KORÇË, Shqipëri –9 Korrik 2025 — Greqia inauguroi të hënën 7 Korrik 2025 ndërtesën e re të Konsullatës së Përgjithshme në qytetin juglindor të Shqipërisë, Korçë, gjatë një ceremonie që theksoi forcimin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve fqinje dhe fokusin e Athinës për mbrojtjen e minoritetit etnik grek në Shqipëri.
Në këtë ngjarje morën pjesë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ylvi Hasani, dhe homologu i tij grek, Georgios Gerapetritis, si dhe zyrtarë lokalë, diplomatë të huaj, dhe anëtarë të parlamentit shqiptar dhe europian.
Ministri i Jashtëm grek, Gerapetritis, e shfrytëzoi këtë rast për të reflektuar mbi lidhjet historike dhe kulturore midis dy kombeve. Ai theksoi se konsullata e re është vendosur në ish-rezidencën e poetit laureat të Nobelit, Giorgos Seferis, i cili ka shërbyer si konsulli i parë grek në Korçë në vitet 1930 dhe që gjeti frymëzim letrar në këtë qytet.
“Kjo ndërtesë, që dikur ishte shtëpia e Seferisit, tashmë është një vend ku prania jonë do të forcohet dhe digjitalizohet për të shërbyer më mirë komunitetin grek,” tha Gerapetritis. Ai theksoi gjithashtu se institucione arsimore si Shkolla “Omiros” dhe Gjimnazi “Platon” do të vazhdojnë të mbështeten nga shteti grek si pjesë e përpjekjeve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë, Gerapetritis përsëriti qëndrimin e palëkundur të Greqisë për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, duke i quajtur ata “urë mirëkuptimi” mes dy vendeve. “Ne nuk do të tërhiqemi asnjë hap kur bëhet fjalë për të drejtat e minoritetit grek. Ato janë ajo që na bashkon,” deklaroi ai.
Duke nënvizuar angazhimin e Greqisë për stabilitetin rajonal dhe dypalësh, Gerapetritis theksoi gjithashtu se “narrativat për ndryshimin e kufijve i përkasin së shkuarës” — një referencë e mundshme për tensionet historike në Ballkan.
Ministri Hasani e vlerësoi hapjen e konsullatës së re si “një hap konkret në forcimin e pranisë konsullore të Greqisë në Shqipëri”, duke e cilësuar atë si simbol të përkushtimit të ndërsjellë për “një marrëdhënie të hapur dhe konstruktive të bazuar në respekt dhe dialog të rregullt.”
“Ky është një moment i rëndësishëm për partneritetin tonë strategjik si fqinj dhe aleatë në NATO, veçanërisht në një rajon që kërkon stabilitet dhe koordinim afatgjatë,” u shpreh Hasani, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ai shtoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu i qëndrueshëm janë thelbësore për ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe adresimin e sfidave të përbashkëta. “Greqia ka qenë dhe mbetet një partner kyç për Shqipërinë — jo vetëm për shkak të historisë së përbashkët dhe lidhjeve të forta, por edhe për shkak të mundësive reale që kemi për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët tanë,” tha Hasani.
“Ky është një moment i rëndësishëm për qytetin e Korçës dhe për Shqipërinë,” tha Albert Rakipi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. “Konsullata greke këtu u krijua vetëm pak vite pas njohjes së Shqipërisë si shtet i pavarur, gjë që i jep asaj një rëndësi historike. Përveç ofrimit të shërbimeve konsullore për qytetarët, konsullata është një institucion diplomatik që forcon marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe lidh Korçën dhe vendin me Perëndimin — veçanërisht me Greqinë, një vend mik me rëndësi të madhe për Shqipërinë.”
“Është bukur të reflektosh mbi faktin se kjo ndërtesë e restauruar me hijeshi ka qenë dikur shtëpia e Konsullit grek Giorgos Seferis — një poet i ndritshëm dhe i thellë i Greqisë,” tha Jerina Zaloshnja, drejtore e Shtëpisë Botuese Tirana Times, e pranishme në ceremoni.
“Isha shumë e kënaqur që në ditën e inaugurimit të konsullatës u paraqit libri i sapobotuar i Seferisit, ‘Legjenda’,” shtoi Zaloshnja. Ideja dhe prezantimi i këtij botimi të veçantë poetik u iniciuan nga ajo dhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi. “Konstantina Kamitsi është një diplomate me të vërtetë e talentuar,” tha Zaloshnja. “Dhe ajo nuk është aspak diplomatike kur shpreh se sa shumë e do Shqipërinë.”
“Ndoshta shembulli i Seferisit si diplomat mund të frymëzojë burokratët e shërbimit tonë të jashtëm — të cilin Faik Konica dikur me sarkazëm e quante “Binaja e Punëve të Jashtme’ — që të emërojnë diplomatë jo vetëm me arsimim e duhur , por edhe njeres te ditur dhe mbi të gjitha ata që e duan vendin e tyre,” përfundoi Zaloshnja.
Ndërtesa e konsullatës, një rezidencë historike e restauruar, përfaqëson një investim të rëndësishëm kulturor dhe diplomatik të Greqisë në Shqipërinë juglindore. Ngjarja, e pasur në simbolizëm, reflektoi si trashëgiminë e përbashkët ashtu edhe tensionet e vazhdueshme që vazhdojnë të ndikojnë marrëdhëniet greko-shqiptare — nga të drejtat e minoritetit dhe integrimi në BE, deri te mosmarrëveshjet e kahershme mbi kufijtë dhe proceset zgjedhore.
Pavarësisht periudhave të tensionit dhe afrimive gjatë tre dekadave të fundit — shpesh të formësuara nga paradokset dhe mitet historike — marrëdhëniet greko-shqiptare mbeten ndër shtyllat më të rëndësishme të politikës së jashtme të Shqipërisë. Të dy vendet janë anëtare të NATO-s, dhe Greqia ka mbështetur vazhdimisht dhe me entuziazëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.