Elbasani mikpritës i aktivitetit “Dialogu i të Rinjve Kinë-Shqipëri”

0

Në kuadër të 75-vjetorit të marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, qyteti i Elbasanit ishte mikpritës i një aktiviteti të veçantë të titulluar “Dialogu i të Rinjve Kinë-Shqipëri”.
Ky event, që u mbajt në një atmosferë festive dhe bashkëpunuese, kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes të rinjve të të dy vendeve, duke promovuar një dialog të hapur dhe konstruktiv për të ardhmen.


Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, deklaroi se qyteti i Elbasanit ka një miqësi të vjetër me Kinën që daton në vitet ’70, kur Kina kontribuoi për ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik.
“Edhe sot një lagje në Elbasan quhet “Lagjja e Kinezëve”, pasi në atë kohë shumë inxhinierë dhe specialistë kineze punuan dhe jetuan në qytet së bashku me familjet e tyre. Kjo miqësi ruhet dhe forcohet në ditet tona falë marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”,- deklaroi kryebashkiaku Llatja.

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, duke falënderuar Bashkinë e Elbasanit për mbështetjen për organizimin e kësaj veprimtarie, u shpreh se historia e Elbasanit është një pasqyrë e vërtetë e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.


Ajo nënvizoi lidhjet e forta të krijuara midis dy vendeve dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja për heqjen e vizave dhe bashkëpunimin turistik. Gjithashtu, theksoi rolin e të rinjve si trashëgimtarë të miqësisë dhe si forcë shtytëse për bashkëpunim të mëtejshëm duke shprehur dëshirën që ky dialog të ndihmojë në thellimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve, duke kontribuar në stabilitetin dhe përparimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në përfundim, Ambasadorja njoftoi për aktivitete të tjera kulturore që do të organizohen gjatë vitit, duke përfshirë “Javën e Kulturës Kineze” dhe evente të tjera, me qëllim promovimin e kulturës kineze dhe forcimin e lidhjeve midis popujve të të dy vendeve.

SHPËRNDAJE