Qëllimi i këtij libri është të shpjegojë koordinimin institucional dhe sfidat e tij, në procesin e zbatimit të politikave dhe akteve ligjore të transpozuara të BE-së në Shqipëri. Ndërsa vendi i afrohet anëtarësimit në BE, sfidat e zbatimit të politikave të adoptuara në këtë proces janë rritur, duke përfaqësuar një pengesë të madhe. Kontributi i analizës dhe gjetjet e këtij studimi janë praktike dhe teorike. Nga njëra anë, ai synon të arrijë disa përfundime të konsoliduara mbi faktorët dhe praktikat institucionale që ndikojnë në performancën e zbatimit. Nga ana tjetër, kontribuon edhe në fushën e gjerë të studimeve të zbatimit duke e pasuruar me një rast të paeksploruar siç është Shqipëria.
Studimi përpiqet të analizojë ndërveprimin institucional dhe procesin e zbatimit të politikave duke u fokusuar në fazën e hartimit të politikave dhe mangësitë e saj. Më konkretisht është bazuar në modele teorike për kuptimin e rolit të tre faktorëve kryesorë në hartimin e politikave: kapacitetet administrative dhe koordinuese, efektiviteti i përfshirjes së aktorëve joshtetërorë dhe kontributi i përfaqësuesve dhe ekspertëve të BE-së. Për shkak të propozimeve teorike dhe natyrës së variablave të përzgjedhura, lloji i qasjes së adoptuar është kërkimi cilësor. Strategjia kërkimore në këtë rast studimor, përdor dy metoda kryesore: trekëndëshimin (triangulation) dhe gjurmimin e procesit. Gjurmimi i procesit përdoret për të analizuar dhe kuptuar politikën nga faza e hartimit deri në zbatimin e saj praktik.
Për studimin u zgjodhën katër fusha politikash ose kapituj të acquis: lëvizja e lirë e mallrave, konkurrenca, siguria ushqimore dhe mjedisi. Për secilin prej sektorëve, dy direktiva specifike u zgjodhën si shembull për t’u eksploruar në thellësi gjatë gjithë ciklit të politikave. Bazuar në gjetjet nga të katër fushat, studimi nxjerr përfundime më të gjera mbi sfidat koordinimit institucional dhe zbatimit të politikave me të cilat përballet vendi.