Ilir Meta u zgjodh si presidenti i ri i vendit në një votim të kryer pa praninë e opozitës në parlamentin e Shqipërisë. Ai mori 87 vota nga 89 deputetë të pranishëm të cilët morën pjesë në process, duke e bërë atë tërësisht legjitim sipas neneve përkatëse që parashtrohen në Kushtetutë.

Mbi të gjitha, profili politik personal i Metës kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në faktin që legjitimiteti i tij dhe përfaqësueshmëria do të jetë e gjerë, dhe sigurisht, më e gjerë sesa e paraardhësit të tij.

Në fjalët e Edi Ramës, kryeministrit shqiptar, “nuk mund të ishte zgjedhur një president aq me PD dhe njëkohësisht jashtë PD, edhe sikur ta kishim kërkuar brenda radhëve të PD” mund të kenë pasur nota ironie, por mbartnin një të vërtetë të rëndësishme.

Pjekuria e Metës dhe prioritizimi i gjetjes së kompromisit në rolin e tij si kryetar i Kuvendit, përvoja e tij e të punuarit gjerësisht në të dy kampet, si dhe vendosmëria e tij për t’i qëndruar besnik parimeve të tij kanë të gjithë potencialin për t’i sjellë dobi ndërtimit të një situate politike më të qetë në Shqipëri. Ai e dëshmoi këtë me sjelljen e tij përpara miratimit të reformës në drejtësi, kur kërkoi pranimin e asgjëje më pak sesa konsensusit absolut për një reformë kaq të rëndësishme. E dëshmoi sërish kur i ofroi opozitës mandatet e tij ministeriale në mënyrë që ata të hynin në zgjedhje, dhe mund ta dëshmojë sërish.

Zgjedhja e presidentit duket të ketë hapur një kapitull të ri për krizën politike që vijon: Meta mund të shërbejë së paku si njëfarë garancie për opozitën dhe kauzën e tyre për zgjedhje të ndershme. Ai ka mbështetur gjithsesi edhe kauza të tjera të tyre si dekriminalizimi dhe lufta kundër tregtimit të kanabisit. Duke patur parasysh kufijtë kohorë të vendosur, Meta do të jetë presidenti që do të thërrasë formimin e trupit të ri ekzekutiv pas zgjedhjeve dhe betimet e Kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij. Në këtë rol ai ka së paku fuqinë simbolike të garantuesit/mbrojtësit të parimeve demokratike. Në skenarin më të keq që mund të ndodhë ku zgjedhjet të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, pluralizmi do të dobësohet ndjeshëm – në mos u zhduktë tërësisht. Më pas Metës do t’i duhet të jetë aseti kyç në përpjekjen për të risjellë pluralizmin politik në Shqipëri.

Në çështje të tjera të rolit të presidentit, Meta do të ketë fuqi ligjore të kufizuara në sektorin gjyqësor meqenëse ndryshimet kushtetuese në reformën gjyqësore ia kanë hequr presidentit rolin domethënës që ka patur për sistemin gjyqësor. Megjithatë, duke qenë i investuar dhe i përfshirë në proces prej gjatë gjithë këtyre viteve, ai mund ta mbikëqyrë implementimin dhe efikasitetin e tij nga pika e epërsisë së të kuptuarit.

I fundit por jo për nga rëndësia, një tjetër aspekt i presidencës është sigurisht prania në politikën e jashtme të Shqipërisë. Në këtë drejtim, Meta, që ka një përvojë të konsiderueshme të mëparshme si Ministër i Punëve të Jashtme dhe kryeministër, ka shfaqur një retorikë konstruktive për të gjitha çështjet, sidomos disa çështje të nxehta për vendim si marrëdhëniet me Greqinë dhe Serbinë. Pritshmëria realiste është që ai do t’ia dalë të çojë përpara detyrat e tij presidenciale me konsideratën e merituar për politikën e jashtme konstruktive, tradicionale për Shqipërinë, si dhe do të ofrojë baraspeshën e nevojshme në kohët kur trupi ekzekutiv mund të priret kah manovrave politike në këtë fushë.

Largimi i Metës nga pozicioni i tij si kryetar, në timon të Lëvizjes Socialiste për Integrim ngre pikëpyetje të mëdha për fatin e partisë së cilën ai e transformoi thuajse me një dorë, kundër të gjitha parashikimeve, si forcën e tretë politike në sferën shqiptare. Nëse kjo parti do të vijojë të mbajë fuqinë e deritanishme kjo është e paqartë. Shumëkush mund të thotë se presidenca e Metës mund të jetë fundi i partisë. Por nuk duhet harruar që kjo parti ka hedhur poshtë të gjitha parashikimet e mëparshme dhe ka rritur elektoratin e saj në zgjedhjet e fundit. Ata kanë mundësi për t’ia dalë mbanë nëse gjejnë udhëheqësin e duhur që do të jetë po aq i aftë sa paraardhësi i tij.

Zgjedhja e Metës si presidenti i ri i Shqipërisë erdhi në një kohë të vështirë dhe u bë pa pjesëmarrjen dhe votat e opozitës shqiptare. Pavarësisht kësaj, profili i tij i fortë karizmatik dhe i pjekur, përvoja e gjerë politike, gjakftohtësia por dhe vendosmëria kanë potencialin për ta shndërruar këtë zhvillim në një perspektivë pozitive për Shqipërinë, si brenda por dhe jashtë saj.

 

SHPËRNDAJE