The more things change the more they remain the same
Nga Alba Cela
“Sa më shumë ndryshojnë gjërat, aq më shumë mbeten njësoj”- është një shprehje e përdorur rëndom në vendet anglisht-folëse për të treguar inercinë si një forcë shpesh vendimtare në zhvillimet politike dhe sociale edhe atëherë kur duket se cdo gjë po ndryshon formë. Kjo shprehje mu kujtua teksa lexoja më kërshëri raportin Western Balkans Futures (E e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor) të publikuar nga Visegrad Insight. (I aksesueshëm në linkun https://visegradinsight.eu/western_balkans_scenarios/
Raporti në fakt që në krye të faqes së parë nënvizon faktin sesi lufta në Ukrainë ishte e paimagjinueshme në këtë formë dhe shkallë edhe pak ditë para fillimit të saj. Pushtimi rus dhe agresioni madhor në Ukrianë i kapi të gjithe ekspertët në befasi, dhe akoma më shumë ata që rreken të bëjnë disa parashikime duke parë trendet e ndryshme afatgjata si në rastin e këtij raporti.
Sigurisht që shumë variabla dhe pohime të marra si të mirëqëna bien dhe natyrshëm të tjera trende marin rëndësi primare në këtë kontekst. E megjithatë në fund të leximit më duhej ti jepja autorëve një mesazh inkurajues që i përngjan asaj shprehjes në fillim. Raporti hedh dritë dhe thekson zhvillime të ndryshme vlera e të cilave nuk bie edhe në këtë kontekst të ri, përkundrazi disa prej tyre marrin më shumë rëndësi.
Raporti përvijon disa skenarë në lidhje me të ardhmen e rajonit, që nga një vizion i errët ku status-kuoja kthehet në konflikt e deri në një vizion utopik ku bashkëpunimi midis vendeve në Ballkan del fitimtar mbi sfidat globale. Skenarët titullohen: 1. “Një dorë e detyruar”, 2. “e ardhmja e errët”, 3. “Europianizimi eluziv”, 4. “De-fragmentizmi i Ballkanit Perëndimor”, dhe 5. “Të lidhur së bashku”.
Në të gjithë këto skenarë, disa më realistë e disa më ngadhënjyes, ka disa fije lidhëse me shumë rëndësi që përshkojnë narrativën: integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal, roli i vendeve të treta si Rusia dhe Kina, ndryshimet ekonomike dhe demografike. Këto tema kanë qenë në fokus të vëmendjes, të politikave, të reformave, të protestave, të diskutimeve publike, të postimeve në mediat sociale. Lufta që vijon në Ukrainë ka rikthyer rëndësinë e gjeopolitikës, dicka që skenari i parë trajton me kujdes si një zgjedhje dhe zgjidhje që Bashkimi Evropian ka mundësi të bëjë përballë rivalëve sistemikë.
Bashkëpunimi rajonal që ka marrë hov vitet e fundit edhe për shkak të ngecjes së procesit të zgjerimit shihet si dicka me potencial të jashtëzakonshëm por vetëm nëse bëhet gjithëpërfshirës dhe paqendërtues. Pandemia dhe shëndeti publik, mjedisi dhe ndryshimet klimatike janë shqetësime globale që vijojnë paralelisht me luftën dhe që kërkojnë veprim kolektiv rajonal. Por edhe ekonomia dhe nevoja për tju afruar standarteve mesatare të BE janë një shtysë për zgjerimin e tregut dhe heqjen e barierrave. Skenarët 4 dhe 5 japin argumenta dhe detaje pikërisht rreth mënyrave si mund të ndikojë ky bashkëpunim në të ardhmen.
Personalisht ndjej që skenari që afrohet më shumë me analizën e punës kërkimore që kemi zhvilluar në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) vitet e fundit është skenari 3: Europianizimi eluziv, i pa-arritshëm, ai që duket sikur i afrohesh po kupton se je ende larg, ai që zgjatet në kohë deri sa duket sikur po humbet kuptimin.
Ky skenar niset nga premisa e dhimbshme e dobësimit të demokracisë në shumë vende si në rajon por dhe brenda BE-së. Në formën e vet më pesimsite në këtë skenar dinamika korruptive midis politikës, biznesit dhe medias, një trend i cili është prezent dhe i kapshëm, bëhet e tillë saqë e gërryen tërësisht progresin demokratik dhe ekonomik. Nga ana tjetër besimi i ulët dhe ndërveprimi i kufizuar midis qytetarëve dhe pjeses aktive të shoqërisë civle nuk sjell rezultatin e kërkuar.
Sic citohet në raport “Produkti i këtij skenari është se në fakt pasiguria do të rritet , të drejta e njeriut do të cënohen rëndë ( dhe aleatët e rëndësishëm – BEja- do të kenë më pak incentive për ti mbrojtur dhe promovuar ato) si dhe rregjimet autokratike e populiste do të konsolidohen.”
Ky skenar njeh mirë dhe denoncon në mënyrë indirekte një hipokrizi e cila po merr formë gjithnjë e më shumë në marrëdhënien midis rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Perspektiva e anëtarësimit mbetet në letër dhe recitohet si klishe në cdo vizitë të zyrtarëvë të lartë por në të vërtetë të dyja palët thjesht blejnë kohë deri në hapin e rradhës.
Është kjo hipokrizi që me luftën në Ukrainë mundet dhe duhet të marrë fund. Bashkimi evropian duhet patjetër të mendojë e të veprojë në mënyrë strategjike për rajonin, për dhomën në shtëpinë e vet -pa të cilën nuk ka kuptim as gjeografikisht as historikisht – dhe përmes së cilës kalojnë sfidat që e mbajnë zgjuar natën: refugjatët, ndotja, kërcënimi i konflikteve etnike.
Nga ana tjetër e medaljes, vendet e rajonit, sidomos ato që janë mësuar me flirtim me aktorë të tretë duhet të ankorohen bindshëm në politikën e jashtme të organizatave ku aspirojnë të bëjnë pjesë si dhe të përfundojnë refoma që garantojnë fuqinë e pavarësinë e institucioneve.
Nëse kjo nuk ndodh skenari 2: e ardhmja e errët, ku një shpërbërje e plotë e proceseve integruese dhe zhvillimore që kanë në ndodhur deri tani është gjithmonë një mundësi. Dhe për ata që tundin supet me mosbesim, edhe lufta në Ukrainë dukej e pamundur deri pak kohë më parë!