Shqiperia dhe Hungaria: Si Hungaria u bë një investitor i rëndësishëm në Shqipëri

0

Nga M. Sc. Arta Sinamati, New York University of Tirana

Hyrje

Në vitin 2017, hyri në Shqipëri i pari investitor hungarez (që nga largimi i ish-kompanisë së fluturimeve “Malev”), kompania e fluturimeve me kosto të ulët “Wizz Air”. Numrat e parë të investimeve hungareze në Shqipëri duket se kanë lëvizur pikërisht falë “Wizz Air”. Por, rritja e mirëfilltë erdhi vetëm në tremujorin e parë të vitit 2019, kur investimet hungareze arritën vlerën e 77 milionë eurove. Ky moment përkon me finalizimin e blerjes së bankës “Societe Generale Albania” nga grupi hungarez OTP.

Në një intervistë për “Monitor”, grupi OTP shprehej se “prania e OTP Bank me shumë mundësi do të inkurajojë sipërmarrjet hungareze të bëjnë më shumë biznes në Shqipëri dhe me Shqipërinë, pasi te grupi OTP do të gjejnë një partner në financim dhe këshillim biznesi” (Monitor, 2022).

Që nga momenti i hyrjes së OTP në tregun shqiptar, investimet hungareze kanë një tendencë të qartë në rritje, ku së shpejti, vlera e investimeve hungareze pritet të shënojë një rritje shumë të lartë, me finalizimin e blerjes së “Alpha Bank” nga OTP, si dhe të “Albtelecom” dhe “ONE Telecommunications” nga “4iG”.

Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se në vitin 2020 numri i ndërmarrjeve me kapital të pjesshëm apo të plotë hungarez në Shqipëri arriti në 34, nga vetëm 15 të tilla që regjistroheshin në vitin 2015 (Monitor, 2022). INSTAT nuk ofron informacion për shpërndarjen e këtyre ndërmarrjeve sipas sektorëve, sepse, sipas këtij institucioni, kjo ndarje cenon parimin e konfidencialitetit të parashikuar nga ligji “Për statistikat zyrtare”.


Grafiku 1. Numri i ndërmarrjeve me kapital hungareze në Shqipëri, 2015-2020
Burimi: INSTAT

Vlera e investimeve hungareze është rritur me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa krahasuar me fundin e vitit 2018, periudhë kur nisi hovi i investimeve hungareze në Shqipëri, vlera e investimeve hungareze është rritur me pothuajse 37 herë.

Është e pritshme që investimet hungareze të rriten më tej gjatë këtij viti, bazuar në disa marrëveshje të rëndësishme të shitblerjes që u shpallën në dhjetor të vitit të kaluar.  Po ashtu në 2021 u nënshkrua në Budapest Protokolli i Sesionit të 3-të i Komisionit të Përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe Hungarisë (Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 2021).

Ky protokoll përfshin çështje të bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe investimeve ndërmjet dy vendeve në fusha si: energji, transport, menaxhimi i ujit dhe mbrojtja e mjedisit, bujqësi, turizëm, arsim dhe kulturë, etj. Gjithashtu gjatë këtij Sesioni u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve, ku synohet rritja e investimeve hungareze në Shqipëri (Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 2021).

Grafiku 2. Investimet hungareze në Shqipëri (në milion Euro)
Burimi: INSTAT

Aktualisht investimet hungareze në Shqipëri kapin një vlerë 110 milion euro, ndërsa shkëmbimet tregtare mes dy vendeve për vitin 2020 kapin një vlerë prej 50 milion euro (Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 2021).

Shtimi i investimeve dhe i ndërmarrjeve hungareze në Shqipëri ka dhënë ndikim edhe në një rritje të volumit të këmbimeve tregtare, sidomos në kahun e eksporteve. Një tendencë e tillë është vërejtur sidomos pas vitit 2015 dhe eksportet janë të përqendruara kryesisht në sektorin e tekstileve dhe këpucëve, çka sinjalizon një vendosje të bizneseve hungareze edhe në profilin e fasonerisë. Në gjashtë vitet e fundit, Shqipëria ka eksportuar mesatarisht rreth 20 milionë euro çdo vit drejt Hungarisë, ndërsa para vitit 2015 eksportet kishin mesatarisht vlerën e disa qindra mijëra eurove (Monitor, 2022).

Tregu Bankar: OTP Bank

Interesi i grupit hungarez OTP për Shqipërinë është i hershëm, që në procesin e privatizimit të Bankës së Kursimeve. OTP, jo vetëm që ishte një nga palët më të interesuara, por ishte edhe subjekti që paraqiti edhe ofertën më të lartë në garën e privatizimit.

Për shkak se kishte qenë një grup bankar i bazuar kryesisht në produkte bankare klasike dhe në segmentin retail, OTP nuk pati pasoja të mëdha nga kriza financiare. Dalja e grupeve të Europës Perëndimore ishte një rast i volitshëm për t’u zgjeruar në tregjet e Lindjes. Pas vitit 2018, OTP bleu njëra pas tjetrës shumicën e bankave të “Societe Generale” në rajon, duke përfshirë ato në Bullgari, Moldavi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri.

Marrëveshja për blerjen e “Société Générale Albania” u zyrtarizua në vitin 2018 dhe u mbyll në vitin 2019, me marrjen e miratimeve të nevojshme rregullatore. Banka “OTP Albania”, në fund të vitit 2021, zotëronte 6.4% të aktiveve të tregut bankar në Shqipëri, nga 5.7% që kishte qenë pjesa e tregut në momentin e marrjes së pronësisë nga grupi hungarez.

Blerja e “Alpha Bank Albania” përmbush ambicien e grupit hungarez për t’u zgjeruar edhe më shumë në tregun shqiptar. Kjo ambicie ishte bërë e qartë që në vitin 2019, menjëherë pas hyrjes në tregun shqiptar. OTP fitoi garën me tre bankat rivale me kapital vendas, ABI bank, Tirana Bank dhe Union Bank.

Duke qenë një grup bankar i shëndetshëm dhe fokus kryesisht në bankingun retail, OTP nuk u prek shumë nga kriza e gjatë financiare, madje e shfrytëzoi këtë rast për t’u zgjeruar më shumë në tregjet e Europës Juglindore. Me blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut e OTP Bank Albania arrin në rreth 10.9% të aktiveve totale të tregut (bazuar në të dhënat e tremujorit III 2021).

Me këtë madhësi, OTP ngelet banka e pestë më e madhe në tregun shqiptar, por i afrohet ndjeshëm bankës Intesa Sanpaolo Albania, që zotëronte 11.8% të tregut në fund të shtatorit.

Pjesa e tregut të kredisë do të rritet edhe më shumë. Nga 10.4% që mban aktualisht, OTP Albania do të arrijë në 16.2% të tregut, duke u bërë banka e dytë më e madhe huadhënëse e ekonomisë shqiptare, pas Credins Bank.

Në depozita, OTP Bank Albania mban aktualisht 6.5% të tregut. Duke shtuar edhe pjesën e tregut që mbahet nga Alpha Bank, pas bashkimit OTP do të arrijë të zotërojë rreth 11.3% të totalit të depozitave të tregut. Edhe në depozita, OTP do të ngelej banka e pestë më e madhe në sistem, por me një pjesë tregu të rritur ndjeshëm.


Grafiku 3. Pjesa e tregut të OTP-së, pas blerjes së Alpha Bank, shtator 2021
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Telekomunikacioni “4iG”

Blerjet më të rëndësishme për nga ndikimi në tregun përkatës priten të jenë ato që “4iG” synon të kryejë në Shqipëri. Në 8 dhjetor 2021, “4iG” njoftoi zyrtarisht arritjen e marrëveshjes për blerjen e “Albtelecom”, ndërsa dy javë më vonë njoftoi në mënyrë të papritur edhe finalizimin e marrëveshjes për blerjen e operatorit celular ONE.

Në muajin janar, blerja e “Albtelecom” u miratua zyrtarisht nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe do ta bëjë “4iG” operatorin më të madh në tregun e komunikimeve me linja fikse.

Në fund të 9-mujorit 2021, “Albtelecom” zotëronte rreth 76% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të telefonisë fikse dhe 22% të abonentëve të internetit me brez të gjerë. Deri në fund të 2020, “Albtelecom” dominonte tregun e shërbimeve fikse edhe për nga xhiroja totale, me 41% të tregut. Megjithëse ngelet kryesues në segmentin e shërbimeve fikse, “Albtelecom” ka një rënie të vazhdueshme të pjesës së tregut në përdorues interneti broadband. Rimëkëmbja e “Albtelecom” në tregun më të rëndësishëm, atë të internetit, do të jetë një sfidë për hungarezët.

Transaksioni do të shkaktojë ndikim të konsiderueshëm në tregun e komunikimeve celulare në Shqipëri, duke e ulur numrin e operatorëve nga tre në dy, për herë të parë që nga viti 2008. Gjithashtu, bashkimi i “Albtelecom” dhe ONE nën kontrollin e “4iG” do të krijonte operatorin më të madh në këtë treg për nga numri i përdoruesve.

Në fund të 9-mujorit 2021, ONE dhe “Albtelecom” zotëronin gjithsej 57% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë të telefonisë celulare. Lidhur me vlerësimin e peshës së tregut sipas të ardhurave nga komunikimet elektronike, të dhënat më të fundit të disponueshme janë ato të vitit 2020. Të marra së bashku, të ardhurat e ONE dhe të ardhurat e “Albtelecom” nga shërbimet celulare arritën në 11.2 miliardë lekë, ose rreth 47% të volumit të përgjithshëm të tregut celular në Shqipëri.

“4iG” është një kompani e listuar në Bursën e Budapestit. Sipas pasqyrave financiare të vitit 2020, kompania realizoi një xhiro totale në vlerën e afërsisht 160 milionë eurove dhe një fitim neto prej rreth 9 milionë eurosh. As niveli i kapitalizimit të shoqërisë nuk është shumë i madh, duke pasur parasysh investimet e mëdha që “4iG” po kryen jashtë vendit. Sipas raportit të fundit financiar, të shtatorit 2021, kapitali aksioner i shoqërisë kishte një vlerë prej më pak se 37 milionë eurosh (Monitor, 2022).

Megjithatë, në janar të këtij viti, “4iG” njoftoi një operacion të zmadhimit të kapitalit, të gërshetuar edhe me hyrjen në kapitalin aksioner të “Rheinmetall”, kompani gjermane me aktivitet në sektorin e armatimeve, industrisë automotive dhe teknologjisë së informacionit. “Rheinmetall” do të marrë 25.1% të të drejtave në kapitalin e “4iG”, operacion që do të gërshetojë blerjen e aksioneve ekzistuese dhe nënshkrimin e aksioneve të reja, me qëllim rritjen e kapitalit të kompanisë.

Sipas informacionit zyrtar të “4iG”, zmadhimi i kapitalit të “4iG” do të ketë një vlerë prej 125 miliardë forintash hungareze, vlerë e barasvlefshme me rreth 354 milionë euro. Nga këto, rreth 221 milionë euro do të injektohen nga “iG COM Private Equity” Fund, 95 milionë euro nga “Rheinmetall” dhe pjesa e mbetur nga aksioneri i pakicës, “Alpac Capital”, një fond investimesh i regjistruar në Portugali dhe i angazhuar kryesisht në investimin në kapitalin e SME-ve.

Për vitin 2020, 4iG raportoi të ardhura totale prej rreth 161 milionë euro dhe një fitim para tatimit, amortizimit dhe zhvlerësimit rreth 14 milionë euro. Në fund të vitit 2020, kompania kishte 924 punonjës (SCAN, 2021).

Transporti: “Wizz Air”

“Wizz Air” është operatori i parë i mirëfilltë “low cost”, që nisi operimin në Shqipëri, në vitin 2017. Sidomos pas pandemisë, ky operator ka vendosur një dominim të dukshëm në tregun e fluturimeve në Shqipëri. Të dhënat e fundit finale vjetore nga Autoriteti i Aviacionit Civil i takojnë vitit 2020, kur tregu i fluturimeve ajrore u godit rëndë nga pandemia e COVID-19.

“Wizz Air” renditej e para mes kompanive ajrore që operojnë në Shqipëri, me 24% të numrit total të pasagjerëve. Të dhënat e pjesshme të vitit 2021 tregojnë se pjesa e tregut e “Wizz Air” ka ardhur në rritje të mëtejshme. Kështu, për muajin shtator 2021, pjesa e tregut e “Wizz Air” vlerësohej në 40% të numrit të përgjithshëm të pasagjerëve, ndërsa në tetor, ajo u rrit më tej në 54%. Për tetorin, kompania e dytë, “Air Albania” mbante vetëm 10% të tregut, çka dëshmon avantazhin e thellë të “Wizz Air” kundrejt konkurrencës.

Krahasuar me tetorin 2019, numri i pasagjerëve të “Wizz Air” është rritur me 555%. Në fillim të këtij viti, “Wizz Air” njoftoi edhe nisjen e fluturimeve nga Aeroporti i dytë ndërkombëtar i vendit, në Kukës. Duke filluar nga muaji qershor, “Wizz Air” ka nisur fluturime direkte nga ky aeroport me Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë.

“Wizz Air” është një operator i themeluar në Hungari, i cili vazhdon t’i ketë zyrat qendrore në Budapest. Megjithatë, që prej vitit 2015, “Wizz Air” është kompani publike e regjistruar në Bursën e Londrës. Rreth 43% e aksioneve janë të listuara në bursë, ndërsa pjesa e mbetur ndahen kryesisht mes investitorëve institucionalë, si fonde investimesh (mutual funds), fonde të investimit në kapitalin e shoqërive private (private equity), etj. Aksioneri më i madh është “Indigo Partners”, një firmë e private equity nga SHBA.

Në dekadën e fundit, deri në fund të vitit financiar 2020 (i mbyllur në mars 2020), “Wizz Air” ka raportuar një rritje të vazhdueshme të xhiros. Për vitin 2020, shitjet totale arritën vlerën e 2.76 miliardë eurove, shifër pesë herë më e lartë krahasuar me vitin 2011. Ndërkohë, viti financiar 2021 (që mbarti më së shumti efektet e pandemisë, sepse përfshin periudhën prill 2020-mars 2021) shënoi rënie të fortë të shitjeve, në vlerën e 739 milionë eurove. Pandemia dha një goditje të fortë edhe në përfitueshmërinë e kompanisë. Në vitin financiar 2020, kompania pati arritur një fitim rekord historik prej më shumë se 281 milionë eurosh në vlerë neto, ndërsa për vitin financiar 2021, gjendja e përmbys, me një humbje të thellë prej 576 milionë eurosh.

Tregtia

Në vitet e fundit vërehet një rritje e volumit të këmbimeve tregtare me Hungarinë, sidomos në eksporte. Sipas informacionit të INSTAT, për vitin 2021, Shqipëria eksportoi në Hungari mallra në vlerën e 2.33 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 14.2%.

Rritja e eksporteve shqiptare drejt Hungarisë ka nisur sidomos pas vitit 2015. Nëse për periudhën 2005-2014, vlera mesatare vjetore e eksporteve drejt Hungarisë ishte rreth 85 milionë lekë në vit, për periudhën 2005-2021, vlera mesatare e eksporteve arriti në rreth 2.4 miliardë lekë në vit.

Po të shohim ndarjen e eksporteve, sipas produkteve, duket se rritja e tyre i detyrohet kryesisht produkteve të sektorit të fasonerisë. Për vitin 2021, 66% e eksporteve drejt Hungarisë ishin këpucë dhe 18% veshje. Produktet bujqësore dhe bimët mjekësore zinin së bashku rreth 9% të eksporteve, ndërsa pjesa e mbetur konsistonte kryesisht në mobilje dhe nënprodukte alumini.

Vitin e kaluar, edhe importet nga Hungaria shënuan rritje vjetore me 29.5% dhe arritën vlerën totale të rreth 5.5 miliardë lekëve. Ky është niveli më i lartë i importeve nga Hungaria që prej vitit 2008. Në dekadën e fundit, vlera mesatare vjetore e importeve hungareze ka qenë pranë nivelit të 4.6 miliardë lekëve. Bazuar në të dhënat e vitit 2021, produktet kryesore që Shqipëria importon nga Hungaria janë vaji vegjetal, me 19% të importeve totale, i ndjekur nga makineritë e pajisjet mekanike me 10%, makineritë e pajisjet elektrike me 9%, kafshët e gjalla me 7%, etj.

Në terma relativë, pesha e Hungarisë në tregtinë e jashtme të Shqipërisë është mjaft e vogël. Vitin e kaluar, eksportet drejt Hungarisë përbënin vetëm 0.6% të totalit, ndërsa importet nga Hungaria, vetëm 0.7% të totalit.

Instituti i Studimeve Ndërkombëtare i është falënderues bankës OTP Albania, për mbështetjen financiare që ka dhënë për projektin e shkrimeve dhe hulumtimeve në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

SHPËRNDAJE