Digjitalizimi po e riformëson Administratën Publike si në hartimin e politikave, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve. Revolucioni i të dhënave i ndihmon qeveritë t’u përgjigjen pritshmërive të publikut dhe të bëhen më efikase e më të qëndrueshme, duke përmirësuar performancën e tyre. Megjithatë, ndërsa inovacioni i sektorit publik përshpejtohet , përdorimi i teknologjive digjitale sjell një sfidë tjetër kyçe: shpejtësinë.
Shpejtësia është monedha e re
Shpejtësia është shndërruar në faktor strategjik, sepse lidhet me inovacionin, i cili është forca shtytëse e shoqërisë digjitale. Garantimi i shpejtësisë dhe i zhdërvjelltësisë çon në performancë superiore. “Shpejtësia është monedha e re”, thotë Marc Benioff, themelues dhe CEO i Salesforce. Sycamore, procesori kuantik i Google, ka nevojë vetëm për pak minuta për të kryer po aq llogaritje sa një laptop i zakonshëm do t’i kryente për 10.000 vjet. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, aftësia për t’iu përgjigjur shpejt rrethanave të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme është bërë faktor kritik për përcaktimin e ekuilibrit të ri të fuqisë, e ndoshta edhe për përcaktimin e vetë koncepteve të influencës dhe të fuqisë.
Ndryshe nga e kaluara, diplomacia dhe çështjet ndërkombëtare nuk mund t’ia lejojnë më vetes t’u përshtaten ngadalë ndryshimeve, sepse ritmi i tyre kërkon pothuajse një zhdërvjelltësi të tipit të biznesit për të mbetur në hap me zhvillimet dhe për të ruajtur relevancën. Teknologjitë e të dhënave, dhe veçanërisht inteligjenca artificiale gjeneruese, po ndryshojnë mekanizmat që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, duke sjellë inovacion të pandërprerë dhe ritëm gjithnjë e më të shpejtë. Për pasojë, ato do të ndikojnë në të gjitha veprimtaritë diplomatike: nga analiza gjeopolitike te negociatat; nga mbështetja për eksportin dhe ndërkombëtarizimin e kompanive te shërbimet konsullore. Nevoja për të përvetësuar modele të drejtuara nga të dhënat, me qëllim menaxhimin e presioneve politike, institucionale dhe ekonomike, e ngre pragun dhe e vë diplomacinë në sprovë. Nga njëra anë, teknologjia po e zgjeron sferën e kompetencës diplomatike, me kërkesa të shumta dhe të larmishme për veprim; nga ana tjetër, kërkohet kohë gjithnjë e më e shkurtër veprimi/reagimi për t’u përballur me rrethanat dhe për të performuar mirë. Në një kontekst të tillë të digjitalizuar, sfida kryesore për diplomacinë qëndron në ndërthurjen e dy llojeve të “inteligjencës”: asaj kontekstuale, pra aftësisë për të kuptuar kontekstin, duke u mbështetur në praninë në terren dhe në rrjetet e fuqishme shumëpalëshe të diplomatëve, me atë artificiale, domethënë aftësinë për të shfrytëzuar dhe optimizuar fuqinë në rritje të të dhënave dhe algoritmeve.
Faktorët kyç për të qenë të shpejtë: throughput dhe latency
Objektivi parësor i diplomacisë është të krijojë vlerë publike përmes efikasitetit më të lartë dhe performancës së përmirësuar. Në kontekstet digjitale, arritja e këtyre qëllimeve varet kryesisht nga shpejtësia, e cila, nga ana e saj, është rezultat i shumë variablave. Dy prej tyre, njësoj si në sistemet IT, janë thelbësore për të punuar më shpejt dhe për të rritur produktivitetin: throughput (në shqip: kapaciteti real i transferimit të të dhënave) dhe latency (në shqip: latenca).
Throughput
Throughput tregon kapacitetin maksimal të një sistemi për të përballuar ngarkesën e punës brenda një njësie të caktuar kohe. Në teknologjinë e informacionit, ky variabël matet në queries ose bytes per second. Për analogji, throughput-i i diplomacisë konsiston në aftësinë e strukturave qendrore dhe periferike për të përthithur kërkesat e marra dhe për të kryer detyrat e ndryshme brenda një kohe të caktuar. Shpejtësia përfshin aftësinë për të ofruar përmbajtje të re ose shumë të përshtatshme, pa vonesë. Kur një sistem mbingarkohet, pra kur merr më shumë “queries” sesa mund të përballojë, ai ngadalësohet dhe humbet efikasitetin. Nëse nuk është e mundur të ulet ngarkesa ose, alternativisht, të rriten burimet, një zgjidhje e zbatueshme për të rikthyer shpejtësinë është load balancing midis serverëve. I njëjti koncept vlen edhe për organizatat. Mbingarkimi i njerëzve ose i ekipeve, edhe kur ata janë në gjendje ta përballojnë, ul efikasitetin dhe dëmton rezultatin e organizatës. Ndarja e detyrave maksimalizon aftësitë dhe njohuritë e secilit individ, me ndikim pozitiv në kapacitetin e punës (dhe shpejtësinë) të gjithë organizatës. Një zgjidhje tjetër është diversifikimi i përvojës profesionale të njerëzve. Të jesh i aftë në diçka të ndihmon ta bësh atë më mirë dhe më shpejt. Komunitetet e inovacionit dhe ekipet ndërfunksionale, si edhe përvojat profesionale “jashtë karriere”, e bëjnë ekspertizën e diplomatëve shumëdisiplinore dhe diversifikojnë spektrin e aftësive të tyre, me efekte pozitive në kapacitetin për të përballuar ngarkesën e punës, në shpejtësinë e zbatimit dhe në cilësinë e performancës.
Latency
“Latency”(latenca tregon se sa shpejt një sistem u përgjigjet stimujve. Më saktësisht, në fushën e IT-së, latency mat intervalin ndërmjet momentit kur dërgohet hyrja (input) dhe momentit kur dalja (output) bëhet e disponueshme. Kur një server është aq i ngarkuar sa latency e tij e tejkalon të ashtuquajturin “user timeout”, pra kohën maksimale që përdoruesi është i gatshëm të presë përpara se të reagojë, kërkesat fillojnë të dështojnë, me ndikim negativ mbi efikasitetin dhe reputacionin. Sipas një ankete të fundit, 47% e konsumatorëve online kërkojnë që një faqe interneti të përgjigjet në më pak se 4 sekonda, përpara se ta braktisin atë.[1] Në sistemet kompjuterike, latency përmirësohet duke rritur gjerësinë e brezit, pra infrastrukturën mbështetëse. Për të ofruar shërbime cilësore, gjerësia e brezit duhet të jetë e madhe, çka do të thotë se duhet të lejojë transmetimin dhe marrjen e të dhënave me një shpejtësi lidhjeje më të madhe se 2 Mbit/s. E njëjta gjë vlen edhe për diplomacinë. Prania e gjerë e ambasadave dhe konsullatave në mbarë botën i garanton diplomacisë publike afërsinë gjeografike thelbësore për të mbledhur, transmetuar dhe menaxhuar të dhëna të mëdha, duke minimizuar kohën e veprimit/reagimit të strukturave të saj. Megjithatë, për të qenë efikase, diplomacia 5.0 duhet të ketë “Infrastrukutren e saj, e cila përbëhet nga arkitektura teknologjike dhe burime njerëzore mjaftueshëm të kualifikuara për të menaxhuar procese të digjitalizuara, duke u mbështetur te të dhënat për të hartuar dhe zbatuar strategji. Sfida që vjen si pasoje e aplikimit te modeleve te drejtuara nga të dhënat, nuk ka të bëjë vetëm me përditësimin e disa mjeteve dhe infrastrukturave, por edhe (ndoshta mbi të gjitha) me hartimin e proceseve të avancuara të formimit, përditësimit dhe rikualifikimit profesional.
Lidhja midis shpejtësisë dhe lidershipit
Shpejtësia është kombinimi i të bërit gjërat shpejt dhe efikase. Drejtuesit efektivë janë në gjendje të planifikojnë dhe të zbatojnë me shpejtësi, sepse ata veprojnë shpejt pa qenë të hutuar. Një studim i kryer nga Zenger dhe Folkman konstaton se, në 95% të rasteve, cilësia e lidershipit lidhet me shpejtësinë që drejtuesit tregojnë në identifikimin e problemeve, të nxënit, parashikimin e skenarëve, veprimin paraprak ose reagimin ndaj rrethanave.[2] Digjitalizimi, dhe veçanërisht AI, mund t’i fuqizojë njerëzit, por vetëm nëse drejtuesit kanë një pamje të gjerë të kapaciteteve të tyre dhe shqyrtojnë në thellësi implikimet e zbatimit të teknologjive në organizatë. Nxitja e inovacionit në organizatat publike dhe private (përfshirë diplomacinë) është një ndër përgjegjësitë kryesore të drejtuesve; kjo duhet t’i shtyjë ata të reflektojnë jo vetëm mbi faktorët potencialë që e bëjnë inovacionin të funksionojë, por edhe mbi faktorët organizativë dhe kontekstualë që e pengojnë inovacionin të arrijë rezultatet e veta. Në këtë perspektivë, lidhja midis lidershipit (transformues) dhe shpejtësisë mbështetet në tre shtylla kryesore. Shtylla e parë është shpejtësia/stili i lidershipit. Një qasje e ngurtë menaxheriale, me strukturë piramidale dhe nga lart-poshtë, është tepër e ngadaltë për të ndjekur ritmin e shpejtë të digjitalizimit, ndërsa kalimi drejt një stili lidershipi të hapur e më fleksibël mund ta çojë performancën nga mesatarja në ekselencë. Sot, më shumë sesa kontroll, drejtuesit duhet të ofrojnë aftësinë për të projektuar dhe rishkruar marrëdhënie krijuese e bashkëpunuese brenda ekipeve, të dobishme për krijimin e vlerës. Shtylla e dytë është shpejtësia/kompetenca. Sa më shumë që aftësitë rriten dhe përmirësohen në cilësi, aq më shumë rritet shpejtësia e planifikimit dhe zbatimit të strategjive, ndërsa gabimet dhe joefikasitetet pakësohen. Përgjigjja ndaj një mjedisi ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks, shumëdisiplinor dhe dinamik, për rrjedhojë, mbështetet në një lidership gjithnjë e më të zhdërvjellët, të shpejtë dhe kompetent. Ky rregull vlen për çdo profesion, dhe diplomacia nuk bën përjashtim. Shtylla e fundit lidhet me besimin. Brenda një organizate, qoftë publike apo private, nivelet e ulëta të besimit i ngadalësojnë në mënyrë të pashmangshme proceset dhe gjenerojnë kosto të larta operative. Anasjelltas, një mjedis pune i bazuar në besim të ndërsjellë nxit delegimin e pushtetit dhe përgjegjësisë, duke përshpejtuar proceset dhe ulur kostot. Ndërtimi i besimit është funksional për krijimin e vlerës dhe, për rrjedhojë, është një imperativ i lidershipit.
Vizion i madh, hapa të vegjël: përshpejtimi i një diplomacie të drejtuar nga të dhënat
Teknologjitë digjitale dhe të të dhënave e përshpejtojnë zhvendosjen drejt një paradigme të drejtuar nga të dhënat. Edhe strategjitë e politikës së jashtme varen çdo ditë e më shumë nga mbledhja (sistematike) dhe leximi (analitik) i sasive masive të të dhënave. Ndërsa diplomacia digjitale është mënyra se si diplomatët përdorin disa mjete digjitale për të kryer veprimtarinë e tyre, diplomacia e drejtuar nga të dhënat i referohet “kthimit të byte-ve në njohuri”, që do të thotë të kuptuarit se si të dhënat po e sfidojnë (dhe po e ndryshojnë) mënyrën tradicionale të të bërit diplomaci. Zyra e Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar, për shembull, krijoi FCDO Labs për të zhvilluar aftësitë e nevojshme për konsolidimin e modeleve të drejtuara nga të dhënat në politikën e jashtme. Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë krijoi “Njësi Big Data” të brendshme, të përbëra nga profesionistë të specializuar në analizën dhe sistematizimin e të dhënave, për t’i bërë ato të qasshme për diplomatët dhe hartuesit e politikave. Departamenti amerikan i Shtetit nisi Strategjinë e parë të të Dhënave të Sipërmarrjes (EDS), për të fuqizuar stafin e vet global me mjetet dhe aftësitë për ta përdorur të dhënën si një instrument kritik të diplomacisë.
Hulumtimi më i fundit i McKinsey vlerëson se inteligjenca artificiale gjeneruese ka potencialin të krijojë vlerë ekuivalente me 2.6 deri në 4.4 trilionë dollarë në fitimet vjetore të korporatave në shkallë globale.[3] Pothuajse çdo qeveri, kompani e madhe dhe organizatë në botë po punon për të hartuar një strategji të AI, sepse ajo mundëson shfrytëzimin e fuqisë së të dhënave dhe hap mundësi të reja. Në një kohë shumë të shkurtër, në fakt, fokusi është zhvendosur nga teknologjitë digjitale te të dhënat dhe nga të dhënat te teknologjitë e afta për t’i krijuar dhe përpunuar ato, domethënë inteligjenca artificiale gjeneruese. Sisteme të tilla të automatizuara ndihmojnë në simulimin e skenarëve dhe parashikimin e evolucionit të trendeve, por, duke vepruar kështu, ato kontribuojnë edhe në përshpejtimin e ritmit operacional. Në raundin e parë të negociatave bërthamore iraniane, Departamenti amerikan i Energjisë përdori aplikime të AI (inteligjences artificiale) për të ndërtuar kopjen e një objekti bërthamor iranian, duke parashikuar zhvillimet e pasurimit të uraniumit. Sipas burimeve të besueshme,[4] brenda pesë vjetësh sistemet e AI do të jenë në gjendje të menaxhojnë 100 trilionë parametra, me ndikime të thella transformuese në çdo fushë të veprimit njerëzor.
Për të mbajtur ritmin dhe për të mbetur relevante, diplomacia duhet të integrojë gjykimin e diplomatëve, të mbështetur në vlera, me njohuritë e nxjerra nga të dhënat, duke kombinuar inteligjencën kontekstuale me atë artificiale. E para u mundëson diplomatëve të fitojnë njohuri më të thella dhe urtësi tacite, të cilat shpesh mbeten përtej arritjes së algoritmeve, dhe ta përshtatin këtë njohuri me skenarët e botës reale. E dyta e rrit rezultatin e diplomacisë, përfshirë aftësinë për të parashikuar, vepruar paraprakisht ose reaguar në kohë reale ndaj rrethanave të ndryshme. Besimi i tepërt te të dhënat do ta çonte diplomacinë në gabime serioze, por mbajtja e diplomacisë krejtësisht larg të dhënave do të rrezikonte ta kufizonte, madje edhe ta çrregullonte atë.
Përshtatja e një modeli të drejtuar nga të dhënat, të ndërtuar për fleksibilitet dhe shpejtësi të lartë, me diplomacinë publike është një proces kompleks. Disa hapa për ta lehtësuar janë këta: a) përcaktimi i një vizioni të drejtuar nga të dhënat për diplomacinë, të bazuar në një plan veprimi të matshëm, të orientuar drejt objektivave dhe të kufizuar në kohë; b) hartimi i një strategjie të orientuar nga teknologjia, e cila nuk konsiston thjesht në përditësimin e disa programeve dhe mjeteve, por në ndërtimin e një “bërthame digjitale” të fortë themelore për diplomacinë, të aftë për të integruar të dhënat, AI dhe teknologji të tjera. Një evolucion i tillë do të lejonte krijimin e sistemeve informative në shkallë të gjerë dhe ndërveprueshmërinë si ndërmjet strukturave diplomatike, ashtu edhe mes tyre dhe ministrive apo institucioneve të tjera. Për shembull, ndërmjet ministrive të punëve të jashtme dhe ministrive të mbrojtjes, të cilat po përparojnë me shpejtësi në zbatimin e AI për sigurinë kombëtare dhe luftën, apo edhe ndërmjet sektorit publik dhe atij privat; c) copëtimi i “vizionit të madh në hapa të vegjël”.[5] Nëse konceptohen brenda një vizioni më të madh, objektivat realiste afatshkurtra dhe nën-detyrat e menaxhueshme ndihmojnë në krijimin e momentit, kapërcimin e zvarritjes dhe arritjen më të shpejtë të qëllimit të dëshiruar.
Përfundime
Për Milan Kunderën, shpejtësia është ekstaza që revolucioni teknologjik i ofron njerëzimit. Prirja njerëzore është të ecë gjithnjë e më shpejt. Ky fakt e ka nxitur përparimin, por ka gjeneruar edhe shqetësime. Përveç çështjeve etike, për shembull, rritja e inteligjencës artificiale gjeneruese ka një ndikim të thellë (dhe ende pjesërisht të panjohur) mbi sigurinë, si në planin fizik, ashtu edhe në atë kibernetik. Për më tepër, shpejtësia i mbingarkon dobësitë strukturore të njerëzve, organizatave dhe madje edhe të shteteve kombëtare, duke thelluar paradokset shoqërore dhe kostot mjedisore. Sektori ICT, për shembull, tashmë gjeneron të njëjtën sasi emisionesh CO2 si aviacioni. Duke vijuar në këtë rrugë, deri në vitin 2025 ai do të përbëjë 5.5% të emetimeve globale.[6]
Ideja kyçe #1: Kombinimi i qasjee konvencionale me një model të drejtuar nga të dhënat. Njerëzit e ndihmuar nga AI mund të tejkalojnë si njerëzit që punojnë vetëm, ashtu edhe AI që vepron vetëm. Në një mjedis ndërkombëtar të nxitur nga teknologjia dhe me ritëm më të shpejtë, diplomacia mund të mbështetet në një strategji të orientuar nga teknologjia për të rritur rezultatin profesional dhe krijimin e vlerës. Pajisja e ministrive të punëve të jashtme me arkitektura IT të shkallëzueshme dhe me analistë kompetentë të të dhënave është kyçe për t’u ofruar diplomatëve, si edhe hartuesve të politikave, informacion të kualifikuar dhe njohuri të qëndrueshme në kohë.
Ideja kyçe #2: Përqafimi i teknologjisë për të ngushtuar hendekun midis teknologjisë dhe aftesive te nebojshme per perdorimin e saj. Teknologjia po e rrit në mënyrë eksponenciale numrin e zgjedhjeve të vështira dhe, njëkohësisht, po e zvogëlon kohën në dispozicion për marrjen e vendimeve. Modelet e drejtuara nga të dhënat e rrisin throughput-in e diplomacisë dhe e zvogëlojnë kohën e saj të latency, me ndikim pozitiv në shpejtësinë dhe efikasitetin operacional. Megjithatë, modele të tilla kërkojnë investime masive për mbështetjen e infrastrukturave dhe punonjësve, pasi u duhen aftësi të reja. Mësimi gjatë gjithë jetës dhe praktika e përshtatjes ndaj ndryshimit janë gjithnjë e më të rëndësishme. Nga kjo pikëpamje, bashkëpunimi publik-privat është kyç për të dyja palët.
Ideja kyçe #3: Integrimi i AI si një mundësues për srritjen e vlerës në shkallë të gjerë. Inteligjenca artificiale është e kudondodhur; ajo do të ndryshojë gjithçka, përfshirë mekanizmat që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mënyrën se si diplomacia krijon vlerë. Teksa AI bëhet më e sofistikuar dhe më e përhapur, ajo i ofron diplomacisë mundësi të paprecedenta për të përshpejtuar ciklet e strategjisë dhe për të qenë më reaguese. Nga ana tjetër, AI do ta ekspozojë diplomacinë ndaj presioneve (më të forta), rreziqeve (të paparashikueshme) dhe shqetësimeve (të rëndësishme). Rikonceptimi i diplomacisë në mënyrë të drejtuar nga të dhënat nënkupton modernizimin e kodit të saj operacional, duke e mbrojtur njëkohësisht nga anët negative.
Pyetja nuk është “nëse” na duhet diplomacia, por “çfarë” diplomacie na duhet për t’u përballur me transformimin digjital. Edhe pse big data dhe teknologjitë sjellin përparime të jashtëzakonshme në diplomaci, faktori njerëzor do të mbetet themelor. Pavarësisht se sa e fuqishme bëhet teknologjia, diplomatët janë këtu për të qëndruar, sepse inteligjenca e tyre kontekstuale do të vazhdojë të sjellë në tryezë një grup unik aftësish dhe perspektivash. Shpejtësia është e lidhur pazgjidhshmërisht me inovacionin digjital dhe bëhet një faktor kritik suksesi edhe për diplomacinë. Megjithatë, në vend që të nxitohet drejt teknologjive dhe proceseve të reja, një qasje progresive dhe metodike mund ta përshpejtojë në fund përvetësimin e modeleve të drejtuara nga të dhënat. Përqendrimi te kapacitetet themelore dhe te faktorët organizativë që i mbështesin ato mund të ndërtojë një bazë të fortë për inovacion të qëndrueshëm dhe modernizim teknologjik të diplomacisë. Çelësi është ruajtja e përkushtimit ndaj një vizioni afatgjatë, duke mbetur njëkohësisht fleksibël dhe i përshtatshëm ndaj ndryshimeve të shpeshta në peizazhin digjital. Vizioni i madh dhe hapat e vegjël janë mënyra më e mirë për të arritur atje.
Opinionet e shprehura janë personale dhe nuk i atribuohen Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar te Italise.
[1]https://www.hobo-web.co.uk/your-website-design-should-load-in-4-seconds/#:~:text=following%20key%20findings%3A-,47%20percent%20of%20consumers%20expect%20a%20web%20page%20to%20load,render%20before%20abandoning%20the%20site.
[2] https://www.leadershipnow.com/leadershop/9781259837388.html
[3] https://www.mckinsey.com/mgi/overview/in-the-news/ai-could-increase-corporate-profits-by-4-trillion-a-year-according-to-new-research
[4] Ian Bremmer, president i Eurasia Group, cituar nga Amb. Stefano Ronca në: “Lettera diplomatica nr. 1360”, Romë, 20.09.23.
[5] https://www.mckinsey.com/capabilities/mckinsey-digital/our-insights/small-steps-big-vision-scaling-a-purpose-driven-business-at-coachhub
[6] https://www.climatechangenews.com/2017/12/11/tsunami-data-consume-one-fifth-global-electricity-2025/





