- Edhe pse mushkonjat i shikojmë gjithmonë nga ana negative, ato janë pjesë e ekosistemit, e zinxhirit ushqimor, veçanërisht në botën ujore.
- Për trajtim kemi kapacitete, por për hulumtim mungojnë ekspertë.
- Nuk mund ta luftojmë armikun nëse nuk e njohim atë dhe kjo kërkon ekspertë dhe financa.
- Pa kontrollin e duhur të popullatës së mushkonjave ne potencialisht mund të përballemi me rreziqe serioze për shëndetin.
- Vitin e kaluar u krye studimi i parë pilot në Serbi me lëshimin e mushkonjave mashkullore tigër sterile, me synim zvogëlimin e popullatës së këtyre insekteve.
Klima dhe mushkonjat
Dhimbje koke, temperaturë dhe dhimbje muskulore. Bashkëqytetari ynë kishte ndjesinë se një ftohje po e mundonte trupin e tij. Ai ishte pothuajse i sigurt se gripi sezonal e kishte pushtuar kur ndjeu të përziera dhe vjellje, por priste ta kalonte atë „në këmbë“.
Ditët e zakonshme të ftohjes kishin kaluar, kurse bashkëqytetari ynë ishte ende duke luftuar me të njëjtat simptoma. Testet mjekësore treguan ethet e Nilit Perëndimor të shkaktuar nga një pickim mushkonjash. Ai mezi i mbijetoi simptomave në dukje “të buta”, por katër të tjerë në dy vitet e fundit nuk ishin aq me fat dhe vdiqën nga i njëjti pickim që kishte transmetuar ethet e Nilit Perëndimor.
Epidemiologu Dragan Koçinski nga Instituti i Shëndetit Publik thotë se trajtimi naiv i mushkonjave e mban në rritje numrin e të sëmurëve dhe të vdekurve nga sëmundjet e shkaktuara nga këto insekte.
Përqindja më e madhe e rasteve klinike manifestohet në forma të lehta, me simptoma të ngjashme me gripin (temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh). Përveç kësaj, shfaqen dobësi, zmadhimi i gjëndrave limfatike, nauze, të vjella dhe një skuqje e mundshme në trup, – thotë Koçinski dhe thekson se në shumicën e rasteve infeksionet e pakomplikuara kalojnë për 3-6 ditë.
“Tek ata me forma të rënda, neuroinvazive të sëmundjes, 1% (më e zakonshme tek të moshuarit) zhvillojnë shenja të encefalitit, meningo-encefalitit ose meningjitit – ngurtësim qafe, çorientim, dridhje, konvulsione, dobësi të rënda të muskujve, paralizë të dobët dhe koma. Më pas prishja e ekuilibrit, dëmtimi i nervit kranial, dhimbje në sy, por edhe shfaqja e miokarditit, pankreatitit, formave të ndezura të hepatitit“, shpjegon epidemiologu Koçinski.
Periudha: 2011-2023
Sëmundja | Të sëmurë | Të vdekur |
Malarje: | 36 | 4 |
Ethet e Nilit Perëndimor: | 45 | 4 |
Denga: | 1 | / |
Ethet e verdha, Zika dhe Chikungunya: | / | / |
Shifrat nuk janë të ndryshme edhe në Serbinë fqinje. Në muajin shtator, mediat vendase shkruan për rastin e fundit nga gjithsej 91 rastet kur një grua gjashtëdhjetë e pesë vjeçare nga Vojvodina ishte në gjendje të rëndë në spitalin e Somborit për gati dy muaj, pas kolapsit kur u konstatua se ajo ishte i infektuar me ethet e Nilit Perëndimor.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Serbisë “Dr. Milan Jovanoviq Batut”, të publikuara në fillim të muajit nëntor, këtë vit janë regjistruar 91 raste, prej tyre 54 meshkuj dhe 37 femra, të moshës 18 deri në 89 vjeç. Në fillim të këtij viti, u raportuan dy vdekje që mund të jenë të lidhura me sëmundjen. Të dy rastet janë regjistruar në Vojvodinë.
Pesë vjet më parë, në Vojvodinë u regjistruan 192 raste të etheve të Nilit Perëndimor, që është 21 herë më shumë se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, shkalla e vdekjeve nga kjo sëmundje ishte më e larta në mesin e të gjitha sëmundjeve infektive në Vojvodinë në vitin 2018, kur vdiqën 31 persona.
Edhe në Shqipëri mushkonjat Aedes po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe këto nënspecie njihen si bartës shumë efikas të sëmundjeve. Ky vend është veçanërisht “i preferuar” për shkak të sipërfaqes së madhe ujore, të cilat mushkonjat e shohin atë si parajsë.
Mushkonjat e rrezikshme dhe të parrezikshme
Nikolina Sokolovska është e vetmja entomologe mjekësore në Maqedoni. Ajo punon në Qendrën e Shëndetit Publik dhe hulumton mushkonjat.
“Mushkonjat janë pjesë e ekosistemit. Ne i shohim gjithmonë nga ana negative, që na shqetësojnë, transmetojnë sëmundje, por ka edhe një anë pozitive. Ato janë pjesë e zinxhirit ushqimor, veçanërisht për ekosistemin ujor”, thotë Sokolovska, por mbetet e mendimit se bëhet fjalë për insekte vdekjeprurëse.
„ Konsiderohet se ato janë më vdekjeprurëset, ndaj OBSH i shpall kafshët më vdekjeprurëse në botë. Janë diku rreth 700 mijë të vdekur, megjithëse përqindja më e madhe është nga zonat tropikale dhe subtropikale, prapëseprapë është një numër shumë i lartë. Sepse kemi udhëtime globale, migrim të popullsisë dhe për këtë arsye ka rrezik të infeksionit, në transmetimin e sëmundjeve etj.”, thotë Sokolovska.
Nuk i kemi sëmundjet tropikale që ekzistojnë nëpër botë, por kemi mushkonja që janë bartëse, thekson Sokolovska dhe shton se kjo nuk duhet të neglizhohet fare.
“Kjo është arsyeja pse ekziston rreziku nga mushkonjat, por jo të gjitha mushkonjat mund të transmetojnë një virus. Është një natyrë e tërë që mushkonja ushqehet me një person apo kafshë të infektuar, kështu që virusi do të mbijetojë apo do të përsëritet, a do të shumohet në trupin e mushkonjave, pra a do ta transmetojë atë te njerëzit duke u ushqyer me të, a do të mbijetojë te njeriu, pra këto janë ligjet e natyrës që mundësojnë se ku do të shumohen, ku do të zhvillohet sëmundja“, shpjegon Sokolovska.
Prof. Dr. Dushan Petriq, profesor në pension në Fakultetin e Bujqësisë në Novi Sad, thotë se speciet vendase të mushkonjave kanë qenë atje për miliona vjet, por në dhjetë vitet e fundit janë gjetur lloje të reja në zonat tona.
“Ato janë të reja falë rritjes së transportit dhe tregtisë ndërkontinentale, respektivisht njerëzve dhe falë ndryshimeve klimatike, veçanërisht në vendet me temperatura më të larta po vendosen në zona të reja ku nuk kanë jetuar më parë“, thotë Petriç dhe shton: „Mushkonjat pushtuese u përhapën në mbarë botën kryesisht përmes tregtisë së gomave të makinave të përdorura, në të cilat ata mund të lëshojnë vezët e tyre. Kështu, mushkonja tigër aziatike erdhi nga Kina në Shqipëri në vitin 1978, nga Teksasi në Itali në vitin 1990. Nga pikat fillestare të depërtimit, ato u përhapën kryesisht me mjete transporti – makina, autobusë, kamionë, trena, jahte, anije dhe mjete të tjera. Mushkonja tigër aziatike është një fluturuese e dobët, kështu që njerëzit e ndihmojnë atë të përhapet. Një specie tjetër, Aedes japonicus, gjithashtu mund të përhapet në mënyrë aktive“.
Bazuar në përvojën e tij për disa dekada, Dr.Petriç paralajmëron se është shumë e mundur që në të ardhmen për këtë klimë të shfaqen disa lloje të reja mushkonjash dhe disa viruse/sëmundje të reja që transmetojnë këto specie, por edhe që ndryshimet klimatike të kontribuojnë në një rritje të popullsisë së specieve që tashmë jetojnë këtu.
Ky fakt na detyron të qëndrojmë zgjuar dhe të monitorojmë me vigjilencë situatën, të monitorojmë vazhdimisht për të reaguar në kohë dhe për të mos lejuar që të ketë viktima.
Por epidemiologu Koçinski thotë se në Maqedoni mungon mbikëqyrja.
„Nuk ka mbikëqyrje rutinë të mushkonjave. Qendra e Shëndetit Publik Shkup përmes shërbimit të tyre vendos karrem në nivel të qytetit të Shkupit gjatë vitit, por ato rezultate nuk janë të mjaftueshme për të dhënë të dhëna për të gjithë vendin. Aedes albopictus (mushkonja tigër) dhe mushkonjat Culex janë tashmë të dëshmuara“, shpjegon Koçinski.
Me keqardhje pohon edhe Sokolovska, e cila thotë se nuk mund ta luftojmë armikun nëse nuk e njohim atë, dhe për ta njohur duhet të kemi ekspertë dhe financa.
“Epo këtu nuk mund të mburremi shumë, sepse nuk kemi mbikëqyrje! Për herë të parë me iniciativën tonë vitin e kaluar u bë një ndryshim në Programin kombëtar për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive, u shtua si aktivitet, por nuk u ndanë disi më shumë burime financiare. Po e them sërish brenda programit. Aktivitetet e tjera mund të reduktohen në transferimin e fondeve për mbikëqyrje, por përveç pjesës financiare, mund të them se ekipi profesional nuk është i kënaqshëm dhe nuk kemi mjaftueshëm njerëz për ta bërë në të gjithë territorin“, thotë Sokolovska.
Sokolovska është përgjegjëse vetëm në territorin e Qytetit të Shkupit. Ajo thotë se me iniciativë dhe ambicie të vetë saj, kur ka mundësi eksploron edhe nëpër qytete të tjera në Maqedoni.
Dëshira për para mbi frikën
Për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të saj si dhe turistëve vizitorë, qeveria shqiptare nisi në vitin 2014 një program që shënoi fillimin e luftës për “dezinsektim”. Kjo ishte hera e parë pas 25 vitesh që një proces i tillë ndodh në Shqipëri. Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, shpalli zonat e synuara për dezinfektim dhe që prej asaj kohe qeveria shqiptare ka punësuar kompani private për ta kryer këtë detyrë përmes përdorimit të tenderëve.
Megjithatë, vitet e fundit, këto tenderë nuk kanë arritur të kryejnë detyrën e dezinsektimit të zonave bregdetare të Shqipërisë, ku turizmi po lulëzon.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara (ASHPP) në Shqipëri e anashkaluan këtë çështje, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit dhe ndërkohë nuk e vazhduan detyrën e dezinsektimit në pesë vitet e fundit.
Për vitin 2023, gara e tenderit ishte në zhvillim e sipër, por u pengua nga mospërgjegjësia institucionale dhe mungesa e komunikimit, me çrast u pezulluan rreth 800 mijë euro të destinuara për tenderë.
Bisedimet për korrupsion dhe arrestimet e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë po i përkeqësojnë gjërat, pasi shpërdorimi i fondeve është bërë një problem real.
Ndërsa kjo po ndodh, afati kohor për dezinsektimin efektiv po skadon. Mushkonjat femra vendosin vezët e tyre në pellgje të vogla me ujë gjatë muajit maj, ku larvat qëndrojnë për pjesën më të madhe të jetës së tyre, duke arritur në 10-14 ditë. Këto larva janë më të lehta për t’u vrarë në këtë kohë, por me vonesat që po shohim këtë vit, dezinsektimi nuk ka gjasa të jetë efektiv.
Pa kontroll adekuat të popullatës së mushkonjave, kushdo që jeton apo viziton Shqipërinë mund të përballet me rreziqe serioze shëndetësore. Për më tepër, ndikimi negativ që kjo mund të ketë mbi turizmin do të ketë pasoja serioze ekonomike.
Ndryshe nga Shqipëria, në Maqedoni procedura e tenderit shkon si e lyer me vaj. Pasi të përfundojë në muajin nëntor i ashtuquajturi sezon i mushkonjave, deri në pranverën e ardhshme, respektohen rekomandimet e ekspertëve dhe sigurohen insekticidet e nevojshme. Problemi lind kur respektimi i rekomandimeve është selektiv dhe merret vetëm ajo që u përshtatet atyre nga aspekti financiar.
Entomologia mjekësore Nikolina Sokolovska thotë se me vite apelojnë që të mos planifikohet dezinsektimi ajror, sepse nuk është efektiv në zonat e banuara dhe sepse gjatë dezinsektimit ajror, përveç mushkonjave, shkatërrohen gjithashtu të gjithë insektet që do të fluturojnë në atë moment, grerëzat, bletët, mizat…
“Nëse do të merrnim masa më integrale, për të reduktuar habitatin, zonat ujore që nuk kemi nevojë t’i thajmë, nëse nuk mund t’i thajmë, t’i mbulojmë, t’i mbrojmë e kështu me radhë, atëherë, nëse edhe në fund të fundit, edhe pas gjithë atyre masave kemi numër të madh mushkonjash, do shkojmë me dezinsektim, por paraprakisht me dezinsektimin e larvave. Duhet të trajtohen ujërat! Pastaj bëhet trajtimi në tokë. Dezinsektimi ajror nuk rekomandohet dhe është i pasuksesshëm në vendbanime. Rekomandojmë që dezinfektimi ajror të jetë ose në periferi ose në zona të paarritshme, ose këtu p.sh., në fushat me oriz ku kemi një sipërfaqe më të madhe, por nuk ka sukses në një zonë të populluar!“, shpjegon Sokolovska.
Hulumtimet tregojnë se nëse habitatet e mushkonjave reduktohen, numri i tyre do të reduktohet me 10% deri në 20%.
“Strategjia është që fillimisht të reduktohen habitatet e tyre. Është një strategji që e gjithë bota e mbështet dhe avokon për edukimin e popullatës, që popullata të jetë pjesë e sistemit të mbrojtjes, përveç bashkive dhe ministrive që zbatojnë këto masa“, shton ajo.
Për shkak të numrit të madh të personave të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor, në Vojvodinë po merren masa radikale për të shtypur popullatën e mushkonjave tigër (Aedes albopictus).
Ekspertët nga Fakulteti i Bujqësisë nga Novi Sadi njoftuan këtë verë se këtë vit ata planifikojnë të lëshojnë deri në 800,000 mushkonja mashkullore tigër sterile në më shumë se 40 lokacione.
Vitin e kaluar, studimi i parë pilot u krye në Serbi duke lëshuar 200,000 mushkonja mashkullore tigër sterile, me nga 50,000 njësi, për katër javë. Qëllimi i rritjes së popullatës së atij lloji të mushkonjave është në fakt zvogëlimi i tij.
Kjo metodë e pranuar globalisht për zvogëlimin e popullatave të mushkonjave përdoret kundër llojeve pushtuese të mushkonjave, siç është mushkonja tigër aziatike, sepse mushkonjat tigër femra çiftëzohen vetëm një herë në jetë: nëse ajo çiftëzohet me një mashkull steril në atë rast, ajo nuk do të prodhojë pasardhës dhe do të bëjë vetëm vezë sterile.
Bazuar në të gjitha bisedat tona në këtë analizë, pikëpamjet e ekspertëve dhe të dhënat nga institucionet përkatëse, mund të konkludohet se një qasje joserioze në trajtimin e mushkonjave mund t’u sjellë shumë para individëve në një afat të shkurtër, por në afat të gjatë, do të shndërrohet në një kërcënim serioz për shëndetin e njerëzve. Nga tabloja aktuale për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Serbinë, mesazhi është se ky problem duhet kuptuar më me përgjegjësi dhe se fondet e investuara duhet të jenë në vendin e duhur dhe për qëllimin e duhur. Nuk ka nevojë të shpiken mënyra të reja, por mund të ndiqen shembuj në botë që tashmë po japin rezultate.
Kjo përmbajtje është realizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit.
Gazetarë: Katerina Topalova Dejanovska (Maqedoni), Denis Kolundzija (Autonomija, Serbi), Gjon Rakipi, Jerina Zaloshnja (Tirana Times, Shqipëri)
Regjistrimi video dhe foto: Sllagjan Milloshevski
Montazhi: David Milloshevski