ALBA ÇELA

Vendimi i rëndësishëm i Këshillit të BE për t’i dhënë më në fund dritën e gjelbërt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut lidhur me hapjen e negociatave u prit me njëfarë mospërfilljeje nga mazhoranca shqiptare. Duke u shprehur se vonesat në këtë proces kishin nisur të “mbanin erë”, Kryeministri Rama dukej sikur bënte sikur kishte harruar listën e gjatë të kushteve që i ishin vënë përpara Shqipërisë. Këto kushte që duhen përmbushur, përpara konferencave të para dhe të dyta ndërqeveritare, janë një kombinim i nëntë kushteve ekzistuese të vëna nga Bundestagu gjerman vjeshtën e shkuar dhe gjashtë kushte të reja.

Në tërësinë e tyre, lista pasqyron nevojën për të mundësuar normat për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtu përfshihen miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, funksionimin e gjykatave të larta dhe hapa të tjerë konkretë të reformës në drejtësi me fokus të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Ka gjithashtu dhe disa kushte të tjera të ndryshme që rezultojnë nga agjendat politike afatshkurtra të disa prej shteteve anëtare, sic është rritja e përpjekjeve për frenimin e azilkërkuesve dhe zbatimi i ligjit për minoritetet. Një tjetër kusht i ri i vendosur i korrespondon cështjes së re që është përftuar nga propozimi i ligjeve drakonike mbi mediat, për të cilin BE rekomandon të rishikohet.

Lista e gjatë dhe e vështirë e punëve është e rëndësisë kritike dhe vendimi për ta shmangur përmendjen e listës në deklaratat e para publike është fatkeqësisht shumë domethënës. Detyrat e shtëpisë janë shtuar ndjeshëm. Duhet mbajtur parasysh që Maqedonia e Veriut nuk ka fare kushte të vendosura për të proceduar me hapin e parë: konferencën ndërqeveritare. Që kjo listë të përmbushet, nevoja për të përfshirë në procesin e këtyre reformave vendimmarrësit e vërtetë dhe për të kërkuar kompromis të vërtetë nëpërmjet dialogut politik është mëse e qartë.

Kur të vijojmë me këtë detyrë shtëpie duhet të mbizotërojë vetëm një qasje: të gjithas masat dhe aksionet e kërkuara prej nesh janë ato të duhurat. Këto janë kërkesa të drejta të cilat nuk rrjedhin nga metodologjia e re, por nga vetë thelbi i kriterit politik. Këto do ta ndihmojnë Shqipërinë së pari e para së gjithash për t’iu larguar trashëgimisë së tranzicionit shkatërrues të ngërçeve politike, korrupsionit, manipulimit të zgjedhjeve dhe autoritarizmit individual.

Këto detyra kërkojnë jo vetëm përgjegjësinë, por dhe një qasje realisht korrekte ndaj vlefshmërisë së tyre. Ka ardhur koha ta braktisim njëherë e mirë narrativën e “check the box” që shpeshherë është inkurajuar nga qëndrimi i disa aktorëve ndërkombëtarë në kurriz të impaktit real.

Shqipëria mori një lajm të mirë! Por mori gjithashtu dhe një kujtesë të fortë dhe të rëndësishme që në rast se nuk ia nisin punës të gjithë palët e interesuara, ne mund të kuptojmë në pak javë që mund të kemi festuar para kohe!

SHPËRNDAJE