Kolegji i Evropës në Tiranë- Një Arritje Historike

0

Hapja e Kolegjit të Evropës në Shqipëri është një tjetër hap I rëndësishëm që e lidh Shqipërinë në mënyrë permanente me Perëndimin, një investim strategjik në fushëm e arsimit dhe të Integrimit Europian, thotë Albert Rakipi, Kryetari I Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkobmëtare.

Nëse Shqipërisë por edhe rajonit i duhej një shenjë se Bashkimi Evropian është ende serioz për zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor, kjo shënjë ka ardhuur në një mënyrë të veçantë: Kolegji i Evropës, një institucion elitar një nga institucionet themelore të idesë së Bashkimit Europian do të hapë kampusin në Tiranë. Pas një fushate lobimi nga Qeveria Shqiptare, Bashkimi Evropian ka njoftuar se janë caktuar fonde për projektin dhe kampusi do të hapet në Tiranë në shtator 2023.
Rektorja e Kolegjit të Europës Federica Mogherini e cila gjendet në Tiranë për të parë nga afër përgatitjet për hapjen e Kolegjit, nënshkroi me Ministren e Arsimit Evis Kushi, një memorandum bashkëpunimi që e anëtarëson Shqipërinë në Këshillin administrativ të Kolegjit të Europës. Shqipëria bëhet kështu vendi I parë nga nga të gjitha vendet aspirante për t’u integruar në BE që do të ketë një zë në qeverisjen e Kolegjit të Europës.

Do të ketë një ndikim të madh në të ardhmen e Shqipërisë
Hapi I parë për idenë e Kolegjit të Europës në Tiranë u hodh në samitin e BE dhe vendeve të Ballkanit në Tiranë në 6 Dhjetor të vitit të kaluar. Është mbreslënëse në fakt se si brenda më pak se 6 muaj Komisioni Europian dhe vendet anëtare po e bëjnë realitet propozimin e Kryeminsitrit të Shqipërisë Edi Rama në Samitin e Dhjetorit që në fakt dukej një ëndërr.
Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare e interpretojnë këtë veprim si përpjekje të “bllokut” për të forcuar fuqinë në një zonë të rëndësishme strategjike, por ndikimi në vetë Shqipërinë do të jetë gjithashtu i madh dhe historik.
Kolegji i Evropës aktualisht ka dy kampuse, një në Belgjikë dhe një në Poloni, dhe hapja e një kampusi të tretë në Tiranë është “e jashtëzakonshme dhe historike”, sepse është një hap tjetër në lidhjen e përherëshme të Shqipërisë me Perëndimin, tha Albert Rakipi, kryetari i Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS). “Sjellja e Kolegjit të Evropës në Tiranë do të thotë të sjellësh institucionin e parë pas universtar perëndimor që nga krijimi i shtetit modern të Shqipërisë. Është zhvillimi më i madh i këtij lloji në arsim në 100 vjetet e fundit dhe do të ketë të njëjtin ndikim në historinë shqiptare, si Liceu Francez i para Luftës së Dytë Botërore në Korçë dhe shkolla amerikane e Harry Fultz në Tiranë”
Dr Rakipi shtoi se përveç sjelljes së një qendre ekselence në Shqipëri, Kolegji i Evropës në Tiranë do të ketë gjithashtu një ndikim në perceptimet e qytetarëve të BE-së për Shqipërinë, pasi më shumë studiues dhe studentë me prejardhje të ndryshme do të ndjekin mësimet dhe hulumtojnë në Shqipëri.
“Kjo është e mrekullueshme për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj evropiane. Është një arritje historike. AIIS është përfshirë që nga fillimi i idesë për të sjellë kampusin e Kolegjit të Evropës në Shqipëri dhe është i lumtur të shohë përpjekjet të cilat mundësuan realizimin e idesë”.

Një shenjë e vëmendjes së BE-së ndaj rajonit
Kolegji i Evropës e ka selinë në Bruges, Belgjikë, dhe ka një kampus të dytë në Varshavë, Poloni. Qeveria shqiptare propozi për të pritur një kampus të tretë gjatë Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor në dhjetor 2022 në Tiranë, propozim I cili u mbështet në parim nga krerët më të lartë të BE-së.
Kampusi i Tiranës do të jetë një qendër rajonale e mësimeve të BE-së, por njëkohësisht do të tërheqë edhe studentë nga i gjithë kontinenti.
“Jam shumë krenar të deklaroj, e kemi diskutuar dhe me Kolegjin e Europës, shpresoj që dhe ata ta konfirmojnë, se do të jemi në gjendje të nisim procesin e pranimeve që në shtator të këtij viti”– tha Komisioneri i Zgjerimit të BE, Oliver Varhelyi në një konferencë të fundit për shtyp, duke shtuar se gjithçka që nevojitet tani është një ndërtesë, një vend i bukur ku kolegji të mund të vendoset.
Qeveria shqiptare ka premtuar të sigurojë një hapësirë të dukshme për kampusin në Tiranë, por ende nuk e ka zbuluar vendndodhjen e tij.

Përkrahja e liderave Shqipëri-BE
“Një dhuratë e madhe” dhe diçka “jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse për ne” është shprehur Kryeministri shqiptar Edi Rama për Kolegjin e Europës në Tiranë.
“Kolegji i Bruges hapi një kampus në Poloni në vitet 1990 për të mbështetur vendet që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, tani do të hapë një kampus në Shqipëri”, tha zoti Rama, rëndësia e saj është e dukshme.
Z. Rama tha në dhjetor 2022, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, se qeveria kishte propozuar zyrtarisht sjelljen e institucionit prestigjioz të BE-së në Shqipëri, duke marrë treguesin e parë të mbështetjes nga lidershipi i BE-së.
Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini, ish-shefe e politikës së jashtme të BE-së, gjithashtu “përqafoi synimin e shpallur të Komisionit për të financuar një kampus të ri të Kolegjit të Evropës në Tiranë”, sipas POLITICO. Ajo shtoi: “Ne po fillojmë punën paraprake për të paraqitur një propozim të detajuar”.
Rreth Kolegjit të Evropës
Kolegji i Evropës është instituti i parë universitar në botë i studimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në çështjet evropiane. I themeluar në vitin 1949 nga figura kryesore evropiane në vazhdën e Kongresit të Hagës, ka sjellë krijimin e Lëvizjes Evropiane. Kampusi i tij origjinal është në Bruges, Belgjikë. Një kampus i dytë i kolegjit në Natolin (Varshavë), Poloni u krijua në 1992 përpara negociatave të pranimit të Polonisë me BE-në.
Tirana do të presë së shpejti kampusin e tretë të institucionit të nderuar në Ballkanin Perëndimor, duke shpresuar të sjellë të njëjtin vizion që kishte në fund të viteve ’40 në Evropën Perëndimore dhe në fillim të viteve ’90 në Evropën Lindore.
Sipas një renditjeje nga POLITICO, Kolegji i Evropës krenohet me numrin më të madh të të diplomuarve që shërbejnë si nëpunës civilë në BE. Alumni të shquar përfshijnë komisionerin aktual Margaritīs Schinas, së bashku me ish-kryeministrat Helle Thorning-Schmidt të Danimarkës dhe Alexander Stubb të Finlandës.
Financimi i universitetit rrjedh nga një kombinim burimesh, duke përfshirë BE-në dhe qeveri të ndryshme kombëtare.
Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po ecën përpara, por me një ritëm shumë më të ngadaltë se sa hyrjet e mëparshme të Evropës Lindore, duke shkaktuar zhgënjim në rritje në vend.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në BE në qershor 2014. BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022 dhe negociatat Shqipëri-BE për anëtarësimin e plotë janë ende në vazhdim. Procesi ka të ngjarë të marrë shumë vite për të përfunduar duke mos pasur një afat kohor të caktuar.

SHPËRNDAJE