Një tjetër libër vjen për lexuesit “Lulja e Vlorës” me autore Dr. Anna Kohen.
Kujtimet e një hebreje, të rritur në Shqipërinë komuniste. Në brendësi të faqeve të librit me kujtime të doktoreshës Anna Kohen, “Lulja e Vlorës” shpaloset e gjithë drama e jetës së saj.
Libri është një rrëfim vetjak i shpëtimit të familjes së saj nga Holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore (në saje të bujarisë së popullit shqiptar), si dhe i përpjekjeve të Annës si një fëmijë, që u rrit nën diktaturën komuniste me të cilën familja Kohen u përball pas luftës.
Është historia e një gruaje të guximshme dhe të jashtëzakonshme, rrugëtimi i saj i jashtëzakonshëm nga Shqipëria e shkatërruar nga lufta, e munduar nga varfëria, e vuajtur dhe e privuar nga liria, në Perëndimin e pasur dhe plot mundësi të reja.
“Lulja e Vlorës” është një tekst frymëzues, i mbushur me këshilla praktike për të punuar dhe për të jetuar me pasion e me qëllime të qarta në këtë botë!
Lulja e Vlorës përfaqëson dhe na jep një mësim të çmuar përvoje jetësore rreth meritave të të jetuarit sipas parimeve tuaja, të dhurimit bujarisht sa herë keni mundësi si dhe të kujdesit e dashurisë së vërtetë e pa kushte.