Takimi që hapi dyert e dialogut të domosdoshëm

0

Alba Cela

Samiti i G20 në Bali (Indonezi) i mbajtur në 15 dhe 16 nëntor 2022, ishte një takim me interes mediatik të jashtëzakonshëm. Prezenca e liderëve të vendeve më të fuqishme të botës me ndikim në trendet politike, ekonomike dhe kulturore kudo në glob, bëri që çdo takim dhe deklaratë të merte një rëndësi të veçantë. Megjithatë lajmi më i madh dhe më pozitiv që prodhoi ky Samit ishte sigurisht biseda rreth 3 orë e gjatë e presidentëve Xi Jinping dhe Joe Biden.
Ky takim dhe kjo bisedë e cila u karakterizua si një dialog i hapur, i mirëfilltë dhe konstruktiv nga ekspertë të të dyja palëve rivendosi një kanal komunikimi me rëndësi globale. Ky komunikim, kaq i nevojshëm dhe i mirëpritur në një kohë kur bota përballet me një tjetër nivel sfidash të stabilitetit, sigurisë, ekonomisë, klimës dhe ambientit është një sinjal i mirë për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës ky takim pati një “rëndësi madhore për ti dhënë udhë epokës së re të marrëdhënieve dypalëshe Kinë-SHBA.”
Me interes te veçantë ishte vendimi i dy presidentëve për të vijuar me bisedimet për klimën (climate talks). Është shumë domethënëse që Samiti i G20 këtë rradhë zhvillohej paralelisht në kohë me atë të Klimës në Egjipt, COP27. Ndryshimet klimaterike mbeten shembulli më i qartë i një sfide panglobale që kërkon bashkëpunim të nivelit më të lartë midis vendeve dhe sidomos atyre me peshën më të madhe në ekonomi dhe inovacion, Amerikës dhe Kinës.
Ky takim u pasua me një tjetër bisedë që Presidenti Xi Jinping zhvilloi me zëvendës- presidenten e SHBA Kamala Harris në Bangkok në Samitin e Forumit të Bashkëpunimit ekonomik të Azisë dhe Paqësorit. Po ashtu pritet që dialogu të vijojë me vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken së shpejti në Beijing.
Duket tashmë se ky është një dialog që sapo ka rinisur me një energji të re dhe ka potencial të prodhojë rezultate shpresëdhënëse.

SHPËRNDAJE