Yang Jianxiang
Smogu famëkeq i Pekinit është lehtësuar disi këtë vit. Qiejt e kaltër me retë borë të bardha i shtynë vendasit të nxjerrin telefonat e tyre celularë dhe aparatet fotografikë për të regjistruar skenat që frikësoheshin se do të zhdukeshin shpejt në histori.
Atmosfera përshkruhet si “bluja APEC” dhe “bluja paradë”. Pekinasit ishin dëshmitarë të qiejve të kthjellët të ngjashëm kur u mbajtën takimet e e Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë dhe Paqësorit në qytetin e tyre në nëntor 2014 dhe një paradë ushtarake për festimin e 70-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez u mbajt këtu në shtator 2015.
Në atë kohë, ajri i pastër u arrit me dekretet e ashpra qeveritare për të ulur operacionet e ndërmarrjeve ndotëse dhe numrin e mjeteve motorike në rrugë përpara dhe gjatë punimeve. Pjesën tjetër e kreu era. Por, masa të tilla të përkohshme janë të paqëndrueshme.
Këtë vit pati erëra më të forta që pastruan smogun, por erërat u shfrytëzuan për të prodhuar një burim alternativ të energjisë së pastër, duke zëvendësuar dhe pakësuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile.
Përdorimi i energjive të lëndëve djegëse fosile është fajtori kryesor i smogut. Kërkimet nga Akademia Kineze e Shkencave kanë zbuluar se lëndët djegëse fosile kontribuojnë me rreth 70 përqind të ndotësve që shkaktojnë nivelin jashtëzakonisht të lartë të PM2.5 (grimca me gjerësi dy mikronë e gjysmë ose më pak) në ajër, që shndërrohen në smog.
PM2.5 është rrezik shëndetësor. Në tri dekadat e fundit, numri i rasteve të kancerit në mushkëri në Kinë është katërfishuar. “Kjo mund të ketë të bëjë me rritjen në ditët me smog pasi niveli i duhanpirjes në vend u ul në të njëjtën periudhë”, Dr. Zhong Nanshan, një akademik në Akademinë Kineze të Inxhinierisë dhe një hero kombëtar në luftën me epideminë SARS të vitit 2003, tha në një forum publik.
Energjia e erës është një energji e pastër e ripërtërishme. Por shfrytëzimi i saj masiv u bë i mundur vetëm gjatë shekullit të kaluar. Instalimi i tri turbinave ere të prodhuara në Danimarkë, në Rongcheng, Provinca Shandong, në vitin 1986 përuroi epokën e prodhimit të energjisë së erës të lidhur në rrjet në Kinë. Megjithatë, përparimi në dy dekadat pasuese ishte i ngadaltë.
Zhvillimet në energjinë e erës u përshpejtuan në mënyrë të befasishme në mijëvjeçarin e ri. Nga viti 2006 deri në 2010-n, instalimet e reja të energjisë së erës u dyfishuan pothuaj çdo vit. Statistikat nga Shoqata Kineze e Energjisë së Erës tregojnë se vendi renditej i pari në botë për instalimet e reja në 2009-n. Vitin pasues, Kina u rendit e para për kapacitetin total të instaluar të energjisë së erës, një pozicion të cilin e ruan ende.
Sipas Këshillit Botëror të Energjisë së Erës, Kina ndërtoi 23.2 GW kapacitete të reja të energjisë së erës në 2014-n, duke zënë 45 përqind të totalit në mbarë botën atë vit. Instalimet totale të energjisë së erës në Kinë arritën në 114.61 GW. Shtetet e Bashkuara ndiqnin me 65.88 GW; Gjermania me 39.17 GW; Spanja me 22.99 GW dhe India me 22.47 GW.
Energjia e erës pritet të luajë një rol më të madh si një burim alternativ i energjisë. Prodhimi i energjisë me anë të rës nuk shkakton shkarkime të gazrave serë. Ai është një kontribuues kryesor në reagimin e Kinës ndaj ndryshimeve klimatike globale.
Në Plan Veprimin Strategjik të Zhvillimit të Energjisë (2014-2020 ) i botuar në qershor 2014, qeveria qendrore premtoi se do të rriste pjesën e energjisë së prodhuar pa lëndë djegëse fosile në konsumin parësor total të energjisë nga më pak se 11.4 përqind në 15 përqind deri në 2020-n. Raporti do të rritet në 20 përqind deri në 2030-n. Raporti i energjisë së erës në totalin e prodhimit të energjisë elektrike do të rritet nga 2.78 përqind në fund të 2014-s në 5 përqind deri në 2020-n.
Synimi i Kinës për të instaluar një kapacitet energjie ere prej 100 GW deri në 2015-n u arrit përpara afatit. Synimet më afatgjata janë 200 GW deri në 2020-n, 400 GW deri në 2030-n dhe 1,000 GW deri në 2050-n. Në vitin e fundit të këtij plani madhor, energjia e erës do të mbulojë 17 përqind të kërkesës së brendshme për energji elektrike dhe do të shmangë shkarkime prej 1.5 miliardë tonësh dyoksid karboni atë vit.
Vitin e kaluar, kur smogu qëndronte pezull, disa njerëz fajësuan morinë e turbinave të erës të ndërtuara në zonat e veriut të Pekinit për shkatërrimin e erës. Kjo shqetësoi shumë punonjës të energjisë së erës dhe u përgënjeshtrua nga ekspertët si e pabazë. Ekspertët patën të drejtë këtë vit kur e njëjta sasi ose më shumë instalime ere nuk parandaluan erërat e forta.
Nëse era shpërndan smogun, ajri i papastër me një nivel të lartë të PM2.5 shpërhapet apo thjesht dërgohet në vende të tjera. Përmes uljes së shkarkimeve të ndotësve, energjia e erës është një mënyrë më rrënjësore e pastrimit të ajrit.
Por, është shumë shpejt për të thënë që lufta kundër ndotjes së ajrit po ka sukses. Nuk duhet të harrojmë se Natyra është energjia bazë. Nuk mund të jemi të sigurt që era do të jetë po aq e fortë vitin tjetër. Thjesht mund të vazhdojmë të zhvillojmë energjinë e erës. Në këtë mënyrë, do të kemi një mundësi më të mirë për të parë qiej të mahnitshëm të kaltër me re borë të bardha në të ardhmen.