Ka momente kur një iniciativë që nis si një projekt i thjeshtë komunitar shndërrohet në një lëvizje botërore. Ka nisma që kalojnë përtej fushatave informuese dhe bëhen pjesë e transformimeve shoqërore, pjesë e mënyrës se si një vend e percepton veten dhe rolin që dëshiron të luajë në botë. Pikërisht këtë rrugëtim po ndjek Arabia Saudite me 10KSA Together for Health, një nismë që i ka tejkaluar kufijtë e origjinës së saj dhe është shndërruar në një platformë globale sensibilizimi, edukimi dhe solidariteti kundër kancerit.
Në zemër të kësaj nisme qëndron një ide e thjeshtë por e fuqishme: parandalimi fillon me ndërgjegjësim, ndërgjegjësimi fillon me komunitetin, dhe komuniteti fillon me individin. 10KSA nuk kërkon shumë; kërkon që secili prej nesh të bëhet kampion i shëndetit të vet. Të bëjmë kontrolle. Të informohemi. Të nxisim një mik, një të afërm, një koleg. Të krijojmë një fjongo livande, qoftë edhe simbolike, por që mban brenda gjithë kuptimin e kësaj lëvizjeje: kujdes, solidaritet dhe përgjegjësi.
Ka një arsye pse kjo nismë po vjen pikërisht nga Arabia Saudite. Transformimi i thellë që vendi po përjeton përmes Vision 2030 ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit dhe qytetarit, midis politikës dhe shoqërisë, midis diplomacisë dhe vlerave. Modernizimi në Mbretëri nuk po zhvillohet vetëm në ekonomi, teknologji, infra- strukturë apo industri po zhvillohet edhe në kulturën e jetës së përditshme, në rritjen e cilësisë së shëndetit, në emancipimin e komuniteteve dhe tek vetë mënyra se si Arabia Saudite dëshiron të shihet nga bota.

Në këtë kontekst, 10KSA është shumë më tepër se një fushatë shëndetësore. Ajo është shenjë e një orientimi të ri të vendit: një diplomaci e kujdesit, ku Mbretëria merr përgjegjësi jo vetëm për prosperitetin e vet, por edhe për mirëqenien kolektive globale.
Një vend me ndikim ekonomik e politik po zgjedh të hyjë në skenën ndërkombëtare jo duke demonstruar forcë apo ambicie gjeopolitike, por duke promovuar jetën duke adresuar një prej sfidave më reale që prek çdo shoqëri, çdo familje, çdo njeri. Për ta kuptuar peshën e kësaj nisme, mjafton të shikojmë prej nga ka nisur. Vite më parë, në Jeddah dhe Riyadh, mijëra gra u bashkuan për të krijuar fjongon më të madhe njerëzore në botë, duke thyer rekorde dhe duke e vendosur çështjen e kancerit të gjirit në qendër të vëmendjes. Ato imazhe nga stadiumet e mbushura me veshje livande mbeten ikonike edhe sot jo vetëm sepse ishin spektakolare, por sepse shënuan një moment të ri të pjesëmarrjes shoqërore saudite, një moment ku komuniteti mori fjalën. Këto pamje janë ende sot zemra emocionale e 10KSA, dhe ato tregojnë se kjo lëvizje është ndërtuar mbi besimin tek fuqia e qytetarëve për të ndryshuar realitetin.

Por ndërsa atëherë fjongoja kërkonte mijëra pjesëmarrës në një vend, sot ideja është demokratizuar plotësisht: një familje me katër anëtarë, një klasë me njëzet studentë, një zyrë e vogël, një grup miqsh në park të gjithë mund të krijojnë fjongon e tyre, duke u bërë pjesë e një rrjeti global solidariteti. Kjo është arsyeja pse 10KSA 2025 nuk lidhet më me madhësinë e aktivitetit, por me shtrirjen e tij; nuk lidhet me numrin e pjesëmarrësve në një vend, por me numrin e zemrave të angazhuara në të gjithë botën.
Pse pikërisht fjongoja livande? Sepse është ngjyra universale e të gjitha llojeve të kancerit. Ajo nuk flet vetëm për një sëmundje, por për sfidën e përbashkët të njerëzimit ndaj dhjetëra formave të kancerit që prekin miliona jetë çdo vit. Livandja është e qetë, e butë, përkujtuese; ajo nuk thërret, por bind me prani. Ajo i bashkon njerëzit në heshtje, por njëkohësisht i ngre lart zërat e komuniteteve që kërkojnë më shumë informim, më shumë parandalim, më shumë mbështetje.
Prandaj, në 10 dhjetor, kudo ku do të shfaqet fjongoja livande në një fotografi, në një video, në një event, në një universitet apo në rrjetet sociale ajo do të jetë pjesë e një koreografie globale, një ditë botërore ndërgjegjësimi që i tejkalon kufijtë e zakonshëm të fushatave shëndetësore.
Në Shqipëri, 10KSA po merr një jetë të vetën. Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë po e prezanton këtë nismë përmes një qasjeje të plotë: fushatë publike, angazhim me institucionet, aktivitet me komunitetet universitare. Konferenca e organizuar së bashku me Universitetin e New York-ut në Tiranë do të mbledhë akademikë, diplomatë, mjekë, drejtues institucionesh dhe studentë për të diskutuar jo vetëm për parandalimin dhe zbulimin e hershëm, por edhe për kultivimin e një kulture të re shëndetësore që fillon me edukimin dhe mbaron me vetëdijen kolektive.
Në një vend të vogël si Shqipëria, ku komuniteti dhe solidariteti kanë ende peshë të fortë sociale, kjo nismë ka mundësinë të krijojë ndikim të menjëhershëm. Fjongoja livande mund të shfaqet në shkolla, në universitete, në institucione publike, në familje, në media, duke e shndërruar 10 dhjetorin në ditën kur kujdesi merr një formë të dukshme dhe të prekshme.

Në fund, 10KSA është histori e transformimit. E transformimit të një vendi që po hapet. E transformimit të diplomacisë që po humanizohet. E transformimit të njerëzve që po ndërgjegjësohen. Nuk është rastësi që kjo nismë vjen në një periudhë kur bota ka nevojë për solidaritet më shumë se kurrë, për projekte që e tejkalojnë retorikën dhe prekin jetën.
Kjo është arsyeja pse 10KSA rezonon. Sepse flet për atë që është thelbësore: shëndetin, jetën, kujdesin ndaj vetes dhe ndaj njëri-tjetrit. Sepse i jep mundësi çdo njeriu të marrë pjesë. Sepse na kujton se ndryshimi global fillon me një akt të vogël personal me një fjongo të vogël livande. Dhe ndoshta, pikërisht për këtë, 10KSA nuk është vetëm një nismë saudite. Është një nismë njerëzore.





