Etika dhe Integriteti Akademik – Tryezë e Rrumbullakët në Shkodër

0

Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Shkodrës u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me temë etikën dhe integritetin akademik, në kuadër të projektit “Upholding Integrity: Coalition Building for Fighting Corruption in Higher Education.” Aktiviteti u organizua nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS), me pjesëmarrjen e pedagogëve, studiuesve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe studentëve nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi.”

Tryeza u mbajt në ambientet e universitetit dhe u nderua me praninë e Rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë thelbësore të ndërtimit të një kulture akademike të bazuar në ndershmëri, transparencë dhe llogaridhënie. Ai vlerësoi organizimin e aktiviteteve të tilla si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar integritetin institucional dhe besimin e publikut ndaj arsimit të lartë.

Një element i rëndësishëm i theksuar gjatë fjalës së Rektorit ishte nisma e tij për krijimin e një platforme online brenda universitetit, ku studentët mund të denoncojnë në mënyrë anonime dhe të sigurt çdo formë të korrupsionit, padrejtësive akademike apo parregullsive të tjera që cenojnë etikën dhe të drejtat e tyre në procesin arsimor. Kjo platformë synon të fuqizojë zërin e studentëve dhe të krijojë një mekanizëm real llogaridhënieje brenda universitetit.

Diskutimi i tryezës u përqendrua në sfidat konkrete që përballen institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri lidhur me etiken akademike, përfshirë plagjiaturën, vlerësimin subjektiv, favorizimin, mungesën e transparencës dhe ndërhyrjet e paligjshme në proceset arsimore. Pedagogë nga fusha të ndryshme si drejtësia, pedagogjia, ekonomia dhe shkencat sociale ndanë përvoja dhe sugjerime të vlefshme për të forcuar sistemin e brendshëm të vlerave akademike dhe për të promovuar një qasje më të përgjegjshme në marrëdhëniet ndërmjet stafit akademik dhe studentëve.

U theksua rëndësia e përfshirjes aktive të studentëve në promovimin e integritetit, përmes edukimit të vazhdueshëm, transparencës institucionale dhe krijimit të hapësirave reale për denoncimin e padrejtësive. Gjithashtu, u nënvizua domosdoshmëria e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet universiteteve dhe organizatave të shoqërisë civile për të luftuar korrupsionin në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Upholding Integrity: Coalition Building for Fighting Corruption in Higher Education,” që zbatohet nga AIIS si pjesë e Programit të Granteve të Vogla SELDI “Mbështetje Financiare për OJF-të Lokale dhe të Rinjve me Shtrirje tek Qytetarët,” me financim nga Bashkimi Evropian.

Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e AIIS dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të rrjetit SELDI.net.

#EtikëAkademike #IntegritetAkademik #AIIS #UniversitetiShkodrës #LuigjGurakuqi #ToninGjuraj #DenoncimOnline #Transparencë #UpholdingIntegrity #ArsimLartë #Korrupsion #StudentëtNëQendër

SHPËRNDAJE