Kina dhe Shqiperia firmosën zyrtarisht “Marrëveshjen për heqjen reciproke të vizave”. Ky ishte lajmi i rëndësishëm që u komunikua nga vetë kryeministri Rama pas takimit të Shkëlqesisë së tij ambasadorit të Kinës Zhou Ding dhe zëvendës-ministres për Europën dhe Punët e Jashtme Megi Fino, duke hapur kështu një sërë mundësish me rëndësi për ekonominë, tregtinë, turizmin, shkëmbimin arsimor, kulturor dhe mediatik.
Në vitin 2018, Qeveria Shqiptare zbatoi politikën e heqjes së vizave për shtetasit kinezë gjatë sezonit turistik dhe në fund të vitit 2019, ajo filloi heqjen e vizave gjatë gjithë vitit për shtetasit kinezë. Nënshkrimi me sukses i “Marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave” është rezultat i punës së përbashkët së ekipeve kineze dhe shqiptare përgjatë gjithë vitit të kaluar.
“Marrëveshja për heqjen reciproke të vizave” ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë përcakton se shtetasit e të dy vendeve përjashtohen nga aplikimet për vizë (duke përjashtuar studimin, punën, qëndrimin etj.) nëse qëndrojnë në vendin tjetër për jo më shumë se 90 ditë çdo 180 ditë nga data e hyrjes.
Kina vitet e fundit ka thelluar edhe më shumë përkushtimin politik dhe ekonomik ndaj hapjes e globalizimit si dhe ndaj inovacionit në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm. Institucionet kërkimore dhe arsimore kineze kanë tashmë një numër konkurrues patentash për teknologji, shërbime e produkte të reja. Lëvizja e lirë do të shpeshtojë dhe intensifikojë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe ka një potencial që duhet orientuar drejt shkëmbimeve që sjellin e promovojnë eksperiencat më të mira dhe më inovative.
Shqipëria është një vend i cili në të kaluarën ka provuar izolim të jashtëzakonshëm dhe absolut, gjë që ndikoi shumë negativisht mbi ekonominë dhe gjendjen e shoqërisë. Shqipëria vetë u bë përfituese e lëvizjes së lirë më vendet e Bashkimit Evropian në vitin 2011 e që atëhere lëvizja e qytetarëve ka sjellë mirëqënie dhe zhvillim si dhe ka normalizuar konceptin e udhëtimit që më parë sillte nivele të dëmshme të trafikut të qënieve njerëzore.
Ky zhvillim midis Shqipërisë dhe Kinës vjen ndërkohë që në Kinë po bëhen përgatitjet për Festivalin e Pranverës, ose sic njihet më së shumti Viti i ri Kinez, një simbolikë e bukur kjo që shoqëron këtë lajm pozitiv. Vitin tjetër edhe qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të bëhen pjesë e Vitit të ri Kinez e të shijojnë festimet pa vështirësinë e procesit të aplikimit të vizave.
Redaksia e revistës Europa