Sfidat e kontekstit të ri gjeopolitik por dhe të ekonomisë ndërkombëtare dhe pozicioni global i Kinës ishin në fokus të një bisede që Kryetari i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare Albert Rakipi zhvilloi për cri.al.
Ky kontekst i ri politik që ka ndryshuar gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht në lidhje me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës ka implikime të ndjeshme në marrëdhëniet ekonomike dhe politike, veçanërisht në raport me fuqitë e mëdha si Kina. Rakipi vlerësoi se Kina, si një fuqi globale në rritje, ka një peshë të rëndësishme në skenën ndërkombëtare, veçanërisht si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ka kontribuar në adresimin e krizave globale.
Diskutimi gjithashtu përfshiu marrëdhëniet me Bashkimin Europian, të cilat janë karakterizuar si një partneritet strategjik me një zhvillim pozitiv në dy dekadat e fundit. Megjithatë, Rakipi theksoi se ende ekzistojnë sfida në marrëdhëniet ekonomike midis BE-së dhe Kinës, siç është disbalanca e madhe në shkëmbimet tregtare.
Një aspekt tjetër i diskutimit ishte hapja e vizave për qytetarët e Bashkimit Europian, e cila u vlerësua si një hap pozitiv për të përmirësuar dialogun dhe komunikimin midis vendeve. Po ashtu, u theksua rëndësia e një qasjeje më të balancuar dhe kreative në marrëdhëniet ekonomike me Kinën për vende si Shqipëria.
Rakipi argumentoi se për të përballuar sfidat e reja politike dhe ekonomike, është e rëndësishme të krijojmë më shumë hapësira për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet të gjithë aktorëve të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, duke përfshirë Kinën.
“Mendoj se është një moment i mire historik sepse këtë vit mbushen 75 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit me Kinën. Është një moment i mire për të reflektuar nga qeveria shqiptare që duhet të aplikojë një qasje më kreative kur është fjala për marrëdhëniet ekonomike me Kinën”- theksoi ai.
Një model interesant që vjen nga vendet e tjera anëtare të NATO-s, ose vende anëtare të Bashkimit Europian, vende relativisht të krahasueshme me ekonominë dhe përmasat e Shqipërisë në rajon, siç është Kroacia apo Sllovenia tregon se ka hapësira të shumta bashkëpunimi me interes të përbashkët të cilat shfrytëzohen pa kompromentuar principet dhe vlerat. Sipas Rakipit këto modele ilustrojnë një nevojë për të qenë më kreativë dhe adoptuar një një politikë 360 gradë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pozicioni i Kinës për konfliktin ende në zhvillim në Lindjen e Mesme ka qenë konsistent në mbështetje të zgjidhjes me formulën “me dy shtete” , një formulë që Rakipi e vlerëson si të rëndësishme jo vetëm sepse mbështetja vetëm për një palë nuk do i shkonte një fuqie të madhe por edhe sepse kjo zgjidhje e qëndrueshme është e mbështetur nga SHBA dhe BE.
Rakipi vlerësoi se roli i SHBA është dhe mbetet i pakonkurrueshëm kur është fjala për fuqinë që projekton pushtetin por është e rëndësishme që të kemi dhe një panoramë të rolit global që luajnë fuqi të tjera si Bashkimi Europian, Kina, Japonia, etj.