arbëre e kohës bënte me fuqi të ndryshme të mëdha të kohës si Perandoria Bizantine ortodokse në njërën anë dhe shtetet katolike të gadishullit italian në anën tjetër. Në këtë këndvështrim, edhe para pushtimit osman kemi një identitet fetar të lëvizshëm, megjithëse brenda kornizave të Krishtërimit. Ky është një fenomen që nuk ndodhte kaq dendur në vendet e tjera të rajonit, si për shembull në territorin e Greqisë, Serbisë, Kroacisë apo Bullgarisë së sotme, paria dhe popullsia e të cilave kryesisht i qëndronte një besimi fetar dhe një sekti brenda atij besimi.
Pavarësisht ndryshimeve të shpeshta të besimit fetar nga paria, ka pak të dhëna për popullsinë e thjeshtë fshatare, e cila në shumicën e rasteve ndiqte veprimet e krerëve. Por në rastin e popullsisë arbëre, është dëshmuar se në besimet e saj folklorike kanë mbijetuar një numër i madh besimesh pagane të cilat nuk përkojnë dhe në shumë raste janë të papranuara nga feja, si e krishterë ashtu dhe islame.
Me ardhjen e pushtimit Osman, duke filluar nga shekulli i XVI-të të dhënat e defterëve osmanë tregojnë se kemi një islamizim të ngadaltë të popullsisë. Të parët që u kthyen në islam ishin paria e vendit të cilët për të ruajtur zotërimet e tyre, pronat, tokat, etj., u kthyen menjëherë në Islam. Pasardhës të familjeve të mëdha arbëre si Zenebishi, Araniti, Kastrioti, etj., i shohim të kthehen në Islam që në dekadat e para të pushtimit osman dhe të fillojnë t’i shërbejnë tashmë shtetit osman.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se ka pasur pak raste konvertimi me dhunë. Kjo ka ndodhur më shumë në ato vende në të cilat popullsia rezistoi më gjatë ndaj pushtimit osman. Gjithashtu të dhënat tregojnë se konvertimi në Islam ka qenë shumë gradual dhe i pabarabartë mes trojeve të banuara nga arbërit në atë periudhë. Ndërkohë që defterët për Prizrenin tregojnë një islamizim të madh qysh në shekullin e XVI-të, defterët për Vlorën, Gjirokastrën, tregojnë një islamizim shumë të paktë po në shekullin e XVI-të. Kjo shpjegohet në rastin e Prizrenit me ashpërsinë e sundimit të mëparshëm serb në ato zona.
Me ardhjen e Islamit dhe konvertimit në Islamizëm të shumicës së shqiptarëve, nuk ka ndonjë ndryshim në qasjen ndaj feve të tjera. Rastet e sinkretizmit në trojet shqiptare janë të shumta, si raste xhamish që mbajnë emra të krishterë si xhamia e Gjin Aleksit në Delvinë, raste kur fshatra të caktuara vazhdojnë festojnë ditët e shenjtorëve të dikurshëm të krishterë, që nga ana e tyre shënjonin në origjinë një festë pagane. Ashtu siç kemi dëshmi historike të ndryshimeve shumë të lehta të fesë si për shembull për shkak të mungesës së një prifti në një fshat dhe fshati konvertohet në Islam. Shqiptarët janë një popull me shumicë islame që ka për hero kombëtar një figurë të identifikuar me Krishtërimin si Gjergj Kastriotin. Ashtu si një simbol kombëtar modern është bërë Nënë Tereza, një katolike nga Shkupi.
Po ashtu rastet e mbijetesës së riteve pagane në trojet shqiptare janë të shumta, si në zonat e krishtera dhe në ato myslimane. Studiues të ndryshëm kanë vënë në dukje bestytni apo simbole tek shqiptarët të cilët kanë mbijetuar që nga koha e ilirëve dhe që vazhdojnë të gjenden ndër shqiptarë pa dallim feje.
Dëshmi të ndryshme historike nga udhëtarë apo dhe njohës të popullit shqiptar, kanë vënë në dukje se tek shqiptarët etnia dhe gjuha ishte më e fortë se feja. Vetë ideologu i nacionalizmit shqiptar, Sami Frashëri, në të gjitha veprat e tij thekson se pavarësisht se shqiptarët ishin të një feje me osmanët, shqiptarët ishin një kombësi tjetër, e ndryshme, me një gjuhë të caktuar dhe shtrirje gjeografike të caktuar. Qasja e tij nuk është aspak që shqiptarët t’i shkrijë në masën e madhe të myslimanëve të Perandorisë Osmane, siç bënte vetë Perandoria e cila në bazë të sistemit të mileteve të gjithë myslimanët i cilësonte ‘’turq’’ dhe gjithë ortodoksët ‘’grekë’’.
Historia, por dhe pyetësorët e zhvilluar vitet e fundit, na tregon se shqiptarët në përgjithësi janë besimtarë, por jo veçanërisht fetarë të lidhur me një grup të caktuar. Të ndodhur historikisht në një pozicion gjeografik që ka shërbyer si vijë ndarëse me feve të mëdha, fillimisht Ortodoksisë dhe Katolicizmit dhe më pas edhe Islamit, të dhënat historike tregojnë se tek shqiptarët feja ka qenë diçka e ndryshueshme lehtësisht në bazë të rrethanave historike.
Vëzhgimi modest i mësipërm historik është një përpjekje për të treguar se harmonia fetare tek shqiptarët nuk është një shpikje, nuk është fenomen artificial, por është rrjedhojë e zhvillimeve historike dhe fetare që kanë ndodhur në territoren e banuara nga shqiptarët.