Kjo intervistë u realizua pas vizitës në Shqipëri të Shefit të Zyrës Përfaqësuese të Tajpeit në Itali, Ambasadorit Vincent Tsao, me të cilin biseduam mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në fushën e teknologjisë, zhvillimit, arsimit dhe më gjerë.
Ekselenca Juaj, Tajvani njihet globalisht për sektorët e tij të avancuar të teknologjisë dhe inovacionit. Cilat fusha të veçanta të bashkëpunimit ekonomik ose teknologjik i konsideroni më premtuese mes Tajvanit dhe Shqipërisë?
Së pari, dua të përgëzoj kabinetin tuaj të ri. Mendoj se qeveria e re ka treguar veten në zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit. Bazuar në këtë koncept, midis Shqipërisë dhe Tajvanit kemi hapësirë të madhe për bashkëpunim. Për momentin duam të fokusohemi në bashkëpunimin ekonomik-teknologjik mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e gjysmëpërçuesve për elektronikën. Së shpejti besoj se do të kemi mundësi të mëdha për të bashkëpunuar në fushën e inteligjencës artificiale. Ka shumë fusha ku mund të punojmë së bashku në të ardhmen dhe ato duken premtuese.
Të dy, si Tajvani ashtu edhe Shqipëria, janë shoqëri demokratike që kanë kaluar tranzicione të rëndësishme politike. Si e parashikoni forcimin e lidhjeve ndërmjet njerëzve dhe promovimin e vlerave të përbashkëta demokratike përmes shkëmbimeve kulturore, arsimit apo diplomacisë parlamentare?
Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme. Tajvani është vendi i parë demokratik në Azi. Gjatë dy dekadave të fundit kemi bërë përmirësime të mëdha në zhvillimin tonë demokratik dhe tani mendoj se midis Tajvanit dhe Shqipërisë njerëzit ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë, lirisë dhe respektit për të drejtat e njeriut. Kemi një bazë të fortë për të afruar lidhjet jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes bizneseve dhe qeverive. Nëse duam të ndërtojmë bashkëpunim të fortë teknologjik e ekonomik, duhet të ndajmë të njëjtat vlera.
Tradicionalisht, përfshirja diplomatike e Tajvanit në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor ka qenë e kufizuar. Si e sheh Tajpei rëndësinë në rritje të rajonit dhe çfarë formash bashkëpunimi mund të zhvillohen në të ardhmen?
Gjatë viteve të kaluara nuk i kemi kushtuar mjaftueshëm vëmendje rajonit të Ballkanit, por tani kemi një politikë të re për Ballkanin për vitet 2024–25. Shqipëria është vendi më kritik në rajon dhe duam të përqendrojmë më shumë përpjekje për të punuar me Shqipërinë. Vendet e Ballkanit po aplikojnë për anëtarësim në BE, dhe kjo është shumë premtuese. Shqipëria po ecën mirë në këtë proces, dhe shpresojmë ta shohim së shpejti si anëtare të plotë të BE-së. Ky rajon do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm jo vetëm për Tajvanin, por edhe për vende të tjera në botë. Do të doja të propozoja që të krijohet një platformë bashkëpunimi qeveri-me-qeveri si bazë për bashkëpunim ekonomik, kulturor, arsimor dhe turizmi. Së pari duhet ngritur kjo platformë, së dyti të përcaktohen fushat prioritare si mikroelektronika, gjysmëpërçuesit, inteligjenca artificiale dhe qytetet e zgjuara. Së treti, të caktohen pika kontakti për ndjekjen e zbatimit të marrëveshjeve. Dhe së fundi, qeveritë duhet të monitorojnë zbatimin dhe efektivitetin e programeve të përbashkëta.
Në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të tensionuar, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet dy brigjeve të Tajvanit, si e balancon Tajvani partneritetin e tij global në Evropë?
Evropa është rajoni më i rëndësishëm për diplomacinë tonë. Ne gëzojmë marrëdhënie të forta me SHBA, por po aq të forta janë edhe me BE-në. Një pjesë e madhe e buxhetit të qeverisë sonë i kushtohet bashkëpunimit me vendet evropiane, dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim. Përveç ekonomisë, duam të promovojmë bashkëpunimin në kulturë dhe arsim. E gjithë kjo mund të zbatohet edhe në marrëdhëniet midis Tajvanit dhe Shqipërisë. Zyrës sime në Romë i është ngarkuar pikërisht kjo detyrë — të forcojë marrëdhëniet mes Tajvanit dhe Shqipërisë. Po përballemi me presion nga Kina, por dua të theksoj se politika e qeverisë sime është të mbajë të hapur dialogun për paqe. Lufta nuk sjell fitues; vetëm dialogu dhe komunikimi forcojnë mirëkuptimin. Qeveria ime do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit, gjë që përfiton jo vetëm Tajvanin dhe Kinën, por edhe rajonin Indo-Paqësor dhe botën.
Duke parë përpara, a ka ndonjë projekt konkret në diskutim midis Tajvanit dhe Shqipërisë që mund të hapë rrugën për një partneritet më të institucionalizuar?
Deri tani kemi disa bashkëpunime biznesi në shkallë të vogël. Shkëmbimet tregtare dypalëshe janë ende modeste, por potenciali për rritje është i madh nga të dyja anët. Kam një ëndërr të madhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, por ajo duhet realizuar hap pas hapi — nga gjërat e vogla dhe të lehta te ato të mëdha dhe të ndërlikuara.
Intervistoi: Genc Caushi




