Vazhdimësi dhe Shkëputje: Shqipëria dhe Shtetet Gjermane 1912- 2021

0

Ish ambasadori gjerman në Tiranë Hellmut Hoffmann dhe profesori Enrico Seewald sjellin një përmbledhje shkrimesh mbi aspekte të ndryshme të marrëdhënieve shqiptaro- gjermane me autorë Marenglen Kasmi, Matthias Dornfeldt, Georg Herbstritt, Christian Voss, Belfiore Zifla (Qose), Mirela Oktrova, Peter Spary dhe vetë Hellmut Hoffmann dhe Enrico Seewald.

Një libër i ri për marrëdhëniet shqiptaro- gjermane.

Nga Peter Zingraf

Ambasador i Republikës Federale Gjermane në Tiranë që prej vitit 2019

Publikimet e përbashkëta gjermano-shqiptare janë të rralla. Vepra përmbledhëse e botuar në vitin 2019 në Gjermani Kontinuitäten und Brüche (Mes lidhjesh dhe shkëputjesh) bëri bashkë artikuj të autorëve nga të dyja vendet, me temë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe shteteve gjermane në periudhën 1912-2019. Ky libër paraqitet tanimë në një formë disi të moderuar në gjuhën shqipe.

Një ngjarje e veçantë gjermano-shqiptare, e cila ka zënë vendin e saj në kujtesën kolektive të popullit shqiptar, ishte dyndja e më shumë se 3000 njerëzve në territorin e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranën e korrikut 1990. Refugjatët qëndruan aty të vendosur prej datës 2 deri më 12 korrik. Edhe ambasada të tjera u bënë streha e shqiptareve dhe shqiptarëve që kërkonin të largoheshin nga vendi. Me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara atyre iu lejua largimi. Shumë prej atyre 3000 njerëzve jetojnë edhe sot në Gjermani. Ata formuan një nga urat e para mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

30 vjet pas fillimit të shndërrimit politik dhe shoqëror, kur në rrugët e Tiranës, Shkodrës, Korçës dhe vendeve të tjera në Shqipëri mijëra veta thërrisnin njëzëri “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, shohim se dëshira e demonstruesve është përmbushur së paku pjesërisht. Orientimi i Shqipërisë vazhdon të jetë qartësisht proeuropian. Pak pas ndryshimeve politike dhe shpërbërjes konfliktuale të Jugosllavisë marrëdhëniet gjermano-shqiptare kishin për qëllim përafrimin me Komunitetin Europian. Me Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Selanik 2003, Bashkimi Europian përcaktoi në mënyrë përfundimtare objektivin e integrimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE dhe në vitin 2014 Shqipëria u bë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Fatkeqësisht, ka pasur vazhdimisht vonesa në nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Megjithatë, progresi dhe përmirësimet në jetën e përditshme të qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë janë qartësisht të ndjeshme – mbështetja e Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe partnerëve perëndimorë kanë kontribuuar gjithashtu në një masë të konsiderueshme në këtë kontekst.

BE-ja është shndërruar deri më tani në donatorin më të madh sa i përket ndihmës për zhvillim në Shqipëri; Gjermania, me portofolin e saj të larmishëm, qëndron në krye të donatorëve dypalësh. Kjo tregon se sa i ngushtë është bashkëpunimi ynë – edhe në kohërat e trazuara të pandemisë Covid-19, Gjermania dhe BE ndihmuan me pajisje mjekësore, sikundër ishin setet e testimit dhe pajisjet mbrojtëse. Tani po përpiqemi së bashku të zbusim edhe pasojat afatmesme dhe afatgjata ekonomike dhe sociale në mënyrë që virusi të mos shkatërrojë përparimin e arritur vitet e fundit. Shqipëria është vend partner i Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillimin që nga viti 1988. Prej atëherë ajo, me mbështetjen gjermane, veçanërisht përmes punës së GIZ-së dhe KfW-së, është përmirësuar shumë në drejtim të furnizimit me ujë, menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve, furnizimit me energji dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Një çështje e rëndësishme e angazhimit tonë ndërsektorial është mbrojtja e mjedisit dhe klimës.

Bashkëpunimi në kulturë, arsim dhe ai me shoqërinë civile shqiptare është i ngushtë dhe i larmishëm. Që nga viti 2007, Ambasada Gjermane në Tiranë, së bashku me partnerë të shumtë, organizon javët e kulturës gjermano-shqiptare, të njohura si “Tetori Gjerman”. Gjermania është gjithashtu e angazhuar për ruajtjen e pasurive kulturore shqiptare. Kështu, për shembull, i është dhënë mbështetje Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë me koleksionin e tij të rëndësishëm të ikonave, apo arkivit fotografik Marubi në Shkodër.

Në kuadër të nismës së shkollave partnere (PASCH), Gjermania po financon aktualisht gjashtë shkolla në Tiranë, ku mësohet gjuha gjermane – dhe jemi duke punuar në zgjerimin e këtij rrjeti. Qendra Goethe në Tiranë dhe Lektorati i DAAD-së në Universitetin e Tiranës janë pika të rëndësishme referimi për të rinjtë që interesohen për gjuhën dhe kulturën gjermane, si dhe për qëndrimin me qëllim studimi dhe kërkimi shkencor në Gjermani. Numri i tyre po rritet, listat e gjata të pritjes për kurset e gjermanishtes janë një tregues i nivelit të lartë të interesit për Gjermaninë, kulturën dhe gjuhën e saj.

Është e kuptueshme që shumë të rinj në Shqipëri e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit, e jo në shtëpinë e tyre. BE-ja është afër, që prej liberalizimit të vizave në fund të vitit 2010 vendet anëtare të BE-së janë “afruar” edhe më shumë. Udhëtimet, edhe për tek të afërmit dhe miqtë që jetojnë në BE, janë të shpejta dhe në rritje të vazhdueshme. Sipas sondazheve, Gjermania është vendi më i preferuar për të rinjtë shqiptarë që duan të emigrojnë. Forca tërheqëse e tregut gjerman të punës dhe e mundësive të studimit është e dukshme. Kjo tingëllon nga njëra anë si diçka pozitive, por krijon natyrisht probleme në vendin e origjinës. Emigrimi i të rinjve me aftësi përfaqëson një sfidë për të ardhmen e Shqipërisë. Një çelës zgjidhjeje mund të jetë transferimi i njohurive – tashmë ka disa shembuj shumë pozitivë të të kthyerve që vijnë në Shqipëri pas një qëndrimi në Itali, Greqi apo Gjermani dhe që kanë arritur me sukses të ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre personale dhe profesionale.

Sfida për vitet e ardhshme do të jetë, pra, që Shqipëria të jetë edhe më tërheqëse jo vetëm për investitorët e huaj apo edhe ata që kthehen, por edhe përmirësimi i mëtejshëm i kushteve të jetesës: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Më gëzon nisma e botuesve të kësaj përmbledhjeje dhe uroj që libri të gjejë shumë lexues të interesuar.

SHPËRNDAJE