Genc Pollo
Ish Ministër dhe Deputet
1-Dy hollandezët e kulturës së shtetit ligjor
Në 7 maj 2018 deputetët hollandezë Peter Omtzigt e Stieneke van der Graaf (përkatësisht të partive CDA e CU) u çuan nga tryeza në restorantin Estia në Tiranë, ku ambasada e tyre kishte shtruar një drekë për delegacionin parlamentar nga Komisioni i Çështjeve Europiane që vizitonte Shqipërine dhe për kolegët shqiptarë të komisionit homolog. Dy deputetët u kthyen mbas dhjetë minutash në tryezë pasi mbajtën shkurt një konferencë shtypi në oborr. Mbas drekës ne hapëm telefonat pamë që në portale dy deputetët ishin bërë lajm i parë. Ata, duke folur në emër të delegacionit parlamentar, thanë se kishin ardhur për të verifikuar në vend se sa i kishte përmbushur Shqipëria kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Para medias por edhe në takimet e tjera ata kishin ngritur me shqetësim mungesën e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, shkrirjen arbitrare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga Prokurorja e Përgjithshme AM, mbrojtjen e paduhur nga maxhoranca të ish ministrit të brendshëm të akuzuar për trafik droge, mosekstradimin në Itali të vëllait të Ministrit të Brendshëm i dënuar gjithashtu për trafik droge, etj.
Kundërsulmi nuk vonoi: Kryetari i Kuvendit G. Ruçi kujtoi se në regjimin komunist shqiptarët nuk njihnin drogë e korrupsion e i mësuan ato kur u hapën kufijtë me Europën; e megjithatë në Eurovision e Champions League shqiptarët shkëlqejnë më fort se hollandezët. Më vonë KM Rama, duke dashur të presë drutë pak më hollë, theksoi se misionet faktmbledhëse si ky i hollandezëve janë punë koti sepse faktet i kanë mbledhur e studjuar ata mijëra ekspertë të Komisionit Europian që janë më të mirët në botë dhe kanë konkluduar pozitivisht. E për të mos e lenë krejt vetëm kolegun kryeparlamentar Rama shtoi se ata dy deputetë vijnë në Tiranë se bëhen lajm kryesor pasi në vendin e tyre nuk i begenis kush me kamera e mikrofonë.
Lexuesi shqiptar tashmë nuk e ka të nevojshëm një shpjegim mbi deficitin e madh të Edi Ramës në kuptimin e praktikën e demokracisë. Megjithatë episodi i mësipërm ilustron funksionimin e ndarjes së pushteteve, një koncept anatemë për satrapët modernë dhe mtonjësit ballkanikë për këtë status. Për çështje të rëndësishme e sensitive parlamentet jo vetëm dëgjojnë qeverinë e tyre dhe lexojnë raportet e burokracisë shtetërore por edhe verifikojnë vetë në terren përmes takimeve me palët e përfshira vërtetësinë e saktësinë e fjalëve të ekzekutivit. Kështu ndodhi p. sh. me “9 kushtet e Bundestagut” të iniciuara nga grupi parlamentar i partisë së kancelares Merkel apo edhe me rezoluta të ndryshme të Parlamentit Europian të cilat vunë seriozisht në dyshim pohimet e Komisionit Europian se Shqipëria i kishte pëmbushur kushtet e kërkuara.
Dhe në fund të fundit zyrtarizimi i kushteteve nga BE (Këshilli Europian, pra shtetet anëtare) ishte një trysni pozitive për përmbushjen reale të kushteve dmth normalizimin deri diku të funksionimit të shtetit shqiptar. Kjo nuk do të thotë se punonjësit e Komisionit Europian nuk i kanë parë e shënuar faktet. Por nën drejtimin e funksionarëve të komprometuar si Vlahutin apo të njëanshëm si Mogherini objektivitetin e raportit nuk e shpëton dot as eksperti më i aftë e as burokrati më korrekt.
Një shembull që Edi Rama do e ketë përzemër është Instituti Ndërtimit: drejtori AH pas një inspektimi të posaçëm konkludoi se ndërtesa e Teatrit Kombëtar ishte e rrezikuar nga goditjet sizmike edhe pse inspektimi i rregullt dy vjet më parë kishte konkluduar të kundërtën (çka e verifikoi edhe tërmeti real asokohe).
2-Dy hollandezët e kulturës së imazhit të instagramit tok me një shqiptar
Në restorantin Estia biseda vazhdoi edhe pas konferencës së shtypit me sqarimet e deputetëve vendas ku pala rilindiste, për t’a thënë me Nolin, “fryn bulcitë e trumbeton se katrani zbardhëllon” ndërsa ne të palës opozitare ofronim akrobacinë logjike se “kushtet nuk janë përmbushur por negociatat lipsen të çelen sepse ato ndihmojnë që të përmbushen kushtet”. Në një moment deputeti hollandez Kees V. (i partisë D66) doli disi nga tema dhe kërkoi shpjegime për rrëmujën në parlament gjashtë muaj më parë duke shtuar se pamje të tilla me të shtyra e tymuese nuk ndihmonin avancimin drejt BE. Unë ju gjegja shkurt se mbledhjet e Kuvendin Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë kishin qenë shumë më të qeta por megjithatë kjo nuk kishte ndihmuar fare që të vendosej ndonjë farë raporti me Europën. Mbas një të qeshure të shkurtër biseda u kthye në shinën e “katranit zbardhëllues” dhe “të çeljes që të përmbushen”.
Zoti Kees C. e pati fjalën për rrëmujën e shkaktuar nga opozita për të penguar apo të paktën protestuar kundër votimit jokushtetues e antiligjor për të emëruar A. Markun si Prokurore e Përgjithshme. Por Kees C. as nuk e dinte se cili ishte shkaku i rrëmujës, as nuk dinte se ky shkak solli pasoja që delegacioni i tij i ngriti si shqetësime për shtetin ligjor (shkrirja arbitrare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda) dhe madje as nuk kishte kureshtje t’i mësonte ato. Atij i mjaftonte një pamje e qortueshme dhe kaq.
Me gjasë nuk do t’i shënoja këto kujtime të para pesë viteve por sebep u bë një postim në X (ish Twitter) i një hollandezi tjetër. Zoti Reinout Vos, ambasador i Vendeve të Ulta në Tiranë, shkroi të mërkurën (17/01) “skenë e papranueshme sot në parlament”. Në fakt skena ku dy burra deputetë që i gërmusheshin e i përmbysnin mikrofonin një deputeteje grua teksa kjo kryesonte një mbledhje komisioni, ishte shume e pabukur për këdo në Shqipëri, Hollandë dhe Europë. Fakti që dy deputetët ishin të opozitës reale e që deputetja i përkiste opozitës jeniçere dhe që në atë moment po sillej si e tillë nuk ndryshon gjë tek sjellja e imazhi negativ. Por vetëm me këtë vëzhgim pa e shpjeguar kontekstin e shkaqet e skenës druaj se mbetemi tmerrësisht të përciptë.
Si skena me zonjën deputete ashtu edhe trazira në çdo seancë plenare janë reagim ndaj një seri shkeljesh të rënda të kushtetutës e të ligjit nga mazhoranca gjatë v2023 për të refuzuar të drejtat e opozitës parlamentare. Këtu përfshihen komisionet hetimore të kërkuara, përfaqsimi i opozitës në komisionin e reformës zgjedhore, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e një deputeti dhe paraqitja e qeveritarëve në interpelancë. Raporti i Komisionit Europian i nëntorit “Albania 2023” i listonte këto raste si keqfunksionim i parlamentarizmit dhe thyerje e ligjit. Ata që nuk janë informuar për këtë nga debati publik e konfrontimi parlamentar me siguri e kanë lexuar në raportin e Brukselit. Dhe është në tagrin e gjithësecilit të formojë një opinion se cfarë është më e dëmshme dhe e qortueshme mes dhunimit të parlamentarizmit e pluralizmit në njërën anë dhe në anën tjetër reagimit ndaj këtij dhunimi (edhe me mjete jo konvecionale dhe shpesh jo estetike mbasi janë shterruar udhët institucionale).
Një opinion duket se e ka korrespondenti i agjensisë së lajmeve Associated Press në Tiranë Ll. S. i cili ka raportuar periodikisht që nga shtatori për situatën në Kuvend. Që në fillim lipset të thuhet se raportimi ka qenë përgjithësisht i ballancuar e kanë vënë në dukje se protesta e opozitës ka filluar para akuzimit nga SPAKu të liderit të opozitës. Por fjalia kyç është se “rrëmuja në parlament mund të jetë pengesë për reforma të nevojshme mbasi BE ka pranuar të fillojë harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE”. Dhe pyetja e arsyeshme e gjithkujt do të ishte po shkeljet e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, siç e vë në pah Komisioni Europian a janë pengesë? Përpjekjet për t’i korrigjuar ato a janë një ndihmë? Pa u ndalur në faktin se mazhoranca po miraton ligjet si don edhe per katër minuta edhe me zoom.
Përtej çështjeve të Shqipërisë prej kohësh ka një trend kulturor global që fokusohet në imazhin efemer e në titullin bombastik pa i kushtuar vëmendje përmbajtjes e pa shprehur interes ndaj thelbit të gjësë. E njohur edhe si kultura e imazhit të instagramit në rastin tonë nuk shfaqet tek opionistët e njëanshëm e mediat shërbestare por edhe tek ndërkombëtarë që flasin për pasojën e heshtin për shkakun.