Nga Rafaela Prifti
Midis Dy Kohësh – takimi kushtuar shkrimtarit Naum Prifti në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë ditën e martë me 5 mars, – provoi se autori edhe pse i larguar dy herë – nga atdheu dhe nga jeta – ka vendin e vet tek lexuesi dhe në letërsinë shqiptare. Poetesha Mimoza Ahmeti e drejtoi bisedën me vajzën e shkrimtarit, Julika Prifti, ku ju dha hapësirë detajeve biografike të ndërthurura me disa nga momentet kyçe të krijimtarisë së tij këtej dhe andej oqeanit. I njohur si mjeshtër i tregimit shqiptar, ai krijoi një spektër të tere të zhanreve të artit ne sistemin e kaluar dhe pastaj në emigracion në Amerikë duke qenë gjithmonë, siç thoshte ai vetë, “në harmoni me veten e tij”. Krijuesja me personalitet origjinal, Mimoza Ahmeti e ka njohur autorin si shkrimtar dhe bashkëkohës të të atit, duke i dhënë një rrjedhje të natyrshme diskutimeve të folësve dhe mysafirëve të pranishëm në sallë.
“Lëvruesi i disa zhanreve të letërsisë shqipe, Naum Prifti, linte gjurmë tek mua si për personazhet e rrallë në tregimet si Ndjekësi i Kuajve ashtu dhe për subjektet jotipike e të paharrueshem, Rafaela Prifti” tha Profesoresha Anila Mullahi e Fakultetit Histori Filologji, duke shprehur mendimet si lexuese dhe pedagoge.
“Pena e tij qëndronte lart të tjerave në dialog sepse Naumi mishëronte në to nuancat psikologjike të botës së brendshme të personazheve. Aty kishte aq shumë vërtetësi dhe dinamizëm sa nuk mund t’ju hiqje asnjë presje,” tha artisti Bujar Kapexhiu. Duke u kthyer në vitet ’70 kur realizoi filmin e parë të gjatë vizatimor Pika e Ujit me skenar të Naumit në Kinostudion Shqipëria e re, Bujari tha se komunikimi me autorin ishte i natyrshëm sepse “prej tij mësonim diçka, por edhe sepse ai dinte të na bënte të gjithëve të ndiheshim më intelektualë.”
Naum Prifti jetoi dy të tretat e jetës në Shqipëri dhe një të tretat në Amerikë por mbeti deri në fund një qind për qind rehovar. Ai u lind në 7 mars 1932 në Rehovë të Kolonjës. Dhe aty la amanet të kthehej një pjesë e hirit të tij nga familjarët. Dy nga vajzat, Julika dhe Rafaela, e çuan në vend dëshirën e fundit vitin e kaluar. Rehovarët shprehën admirim për mjeshtrin nga pena e të cilit buronte dashuria për vendin nga Tregime të Fshatit, Cikua dhe Beni e shumë krijime të tjera. Bashkëfshatari Vangjel Qirici foli me elokuencë për lidhjen e fortë të autorit me vendlindjen. Bardhyl Prifti, pjesëtar i fisit të Priftëllarëve, duke vlerësuar zotësinë e gurgdhendjes të burrave paraardhës e cilësoi “Naumin trashëgimtar të denjë të tyre në mjeshtërinë e gdhendjes së fjalës”. Ulur pranë tij, kushërira e Naumit, Liljana Cunga, pohonte me kokë.
Gjatë gjithë jetës Naumi gjente mbështetje te rrethi i shokëve dhe miqve ku flitej lirisht dhe ku mendimi i lirë nuk censurohej. Burbuqe Angjeli, vajza e shkrimtarit të ndjerë dhe mikut Dhimitër dhe Fati Xhuvani, ndjeu praninë e prindërve të saj në takimin për shkrimtarin. Aty secili pjesëmarrës hynte në lidhësen e kohëve dhe brezave prindër – fëmi. Xhuvanët, Nurët, Priftëllarët e atëhershëm tani nuk jane më, por kur Buqja, Besimi (Beci) Julika ecin në rrugën e bukur të miqësisë së prindërve.
Ndër figurat e adhuruara të Naumit, zë vend qendror familja Luarasi. Në fjalën e tij Petro Luarasi u përqendrua në prozën poetike të Naumit LISI shkruar për babain e tij Skënderin dhe filmin artistik Kush Vdes në Këmbë, të cilin Naumi ia kushtoi rilindësit nga Kolonja, martirit të gjuhës shqipe Petro Nini Luarasi.
Robert Çabej dhe shkrimtari kanë punuar në Divjakë në vitet 1967-1971. Ai dhe bashkëshortja Anida Çabej e kanë vlerësuar krijimtarinë shumëdimensionale të Naumit.
Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ishte entuziaste për takimin në këtë institucion të rëndësishëm të kulturës shqiptare, e ngritur në janar 2019. Puna koordinuese nga Anxhela Pasha e QKLL mundësoi takimin kushtuar Naum Priftit, për të shënuar 92 vjetorin e lindjes se tij.
Pjesëmarrësit Vojsava Thanasi, Mimika Balluku, Ferial Daja (entnomuzikoloke e shquar), erdhën të nderonin autorin dhe veprën e tij. Takimi vazhdonte në grupime të njohurish e të sapo prezantuarish të cilët merrnin njeri tjetrin për t’u fotografuar përpara aparateve ende duke diskutuar për humanizmin e Naumit, riedukimin në Divjakë pas ndalimit të dramës Rrethimi i Bardhë, përshtatje e shqipërime si Princi i Vogël, Gjigandi i Madh i Mirë, Çarli dhe Fabrika e Çokollatave, etj.
Bajram Karabolli, autor dhe përkthyes, e quajti Naumin Borges-in shqiptar. “Është thellësia psikologjike që e dallon mjeshtrin e madh të tregimit shqiptar, kjo është parabola e krijimtarisë së tij,” theksoi publicisti Stavri Trako teksa përshëndetej me të ftuarit që dilnin nga salla. Dy vajzat e autorit, Julika dhe Rafaela, e ndien të prekshëm admirimin dhe respektin për babain e tyre dhe për shkrimtarin e gjithë kohërave.