Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) organizoi sot një konferencë për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryeministri Edi Rama, i Ngarkuari me Punë i ambasadës së SHBA-së në Tiranë, David Wisner dhe kryetari i AIIS Albert Rakipi.
Nga Albert Rakipi
Kryetar i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS)
Faleminderit shumë që jeni të pranishëm sot, në këtë aktivitet kushtuar 75 vjetorit të NATO-s dhe 15 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë.
Kjo konferencë, është një prej veprimtarive që Instituti i Studimeve Ndërkombëtare do të realizojë në këtë vit jubilar, përmes një angazhimi dhe projekti kërkimesh dhe debatesh.
Projekti ynë synon që, në bashkëpunim më kolegët tanë në vendet e tjera anëtare të Aleancës, të inkurajojë një proces reflektimi, për çështje të sigurisë, në nivelin kombëtar, rajonal, por dhe atë global.
Çështjet e sigurisë dhe, në mënyrë të posaçme, integrimi euroatlantik i vendit, ka qënë dhe vijon të jetë në fokus të punës së Institutit, përmes kërkimeve, publikimeve, debateve në një bashkëpunim të ngushtë me qendra kërkimi jashtë vendit dhe në një bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante shtetërore. Gjatë njëzetë viteve te fundit, Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare është rankuar si një nga think tanket më të mira në Europën Qëndrore, Lindore dhe Juglindore, duke zenë pozicionin e 22-të midis disa qindra think tank-esh me përvojë dhe nga vende shumë më të mëdha se Shqipëria.
Gjithashtu, Instituti është rankuar globalisht, si një nga institutet më të mira, në çështjet e politikës së jashtme, çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Nga Prilli i vitit të kaluar, AIIS është një anëtar i Kolegjit Europian të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke qënë i vetmi institut që vjen nga një vend ende jo anëtar i Bashkimti Europian. Instituti ka patur angazhime të spikatura në zhvillimin dhe modernizimin e vendit, duke u angazhuar në një numër projektesh strategjike, siç, së fundi, është edhe ardhja e Kolegjit të Europës në Tiranë. Kolegji i Europës, në Tiranë, e vendos Shqipërinë në një hartë politike të rëndësishme dhe është një hap tjetër, që e lidh vendin me Europën, me Perëndimin.
Në 15 vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, ne jemi krenarë për ndihmesën që kemi dhënë për përgatitjen e vendit për anëtarësinë dhe, sigurisht, për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi arritur të realizojmë me institucione të Aleancës, apo me qëndrat kërkimore, në vendet anëtare.
Tani, këtu dëshiroj t’i mbyll lëvdatat për institutin, me një vlerësim të Daniel Serwer, të Hopkins University. Serwer thotë se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, gjatë tridhjetë viteve të fundit dhe është duke ecur në mënyrë të mençur, drejt shtëpisë së saj europiane. Instituti i Studimeve Ndërkombëtare,- thotë Serwer,- është edhe një nga shkaqet, por edhe një pasojë e këtij transformimi të jashtëzakonshëm.
Qysh nga krijimi i saj, më 1949, NATO është një histori suksesi, një nga institucionet themelore të arktekturës euroatlantike të sigurisë, por, njëherazi, edhe të vlerave të demokracisë dhe lirisë së kombeve dhe shteteve dhe lirisë e të drejtave të njeriut. Përgjatë Luftës së Ftohtë, midis Lindjes dhe Perëndimit, NATO ishte garantuesi i sigurisë dhe paqes për hapësirën euroatlantike. Fundi i Luftës së Ftohtë, fillimisht, përveç të tjerash, solli edhe një shpresë për paqen dhe sigurinë.
Por, ashtu si ç’thoshte ish sekretari i përgjithshëm i Aleancës, i ndjeri Manfred Verner, rënia e Bashkimit Sovjetik dhe Fundi i Luftës së Ftohtë, krijoi një paradoks: Më pak kërcënime, por, në të njëtën kohë, më pak paqe.
Perëndimi dhe Aleanca u ballfaquan me ndryshime substanciale të mjedisit të sigurisë, në rajone të ndryshme të botës, për shkak të një zinxhiri shtetesh të dobëta dhe të dështuara, përshirë shpërthimin e politikave nacionaliste dhe konfliktet brënda shteteve. Ballkani ishte një nga këto rajone që riktheu tmerret e Luftës së Dytë Botërore.
NATO ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në zonën euro-atlantike, përmes angazhimit të saj të mbrojtjes kolektive, duke penguar agresionet potenciale dhe duke promovuar stabilitetin midis vendeve anëtare.
Aleanca ka nxitur një partneritet të fortë transatlantik, duke promovuar bashkëpunimin dhe solidaritetin midis aleatëve të Amerikës së Veriut dhe Europës, në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Zgjerimi i NATO-s ka kontribuar në përhapjen e vlerave demokratike dhe stabilitetit në Europë, duke integruar vendet e reja anëtare dhe duke promovuar bashkëpunimin e sigurisë, në të gjithë kontinentin.
NATO ka luajtur një rol kyç në menaxhimin e krizave dhe operacionet paqeruajtëse, duke u përfshirë në Ballkan dhe Afganistan, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë, në rajonet e prekura nga konflikti.
NATO është përshtatur vazhdimisht ndaj sfidave të reja të sigurisë, duke përfshirë terrorizmin, kërcënimet kibernetike dhe luftën hibride; duke modernizuar aftësitë dhe strategjitë e saj për të adresuar kërcënimet në zhvillim.
Në përgjithësi, arritjet kryesore të NATO-s, gjatë 75 viteve të saj përfshijnë: promovimin e paqes dhe sigurisë; nxitjen e bashkëpunimit transatlantik; kontributin në menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e paqes dhe përshtatjen ndaj kërcënimeve të reja të sigurisë, për të siguruar rëndësinë e vazhdueshme të organizatës, në shekullin e 21-të.
Por, qysh nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, Aleanca ndodhet përpara sifidave dhe kërcënimeve serioze për sigurinë dhe paqen. Agresioni i Rusisë nuk drejtohet vetëm kundër një vendi sovran, që është një shkelje flagrante e Ligjit ndërkombëtar, por kundër rendit europian dhe atij ndërkombëtar, kundër lirisë së popujve dhe vlerave dhe misionit për të cilat aleanca është krijuar.
Një muaj më parë, u përurua, në Shqipëri, në qytetin e vogël të Kuçovës, një bazë ajrore e NATO-s. Kjo nuk është baza e parë ushtarake. Pothuajse gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, në Shqipëri, ka ekzistuar një bazë ushtarake ajrore. Deri në vitin 1990, qyteti i vogël ku ishte vendosur kjo bazë, Kucova e sotme, njihej me emrin Qyteti Stalin. Deri në vitin 1968, baza ushtarake ajrore, në Qytetin Stalin, i përkiste Traktatit të Varshavës. Dalja e Shqipërisë nga traktati i Varshavës, krijoi, fillimisht, një shpresë dhe një ide, të gabuar, sigurisht, se Shqiperia mund t’i hidhte sytë nga Perëndimi. Por, dalja pompoze nga pakti i Varshavës, në fakt, ishte ndarje nga Lindja, por jo nga stalinizmi. Madje, ishte revizionizmi i stalinizmit si doktrinë dhe praktikë totalitare, nga udhëheqësit e rinj, në B.S, pas vdekjes së Stalinit, që e shtynë Regjimin e Tiranës drejt një izolimi ekstrem.
Shpresa se ky vend mund të tentonte të vendoste një marrëdhënie me Perëndimin dhe me Aleancën, u shuan, të nesërmen e deklaratve publike të regjimit të Tiranës:
Të mund të vizotoje Shqipërinë, 30 vjet më parë, ishte, si ç’thoshte, i ndjeri, profesori austriak, Karl Kaser, sikur të vizitojë një planet tjetër. Qytete gri dhe uniforme të komunizmit, të mbushura me portrete të dikatorit dhe buste të Stalinit. Përndryshe, do të thoshte të vizitoje të vetmin vend stalinist në botë që kishte shpallur armikun numër një NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
NATO dhe, sigurisht, SHBA, mbeteshin armiku numër një i Shqipërisë. NATO dhe SHBA, që regjimi komunist në Tiranë i identifikonte me njëra-tjetrën mbetën të tilla: armiku numër një, për gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, deri në rënien e regjimit komunist, më 1992.
Dhe, me rënien e komunizmit, fillon një udhëtim i jashtëzakonshëm i Shqipërisë. Pa asnjë dilemë, qeveria e parë jokomuniste kërkoi anëtarësimin në Aleancë. Dhe, sigurisht që motivet drejt anëtarësimit kishin të bënin me kërcënimet e sigurisë kombëtare, deri tek rreziku i përfshirjes në luftë, në një ballafaqim ushtarak që, në vitet nëntëdhjetë, nuk ishte i pamundshëm, në Ballkanin e viteve nëntëdhjetë.
Por, pavarësisht nga mjedisi i sigurisë në Ballkan dhe kërcenimet reale që motivonin anëtarësimin, motivi themelor i Shqipërisë ishte lidhja e vendit me Perëndimin, pas një izolimi të gjatë, ekstrem. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e lidhte vendin dhe të ardhmen e tij me Perëndimin. Në fakt, gjithë tranzicioni postkomunist është mbështetur tek lidhja e vendit dhe e të ardhmes së tij me Perëndimin.
Anëtarësimi në NATO, 15 vjet më parë, mbetet arritja më e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, qysh nga krijimi i shtetit modern shqiptar. Falë një numri reformash, që nuk lidheshin vetëm me ndryshimet në forcat e armatosura, por me të gjithë procesin e ndërtimi të një shteti demokratik.
Por, ëndrra e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Aleancë, ishte pjesë e ëndrrës së madhe për t’i përkitur Perëndimit. Ajo nuk do të ishte bërë e mundur pa ndihmën dhe mbështetjen e vendeve anëtare dhe, në mënyrë të veçantë, pa mbështetjen vendimtare të SHBA. Në qershor 2007, Presidenti Bush, në një vizitë historike në Shqipëri, parlajmëroi anëtarësimin në Aleancë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kur, 16 vjet më parë, në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria morri ftesën për t’u anëtarësuar në NATO e ku pata rastin e fatin të isha pranishëm, një gazetar austriak më pyeti: Përse ju duhet NATO? Përse i duhet NATO Shqipërisë? Dhe kishte një pritshmëri se do të flisja për sigurinë që Aleanca sjell. Dhe sigurisht që, së pari NATO, është për sigurinë dhe paqen. Por, për Shqipërinë, me trashëgiminë më të rëndë totalitare, ftesa për t’ju bashkuar Aleancës ishte një hap i jashtëzakonshëm për të dalë nga izolimi, përmes ndërtimit të një shteti demokratik, zhvillimit dhe modernizimit të shoqërisë dhe, njëherazi, edhe një pengesë e madhe për të mos rrëshqitur mprapa, në një kulturë politike totalitare, nga trashëgimia e të cilës duket se ende nuk jemi ndarë në mënyrë përfundimtare.
15 vjetori Shqipërisë në NATO është për të festuar, por, ndoshta, edhe për të reflektuar thellë për rrugën e ndjekur, arritjet dhe dështimet.