NJE SHKRIMGTAR MODERN I LETËRSISË SAUDI ARABE

0

Dy fjalë dhe një intervistë me shkrimtarin saudiarab Aziz Muhamed për romanin e tij “Rasti Kritik i Pacientit K” sjellë në shqip nga shtepia botuese Tirana Times

Nga Jerina Zaloshnja

“-Le të bëjmë një foto familjare,” propozoi shkrimtari i njohur saudiarab Jusuf ElMuhaimid, autor i dy prej librave më të fundit të botuar nga “Tirana Times” në gjuhën arabe (“Një Burrë i Përndjekur nga Sorrat” dhe “Udhëtimi i Djaloshit Najdi”).

Ishte pothuajse fundi i Javës Kulturore të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë (17 – 20 shtator), një nga aktivitetet më të rëndësishme të qytetit, ku u prezantuan katër tituj tanë: “Djaloshi Najdi” dhe “Një burrë i Përndjekur nga Sorrat” nga Jusuf ElMuhaimid; “Pema e Harlisur” nga Umaima Al-Khamis; dhe “Gjëndja Kritike e Pacientit K” nga Aziz Mohamed. Pas ditëve të ngarkuara me panele, diskutime, muzikë, hurma dhe aktivitete të tjera, ishte momenti i përshtatshëm për një foto.

U mblodhëm të gjithë rreth shkrimtarit ElMuhaimid, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore saudiarabe, që jepte përshtypjen e një zotnie fisnik dhe të vëmendshëm: unë, punëmbaruara Dalal NsrAllah nga Agjensia “Kalamat” me qendër në Rihad – pa ndihmën e së cilës librat tanë nuk do të kishin parë dritën e botimit; përkthyesi Elmas Fida, përkthyesi Alban Reli, moderatori i paneleve saudiarabe, gazetari i njohur Ahmed Al Rodaini, dhe disa të tjerë.

Në fund të rreshtit, në cep, aty ku fotoja të kap, por mund edhe mos të te kapi mirë, rrinte një burrë i ri, jo shumë i gjatë, me një shikim të drojtur.

“-Kush jeni?” e pyeta.
“-Quhem Aziz Mohamed,” u përgjigj ai.

E gjeta! Aziz Mohamed, apo moderni i letërsisë bashkëkohore saudiarabe, ishte ndoshta arsyeja më e rëndësishme dhe e fshehtë e pranisë time aty.
Librin e tij të parë, “Gjëndja Kritike e Pacientit K”, e kisha lexuar në anglisht pak muaj më parë dhe që në faqet e para kuptova se ndoshta po takoja një Franc Kafkë të ri: pushtues, rënkues, dëshpërues deri në pikë te fundit, deri në gjak të fundit, – më të paktat që mund të them. Duke qenë ndër ata që vuajtjen e kanë pjesë të rëndësishme të qenies së tyre, thashë me vete: e gjeta! Ky libër është për mua!

Pa nxitje nga askush iu vura përkthimit të tij, herë duke e pëlqyer, here duke e ripëlqyer; herë duke i “pëshpëritur në vesh” autorit të largohej pak; të merrte pak distancë nga idhulli i tij K, të gjente rrugën e vet se e kishte mu aty përpara syve, por thjesht nuk e shihte. E përjetova aq shumë këtë eksperiencë “incognito” të përkthimit, sa u trondita kur më thanë se libri do të përkthehej nga origjinali – siç është e drejta. Sigurisht, u tërhoqa, por mezi prisja të shihja punën e përkthyesit Elmas Fida, sa për krahasim.

E pashë dhe, me të drejtë, më duhej të bëja një hap mbrapa. Përkthimi nga origjinali mbetet më i miri; për më tepër, përkthyesi tregoi se ishte afër dhimbjes – sipas meje një kusht i domosdoshëm për të kuptuar këtë libër.

Duke mos pasur mundësi të vendosja emrin në këtë libër, aty poshtë shkrimtarit besoj më modern të letërsisë saudiarabe, i kërkova zotit Mohamed një intervistë.

“-Mirë,” u përgjigj ai.

Shkrimtarët sauditë Azis Muhamed (i pari nga e majta) dhe Jusuf ElMuhaimid (në qendër) së bashku me kolegët e tyre shqiptarë dhe sauditë: Dr. Arben Ramkaj, Dalal NsrAllah, Jerina Zaloshnja, Ahmed Al Rodaini, Elmaz Fida, Alban Reli dhe Albert Rakipi, gjatë Javës Kulturore Saudite në Tiranë.

AZIZ MUHAMED: NJË ARSYE PËR TË JETUAR

Pyetje: Pse shkruani, Aziz Muhamed? Kur e kuptuat për herë të parë se shkrimi ishte brenda jush?

Përgjigje: Marrëdhënia ime me shkrimin është njëkohësisht dashuri dhe urrejtje. Nga njëra anë, e urrej vështirësinë dhe kërkesat e tij, sidomos si dikush që mund të shkruajë vetëm në vetmi; ndaj edhe ruaj një distancë prej tij, një distancë e imponuar nga nevoja. Nga ana tjetër, e përkufizoj veten si shkrimtar – edhe pse nuk ndiej se i përkas plotësisht këtij emërtimi, pikërisht për shkak të asaj distance. E megjithatë, shumë herë kam gjetur tek shkrimi një arsye për të jetuar. I jam thellësisht mirënjohës për këtë, sepse më ka shpëtuar nga një jetë që ndoshta do të kishte qenë e zbrazët pa të, ose ndoshta nuk do të kishte ekzistuar fare. Kjo ndodhi për herë të parë gjatë një periudhe depresioni në adoleshencë. Atëherë kuptova se, edhe nëse asgjë tjetër nuk do të më nxirrte nga errësira, gjithmonë do ta kisha këtë strehë.

Pyetje: Në romanin tuaj Rasti kritik i “K”, duket se jeni thellësisht i lidhur me dhimbjen. Në libër nuk keni humbur asnjë nuancë të saj; mund të thuhet se e keni marrë vuajtjen për dore. Si ju lindi ideja për këtë roman? Pse zgjodhët ta paraqisnit në mënyrë kaq të karnale e konkrete?

Përgjigje: Në disa prej tregimeve të mia të hershme, isha i preokupuar nga frika e vdekjes. Këtë herë, desha të shkruaja diçka ndryshe: për dikë që, ndonëse i afrohet vdekjes, duket se nuk shqetësohet prej saj. Për pasojë, fjala “vdekje” përmendet rrallë në ditarin e tij, dhe atë vetëm në mënyrë ironike. Ky përshkrim i gjallë e i detajuar i sëmundjes është, në fakt, mënyra e K.-së për ta mbajtur veten të zënë, duke i dhënë kuptim vuajtjes së tij, sepse në fund ai synon ta shndërrojë ditarin në një vepër letrare – ashtu siç bënë shkrimtarët e tij të parapëlqyer, që e kthyen dhimbjen në krijim me vlerë. Pyetja ime ishte: deri ku mund të shkoj në ta bërë këtë përshkrim të ndjehet i vërtetë e i prekshëm, pa humbur dimensionin e tij letrar?

Pyetje: U munduat shumë me këtë roman? Sa kohë ju desh ta shkruanit? E kishit parashikuar reagimin e lexuesve? Ju trembi fama e menjëhershme, apo jeni i vetëdijshëm se keni shkruar një libër të rëndësishëm jo vetëm për letërsinë e vendit tuaj, por edhe përtej?

Përgjigje: Më mori një vit e gjysmë për ta përfunduar – që tani më duket kohë e shkurtër, po ta krahasoj me pesë vitet që i kushtova romanit tim të dytë. Kur nisa të shkruaja Rastin kritik të K., e dija qartë efektin që dëshiroja të arrija. Ishte e vetëdijshme zgjedhja ime që, megjithëse tema e kancerit mund ta bënte librin të prekshëm për publikun dhe protagonistin të fitonte lehtësisht simpati, ta bëja atë më pak të pëlqyeshëm. Por për çudi, pikërisht kjo e bëri historinë e tij më të paharrueshme për shumë lexues.

Pyetje: Stili juaj është i dendur, i mprehtë, por njëkohësisht mbart një intimitet që rrallë gjendet në prozën moderne arabe. Cilin nga shkrimtarët e Lindjes apo të Perëndimit admironi?

Përgjigje: Nuk do të thoja se ky intimitet gjendet rrallë në prozën arabe moderne. Përkundrazi, është aq i përhapur sa më është e vështirë t’ia atribuoj vetëm disa emrave. Shumë nga këtë qasje ia detyroj edhe përkthyesve arabë, të cilët më ofruan një mënyrë të re të afrimit ndaj arabishtes klasike me një frymë moderne – edhe nëse përkthimet e tyre nuk ishin gjithmonë besnike. Mes tyre janë poeti libanez Bassam Hajjar, Rose Makhlouf, Munir Baalbaki, Ibrahim Watfi e të tjerë. Sigurisht, jam ndikuar edhe nga të gjithë autorët e përmendur në roman, por është e rëndësishme të theksohet se rrëfimtari im është dikush i formuar prej letërsisë së përkthyer, të cilën e sheh si një arratisje nga rrethanat e tij. Me një narrator tjetër, ndoshta do të zgjidhja një stil krejt tjetër.

Pyetje: A e shihni veten si një “lule të vetmuar” në letërsinë bashkëkohore të vendit tuaj? A ka edhe shkrimtarë të tjerë që, si ju, e distancojnë veten nga format tradicionale të letërsisë arabe? Mund të përmendni disa emra?

Përgjigje: Nuk mendoj se letërsinë arabe tradicionale mund ta fusim në një formë të vetme, sidomos pasi edhe romani im nuk është plotësisht i shkëputur nga trashëgimia që e paraprin. Po ashtu, duhet bërë dallim mes këndvështrimit të rrëfimtarit dhe vetë veprës. Tjetërsimi që ndjen rrëfimtari sugjeron një shkëputje totale nga tradita, por nuk është e thënë që gjithmonë duhet t’i besojmë fjalës së tij. Në skenën letrare saudite sot ka shumë zëra të rinj me marrëdhënie të mrekullueshme me traditën. Për shembull, romanet dhe tregimet e Ahmed Al-Huqail janë thellësisht të rrënjosura në letërsinë klasike arabe – disa mund ta lidhin stilin e tij me Al-Jahiz-in dhe prozatorët arabë të shekullit IV Hixhri. Por, nga ana tjetër, është e vështirë të mendohet se ai do të shkruante po njësoj pa ndikimin e W. G. Sebald-it.

Pyetje: Çfarë jeni duke shkruar?

Përgjigje: Së fundmi kam botuar romanin tim të dytë, Të huaj intimë, që ndjek historinë e një arkitekti në Lindjen e Arabisë Saudite, dhjetë vjet pas arratisjes së motrës së tij jashtë vendit – një ngjarje që vazhdon ta përndjekë, ndërsa ai përpiqet të rilidhet me atdheun përmes praktikave tradicionale të ndërtimit, gjithnjë e më i pushtuar nga paranoja se gruaja e tij mund të ndjekë hapat e së motrës. Kam nisur tashmë punën për një roman të tretë, që ndoshta do të lidhet me këtë histori. Përveç letërsisë, punoj edhe si skenarist për filma dhe seriale televizive – deri tani më shumë në anën komerciale – por edhe ato i shijoj shumë dhe i gjej të frytshme, si nga ana krijuese, ashtu edhe nga ajo financiare.

SHPËRNDAJE