Valentina Leskaj
Ollga, gruaja me sytë e zinj të thellë, që shfaqet aq elegante në një foto të vjetër me një kapelë në kokë, më rivjen shpesh në kujtesë sa herë diskutojmë për Lëvizjen e Grave. Portreti i saj teksa më fliste në atë shtëpinë e thjeshtë, por të bukur në Rrugën e Kavajës, më kujton gjithnjë një histori krenare të gruas shqiptare.
Studimet shqiptare për vetë kontekstin historik që ka kaluar vendi, komunizmi dhe më pas tranzicioni i gjatë, ende nuk e ka elaboruar një angazhim të hershëm të gruas shqiptare për emancipim. Lëvizja e grave nuk filloi në vitet ‘90, por më herët, që në vitin 1891 me motrat Qiriazi, të cilat kontribuan në hapjen e shkollës së parë për vajza në Korçë, me Urani Rumbon më 1891 që luftoi kundër analfabetizmit të grave duke hapur shkollën e parë të grave në Gjirokastër, për të vijuar me Selfixhe Broja Ciun, Ollga Plumbin, Musine Kokalarin, Mila Vangjelin, që përdorën penën për të ndry- shuar një shoqëri konservatore për sa u përket të drejtave të grave.
Megjithëse më shumë sesa një lëvizje e organizuar feministe, ishin zëra të veçantë që përdorën shtypin e kohës për t’u dhënë zë të pazëshmeve. Gjithsesi, fati i tyre në Shqipërinë komuniste është një histori e ngjashme me atë të dhjetëra intelektualëve që u internuan, u burgosën apo u eleminuan nga regjimi.
Gjithmonë e më shpesh ka filluar të kujtoj një grua, takimi me të cilën më ka lënë gjurmë në kujtesë. Ajo është Ollga Plumbi. Ishte mbasdite kur trokita në derën e vilës ku banonte. Derën e hapi djali i saj, Emil Plumbi, një inxhinier i talentuar, i cili ka vënë bazat teknike qysh në hapat e parë të Radio Tiranës, por edhe më vonë. Ollga më priti te hyrja e vilës.
Edhe pse ishte takimi i parë me të, lexohej menjëherë që ishte një grua e kulturuar e me sqimë, çka reflektohej në gjithë qenien e saj, në komunikim, në gjuhën e pasur e të përpunuar, në atë që quhet “body language” (gjuha e trupit). Nga ajo çfarë Ollga përfaqësonte si personalitet, të dukej e largët sidomos për një vajzë të re siç isha unë në atë kohë, po të dukej e afërt nga marrëdhënia që krijonte me atë që kishte përballë, shenjë kjo e njerëzve të realizuar.
Kisha përballë gruan që u angazhua të japë kontribut kur vendi kishte nevojë më shumë se kurrë, duke u bërë zëri i të pazëshmeve, luftëtaren për të drejtat e njeriut, po edhe për çështje të tjera që kishin të bënin me fatet e vendit, ajo e bëri këtë si gazetare, si njeri i angazhuar, madje edhe si pjesëmarrëse aktive në Luftën Antifashiste, duke marrë me vete edhe fëmijën e vetëm, Emilin 19-vjeçar. …..
Pasi e shkarkuan si Presidente të Gruas, ku qëndroi vetëm dy vjet, Ollga për një kohë mbeti pa punë, më pas punoi si shefe e Marrëdhënieve me Jashtë në Bibliotekën Kombëtare, kjo erdhi edhe falë gjuhëve të huaja që dinte. Më pas e nxorën shpejt në pension. Ishte kthyer në shtëpi mes librave të saj, që i kishte të shumtë e në disa gjuhë dhe ku mua më rrinin sytë gjatë gjithë kohës kur isha në shtëpinë e saj. Më duket se veshët i kisha tek Ollga, ndërkohë që sytë më shkonin te biblioteka aq e pasur.
Isha e re atëherë ndofta edhe për të gjykuar çka Ollga përfaqësonte, po edhe sepse shumë pak kisha dëgjuar për të, po edhe më pak kisha lexuar nga çfarë ajo kishte shkruar e bërë, ngaqë ishte lënë në harresë, po kërshëria për ta takuar gazetaren e viteve ‘30, gruan që kishte luftuar për të drejtat e njeriut, Presidenten e parë të Grave në Shqipëri, ishte e madhe.
Kjo ma shtonte edhe më shumë interesin për të. Në fakt, doja të shkruaja një shkrim për të në revistën “Shqiptarja e Re”, edhe pse nuk isha e sigurt se si do pritej, ndofta dhe nuk do ta shihte dritën e botimit e do përfundonte në kosh siç ndodhte rëndom atë kohë për njerëz të pa dëshirueshëm për regjimin. Gjithsesi, doja të shkruaja për gruan që ishte brenda mureve në shtëpinë e Rrugës së Kavajës, e mbuluar nga heshtja. Kuptohej që shfaqjen e saj në publik e bënin të vështirë kufizimet e kohës.
Ishte një arsye madhore që e bëri të mbyllë gojën e të lërë penën, gruan që dikur kishte sfiduar kohën.
E bënte këtë sakrificë për vete, një grua e atij kalibri?
Natyrisht që jo. Kurrë nuk e kam besuar.
Ajo nuk kishte pasur drojë as kur shkruante kundër mentalitetit të kohës në vitet ‘30, as kur luftonte si antifashiste, në fakt nga ai takim kuptova që ishte kohë e vështirë për të, ishte e shqetësuar për familjen. Edhe pse nuk e tha, kjo kuptohej lehtë nga vetëpërmbajtja e saj, që edhe gjatë bisedës më shumë të krijonte përshtypjen e autocensurës.
Ne që punonim në ato pak media atë kohë, e kuptonim shumë mirë këtë gjë, e jetonim përditë. Ollga kishte një kulturë të gjerë edhe pse ishte modeste, kjo ishte përshtypja që më la e që më pas do ta quaja modesti në kohën e harbutërisë. Forca e personalitetit të saj qëndronte te dija, te qetësia me të cilën i përballonte gjërat, edhe ato më të vështirat. Ajo besonte te forca e gruas për të ndryshuar shoqërinë, ajo shprehej se gratë duhet të kenë lirinë për të vendosur e sidomos për t’u arsimuar “se shoqëria nuk mund të zhvillohet pa dije”. Nuk e di nëse kishte qenë gjithmonë kështu e kujdesshme, apo në se ia kishin imponuar rrethanat e kohës, për shkak të goditjeve që kishte marrë, po qenia e saj reflektonte një vetëpërmbajtje.
Për mua kjo nuk mund të ishte karakteriale, nuk mund të kishte qenë kështu, një grua që nuk kishte pasur drojë e kishte bërë emër qysh në vitet ‘30, e as më pas kur u bë ndër të parat gra që u rreshtuan krah burrave në Luftën Antifashiste për çlirimin e vendit. Në fakt, për këtë kontribut ajo u zgjodh edhe anëtare e Këshillit Antifashist, madje edhe anëtare e kryesisë së tij dhe pas çlirimit të vendit, në zgjedhjet e vitit 1945 ajo u zgjodh edhe deputete e Kuvendit Popullor, me një rezultat shumë të lartë në procesin e votimit. Ollga Plumbi ishte deputetja e dytë më e votuar, pas Enver Hoxhës.
Po kjo nuk zgjati shumë. Shpejt ajo u hoq nga postet e u mënjanua nga politika, duke u mbyllur në shtëpi, edhe pse ishte ndër të rrallat gra të angazhuara të asaj kohe. Ishte nga të rrallat gra që kish pasur një zë për të drejtat e grave qysh në vitet ‘30, kur ajo ishte e para që foli për çështjen e feminizmit në Shqipëri me artikullin “Feminizmi dhe shoqëria jonë”, ku trajton situatën e grave në Shqipëri, të parë nga një perspektivë feministe dhe nevojën imediate për ndryshim.
Në vitin 1936, në një artikull të botuar në revistën “Bota e Re”, për çështjen e gruas Ollga shkruante se: “Akoma jemi shumë prapa në fitimin e të drejtave njerëzore”, duke u bërë nga të parat që e sheh çështjen e gruas si të drejta njerëzore. E bënte këtë betejë duke qenë mjaft aktive në shtypin përparimtar të kohës, sidomos në vitet 1930 e në vijim në botimin e revistës “Bota e Re”, bashkë me Migjenin e Selim Shpuzën, te revistat “Rilindja” e “Përpjekja Shqiptare”, te “Vatra” në vitin 1940 e më pas në revistën “Gruaja shqiptare” me pseudonimin Zita, ku kontribuoi jo vetëm me shkrimet e saj, po edhe për krijimin dhe mbajtjen e vet revistës.
Idetë e saj, sidomos për çështje të përparimit të vendit, përfshirë çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut, për çështjen e gruas e për çështjet e të familjes në përgjithësi, ishin shumë të përparuara për kohën. Ishte një kurajë e madhe të përballje një opinion pothuaj obskurantist për çështjet e të drejtave të grave e sidomos ato që lidhen me lirinë për të bërë zgjedhjen e tyre në jetën personale, madje kjo shpesh nuk është e lehtë edhe sot mbas afro 90 vjetësh. Po me të ishte ndryshe. Në fakt, Ollga nuk ishte një rastësi. Përveçse vinte nga një familje intelektuale e patriote, ajo u martua në një derë gjithashtu të madhe, një familje patriote e përparimtare të kohës.
Vinte nga dy prindër të ditur, babai i saj Zahari Leka, ishte një mjek i shquar që kishte studiuar në Francë, ndërkohë që e ëma Polikseni kishte studiuar në Athinë në kolegjin e njohur “Arsaqion”, i cili mban emrin e një përmetari shumë të njohur. Ndërkohë ajo hyri në një familje gjithashtu të njohur e me kontribute edhe për çështjen kombëtare. Vjehrri i saj, Mihal Plumbi, ishte një nga anëtarët themelues të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” në Stamboll, të drejtuar nga Sami Frashëri.
Pas vdekjes së bashkëshortit në vitin 1930, Ollga mori djalin e saj dhe u largua nga Përmeti, edhe pse ishte një vendim jo i lehtë për një grua të ve në atë kohë. Po ajo kishte inteligjencën dhe kurajën për të bërë zgjedhjen e saj. Ndonëse ishte qyteti i Frashërllinjve, qytet i njerëzve të mirë, me intelektualë të njohur, Përmeti ishte i vogël për Ollgën.
Në fakt, dukej sikur i rrinte ngushtë, sidomos një gruaje të angazhuar si ajo. Ajo zgjodhi të jetonte në Korçë dhe jo rastësisht Korça ishte zgjedhja që e motivonte profesionalisht e kulturalisht, ishte një dilemë që e kishte pasur me vite. Ollga e dinte se Korça i krijonte të tjera mundësi një gruaje intelektuale, një qytet i madh jo thjesht numerikisht, po me kulturën e tij, me shkollën e parë shqipe, me shtypin e kohës, me Liceun Francez e me Kolegjin Amerikan “Kendi” ku ajo dha mësim deri në mbylljen e tij, kur Ollga u kthye në Tiranë e vijoi angazhimin e saj me shkrime, përkthime dhe aktivitetin antifashist si një organizatore e Këshillit Antifashist të Gruas për Tiranën e më pas si kryetare e këtij Këshilli.
Une pata fatin ta takoja atë kur isha shumë e re. Dhe ishte diçka e bukur gati si e magjishme, e paarritëshme …
Më shumë se pesëdhjetë vjet më parë isha e sigurtë se po takoja një luftëtare për gruan, për jetën dhe për lirinë e njeriut dhe të shoqërisë, një njeri të ditur dhe një mendje të bukur. Por tani gjithmonë e më shpesh mendoj se Ollga Plumbi që kam takuar atëherë, ishte gruaja nga e ardhmja. Dhe kam frikë të mendoj se ajo do të mbetet gruaja nga e ardhmja edhe për gjeneratën e fëmijëve të mij. Kjo që them nuk është vetëm një homazh për të por edhe një ftesë për gjeneratën tjetër: Ndonjëherë e ardhmja është “back to the future”