Gjatë vizitës zyrtare në Francë, Presidenti i Republikës së Kinës, Xi Jinping, ka shprehur dhe një herë gatishmërinë e vendit të tij për të qenë promotor i paqes në botë, duke propozuar ndalimin e luftrave gjatë zhvillimit të Lojrave Olimpike në Paris në periudhën korrik-gusht të këtij viit. Gjatë konferencës për shtyp Presidenti Xi tha se Kina deri më tani ka luajtur një rol të fuqishëm për arritjen e paqes në Ukrainë.
‘’Bota sot nuk është në paqe. Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si një vend i madh i përgjegjshëm, Kina është e gatshme të punojë me Francën për ta bërë Olimpiadën e Parisit një mundësi për të nxitur një armëpushim botëror dhe ndalimin e luftrave gjatë lojrave’’ tha ai.
Fjalët e presidentit kinez u mbështetën dhe nga presidenti francez Macron i cili bëri thirrje për një ‘armëpushim olimpik në të gjithë teatrot e luftës’.
Kina prej kohësh ka qenë nxitëse e mbylljes së konflikteve në botë. Kina ishte ndërmjetëse në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Iranit vitin e kaluar, duke shënuar kështu një fitore të rëndësishme diplomatike. Kina gjithashtu ka propozuar një plan paqeje për luftën në Ukrainë si dhe ka mbajtur një qëndrim neutral në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit duke ju bërë thirrje palëve të ulen në tryezën e bisedimeve.
Edhe më herët, presidenti kinez Xi Jinping ka shprehur gatishmërinë e Kinës për të punuar për një sistem ndërkombëtar paqësor. Gjatë vizitës në Budapest, që pasoi atë në Francë, presidenti kinez tha se ‘’ne do bëjmë përpjekje të mëdha dhe të vendosura për të punuar së bashku për të formësuar njerëzimin me një të ardhme të përbashkët, të kontribuojmë për paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe begatinë në botë’’.
Vitin e kaluar presidenti Xi Jinping shprehu gatishmërinë e Kinës për të bashkëpunuar miqësisht me të gjitha shtetet rreth Kinës, duke krijuar një ambjent të sigurtë dhe paqësor. Vetëm në këtë mënyrë tha Xi, mund të zhvillohet rajoni i Azisë dhe të gjitha shtetet të përfitojnë prej këtij zhvillimi.
Mbështetja ndaj një ambjenti ndërkombëtar paqësor dhe bashkëpunues është gjithashtu një prej themeleve të mendimit politik të presidentit kinez Xi Jinping. Më herët presidenti Xi Jinping ka propozuar krijimin e një komuniteti global për një të ardhme të përbashkët, qëllimi i së cilës është krijimi i një paqeje botërore, sigurisë për të gjitha vendet, zhvillimit ekonomik dhe kthimin në realitet të aspiratave të njeriut për një jetë më të mirë.