Presidenti Xi Jinping: Planeti Tokë është mjaftueshëm i madh
Takimi mes Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping, ishte një sinjal i mirë drejt rikthimit të normalitetit në marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Presidenti Biden deklaroi se konkurrueshmëria mes dy vendeve nuk ka pse të kthehet në përplasje, ndërkohë që Presidenti Xi Jinping tha se planeti Tokë është mjaftueshëm i madh për të dyja vendet që të zhvillohen. Presidenti Xi Jinping gjithashtu tha që konflikti dhe përplasja ka pasoja të konsiderueshme për të dyja palët.
Presidenti Jinping theksoi se respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë janë mësimet e nxjerra nga marrëdhëniet 50-vjeçare kino-amerikane, si edhe nga konfliktet midis vendeve të mëdha përgjatë historisë. Kina dhe ShBA-ja duhet të bëjnë më shumë përpjekje për t’iu përmbajtur këtyre mësimeve.
Për të dyja vendet ishte e rëndësishme rivendosja e komunikimit mes dy qeverive. Në këtë këndvështrim, takimi i 16 nëntorit ishte i suksesshëm. Veçanërisht në fushën ushtarake, dy qeveritë vendosën të rikthejnë komunikimin mes njëra tjetrës.
Gjithashtu një çështje tjetër e rëndësishme ishte ajo e drugës fentanil, një pjesë e përbërësve të së cilës prodhohen në Kinë por që ka përdorues të shumtë në SHBA dhe rrjedhimisht ka shkaktuar një numër të konsiderueshëm viktimash.
Të dy udhëheqësit theksuan gjithashtu rëndësinë e punës së përbashkët për të përshpejtuar përpjekjet për të trajtuar krizën klimatike. Ata përgëzuan diskutimet e fundit pozitive ndërmjet të dërguarve të tyre të posaçëm për klimën, duke përfshirë veprimet kombëtare për të pakësuar emetimet e CO2 dhe qëndrimet e përbashkëta për të zhvilluar një COP28 të suksesshme dhe mbi vënien në funksionim të Grupit të Punës për Forcimin e Veprimit Klimatik.
Takimi gjithashtu riktheu atë që quhet ‘’diplomacia e pandave’’. Kina vendosi t’i dhurojë SHBA-ve tre panda, të cilët gjithmonë janë parë si shenjë e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.
Takimi ishte një hap i parë i rëndësishëm për të rikthyer normalitetin. Analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se fakti që dy udhëheqësit u takuan përbën në vetvete një shenjë optimizmi për të ardhmen. SHBA dhe Kina janë dy ekonomitë më të mëdha të botës, por në shumë fusha kanë këndvështrime të ndryshme dhe normalizimi i marrëdhënieve mes tyre është kyç për paqen dhe zhvillimin në botë.