Nga Jemeni në Bririn e Afrikës: A po lind një gjeneratë e re e terrorizmit ndërkombëtar?
Nga Arian Starova
Në rrethanat e tanishme të një konkurrence gjeopolitike tejet të acaruar në Lindjen e Mesme, e cila po zhvillohet prej më shumë se gjashtë muajsh, kryesisht nga ShBA dhe Izraeli kundër Republikës Islamike të Iranit, njëherësh me armë, mjete shtrënguese ekonomike dhe lëvizje diplomatike, duket sikur sfida të reja shtesë të sigurisë po ravijëzohen në horizont dhe, fatkeqësisht, në formën e një terrorizmi të ripërtërirë.
Nëse problemet kryesore me Iranin ishin katër, ndërprerja e mbështetjes për aktorët joshtetërorë terroristë në Lindjen e Mesme si Hamasi, Hezbollahu dhe Houthitë, ndalimi i programit të tij bërthamor dhe raketor, si edhe lejimi i lundrimit të sigurt dhe të lirë në Ngushticën e Hormuzit, tashmë pjesë e kësaj konkurrence janë duke u bërë, në mënyrë të pavarur nga Irani, edhe aktorët joshtetërorë Al Shabaab në Somali dhe Houthitë në Jemen.
Al Shabaab është një grup kryengritës islamist që lufton prej thuajse njëzet vjetësh për përmbysjen e qeverisë në Somali, duke përfaqësuar një degë shumë të fuqishme financiarisht të Al Qaedas.
Houthitë janë një grupim politik i themeluar në vitet 1990, por i shndërruar në grup të armatosur që prej vitit 2004, i cili lufton kundër qeverisë së Jemenit.
Të dyja këto forca ushtarake kontrollojnë territore të caktuara në të dy vendet.
Ndërmjet Al Shabaabit dhe Houthive është duke u krijuar edhe një aleancë e fshehtë, por shumë vepruese, e cila po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Është e vështirë të parashikohen e ardhmja dhe fuqia e saj, por këto janë forca të paneglizhueshme dhe udhëhiqen nga urrejtja kundër Perëndimit, ShBA dhe Izraelit. Synimi i tyre i largët dhe i pashpallur duket se është i njëjtë me atë të Iranit, krijimi i një federate shtetesh islamike, apo i një kalifati islamik, nëpërmjet veprimtarisë terroriste që synon pushtimin e territoreve dhe përmbysjen e regjimeve politike legjitime. Pavarësisht se kanë qenë armiq historikë, sepse mbështetësit e Al Shabaabit janë myslimanë sunitë, kurse ata të Houthive shiitë, ata po i bashkojnë urrejtja dhe synimet e tyre të njëjta të lartpërmendura.
ShBA i ka shpallur të dyja këto organizata ushtarake si organizata terroriste, Al Shabaabin në vitin 2008, kurse Houthitë, me një ndërprerje të shkurtër, që prej vitit 2021.
Tani për tani, bashkëpunimi i tyre është përqendruar në dy drejtime.
Së pari, në shkëmbimin e një pjese të pasurisë së madhe të Al Shabaabit me një pjesë të armëve të shumta që zotërojnë Houthitë. Njëra palë ka shumë para, por jo armë të mjaftueshme dhe luftëtarë të stërvitur, kurse tjetra ka armë të sofistikuara, por i mungojnë paratë.
Së dyti, lëvizjet e ditëve të fundit po zbulojnë edhe një synim tjetër, instrumentalizimin e lundrimit ndërkombëtar nëpër Detin e Kuq, sidomos pranë Ngushticës Bab al Mandab. Gjithashtu, Houthitë janë duke i kërkuar Al Shabaabit edhe mundësinë e kontrollit nga ose nëpërmjet rrjeteve të tij territoriale pranë Detit të Kuq në Somali, për të mbikëqyrur trafikun detar në Gjirin e Adenit nga të dyja anët e ngushticës në fjalë.
Kjo aleancë në ngjizje ndërmjet Houthive dhe Al Shabaabit është shqetësimi thelbësor që ia përcillte opinionit publik edhe një shkrim i autorit Michael Phillips në gazetën The Wall Street Journal, të datës 31 gusht 2026. Duke përmendur fjalët e gjeneralit amerikan Dagvin Anderson, komandantit të forcave amerikane në Afrikë, ai shkruan se “… Houthitë janë duke u shtrirë gjeografikisht dhe kjo mund ta prishte edhe më shumë sigurinë e njërës prej ngushticave më të rëndësishme botërore të transportit ekonomik … dhe ky nuk është vetëm problem rajonal. Ai ka ndikime botërore.”
Marrëdhëniet ndërmjet Houthive dhe Al Shabaabit, që ende duken kryesisht të llojit praktik dhe tregtar, në rrethana të caktuara të konfrontimit ndërmjet ShBA dhe Iranit mund të kthehen edhe në marrëdhënie strategjike.
Cilat mund të ishin rreziqet që vijnë prej aleancës së këtyre dy forcave terroriste në Lindjen e Mesme?
Rreziku i parë është kërcënimi i transportit detar dhe i tregjeve botërore të lidhura me energjinë, në një ngushticë ku kalon rreth 12 për qind e transportit detar të naftës. Ky kërcënim bëhet edhe më serioz në rrethanat e krizës në Gjirin e Hormuzit.
Një rrezik tjetër është zgjerimi i kërcënimit ndaj paqes, qëndrueshmërisë dhe sigurisë në marrëdhëniet ndërkombëtare të rajonit dhe përtej tij. Përpjekja për të ndikuar në transportin e burimeve të energjisë në Detin e Kuq mund të përfshijë në përplasje gjeopolitike edhe shumë shtete të tjera, përveç Arabisë Saudite, e cila tashmë është e përfshirë në konflikt të armatosur me Houthitë, duke filluar nga Egjipti, ku ndodhet Kanali i Suezit. Ky zgjerim nuk do t’i përjashtonte as vendet e Europës.
Po kështu, kjo aleancë mund të godasë përpjekjet diplomatike dhe ushtarake të ShBA për rritjen e sigurisë së Lindjes së Mesme nëpërmjet ndalimit të programit bërthamor të Iranit, çka do të ishte një ndihmë e tërthortë për Iranin, ndonëse ditët e fundit Houthitë po përpiqen të tregojnë se nuk përfaqësojnë më Iranin me lëvizjet e tyre ushtarake, por vetëm interesat e veta.
Aleanca ndërmjet Houthive dhe Al Shabaabit kërkon gjithashtu të forcojë kundërshtinë ndaj Izraelit, i cili ishte shteti i parë i OKB që e njohu Somalilandin, në veriperëndim të Somalisë, si shtet të pavarur në dhjetor 2025, çka i jepte atij mundësinë t’i kishte nën mbikëqyrje dhe t’i sulmonte Houthitë si armiq të Izraelit.
Ndoshta nuk duhet përjashtuar as mundësia që, si Al Shabaabi, edhe Houthitë, nëpërmjet aleancës së tyre kërcënuese, të duan të rrisin fuqinë e tyre negociuese me ShBA dhe fuqitë e tjera të mëdha, në dobi të synimeve të tyre të ardhshme për t’u shndërruar në aktorë shtetërorë të pranuar ndërkombëtarisht.
Tani për tani, teorikisht, ekziston edhe mundësia që Houthitë dhe Al Shabaabi të mund të mendojnë për vendosjen e tarifave për kalimin e anijeve tregtare nëpër Ngushticën Bab al Mandab. Kjo do të mund të merrej edhe si përpjekje për të ligjëruar piraterinë e rreth njëzet vjetëve të fundit në Gjirin e Adenit.
Të gjitha këto janë kërcënime të mundshme, por ende të pakonkretizuara. Prandaj pyetja thelbësore që shtrohet tani për tani është: Çfarë qëndrimi do të mbajnë fuqitë e mëdha dhe, së pari, ShBA kundrejt këtyre kërcënimeve të mundshme?
Këto ditë, Houthitë kanë sulmuar me forcë Arabinë Saudite, duke e detyruar atë të ndërpresë linjat e transportit të naftës për në portet e saj të Detit të Kuq, ndërkohë që po pushtojnë territorin bregdetar jugor të Jemenit, duke iu afruar Ngushticës Bab al Mandab. ShBA nuk u është përgjigjur kërkesave të Arabisë Saudite për të goditur Houthitë, por duket se ideja që qëndron pas këtij qëndrimi është se një pjesë të veprimtarisë ushtarake kundër tyre duhet ta bëjnë vetë vendet e rajonit. Ndoshta kjo rrethanë është edhe një test për paktin e javëve të fundit ndërmjet Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit. Sidoqoftë, do të ishte e pamundur të mendohej se ShBA do të qëndronte shpërfillëse ndaj këtij zhvillimi, nëse gjërat nuk do të shkonin si duhet për ndaljen dhe shkatërrimin e terroristëve Houthi.
Ndërkohë, në Iran duket se po shkohet drejt ndryshimit të regjimit nga vetë forcat e brendshme kundërshtare të regjimit islamik, pas dëmtimit të madh ushtarak dhe ekonomik që ai ka pësuar nga ShBA. Kjo është një rrethanë që, në kundërshtim me mendimin e disa ekspertëve, ndoshta nuk e pengon ShBA të ndërhyjë, nëse do të jetë e nevojshme, kundër aleancës terroriste ndërmjet Houthive dhe Al Shabaabit. ShBA ka kryer rreth 40 goditje ajrore kundër Al Shabaabit këtë vit dhe rreth 40 të tjera gjatë vitit 2025. Kurse Houthitë i ka goditur gjatë vitit 2025.
Megjithatë, ngjarjet janë duke u zhvilluar me shumë shpejtësi dhe në rrethana ndërkombëtare ku ndërlidhen dhe përplasen shumë interesa të shteteve.
Pikërisht për këtë arsye, duket se edhe angazhimi i ShBA duhet të jetë më i madh dhe më i drejtpërdrejtë. Arabia Saudite ndodhet sot në vijën e parë të përballjes me lëvizjen terroriste Houthi dhe mbështetja amerikane ndaj saj, politike, ushtarake dhe në fushën e sigurisë, nuk duhet parë thjesht si ndihmë ndaj një aleati rajonal. Ajo është pjesë e përpjekjes më të gjerë për të mbrojtur sigurinë e Detit të Kuq, lirinë e lundrimit, rrugët e energjisë dhe, në fund të fundit, një prej arterieve më të rëndësishme të ekonomisë botërore.
Edhe Shqipëria, si vend anëtar i NATO dhe aleat i ShBA, nuk duhet të mbetet pa qëndrim përballë një zhvillimi të tillë. Kuvendi i Shqipërisë duhet të shqyrtojë dhe të ndërmarrë nismën për ta shpallur lëvizjen Houthi organizatë terroriste. Një qëndrim i tillë do të ishte jo vetëm shprehje solidariteti me vendet që ndodhen drejtpërdrejt përballë këtij kërcënimi, në radhë të parë me Arabinë Saudite, por edhe një pozicionim i qartë i Shqipërisë në mbrojtje të lirisë së lundrimit, sigurisë ndërkombëtare dhe luftës kundër terrorizmit.
Me siguri mund të thuhet vetëm se fuqitë e mëdha, me në krye ShBA, nuk mund të lejojnë forcimin as të aktorëve terroristë, as të aleancave të tyre të çfarëdolloji. A nuk është bërë edhe lufta e fundit me Iranin pikërisht për këtë synim, në dobi të paqes dhe sigurisë së Lindjes së Mesme dhe të botës?!

