Nisma e Tre Deteve (TSI) dhe Ballkani Perëndimor

0

Ledion Krisafi, Ph.D

Hyrje

Hapësira gjeografike midis Balltikut, detit të Zi dhe detit Adriatik ka qenë për shekuj me radhë një “kënd lojërash” i perandorive të ndryshme si Perandoria Ruse, Perandoria Austro-Hungareze dhe në shekullin e XX nga Bashkimi Sovjetik. Këto perandori kanë ndikuar ndryshe në zhvillimin politik dhe ekonomik të vendeve në këtë hapësirë gjeografike. Tani që këto perandori janë pjesë e historisë rajoni është bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
E përbashkëta për të dymbëdhjetë vendet që përbëjnë Nismën e Tre Deteve (TSI) është përvoja e tyre nën regjimin komunist. Ndonëse në tre dekadat e fundit që nga rënia e regjimeve komuniste në këto vende, zhvillimi ekonomik i tyre është përafruar me nivelin e vendeve të Evropës Perëndimore, rajoni përsëri ka mangësi të infrastrukturës, ndërlidhjes midis vendeve dhe mungesë të investimeve dixhitale. Hendeku midis këtij rajoni dhe Evropës Perëndimore, i cili u krijua në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, edhe mbas tre dekadash të rënies së komunizmit ende nuk është kapërcyer. Gjithashtu gjatë periudhës komuniste u ndërtuan tubacionet dhe hekurudhat nga perëndimi në lindje, duke synuar transportimin e gazit dhe produkteve të tjera në Evropën Perëndimore. Qëllimi i Nismës së Tre Deteve (TSI) është të “ndërtojë” nga Veriu në Jug.
Ishte pikërisht ky hendek midis Evropës Lindore dhe Evropës Perëndimore që frymëzoi bashkëpunimin e këtyre vendeve dhe që do të njihej si Nisma e Tre Deteve (TSI). Fillimisht ideja e krijimit të kësaj nismeje është iniciuar nga presidentja kroate e asaj kohe Kolinda Grabar Kitaroviç dhe presidenti polak Andrzej Duda.
Sipas zonës, vendet e Tre Deteve përfaqësojnë pothuajse një të tretën e Bashkimit Evropian dhe janë shtëpia e 111 milionë njerëzve. Megjithatë, shifrat e vitit 2018 tregojnë se PBB-ja e tyre mesatare për frymë është vetëm 78% e mesatares së BE-së. Në të njëjtën kohë, rritja mesatare ekonomike në 12 vendet nga 2015-2019 ishte 3.5% krahasuar me 2.1% në Bashkimin Evropian.


Projektet Kryesore

Nisma e Tre Deteve (TSI) është një iniciativë politike, por me fokus zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën.
Jashtëzakonisht i rëndësishëm është fakti se ideja për krijimin e TSI lindi menjëherë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në fillim të vitit 2014. Kjo nënkupton se shtetet përbërëse të TSI-së jo vetëm që duan të kapërcejnë trashëgimitë e epokës komuniste dhe “të arrijnë” ekonomikisht pjesën tjetër të Evropës, por edhe se një pjesë e mirë e tyre motivohen nga dëshira për të krijuar një bllok tregtar alternativ që do të zbuste varësinë nga Rusia.
Deri në korrik të vitit 2021, Nisma e Tre Deteve (TSI) llogaritej të kishte 90 projekte ndërlidhëse midis vendeve me një vlerë totale të vlerësuar investimi prej 180.9 miliardë euro.
Projekti Rail-2-Sea i regjistruar në vitin 2018, është plani për të ndërtuar një hekurudhë që lidh portin e Gdansk dhe portin e Konstancës në të gjithë Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë. Ky projekt do të lidhë më tej Detin Baltik me Detin e Zi mbi katër degë të ndryshme të një hekurudhe, secila me planet e saj lokale për modernizimin.
Rail Baltica është një tjetër plan infrastrukturor, i cili synon të rrisë integrimin infrastrukturor midis vendeve të Detit Baltik. Më konkretisht, në një partneritet me Finlandën, Rail Baltica po krijon infrastrukturë për të ndërtuar “lidhjet ndërkufitare që mungojnë” dhe “të integrojë shtetet baltike në rrjetin hekurudhor europian” duke eleminuar “pengesat e infrastrukturës së transportit”.
Këto plane dhe projekte po kontribojnë që rajoni të bëhet një nxitës ekonomik edhe për Bashkimin Evropian.
Nisma gjithashtu ka dhe nje aspekt gjeopolitik që u kryesua nga administrata Trump si një mënyrë për të kundërshtuar ndikimin Rus dhe Kinez në rajon. Mirpo, për shkak të politikës së jashtme të paqëndrueshme të Donald Trump, kjo mund të analizohet edhe si një dëshirë e tij për të kundërshtuar Bashkimin Evropian në Rajon. Administrata e re amerikane vazhdon të mbështesë nismën dhe ta shohë atë si një potencial të konsiderueshëm ekonomik nga njëra anë, por edhe si një mënyrë për të kundërshtuar influencën e Rusisë dhe Kinës.

Nisma e Tre Deteve (TSI) dhe Ballkani Perëndimor

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë pothuajse të njëjtin sfond historik me dymbëdhjetë vendet e Nismës së Tre Deteve (TSI). E kaluara e tyre nën regjimin komunist shpjegon edhe krijimin e një hendeku të konsiderueshëm ekonomik dhe zhvillimor krahasuar me vendet në Evropën Perëndimore. Ballkani Perëndimor ka kaluar të njëjtat reforma tregu dhe privatizime në vitet ’90, por ndryshe nga vendet e TSI-së, vendet e Ballkanit Perëndimor për arsye të ndryshme dhe specifike për secilin vend, nuk arritën të njëjtat rezultate. Ndërsa vendet e TSI kanë një mesatare të BE-së prej 78% të PBB-së për frymë, shifra mesatare për Ballkanin Perëndimor është 35%, me vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që janë edhe më të ulëta.
Ashtu si vendet e TSI-së, edhe Ballkani Perëndimor ka probleme të mëdha në infrastrukturë. Vendet e ish-Jugosllavisë kanë lidhje hekurudhore, por ato janë mjaft të amortizuara dhe kanë nevojë për investime për t’u rinovuar. Gjithashtu, mungon një lidhje hekurudhore midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje si Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke penguar kështu zhvillimin ekonomik dhe tregtinë midis këtyre vendeve dhe vendeve më larg në rajon.
Vendet e Nismës së Tre Deteve (TSI) kanë qenë mbështetësit më të fuqishëm të integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, edhe kur kanë pasur kritika nga vendet e Evropës Perëndimore. Përpos kësaj, shtetet e TSI-së si Polonia dhe Hungaria kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre tregtare dhe ekonomike me vendet e Ballkanit Perëndimor por potenciali i tyre ekonomik është ende shumë larg realizimit. Një mënyrë për të shkrirë kufirin midis dy rajoneve do të ishte pjesëmarrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Nismën së Tre Deteve (TSI), ose nënshkrimi i një marrëveshje tregëtie si dhe projekte të tjera që konsistojnë në lidhjen dhe bashkëpunimin midis këtyre rajoneve.
Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si rasti i Serbisë, kanë lidhje historike me Hungarinë, Rumaninë dhe Poloninë, ndërsa për vendet si Shqipëria, të qenit pjesë e TSI-së do ti mundësonte lidhjen me një rajon i cili ka pak lidhje ekonomike dhe tregtare, por që është një hapësirë ekonomike në rritje. Në të njëjtën kohë, përfshirja e Shqipërisë në nismat e TSI-së do të përfshinte në këtë projekt portin e Durrësit, portin kryesor në detin Adriatik, i cili do të hapte mundësi të reja për përfshirje dhe bashkëpunim me Italinë. Shqipëria mund të ofrojë gjithashtu një alternativë ndaj gazit rus, nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik, me projekte të planifikuara për të lidhur tubacionin gazsjellës nga Shqipëria me vendet e Evropës Qendrore si; Hungaria dhe Republika Çeke.
Hekurudhat mund të jenë një pikë kryesore kontakti midis dy rajoneve dhe të kenë potencial të konsiderueshëm ekonomik. Vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe pjesërisht Serbia janë pak ose aspak të lidhura me rrjetet hekurudhore të Evropës Perëndimore dhe Lindore, ndërkohë që tregu polak i mallrave është i dyti më i madh në BE pas atij të Gjermanisë. Hekurudhat çeke janë të lidhura mirë me hekurudhat polake, hungareze dhe vendet e evropës perëndimore. Shtetet anëtare të BE-së, përfshirë vendet e rajonit të TSI-së, janë të detyruara të rrisin përdorimin e hekurudhave për transportin e mallrave dhe pasagjerëve mbasi kjo do të mundësonte edhe reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit.
Bashkëpunimi i Ballkanit Perëndimor me TSI-në do të përshpejtonte dhe nxiste procesin e integrimt të tij në BE. Kur bëhet fjalë për PBB-në për frymë, infrastrukturën dhe transformimin dixhital Balkani Perëndimor renditet i fundit krahasuar me Evropën Perëndimore dhe atë Lindore, si rrjedhoje duke u bërë pjesë e TSI-së do ti mundësohen kontakte me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që do ta ndihmonin rajonin të ecë përpara drejt mesatares së BE-së. Në këtë kuptim, pjesëmarrja e Ballkanit Perëndimor në TSI do të shihej si hapi i parë drejt anëtarësimit në BE.
Një tjetër pikë e rëndësishme midis Nismës së Tre Deteve (TSI) dhe Ballkanit Perëndimor është sektori i energjisë. Evropa Lindore po largohet nga gazi dhe nafta ruse për të kërkuar burime alternative të energjisë, ku LNG është një prej tyre. Por një burim tjetër mund të jetë edhe gazi i Azerbajxhanit. Në këtë këndvështrim, Shqipëria dhe Gazsjellësi Trans Adriatik mund të bëhen një alternativë për Evropën Qendrore dhe Lindore. Sistemi i tubacioneve gazsjellëse të propozuara tashmë për në Kroaci dhe Kosovë mund të zgjerohen më në veri drejt Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke.

Lufta në Ukrainë po ndryshon modelet gjeopolitike dhe ekonomike të kontinentit. Evropa po shkëputet shpejt nga gazi dhe nafta ruse, për të mos pasur marrëdhënie ekonomike apo tregëtare me Rusinë. Në këto rrethana vlera e TSI-së mbart një tjetër kuptim dhe rëndësi, ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe dixhitalizimi i ekonomive të këtyre vendeve mund të jetë një mënyrë për të kundërshtuar humbjen e gazit dhe naftës ruse. Në të njëjtën kohë, ka një përplasje në rritje midis BE-së dhe SHBA-së nga njëra anë dhe Kinës nga ana tjetër. Nisma kineze 17+1 e cila tani është reduktuar në 15+1 (pas tërheqjes së Lituanisë dhe Estonisë) pothuajse ka stopuar dhe Kina tani konsiderohet jo si një partner i besueshëm.
Këto dy zhvillime kanë rritur vlerën gjeopolitike të Nismës së Tre Deteve (TSI) si një projekt i rëndësishëm që mbron rajonin nga ndikimi rus dhe kinez, por gjithashtu i jep rajonit një identitet të veçantë gjeopolitik.

Konkluzione

Vendet e Nismës së Tre Deteve (TSI) dhe Ballkani Perëndimor kanë pothuajse të njëjtat eksperienca historike nga shekulli i kaluar. Ndërsa vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore u zhvilluan më shpejt pas rënies së regjimit komunist, ky nuk ishte rasti për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë ende larg standardeve ekonomike dhe lidhjes infrastrukturore krahasuar me Evropën Perëndimore. Nisma e Tre Deteve (TSI) ka synim pikërisht të kapërcejë këtë ndarje (kur krahasohen me Evropën Perëndimore) përmes investimeve të mëdha në infrastrukturë, energji dhe transformim dixhital.
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë edhe më larg standardeve ekonomike dhe infrastrukturës së Evropës Perëndimore, por kanë një potencial të konsiderueshëm në bashkëpunim apo edhe për të qenë pjesë e Nismës së Tre Deteve (TSI). Në këtë mënyrë, vendet e Ballkanit Perëndimor do të lidheshin me tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore, një lidhje që sot më së shumti mungon.
Për Ballkanin Perëndimor, ky mund të bëhet hapi i parë drejt anëtarësimit në BE dhe një nxitje e konsiderueshme për t’iu afruar mesatares së GDP-së së BE-së për frymë por jo vetëm, në të njëjtën kohë, projekti ka një dimension të konsiderueshëm gjeopolitik, veçanërisht tani në funksion të luftës në Ukrainë dhe ndryshimit të marrëdhënieve me Rusinë.

SHPËRNDAJE