“Kudo që udhëtoj, Greqia më plagos.” 
Ὅπου κι ἂν ταξιδέψω, ἡ Ἑλλάδα μὲ πληγώνει.

0


Jerina Zaloshnja

Kështu shkroi Jorgos Seferis – dhe kështu, pa e ditur ende mirë se kush ishte Seferis, unë fillova ta doja Greqinë.
Ky varg – i thjeshtë, i qartë, i përflakur nga dashuria dhe dhimbja – ka qenë për mua dikur një portë hyrëse në një Greqi tjetër: jo atë të kufijve gjeografikë, të rrugëve, qyteteve, deteve, por në Greqinë intime, të brendshme, shpirtërore. Greqinë që udhëton me njeriun si kujtim, si ëndërr, si plagë – dhe atë Greqi që i përket gjithë botës, si poeti brilant i saj, Seferis.
Greqia ka qenë kaq afër dhe kaq larg për të paktën dy gjenerata, përfshirë gjeneratën time – për shkak të vetëizolimit tonë tragjik. Por rruga është gjetur.
Udhëtimi im, por besoj edhe i shumë shqiptarëve të tjerë drejt Greqisë, ka qenë përherë një udhëtim qiellor. Ne kemi mbërritur në Athinën e Perikliut përmes tragjedive, kemi përshkuar Kretën me mitin e Minotaurit, kemi dëgjuar zërin e Sokratit në agoranë e shpirtit tonë. Por kemi hyrë në Greqinë moderne jo përmes historisë, por përmes poezisë. Dhe aty na kanë udhëhequr poetët: Seferis, Elytis, Kavafis, Sinopoulos, Engonopoulos, Nasos Vayenas, Yannis Ritsos… dhe sa të tjerë.
Takimi im i parë me Seferisin ka qenë ai varg magjik: “Kudo që udhëtoj, Greqia më plagos.” Është një ftesë e parezistueshme për të udhëtuar në universin e tij.
Por si lindi ideja për ta sjellë në shqip pikërisht “Mythistorema”-n e Seferisit?

Ajo lindi në një bisedë të zakonshme, që u kthye në një projekt të bukur. Dua të falënderoj me mirënjohje të veçantë ambasadoren e Greqisë në Tiranë, znj. Konstandina Kamitsi – një zonjë e kujdesshme, e përkushtuar dhe e ndritshme, që rrezaton mirësi. Ishte ajo, së bashku me z. Albert Rakipi nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, që po ndërtonin idenë e organizimit të një Akademie Diplomatike me emrin Seferis, në 125-vjetorin e lindjes, pikërisht në Korçën tonë – si një homazh për poetin e madh që ka shërbyer në atë qytet si konsull në vitet 1936-1938.
Kur dëgjova për këtë projekt, thashë me vete: pse të mos e përkthejmë në shqip “Mythistorema”-n? Dhe kështu ndodhi. Me shumë dashuri dhe përkushtim, përkthyesi Romeo Çollaku i dha shqipes një Seferis të gjallë, të kthjellët dhe të frymëzuar. Përkthimi i tij nuk është thjesht një punë gjuhësore – është një përthithje e shpirtit të Seferisit dhe një ringjallje e tij në një tjetër gjuhë.
Tani, më 7 korrik 2025, libri do të prezantohet në Korçë, në godinën e rinovuar të ish-Konsullatës Greke – aty ku poeti qiellor i Greqisë dikur shkruante kabllograme për qeverinë e tij dhe ndoshta, ndër shëtitjet në kopshtin e godinës, përfytyronte vargje që ende nuk i njohim. Është një kthim i heshtur, poetik dhe i drejtë – aty ku Seferis shërbeu, të kthehet tani në gjuhën shqipe për të na folur edhe neve.
Ky botim nga Tirana Times është më shumë se një libër poezie – është një akt dashurie për letërsinë dhe një ftesë për të udhëtuar përtej kufijve të zakonshëm, në atë që Seferis e quajti “mit-histori”. Në këtë botim të “Mythistorema”-s, lexuesi shqiptar përballet me një vepër themelore të poezisë moderne greke. Kjo poezi nuk është thjesht një eksperiment letrar i shekullit XX, por një udhëtim i brendshëm, një kërkim i vazhdueshëm për kuptimin, rrënjët dhe identitetin.
“Mythistorema” është një poemë që flet me mitin, por e ndan me ne njeriun – me ndjeshmërinë, lodhjen, dëshirat dhe zhgënjimet e tij. Dhe, ashtu si çdo udhëtim i mirëfilltë poetik, nuk jep përgjigje, por zgjon pyetje.
Seferis, përmes këtij cikli poezish, rrëfen historinë e njeriut modern grek, të copëtuar mes lashtësisë dhe harresës, mes kujtesës dhe zbrazëtisë. Por në mënyrë paradoksale, është pikërisht kjo ndjesi e të qenit i rrënuar që e afron lexuesin shqiptar me vargjet e tij. Në “Mythistorema” ne shohim një Greqi që nuk është thjesht vendi tjetër përtej kufirit – është vetë ideja e vendit, e atdheut të munguar, e rrënjës së kërkuar.
Ky botim në shqip është një ftesë për ta përjetuar Seferisin jo vetëm si poet kombëtar grek, por si poet të Mesdheut, të njeriut që përpiqet të mbajë shpresën gjallë mes rrënojave të historisë dhe zhgënjimit të modernes. Është një thirrje për të lexuar dhe për të dashur një poezi që nuk kërkon të mahnisë, por të shpalosë një të vërtetë të heshtur – që dhemb, por që afron.

SHPËRNDAJE